ATV

Tag: Ballina

  • Qeveria i përgjigjet ‘kërkesës qytetare’ e bën mundësinë për mospranimin e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët

    Qeveria i përgjigjet ‘kërkesës qytetare’ e bën mundësinë për mospranimin e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kanë përgatitur një formular online për ata të cilët duan që vullnetarisht të heqin dorë nga shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë.

    “Shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë. Por ka edhe prej atyre që deklarojnë se shtesat e tilla ata nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë”.

    “Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heqë dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin në vijim: https://see.rks-gov.net”, ka shkruar Murati.

    Ndërkaq, në fund Murati tentoi t’i ngacmojë edhe “analistët dhe opozitën” duke sugjeruar që ky formular të ndahet edhe me ta.

    “Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë . Andaj mos hezitoni ta ndani edhe me ta këtë formular”.

  • ​Musliu: Pacolli, ministrat abuziv dhe kryeministri të japin llogari para qytetarëve

    ​Musliu: Pacolli, ministrat abuziv dhe kryeministri të japin llogari para qytetarëve

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dëshmuar pasi sipas saj janë të papërgjegjshëm dhe abuziv me besimin që morën nga qytetarët e Kosovës.

    Në një konferencë për media, Musliu tha se tendenca kryesore e pushtetit aktual është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik.

    Derisa foli për rastin e ndarjes së subvencioneve nga Ministria Bujqësisë, Musliu tha se anëtarja e Komisionit për Mjedis dhe Bujqësi, Fitore Pacolli e vendosi servilizmin dhe përfitimet familjare mbi ligjin dhe përgjegjësinë e saj.

    “Përgjatë gjithë këtij mandati qeverisës ne e kemi ngritur vazhdimisht zërin për keqqeverisjen që u instalua nga Lëvizja Vetëvendosje. Bashkë me raportimet e mediave kemi bërë të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të shohin qartë të vërtetën e keqqeverisjes dhe abuzimet me subvencione nga ana e ministrit Faton Peci. Me angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerr në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik. Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik, kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale. Deputetet e Vetëvendosjes kanë dëshmuar që janë të pa përgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që e morën nga qytetarët e këtij vendi. Njëra nga këta deputetë të papërgjegjshëm dhe skajshmërisht e dëmshme për funksionim institucional është kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lartë në vend, kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Musliu.

    Musliu e ka quajtur Pacollin marionetë të pushtetit, për çka kritikoi të njëjtën për mosftesë të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe atë të Mjedisit, Liburn Aliu në komisionin që ajo drejton.

    Sipas saj, Pacolli me këto veprime është munduar të mbajë larg vëmendjes publike abuzimet në ministri.

    “Dua të theksoj se Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi përmes të cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar. Gjatë gjithë vitit 2024 asnjëherë nuk e ka ftuar na raportim ministrin Peci përkundër faktit që ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e tjerë të komisionit. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu…Fitore Pacolli është sinonim i përfaqësimit të pa përgjegjshëm dhe sinonim si abuzohet me besimin e qytetarëve. Ajo si marionetë e pushtetit e ka neglizhuar dhe përvetësuar punën e komisionit parlamentar sepse vetëm kështu ka menduar ta mbajë larg vëmendjes publike abuzimet në ministri që në realitet është i thirrur t’i mbikëqyrë dhe të kërkojë llogari”, potencoi Musliu.

    Ndër të tjera, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se përveç Pacollit, as ministrat siç i quan ajo abuziv e as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të jenë komod, sepse sipas saj duhet dhënë llogari para qytetarëve për çdo veprim.

    “As Fitore Pacolli, as ministrat abuziv dhe as kryeministri që ka instaluar një mendësi shkatërruese nuk mund të ndjehen komod sepse që të gjithë duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve për çdo veprim dhe për çdo shpërndarje të fondeve të dedikuara për t’i subvencionuar bujqit dhe fermerët e Kosovës të cilët fitojnë me mund e djersë bukën e gojës…Kërkojmë nga organet kompetente t’i shqyrtojnë seriozisht dhe t’i hetojnë këto raste të nepotizmit, të konfliktit të interesit dhe shkeljeve ligjore”, theksoi Musliu.

  • Ministria e Ekonomisë i bën thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike: Sistemi ynë është ngarkuar tej mase

    Ministria e Ekonomisë i bën thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike: Sistemi ynë është ngarkuar tej mase

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se mbrëmë vonë ka mbajtur takim të përbashkët me KOSTT dhe KEDS për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike pasi që qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit.

    Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media, bën të ditur se, KOSTT dhe KEDS kanë raportuar se, “me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”

    “Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

    Tutje kjo ministri njofton se gjatë javës në vijim pritet të përfundohet ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, që sipas tyre, pritet të zgjidh problemet me energji elektrike në këtë komunë.

    “Probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.

    Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë, dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion”, thotë Ministria.

    Gjithashtu thuhet se për ditët e festave të fundvitit janë më kritike sa i përket furnizimit me energji, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm me konsumin e energjisë, paradite e pasdite në periudha të caktuara kohore.

    “Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.

    Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit.

    Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë.

    Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

  • Komandanti i KFOR-it: Paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike

    Komandanti i KFOR-it: Paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike

    Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike.

    Barduani ka sqaruar se “zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog”, nënkupton se alternativa për çështje thelbësore mes palëve është në duar të diplomacisë dhe politikës.

    “Ndërsa prania ushtarake e KFOR-it është e nevojshme për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë, paqja e qëndrueshme kërkon një zgjidhje politike. Në fakt, pas një krize ndërkombëtare, forcat ushtarake janë funksionale për të krijuar një mjedis të sigurt, por është në duar të diplomacisë dhe politikës që të zgjidhin çështjet thelbësore që shkaktuan krizën dhe të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk mund të jetë një detyrë që i besohet personelit ushtarak”, deklaroi Barduani për AP.

    Barduani kishte shërbyer në Kosovë në vitin 2001 si oficer dhe më pas, në vitin 2015, si shef i kabinetit të komandantit të KFOR-it. Aktualisht, ai e konsideron situatën e sigurisë më stabile, por megjithatë ajo vazhdon të mbetet e brishtë edhe pas më shumë se dy dekadash.

    “Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2001, ajo ka mbetur e qetë, por e brishtë prej vitesh. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së përparimit të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht”.

    Barduani, ka deklaruar se menjëherë pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, të cilin aktualisht ai e udhëheqë, kanë siguruar zonën, por që ka theksuar se përgjegjës për sundimin e ligjit është Policia e Kosovës.

    Ushtaraku italian mori komandën e KFOR-it më 11 tetor, duke e zëvendësuar kështu ne këtë pozitë turkun, Ozkan Ulutas-in.

    Një muaj e gjysmë pasi mori detyrën, Kosova u përballe me një nga sulmet më të rënda në infrastrukturën kritike.

  • Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, komentoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

    Ai vlerësoi se një qasje e tillë përjashtuese dëmton kohezionin social dhe parametrat e shtetësisë së Kosovës.

    “Janë politizuar deri në absurd dhe deri në përmasa që janë përjashtuese, duke e prishur kohezivitetin social dhe për pasojë edhe parametrat themelorë të shtetësisë së Kosovës”, tha Hasani, duke shtuar se këto vendime duhet të bazohen në standarde profesionale dhe jo në kalkulime politike.

    Ai tha se imponimi i përfaqësimit politik për komunitete të caktuara ka një çmim të lartë për shtetin.

    “Nuk mundesh një popull kushtetues, siç është populli serb dhe komunitetet tjera, me ia imponu përfaqësimin politik”, u shpreh ai, duke e quajtur këtë praktikë të papranueshme.

    Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë kritikën e ambasadës amerikane, e cila e cilësoi vendimin si të motivuar politikisht.

    Intervistën e tij të plotë në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia po kryen akte agresioni ndaj Kosovës, ndërsa Qeveria aktuale nuk gëzon besim ndërkombëtar për t’i adresuar këto sfida.

    Hoxhaj tha se Serbia ka ndërmarrë hapa agresivë, duke përfshirë sulme ndaj infrastrukturës kritike si nw Banjskë dhe së fundmi në Ibër Lepenc.

    “Përderisa Kosova ka negociuar me Serbinë në dialog gjatë ditës, Serbia ka bërë një akt agresioni në Banjskë dhe ka pasur një vendim politik për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo është një temë shumë serioze”, tha Hoxhaj.

    Ai kritikoi Qeverinë për mungesë kredibiliteti, duke thënë se kjo po ndikon negativisht në bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

    “Ne e kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve. Nuk ka kredibilitet, nuk i beson kush kësaj Qeverie”, deklaroi Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, mund ta ndiqni në videon më poshtë:

  • Specialja urdhëron Hajredin Kuçin të mos flasë me familjarë për rastin, e as në media

    Specialja urdhëron Hajredin Kuçin të mos flasë me familjarë për rastin, e as në media

    Përgatiti: Nora Luta

    Ndonëse e la të lirë, Gjykata Speciale ka vendosur një varg masash ndaj ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

    Gjykata e ka urdhëruar Kuçin ndër të tjera që të mos diskutojë përmbajtjen e akuzave dhe procedurës, as me familjen e tij, përveç avokatit mbrojtës.

    Ish ministrit, gjithashtu i është ndaluar të deklarohet në media dhe të bëjë deklarata publike.

    “(D) të përmbahen, në këtë fazë dhe deri në urdhër të mëtejshëm, nga çdo kontakt ose komunikimi, i drejtpërdrejtë ose i tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe përmes çdo mjeti, me ndonjë dëshmitar (të mundshëm) apo viktimë në rasti aktual ose ndonjë rast tjetër para Gjykatës; (f) t’i përmbahet çdo kufizimi për lëvizjet e tij në territorin e Shtetit Pritësit
    , që mund t’i imponohet atij nga shteti pritës, gjatë periudhës
    qëndrimi i tij në të; dhe të jetë në përputhje, në çdo rast, me të gjitha udhëzimet e Sekretarit për qëllimet e paraqitjes së tij para Gjykatës”, thuhet në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Një ndër arsyet pse Gjykata ka vlerësuar se në rrethanat aktuale nuk ka rrezik që Kuçi do t’i shmangej ballafaqimit me drejtësinë, është lartësia e dënimit për veprën që dyshohet, dhe karriera e tij politike.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se pavarësisht lidhjeve të z. Kuçi me Thaçi dhe Veseli, karriera e tij shumëvjeçare politike, dhe dënimi potencial i ulët lidhur me to, i jep z. Kuçi pak motiv dhe/ose nxitje për të ikur nga një dënim i tillë i mundshëm. z. Kuçi është penalisht përgjegjës për dy pika të aktakuzës: mospërfillja e gjykatës, ku dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet më tej në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Hajredin Kuçi më 9 dhjetor është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën, të cilën ZPS-ja e kishte dorëzuar të ndryshuar në qershor të këtij viti, ndërsa në nëntor u konfirmua nga Gjykata.

    Kuçi po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.

    Ndërkohë Thaçi, Smkaj dhe të tjerët janë në paraburgim.

    Një ndër arsyet sipas gjykatës është që Thaçi dhe Smakaj kanë kapacitetin dhe aftësinë për të marrë mbështetjen e zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve sikurse atyre inteligjent dhe policorë, që sipas Gjykatës mund të ju ndihmojnë për të ikur, duke përfshirë edhe kalimin e paligjshëm të kufijve.

  • Qeveria intensifikon veprimet, por akuzon të tjerët për fushatë

    Qeveria intensifikon veprimet, por akuzon të tjerët për fushatë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “A nuk ka pasur mundësi të bëhet më herët, nëse është dashur? Pra, pse pikërisht në kohen kur jemi në një proces zgjedhor, konsiderohet edhe pse nuk jemi ende zyrtarisht në fushatë? Është e qartë që Prokuroria ka tendencë të bllokojë punën tonë, të minojë punë tonë, të dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë, siç zakonshëm kanë bërë”.

    Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk kurseu akuzat ndaj Prokurorisë Speciale, të hënën, teksa foli për ftesën për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti, si dëshmitar, në rastin e rezervave shtetërore.

    Derisa ftesën në kuadër të hetimit, ajo vendosi në kontest parazgjedhor, Qeveria nuk i sheh veprimet e saj, si me ndihma financiare e prerje shiritash, në raste edhe për projekte të papërfunduara, si fushatë.

    Përkundër kritikave ndaj Prokurorisë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se një vendim i nënshkruar nga kryeministri lidhur me rastin, e bën të domosdoshëm intervistimin e tij.

    “Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë të drejtë t’i thërrasin të gjithë zyrtarët, qytetarët e Kosovës, si dëshmitar në një fazë të procedurës kur ata e shohin të arsyeshme. Kështu që, padyshim që kjo nuk mund të konsiderohet si pjesë e fushatës sepse, në fund të fundit, ftesa që i është dërgua kryeministrit është bërë publike nga vetë Zyra e Kryeministrit, e jo nga ana e Prokurorisë. Nëse kryeministri do t’i përgjigjej ftesës si dëshmitar, do të kalonte në heshtje ky rast”, tha drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
    Në anën tjetër, intensifikimi i veprimeve të pushtetit ekzekutiv më pak se dy muaj nga zgjedhjet, nuk shihet si risi.

    “Nuk është diçka e re kur partitë politike e shfrytëzojnë Buxhetin e Kosovës për të shpërndarë ndihma sociale, grupeve të margjinalizuara, pensionerëve, fëmijëve etj”, tha Miftaraj.

    Megjithatë, në vlerësimin e opinionistit Bekim Kabashi, mesazhi nga Qeveria bie ndesh me premtimin e partisë në pushtet për luftimin e korrupsionit.

    “Secila Qeveri pak a shumë nuk është që nuk e shfrytëzon punën e saj për me promovua, sidomos në prag të zgjedhjeve, që të mund të arrihet një rezultat më i mirë zgjedhor. Por, kur manipulohet deri në ekstreme të tilla, atëherë kjo duhet të jetë një mesazh për qytetarët, që të ketë një efekt të kundër, jo atë që e pret Qeveria. Sepse sidomos te rasti i thirrjes që i është bërë kryeministrit Kurti nga Prokuroria, kjo do të duhej të ishte një mesazh tjetër, jo të tregohet një konflikt me Prokurorinë, por një gatishmëri e kryeministrit për të shkuar vetë”, tha Kabashi.

    Fushata për zgjedhjet parlamentare të rregullta, që do të mbahen më 9 Shkurt, zyrtarisht nis më 11 Janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, meqë me ligjin e ri nuk do të ketë heshtje një ditë para.

  • Përurohet procedura e fertilizmit të asistuar mjekësor në QKUK

    Përurohet procedura e fertilizmit të asistuar mjekësor në QKUK

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ndonëse projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor që e mundëson procedurën e IVF-it nuk është votuar në Kuvend, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, të martën u përurua ky shërbim.

    Kjo procedurë mjekësore, e cila u jep shpresë atyre që duan të bëhen prindë do të mundësohet nën Udhëzimin Administrativ të vitit 2013.

    Ndërsa kostoja e aparaturës arrin në mbi 2 milionë euro.
    Sipas kryeministrit Albin Kurti, i cili qe i pranishëm në përurim, për dy herët e para të IVF-të, shërbimi do të ofrohet falas, ndërsa për herën e tretë kostoja do të jetë 670 euro.

    “Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë gjysma prej ShSKUK. Vetëm aparaturë e laboratorit embriologjisë është mbi 1 milion euro dhe përveç kësaj ishin edhe dy ultrazë të ri si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histroskopisë dhe llaparaskopisë”, tha Kurti.

    Ndërsa, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Zef Ndrejaj, tha se tashmë ka filluar mbledhja identifikimi i pacientëve që kanë këso nevojash.
    “Jemi në fazën fillestare ku puna me pacientë vetëm ka filluar. Ka filluar mbledhja e pacientëve që kanë nevojë, klasifikimi i tyre, formimi i listave që shkohet në bazë të procedurave”, tha Ndrejaj.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ndau detaje më shumë, veçse falënderoi stafin për angazhimin.

    “Shfrytëzoj rastin vetëm t’i falënderoj për punën e shkëlqyer gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën që po e bëjnë”, tha Vitia.

    Deri më tani Fertilizimi IN VITRO në Kosovë ofrohej vetëm në klinika private me çmim që fillon nga 4 mijë euro.

  • Lista Serbe ankohet në PZAP pas mosçertifikimit nga KQZ-ja

    Lista Serbe ankohet në PZAP pas mosçertifikimit nga KQZ-ja

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve dhe sipas tij vendimi është marrë me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti.

    “Besojmë se vendimi është marrë me urdhër të Albin Kurtit për të parandaluar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi sesa shumë Kurti dëshiron t’i eliminojë serbët nga ky territori. Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik”, tha Ellek.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër.

    Duke e arsyetuar vendimin Kurteshi tha se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe përdor rregullisht termin “Kosova dhe Metohia” ose frazën “Rroftë Serbia.”

    “Fakti që në vend të ‘Rroftë Republika e Kosovës’ thashë ‘Rroftë Republika e Serbisë’… sot ua them qartë se, para së gjithash, jam krenar që jam serb dhe krenar që i thashë ato fjalë. Qëndroj fort pas çdo fjale të shqiptuar”, tha Ellek.

    Vendimi për moscertifikim të Listës Serbe u mor pavarësisht se Zyra për Regjistrimin dhe Verifikimin e Subjekteve Politike kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe. Ndërkaq nga pranimi i ankesës, PZAP ka kohë 48 orë për të vendosur për rastin.

    Pos Listës Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë regjistruar edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb.