ATV

Tag: Ballina

  • Mbyllen dy ndërmarrje publike paralele serbe në veri

    Mbyllen dy ndërmarrje publike paralele serbe në veri

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore, dy ndërmarrje publike të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur nga Policia.

    Siç ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

    “Bazuar në kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ne erdhëm këtu për të asistuar. Sipas komunës, kjo pronë është e saj. Pasi policia hyri në objekt erdhëm në përfundim se ky mund të jetë institucion paralel. Atëherë ftuam prokurorinë dhe mblodhëm dëshmi. Aktualisht hetimet po zhvillohen në drejtim të falsifikimit të dokumenteve”, tha Elshani.

    Për këtë aksion të Policisë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se keqpërdorimi i realizuar nën flamujt dhe emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur, do të hetohet deri në fund.

    “Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

    Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve ndodheshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

    Pas mbylljes së zyrave u deklarua edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet e dakorduara”.

    Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se “hyrja” e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vë në rrezik rreth 70 punëtorët të cilët do të vazhdojnë të marrin pagat.

    Deri më tash autoritetet kosovare kanë mbyllur një numër të organeve të përkohshme komunale si dhe disa kompani komunale.

  • Azem Syla lirohet nga të gjitha akuzat në rastin “TOKA”

    Azem Syla lirohet nga të gjitha akuzat në rastin “TOKA”

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla është liruar nga të gjitha akuzat në rastin “Toka”.

    Përveç Sylës, nga akuzat u liruan edhe Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

    Ndërsa të akuzuarit e tjerë u dënuan me gjithsej 39 vjet burgim dhe 300 mijë euro gjobë.

    Sipas gjykatës, Prokuroria arriti të provojë tjetërsimin e pronave shoqërore, por jo edhe përfshirjen e Sylës, dhe disa personave të tjerë në grupin e organizuar kriminal.

    Një ndër rastet e profilit të lartë të korrupsionit, ai “Toka”, mori epilog, pas tetë vjetësh nga ngritja e aktakuzës, në 2016-n. Rreth hetimeve kishte pasur si rrallëherë bashkëpunim edhe me Serbinë.

    Mungesa e palëve gjatë seancave, ndryshimi i trupit gjykues e deri te ankesat e avokatëve për shkresat e lëndës, e karakterizuan rastin, ku sipas aktakuzës, u përvetësuan prona shtetërore te personat fizikë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 30 milionë euro.

  • ​Regjistrimi i diasporës, KQZ ende pa vendim për shtyrjen e afatit

    ​Regjistrimi i diasporës, KQZ ende pa vendim për shtyrjen e afatit

    Ka dështuar mbledhja e sotme e KQZ-së për shkak të mungesës së kuorumit. Në mbledhje munguan anëtarët nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Në rend të ditës për shqyrtim mes tjerash ishte njoftimi për afatin e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

    Kjo pikë sipas anëtarit të KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi ishte arsyeja e mungesës së këtyre anëtarëve në mbledhjen e sotme.

    Sipas tij, opozitarët janë kundër shtyrjes deri më 29 dhjetor të afatit për regjistrim të mërgatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Duke argumentuar nevojën e shtyrjes së afatit, ai tha se deri tani mbi 92 mijë qytetarë nga mërgata mund të konsiderohen votues jashtë vendit, ndërsa trendi është në rritje, andaj kërkoi të gjenden forma të tjera për shtyrjen e afatit.

    “Sot është çështja krejt tjetër, ka të bëjë me një rekomandim që sekretariati ka sjell mbi mundësitë e shtyrjes së afatit për aplikim për regjistrim të mërgatës, i cili përfundon sot në ora 00:00. Duke parë trendin, i cili është në rritje i aplikimeve dhe me qëllim të mundësimit të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit që të aplikojnë është shqyrtuar mundësia e shtyrjes së këtij afati. Sekretariati ka ardhur me një raport dhe ai në tërësi e jep rekomandimin që ky afat mund të shtyhet edhe pse prek disa aspekte organizative. Mendoj se mungesa e kolegëve këtu, PDK, LDK dhe AAK lidhet me këtë çështje. Ata edhe më herët e kanë shfaqur kundërshtimin e tyre për çfarëdo lloj shtyrje të afateve apo veprimeve që KQZ-ja do t’i merrte për përfshirjen e mërgatës në zgjedhje…Ata nuk janë të gatshëm që të vijnë dhe KQZ-ja të merr vendim. Mungesa e tyre është përpjekje për të pamundësuar shtyrjen e afatit”, tha ai.

    Por kjo u refuzua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili në mungesë të kuorumit u largua nga salla e mbledhjeve.

    Paraprakisht, ai tha se mungesa e anëtarëve nga opozita nuk lidhet me vendimin e PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe. Sipas tij, pasi ai vendim të bëhet i plotfuqishëm dhe të kalojnë afatet kohore të ankesave KQZ-ja do të ketë vendimmarrje.

    “Mund të konstatoj se nuk kemi kuorum për të mbajtur këtë mbledhje. Tre nga anëtarët e KQZ-së kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje për shkak të disa obligimeve të tjera, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë dhënë ndonjë njoftim… Lidhur me vendimin e PZAP-it, duhet të kalojë afati për ankesë dhe prapë do ta trajtojmë në KQZ sapo të bëhet i plotfuqishëm ai vendim…10:36 Në mungesë të kuorumit, takimi nuk mbahet dhe unë me kaq po e përfundoj”, theksoi ai.

    Anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa, (PZAP) për certifikimin e Listës Serbe, duke thënë se një gjë e tillë është gabim, pasi dëshmitë tregojnë se kjo parti është strofull e terrorizmit shovinist serb në Kosovë.

    “Janë disa aspekte formale që i ka trajtuar PZAP sipas parimit në letër gjithçka në rregull. Ne e kemi shumë dëshmi dhe fakte për involvimin e Listës Serbe dhe të anëtarëve të saj në veprimet të dhunshme terroriste kundër Republikës së Kosovës, policisë, institucioneve, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe vetë kundër KQZ-së. Zyrat e KQZ-së, ne i kemi pasur katër bashkëpunëtorë, ata kanë dhënë dorëheqje me kërkesë dhe urdhër të Listës Serbe, i kanë mbyllur zyrat dhe kanë shkatërruar dokumentet dhe kanë vendosur eksploziv në zyre. Këtë e kanë bërë me urdhër të Listës Serbe. Nënkryetari i atëhershëm të Listës Serbe, Radoiçiq e ka udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar. Ai sot është i lirë. Ne nuk kemi deri sot asnjë rast të vetëm kur ky subjekt politik ka dënuar sulmet e dhunshme terroriste në Kosovë. Atë trashëgimi e bart pa e prekur edhe sot. Prandaj ne konsiderojmë se Lista Serbe është strofull i terrorizmit shovinist serb në Kosovë”, deklaroi Kurteshi.

    PZAP dje ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, e cila kishte vendosur që këtë parti të mos e certifikonte për zgjedhjet e 9 shkurtit./KP

  • Çedomir Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Çedomir Aksiq dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin Çedomir Aksiq për krime lufte në periudhën janar-maj 1999 në fshatrat e Komunës së Shtimes. Ky gjykim është zhvilluar në mungesë.

    Aktgjykimi ndaj Aksiqit u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Aksiq është fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe dënohet me 15 vjet burgim, i cili dënim ekzekutohet kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.

    I akuzuari obligohet të paguajë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit, ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi.

  • Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

    Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Por, ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për A2 CNN, foli për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

    Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga SHBA-ja, Turqia por edhe Gjermania, kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

    Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

    Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

  • Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Vendimi i PZAP-it për Listën Serbe, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka hedhur poshtë vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    PZAP ka miratuar ankesën e Listës Serbe, derisa ka urdhëruar KQZ-në që t’i certifikoj kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet e parlamentare.

    Në vendimin e publikuar nga PZAP-ja, thuhet se njoftimi i KQZ-së për moscertifikimin është anuluar, duke u argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat përkatëse të KQZ-së.

    Gjithashtu, PZAP-ja thekson se gjatë votimit në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim përfundimtar, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

    Lidhur me këtë vendim të PZAP-së, nga KQZ kanë bërë të ditur për Telegrafin se do të presin të kalojnë afatet e procedurave ligjore para se ta caktojnë të jetë në rend dite në mbledhjet e ardhshme të KQZ.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi se në vendimin e PZAP-it ka këshill juridike ku lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme.

    “Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë Elezi.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e kishte certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

  • Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Tahiri: Kurti po e turpëron shtetin e Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të imazhit të Kosovës.

    Ajo ka treguar se një nga veprimet e pushtetit që ka dëmtuar imazhin e Kosovës është edhe “loja” me moscertifikimin e Listës Serbe.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se Kurti nuk ka luajtur ndonjë rol në lirinë e Kosovës.

    “Lirinë e sollëm për gjithë qytetarët e Kosovës, politikanët si Kurti që nuk luajtën rol për lirinë, po dëmtojnë imazhin e shtetit të lirë, demokratik, sovran të Kosovës – njëherë nuk certifikojnë ca subjekte politike për zgjedhje pastaj detyrohen ta bëjnë”.

    “Nuk është hera e parë që ky kryeministër turpëron shtetin tonë para partnerëve ndërkombëtar”, ka shkruar Tahiri.

  • Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në Gazë në orët e para të 26 dhjetorit, thanë mjekët dhe autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze.

    Pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Zeitun të Qytetit të Gazës, teksa autoritetet shëndetësore shtuan se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës.

    Ndërkaq, një incident të ndarë, pesë gazetarë u vranë kur makina e tyre u godit nga një sulm në afërsi të spitalit Al-Avda, në Nuseirat në Gazën qendrore, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Ata ishin punonjës të kanalit televiziv, Al-Quds Al-Youm. Sipas mediave palestinezëve dhe gazetarëve lokalë, makina e gazetarëve të vrarë ishte e shënjuar si makinë e ekipeve mediale dhe ishte përdorur nga ta për të raportuar nga brenda spitali dhe kampi i refugjatëve Nuseirat.

    Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me këto sulme të raportuara.

    Megjithatë, një ditë më herët Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – këmbyen akuza se kanë dështuar të përmbyllin një marrëveshje armëpushimi, pavarësisht se të dyja palëve ditëve të fundit thanë se ka përparim në këtë proces.

    Edhe pse së fundi palët kanë shprehur optimizëm për një marrëveshje armëpushimi, ende ka pika për të cilat nuk është gjetur pajtim lidhur me këmbimin pengjeve me të burgosurit palestinezë dhe për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

    Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Vitin e kaluar u liruan më shumë se 100 pengje, në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur në Izrael. Disa të tjerë janë shpëtuar, por Izraeli thotë se beson që nga afër 100 pengje që gjenden në Gazë, të paktën dy e treta e tyre janë vrarë apo kanë vdekur në robëri.

    Ofensiva hakmarrëse izraelite, deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 45.000 palestinezë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në Rripin e Gazës./REL

  • BQK-ja sot bën prezantimin vjetor për vitin 2024

    BQK-ja sot bën prezantimin vjetor për vitin 2024

    Banka Qendrore e Kosovës sot do të bëj prezantimin vjetor për vitin 2024.

    Ky prezantim do të bëhet me fillim nga ora 11:00.

    Sipas njoftimit gjatë kësaj ngjarje do të bëhet ndarja e çmimit tradicional të BQK-së “Ekonomisti i ri”.

  • PZAP vendosë që KQZ-ja ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit

    PZAP vendosë që KQZ-ja ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i KQZ-së ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për votimet e 9 shkurtit, 2025.

    PZAP ka urdhëruar KQZ-në që të ceritifkojë subjektin politik “Lista Serbe” dhe kandidatët e saj për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Siç shkruhet në vendimin e PZAP, ankesa e Listës Serbe është e bazuar.

    “Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i.