ATV

Tag: Ballina

  • LVV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

    LVV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

    Përgatiti: Armand Hoti

    Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë nuk u pajtua me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kështu, partia në pushtet dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër vendimit të PZAP-së.

    Për ta bërë këtë, u angazhua hiç më pak se zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili është edhe përfaqësues i zyrës ligjore të Vetëvendosjes.

    “Sapo e dorëzuam ankesën kundër vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme për faktin se sjelljet dhe veprimet e Listës serbe janë kundërligjore, kundër-Kushtetuese dhe si e tillë ne si subjekt politik kemi bërë ankesë kundër vendimit të PZAP-së dhe presim që Supremja të merr vendim meritor në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Sallahu.

    Sallahu thotë se Lista Serbe, është subjekt politik që përbën rrezik për sigurinë nacionale. Mbështetur në këtë, ai pret që Gjykata Supreme ta aprovoi ankesën e VV-së.

    “Veprimet që konsistojnë me mbështetje të terrorizmit në Banjskë dhe me veprime tjera që i përgjigjen komplet veprimeve terroriste të Beogradit zyrtar, kemi kërkuar nga Gjykata Supreme të jap qëndrimin e vet mbi këtë situatë dhe besoj se Supremja duke u bazuar në sigurinë nacionale, do të marrë vendim konform ruajtjes së sigurisë nacionale dhe kësisoj të mos e lejojë Listën serbe që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për vitin 2025”, tha Sallahu.

    Vetëvendosje u ankua përkundër deklarimit të anëtarit të saj në KQZ, Sami Kurteshi, i cili kishte thënë të enjten se nuk do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme.

    E PZAP të mërkurën e kishte aprovuar ankesën e Listës Serbe, për certifikim.

  • Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, teksa ka bërë një rezyme të diplomacisë shqiptare përgjatë vitit 2024 që po lëmë pas, ka parashtruar edhe objektivat për vitin 2025.

    Ai tha se Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    “Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të Kosovës në një periudhë të ngarkuar me sfida të brendshme dhe të jashtme.

    Kemi mbështetur gjithmonë dialogun e lehtësuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqësore.

    Ky proces është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe për integrimin e të dyja shteteve në strukturat evropiane. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në këtë dialog, duke inkurajuar palët për të shprehur fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë për arritjen e një marrëveshjeje që do të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme.

    Kemi ofruar, gjithashtu, mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në këtë proces, duke lobuar për mundësitë që ky dialog të përfshijë përfitime të prekshme për të dyja vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Hasani.

    Ai shtoi se Shqipëria ka dënuar me forcë çdo formë të dhunës dhe terrorizmit të manifestuar në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu çdo akt të dhunshëm që ka synuar drejtpërsëdrejti destabilizimin e saj dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Hasani ka bërë të ditur gjithashtu, se ka nisur “bashkëpunimi konkret me NATO-n për organizimin e Samitit të Aleancës në Tiranë në vitin 2027, ku Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të presë një ngjarje kaq të rëndësishme në rajon”.

    Kreu i diplomacisë shqiptare shpjegoi se mbetet prioritet forcimi i lidhjeve me diasporën, ndërsa vuri në dukje se Ministria e Jashtme po eksploron “mundësitë për të rinjtë shqiptarë që të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, duke krijuar mundësi për “brain gain” përmes kthimit të njohurive dhe eksperiencave nga jashtë”.

  • Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë, jemi të përkushtuar për partneritet

    Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë, jemi të përkushtuar për partneritet

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përfunduar sot zyrtarisht mandatin e tij trevjeçar, duke mbajtur takimin e fundit lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Gjatë deklarimit të tij për media, Hovenier theksoi se misionin e tij e ka përmbyllur me të njëjtin akt që e nisi, duke vendosur një kurorë lulesh te statuja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke nderuar figurën dhe vlerat për të cilat ai qëndronte.

    Ai po ashtu përsëriti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe shprehu bindjen e tij për potencialin dhe të ardhmen e ndritur të vendit.

    “Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë.

    Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm.

    Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, ka potencuar Hovenier para mediave.

  • Edmond Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

    Edmond Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gjyljeta Ukellës

    Edmond Lajqi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lajqi dënohet me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” , kurse për armëmbajtje pa leje gjyqtari Povataj tha se nuk ka dënim, ndërsa i është konfiskuar arma me të cilën e ka kryer krimin.

    Ai e ka pranuar fajësinë të martën, në seancën fillestare për rastin të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.

    Familjarët e Ukellës e kanë mirëpritur vendimin e gjykatës.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, Lajqi akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me dashje dhe me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.

  • Mbi 90 mijë persona nga mërgata u regjistruan për votim

    Mbi 90 mijë persona nga mërgata u regjistruan për votim

    Ka përfunduar periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Kështu ka bërë te ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi.

    Sipas të dhënave preliminare, Elezi tha se numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244.

    “Ju njoftoj se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte dhe do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve”, shtoi Elezi.

  • ​Qeverisa sot mban mbledhje, në rend dite shqyrtimi i shtesave për fëmijë dhe pensionistë

    ​Qeverisa sot mban mbledhje, në rend dite shqyrtimi i shtesave për fëmijë dhe pensionistë

    Qeveria e Kosovës sot mban mbledhjen e radhës në ora 10:00. Në rend dite do të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.

    Poashtu në këtë mbledhje të qeverisë gjithsej në rend dite janë 9 pika.

  • Sot mbledhja e Qeverisë, në rend dite shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Sot mbledhja e Qeverisë, në rend dite shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ndërsa në rend dite është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për shtesat 100 euro për fëmijët dhe pensionistët.

    Mbledhja e Qeverisë do të mbahet në ora 10:00.

    Në rend dite janë gjithsej nëntë pika, ndërsa pikë e parë është propozim-vendimi për shtesat.

    Po ashtu, Qeveria do të shqyrtojë Propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminalit Doganor në Merdarë.

  • Osmani pret në takim lamtumirës Hovenierin, pritet të bëjnë homazhe të varri i Rugovës

    Osmani pret në takim lamtumirës Hovenierin, pritet të bëjnë homazhe të varri i Rugovës

    Presidentja Vjosa Osmani sot do të pret në takim lamtumirës ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Pas takimit ata do të bëjnë homazhe te shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

    Pas homazheve, Osmani dhe Hovenier do të deklarohen për media.

  • Zgjedhjet, nuk u zgjat afati për mërgatën, s’ka ankesë në supreme për LS-në

    Zgjedhjet, nuk u zgjat afati për mërgatën, s’ka ankesë në supreme për LS-në

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në mungesë kuorumi, dështoi mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – në të cilën, mes tjerash në rend dite ishte njoftimi për afatin për aplikimin për regjistrimin të votuesve jashtë Kosovës.

    Para mbylljes zyrtare së mbledhjes, kreu i KQZ-së sqaroi se në agjendë nuk ishte çështja e vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulimin e vendimit KQZ-së për mos-certifikimin e Listës Serbe.

    “Jo, jo. Lidhur me vendimin e PZAP-së, duhet të kalojë afati për ankesë dhe atëherë do ta trajtojmë në KQZ-së. Sot bëhet i plotfuqishëm vendimi”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

    Ndërkohë, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komision akuzuan kolegët e tyre nga partitë opozitare për mos-pjesëmarrje të qëllimshme në mbledhje.

    Edhe pse tha se ka mjaftueshëm dëshmi kundër Listës Serbe, duke folur në emër të dy anëtarëve të LV-së në KQZ, Sami Kurteshi, tha se ata nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së.

    “Janë disa aspekte formale që i ka trajtua PZAP-ja sipas parimit, në letër gjithçka në rregull. Ne kemi shumë dëshmi dhe fakte për involvimin e Listës Serbe dhe anëtarëve të saj në veprime të dhunshme, terroriste kundër Republikës së Kosovës”, tha Kurteshi.

    Ndërsa, në ditën e fundit të afatit 120 ditësh për regjistrim si votues jashtë vendit, anëtari tjetër partisë në pushtet, Alban Krasniqi, akuzoi opozitën se po ia mohon mërgatës të drejtën për votë – duke mos e zgjatur afatin edhe për tri ditë.

    “Është një shkelje e të drejtës elementare dhe qytetare kjo qasje kështu, kjo mosdhënie e mundësisë së qytetare që të mund të realizojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar dhe votuar”, tha Krasniqi.

    Afati për aplikimin për regjistrim si votues jashtë vendit ishte hapur më 29 Gusht dhe do të mbyllet në sekondën e fundit të 26 Dhjetorit.

  • Rritja ekonomike për Kosovën pritet të jetë 4,3 për qind

    Rritja ekonomike për Kosovën pritet të jetë 4,3 për qind

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Kosova po e mbyllë vitin me 4,3 për qind rritje ekonomike.

    Pak a shumë rritje të njëjtë do të ketë edhe në vitin 2025, sipas Bankës Qendrore të Kosovës.

    Derisa viti po përmbyllet me mesatare të inflacionit 1,7 për qind.

    E në vitin 2024, kosovarët morën kredi më shumë së në vitin e kaluar për 768.9 milionë euro, derisa në total shuma e kredive arriti në 5 miliardë e 668 milionë euro.

    Ndërkaq ulje sipas guvernatorit pati në normat e interesit të bankave nga 6.35 për qind në 6.02 për qind.

    E pas zbatimit të rregullores për operacioni me para të gatshme që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro, në komuna veriore u dyfishua numri i institucioneve financiare.

    Sipas BQK-së, këtë vit investimeve të huaja direkte, kanë arritur në 657 milionë euro.

    Në vitin që po e lëmë pas ka pasur ulje të remitancave në 1.3 miliardë euro, siç u tha për shkak të liberalizmit të vizave.