ATV

Blog

  • Përdhunoi dhe abuzoi seksualisht me fëmijë 7-8 vjeç – Akuza të reja kundër Michael Jackson!

    Përdhunoi dhe abuzoi seksualisht me fëmijë 7-8 vjeç – Akuza të reja kundër Michael Jackson!

    Familja e kishte mbështetur publikisht më parë Jacksonin, edhe pas vdekjes së tij…

    Gati 17 vjet pas vdekjes së Michael Jackson, akuzat për abuzim seksual po rishfaqen pasi u publikuan foto të pabotuara më parë dhe një padi kolektive u ngrit nga anëtarë të familjes Cascio. Fotot tregojnë “Mbretin e Popit”, i cili vdiq në vitin 2009 në moshën 50 vjeç, të ulur me Dominic Cascio, i cili në njërën nga imazhet duket të jetë 9 vjeç.

    Cascio, tani i rritur, tha se fotot ngjallin emocione të forta tek ai, duke vënë në dukje se ai sheh “frikë dhe konfuzion” në fytyrën e tij dhe e lidh shprehjen e tij me traumën që ai pretendon se po përjetonte në atë kohë.

    Dominic Cascio, së bashku me vëllezërit e motrat e tij Edward, Aldo dhe Marie-Nicole Porte, kanë ngritur një padi kundër kompanive dhe pasurisë së Jackson në gjykatën federale në Los Angeles. Dokumentet e gjykatës pretendojnë se këngëtari i drogoi, përdhunoi dhe abuzoi seksualisht paditëset kur ato ishin fëmijë, duke thënë se disa prej tyre ishin vetëm 7 ose 8 vjeç.

    Familja e kishte mbështetur publikisht më parë Jacksonin, edhe pas vdekjes së tij, duke deklaruar se nuk kishte ndodhur asgjë e papërshtatshme. Megjithatë, sipas raportimeve, ata tani pretendojnë se janë mashtruar dhe manipuluar, ndërsa qëndrimi i tyre ndryshoi pas publikimit të dokumentarit “Leaving Neverland” në vitin 2019. Gjithashtu raportohet se në vitin 2020 pati një zgjidhje për miliona dollarë.

    Në padinë e re, familja pretendon se këngëtari u “ka shpëlarë trurin” dhe i ka detyruar të nënshkruajnë kontrata mashtruese për t’i heshtur. Dominic Cascio tha se ndjen trishtim dhe zemërim kur sheh fotot, duke theksuar se si baba nuk mund ta durojë më të mendojë se ndonjë fëmijë mund të kalojë nëpër përvoja të ngjashme.

    Në të njëjtën kohë, vihet re se vëllezërit, së bashku me Frank Cascio, kishin ngritur një padi të ngjashme, me një gjyqtar që vendosi muajin e kaluar që çështja duhet të zgjidhet përmes arbitrazhit. Avokati i pasurisë së Jacksonit, Marty Singer, tha se për dekada vëllezërit Cassio kanë këmbëngulur që këngëtari nuk i ka dëmtuar kurrë ata ose askënd tjetër, duke theksuar se pretendimet e tyre aktuale bien ndesh me deklaratat e tyre të mëparshme publike.

    Daily Mail raporton se avokatët i kanë quajtur pretendimet “një përpjekje e dëshpëruar për përfitim financiar”, duke vënë në dukje se vetë paditësit kanë pohuar publikisht për vite me radhë se Jackson nuk i kishte dëmtuar ata.

  • Gratë më të pasura në botë për vitin 2026!

    Gratë më të pasura në botë për vitin 2026!

    Një hyrje e re është edhe Luana Lopes Lara nga Brazili…

    Renditja e Forbes për miliarderët e botës mbetet në mënyrë disproporcionale mashkullore, por përqindja e grave mes njerëzve më të pasur të planetit vijon të rritet.

    Këtë vit, 481 nga 3,428 miliarderë në botë janë gra, ose 14% e listës, nga 406 ose 13.4% një vit më parë. Gruaja më e pasur në botë për të dytin vit radhazi është trashëgimtarja e Walmart, Alice Walton, me një pasuri të vlerësuar në 134 miliardë dollarë.

    Pas saj renditen trashëgimtarja e L’Oréal, Françoise Bettencourt Meyers, me 100 miliardë dollarë, dhe Julia Koch, e veja e industrialistit David Koch, me 81.2 miliardë dollarë.

    Iris Fontbona u ngjit në vendin e katërt me 52.6 miliardë dollarë, ndërsa Jacqueline Mars ra në vendin e pestë me 49.1 miliardë dollarë.

    E vetmja grua self-made, pra që e ka ndërtuar vetë pasurinë e saj, është zvicerania Rafaela Aponte-Diamant, me 44.5 miliardë dollarë, në vendin e gjashtë. Ajo është më e pasura mes vetëm 122 grave miliardere që e kanë krijuar vetë pasurinë, nga 113 një vit më parë.

    Ndër gratë self-made më të njohura, këtë vit në listë hyn edhe Beyonce, me 1 miliard dollarë, së bashku me Rihanna, Sara Blakely dhe Taylor Swift. Një hyrje e re është edhe Luana Lopes Lara nga Brazili, bashkëthemeluese e Kalshi, e cila në moshën 29-vjeçare është tashmë gruaja miliardere self-made më e re në botë.

    Ndërkohë, Melinda French Gates dhe Marilyn Simons dolën nga 10-shja e parë, duke u zëvendësuar nga Iris Fontbona dhe Zheng Shuliang.

    10. Zheng Shuliang & familja

    Pasuria neto: 33.2 miliardë dollarë | Mosha: 80 | Burimi: Produkte alumini | Shtetësia: Kinë.

    9. Abigail Johnson

    Pasuria neto: 33.2 miliardë dollarë | Mosha: 64 | Burimi: Fidelity | Shtetësia: SHBA.

    8. Miriam Adelson & familja

    Pasuria neto: 37.5 miliardë dollarë | Mosha: 80 | Burimi: Kazino | Shtetësia: SHBA.

    7. Savitri Jindal & familja

    Pasuria neto: 39.1 miliardë dollarë | Mosha: 75 | Burimi: Çelik | Shtetësia: Indi.

    6. Rafaela Aponte-Diamant

    Pasuria neto: 44.5 miliardë dollarë | Mosha: 80 | Burimi: Transport detar | Shtetësia: Zvicër.

    5. Jacqueline Mars

    Pasuria neto: 49.1 miliardë dollarë | Mosha: 86 | Burimi: Ëmbëlsira | Shtetësia: SHBA.

    4. Iris Fontbona & familja

    Pasuria neto: 52.6 miliardë dollarë | Mosha: 83 | Burimi: Miniera | Shtetësia: Kili.

    3. Julia Koch & familja

    Pasuria neto: 81.2 miliardë dollarë | Mosha: 63 | Burimi: Koch, Inc. | Shtetësia: SHBA.

    2. Françoise Bettencourt Meyers & familja

    Pasuria neto: 100 miliardë dollarë | Mosha: 72 | Burimi: L’Oréal | Shtetësia: Francë.

    1. Alice Walton

    Pasuria neto: 134 miliardë dollarë | Mosha: 76 | Burimi: Walmart | Shtetësia: SHBA.

  • Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Haxhiu kujton masakrën në Lagje të Re dhe në Rakoc: Sakrifica e dëshmorëve e martirëve duhet të ruhet e plotë

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 9 prillin e vitit 1999, një nga ditët më të rënda të luftës në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, ajo ka nderuar të rënët e asaj dite, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtimit dhe sakrificës së tyre.

    “Në mesin e tyre kishte burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të reja, që nuk zgjodhën të tërhiqen përballë dhunës, por të qëndrojnë. Emra si Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika mbeten dëshmi se sakrifica për liri nuk ka qenë kurrë e njëanshme, por e përbashkët, e barabartë dhe e pakushtëzuar. Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë me nderim të gjithë të rënët e 9 prillit, me përgjegjësinë që kjo sakrificë të ruhet e plotë, ashtu siç ishte edhe qëndresa e tyre. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Haxhiu.

  • Kosovarët, turistët kryesorë në Shqipëri, përbëjnë 41% të totalit të hyrjeve

    Kosovarët, turistët kryesorë në Shqipëri, përbëjnë 41% të totalit të hyrjeve

    Turistët nga Kosova mbajnë primatin e vizitave në muajt e parë të vitit në Shqipëri

    Të dhënat e 2-mujorit të parë 2026 tregojnë rritje të lehtë nga Kosova dhe Itali, ndërsa tregjet që shënuan bum në 2025 po shfaqin rënie, përcjell albinfo.ch.

    Dy muajt e parë të vitit 2026 nuk kanë sjellë një nisje të fortë për turizmin, ku janari u shoqërua me tkurrje prej 1.5% të hyrjeve të të huajve, ndërsa shkurti shënoi vetëm një rritje minimale. Sipas turoperatorëve, ndikim të drejtpërdrejtë në këtë ecuri ka pasur moti i paqëndrueshëm, megjithëse jo të gjitha grupet e vizitorëve janë prekur njësoj.

    Të dhënat sipas shteteve tregojnë se Kosova ka vijuar të jetë mbështetësi kryesor i fluksit turistik. Shtetasit nga Kosova përbëjnë 41.4% të totalit të hyrjeve dhe në janar-shkurt kanë shënuar një rritje prej rreth 2.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Në vendin e dytë renditen italianët, të cilët përbëjnë 13.2% të totalit dhe kanë shënuar një nga rritjet më të larta për këtë periudhë, me 11.7% më shumë hyrje në raport me 2-mujorin e vitit 2025. Rritje kanë pasur edhe hyrjet nga Greqia, me 2.5%, treg i cili, njësoj si Italia, ndikohet edhe nga prania e emigrantëve shqiptarë.

    Në total, për dy muajt e parë të vitit janë regjistruar mbi 93 mijë hyrje.

    Rënie për Gjermaninë dhe Francën, pas rritjes së fortë në 2025

    Ndryshe nga tregjet që mbajtën peshën kryesore të turizmit, disa nga vendet europiane që shënuan rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar po shfaqin rënie.

    Në janar-shkurt 2026, në Shqipëri kanë hyrë 16.5 mijë shtetas gjermanë, me një rënie prej 5.5%krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më e theksuar ka qenë rënia e vizitorëve nga Franca, me 13.9% më pak hyrje.

    Gjermanët dhe francezët konsideroheshin “risia” e vitit 2025, pasi shënuan rritje dyshifrore, por kjo tendencë duket se është përmbysur në fillim të këtij viti.

    Edhe vende të tjera europiane në rënie

    Rënie është shënuar edhe për Poloninë, me 4.8% më pak hyrje sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Po ashtu, tkurrje kanë pasur edhe tregje të tjera si Kroacia, Zvicra, Holanda, Suedia, Çekia, Austria, Hungaria dhe Sllovakia.

    Turoperatorët presin rikthim të trendit rritës në pranverë

    Pavarësisht sinjaleve të zbehta të dy muajve të parë, turoperatorët theksojnë se kjo periudhë nuk përfaqëson domosdoshmërisht ecurinë e plotë të vitit. Sipas tyre, me përmirësimin e kushteve të motit dhe gjallërimin e tureve kulturore, pritet që fluksi i turistëve të rikthehet në trendin rritës.

    Pritshmëritë janë që viti 2026 të ndjekë të njëjtën rritje të vitit 2025, kur u regjistruan 12.4 milionë hyrje.

    Ndërkohë, turizmi i organizuar pritet të nisë fluturimet e para për sezonin veror në fund të majit për zonën e Golemit, ndërsa për Vlorën në qershor, megjithëse mbetet ende e paqartë data e hapjes së aeroportit.

  • Kërcënoi punëtorët gjatë kryerjes së punimeve, arrestohet një person në Gjilan

    Kërcënoi punëtorët gjatë kryerjes së punimeve, arrestohet një person në Gjilan

    Një person është arrestuar në Gjilan nën dyshimin për veprat penale “vetëgjyqësi” dhe “kanosje”, pasi ka penguar zhvillimin e punimeve në një pronë private.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur, më 8 prill 2026 rreth orës 08:30, ku i dyshuari mashkull kosovar ka ndërhyrë dhe ka kanosur punëkryesit e angazhuar nga ankuesi për rregullimin e rrjetit të kanalizimit.

    “Gjilan / 08.04.2026 – 08:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka penguar dhe kanosur punë kryesit e angazhuar nga ankuesi mashkull kosovar për rregullimin e rrjetit të kanalizimit, për të cilat ankuesi posedon leje për kryerjen e punimeve. Me vendim të prokurori, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Gjendet një mjet shpërthyes në Rahovec, intervenon FSK-ja

    Gjendet një mjet shpërthyes në Rahovec, intervenon FSK-ja

    Një person ka raportuar në polici se gjatë punimeve në një shtëpi ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes në Rahovec.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, ndërsa menjëherë pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

    Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë edhe njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit pa shkaktuar incidente apo dëme.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjatë punimeve në një shtëpi ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së e ka shpërthyer mjetin në mënyrë të kontrolluar pa incidente”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Tahiri: Kalkulime elektorale, bllokada, refuzime, vonesa – era e zgjedhjeve po ndjehet qartë

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e përshkroi si “dinamike” ditën e djeshme, ndërsa folli për zhvillimet në Kryesinë e Kuvendit dhe për “kalkulime elektorale”.

    “Dje ishte një ditë dinamike, por mbi të gjitha dëshmi se institucionet tashmë po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje. Pse?”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Në Kryesi, qasja e GP të VV-së ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim i pabesueshëm dhe dëshmi e standardeve të dyfishta. Kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por reflektim i kalkulimeve elektorale”, shtoi Tahiri.

    Ai tha se të gjitha këto, “bllokadat, refuzimet dhe vonesat”, janë për “pozicionim politik” dhe se po vie “era zgjedhje”.

    “Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë: intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë, ndërsa në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatët për KGJK-në. Kur i sheh të gjitha bashkë, bllokadat, refuzimet dhe vonesat, është e qartë se fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik. Era e zgjedhjeve po ndihet qartë”, shkroi ai.

  • Afër 60 aksidente trafiku e mbi 2500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 17 persona të arrestuar

    Afër 60 aksidente trafiku e mbi 2500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 17 persona të arrestuar

    Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar mbi 2500 gjoba trafiku.

    Po ashtu, shton PK’ja, kanë ndodhur 57 aksidente trafiku, ku 31 kanë qenë me dëme materiale, e 26 me të lënduar.

    Tutje, thekson Policia, 17 persona janë arrestuar ku 11 janë dërguar në mbajtje.

  • Zhduket një vajzë në Gjakovë, babai raporton rastin në polici

    Zhduket një vajzë në Gjakovë, babai raporton rastin në polici

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një rast të zhdukjes që ka ndodhur në Gjakovë.

    Atje, bën të ditur policia, një person ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe se më nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    ‘’PERSON I ZHDUKUR

    Gjakovë / 06.04.2026 – 16:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime nga njësitë relevante’’, thuhet në raportin e PK’së.

  • Rasti i rëndë në Deçan ku vdiq një punëtor, Policia: Po hetojmë rastin

    Rasti i rëndë në Deçan ku vdiq një punëtor, Policia: Po hetojmë rastin

    Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në Deçan ku një punëtor ka humbur jetën.

    Lidhur me këtë rast, në raportin e përditshëm të saj, është deklaruar Policia e Kosovës. Aty thuhet se rasti është duke u hetuar si ‘’hetim i vdekjes’’.

    Po ashtu, bëhet e ditur se, trupi i viktimës është dërguar në IML me urdhër të prokurorit kujdestar.

    ‘’HETIM I VDEKJES

    Deçan / 08.04.2026 – 14:00. Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës dhe prokurori kujdestar me urdhër të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion’’, thuhet në raport.