ATV

Blog

  • Në Zvicër ekzistojnë mbi 300 mijë bunkerë për mbrojtje civile

    Në Zvicër ekzistojnë mbi 300 mijë bunkerë për mbrojtje civile

    Sistemi unik zviceran i strehimit emergjent mbulon pothuajse të gjithë popullsinë dhe konsiderohet ndër më të organizuarit në botë

    Zvicra vazhdon të mbetet një nga shtetet më të përgatitura në botë për situata emergjente dhe kriza të mundshme. Që nga periudha e Luftës së Ftohtë, autoritetet zvicerane kanë ndërtuar një rrjet të gjerë bunkerësh dhe strehimoresh për mbrojtjen civile, duke krijuar një sistem të organizuar që edhe sot konsiderohet model për shumë vende, përcjell albinfo.ch.

    Sipas të dhënave, në Zvicër ekzistojnë mbi 300 mijë bunkerë, të shpërndarë në qytete dhe zona rurale, me kapacitet të mjaftueshëm për të strehuar pothuajse të gjithë popullsinë në rast rreziku. Kjo e bën Zvicrën një nga vendet e rralla ku kapaciteti i strehimoreve tejkalon numrin e banorëve.

    Një element i veçantë i këtij sistemi është fakti se shumë bunkerë nuk janë të vendosur vetëm në struktura të veçanta, por janë të integruar edhe në ndërtesa të zakonshme, si shtëpi private, shkolla, spitale dhe parkingje nëntokësore. Kjo vjen si rezultat i legjislacionit zviceran për mbrojtjen civile, i cili kërkon që ndërtesat e reja të pajisen me hapësira të posaçme strehimi, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje të menjëhershme në rast krizash, katastrofash natyrore apo konfliktesh.

    Pjesa më e madhe e këtyre bunkerëve janë të ndërtuar sipas standardeve të larta të sigurisë, të pajisur me dyer të fortifikuara, sisteme filtrimi të ajrit, rezerva të ujit dhe furnizime ushqimore, duke u mundësuar qytetarëve të qëndrojnë të mbrojtur për një periudhë të caktuar kohe.

    Ky sistem i zhvilluar i strehimit emergjent reflekton traditën zvicerane të përgatitjes dhe organizimit, duke e mbajtur mbrojtjen civile si një shtyllë të rëndësishme të politikës së sigurisë kombëtare.

  • Anëtari i KQZ’së, Cakolli: Osmani bëri shkelje, çështja mund të përfundojë në Kushtetuese, me Haxhiun situata mund të komplikohet

    Anëtari i KQZ’së, Cakolli: Osmani bëri shkelje, çështja mund të përfundojë në Kushtetuese, me Haxhiun situata mund të komplikohet

    Derisa ka mbetur edhe pak kohë për emërimin e anëtarit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dilema kryesore vazhdon të mbetet nëse ky post duhet t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje apo Partisë Demokratike të Kosovës.

    Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se ish-presidentja Vjosa Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese në këtë proces.

    Cakolli, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se situata mund të komplikohet edhe më tej, sidomos për shkak se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, vjen nga radhët e LVV-së.

    “Në radhë të parë ajo çfarë është e qartë është që Presidentja Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese, përkatësisht ka bërë shkelje me rastin e mosemërimit të anëtarit të mbetur të KQZ-së, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos e pranuar rastin e saj. Në këtë drejtim, afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj. Derisa tani kur kemi ushtruese të detyrës së presidentit të vendit, besoj që situata mund të komplikohet edhe më tej sepse meqenëse zonja Haxhiu, edhe pse është ushtruese e detyrës, ajo vjen të ketë pozitë edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosje por edhe si kryetare e Kuvendit“, tha ai.

    Ai shpjegoi edhe se kujt i takon anëtari.

    “Në rast të një emërimi i cili nuk do të ishte në përputhje me praktikën dhe legjislacionin në fuqi, e sipas të cilit anëtari i dytë i takon në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse modeli që aplikon Kosova është modeli strikt i përfaqësimit, ku nuk merret parasysh proporcionaliteti në Kuvend. Pra, nuk ka rëndësi se sa deputetë ka një subjekt politik, për sa kohë që kualifikohet grupi parlamentar si i tillë, atëherë automatikisht edhe ndarja e vendeve bëhet në të njëjtën formë“, thotë Cakolli.

    Ai paralajmëroi se, nëse anëtari emërohet nga radhët e LVV-së, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Derisa në rast se zonja Haxhiu do të nxjerrë një vendim për emërimin e anëtarit të tretë në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje, unë besoj që lehtësisht kjo çështje do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjë që në radhë të parë rrezikon që ta minojë edhe më tutje kredibilitetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj KQZ-së, dhe në anën tjetër padyshim do të ishte një indicie se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit do të mund të përdorej për të shtyrë përpara agjendën partiake të cilës i takon në fakt edhe vetë zonja Haxhiu, pa dashur që të spekuloj mbi vendimmarrjen e saj“, u shpreh ai.

    Cakolli përmendi edhe precedentin e vitit 2021, duke theksuar se praktika ka qenë e qartë.

    “Sipas vlerësimit tim, vendimi i vetëm i ligjshëm dhe konsistent me atë çfarë ka ngjarë deri më tani, përfshirë edhe rastin e vitit 2021 kur kemi qenë ekzaktësisht në të njëjtën situatë, pra kur ka pasur më shumë propozime sesa që ka pasur vende të mbetura për t’u ndarë brenda KQZ-së, presidentja Osmani, ngjashëm si paraprakisht presidenti Thaçi edhe më herët presidentja Jahjaga, kanë emëruar anëtarët e KQZ-së sipas modelit strikt të përfaqësimit. Dhe që i njëjti garanton një lloj besueshmërie më të madhe në fakt në KQZ, sepse KQZ-ja nuk është Kuvend në miniaturë ku reflektohet balanca politike, por është trupë e cila do të duhet që të paraqitej edhe në sytë e publikut si trupë e pavarur dhe e cila administron në mënyrë të paanshme me procesin zgjedhor“, thekson ai.

    Ai rikujtoi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga po ai vit.

    “Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese në rastin e ushtruesit të detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, pati nxjerrë në atë periudhë një opinion, përkatësisht vendim sipas të cilit i njihet i gjithë diskrecioni i plotë kushtetues ushtruesit të detyrës së presidentit për të gjithë gamën e vendimmarrjes që ai përfaqëson sipas nenit përkatës të Kushtetutës. Që i bie se në këtë rast nuk ka asnjë modalitet tjetër, përveçse zonja Haxhiu të jetë ajo e cila emëron anëtarin e mbetur të KQZ-së dhe e kompleton përbërjen e këtij institucioni. Por, ajo çfarë mbetet të shihet është nëse do të ndiqet pra praktika e deritanishme dhe kuadri ligjor, apo do të kemi një vendim i cili lehtësisht do të mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

    Të mërkurën Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. Në rast se ka më pak grupe parlamentare, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

    11 prilli është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.

  • Mbi 2,100 kosovarë morën shtetësinë zvicerane në 2025, të katërtit për nga numri

    Mbi 2,100 kosovarë morën shtetësinë zvicerane në 2025, të katërtit për nga numri

    Sipas të dhënave të Zyrës së Imigracionit të Zvicrës (SEM), gjatë vitit 2025, 2,106 kosovarë fituan shtetësinë zvicerane, duke u renditur të katërtit për nga numri mes të gjithë natyralizimeve.

    Në total, 41,269 shtetas të huaj u bënë zviceranë, shifër e ngjashme me vitin 2024, por më e ulët krahasuar me 46,711 natyralizimet e vitit 2006. Media zvicerane Thelocal.ch raporton se që nga ajo kohë, numri ka luhatur rreth 40,000, shumë më i lartë se 11,208 natyralizimet e vitit 1992.

    Nga vijnë qytetarët e rinj?

    Gati gjysma e qytetarëve të rinj vijnë nga Gjermania, Italia, Franca, Portugalia dhe Kosova. Numri më i madh u regjistrua nga:

    Gjermania – 8,980 (22%)

    Italia – 4,220

    Franca – 3,914

    Kosova – 2,106

    Portugalia – 1,840

    Turqia – 1,404

    Maqedonia e Veriut – 1,307

    Spanja – 1,280

    Serbia – 1,096

    Mbretëria e Bashkuar – 927

    Rreth 19% e natyralizimeve ishin qytetarë nga jashtë Evropës, dhe 18.5% e tyre përfituan nga procedura e thjeshtuar e natyralizimit.

    Kantonet me më shumë natyralizime

    Kantoni i Cyrihut kryeson me mbi një të katërtën e totalit (11,100), ku 3,756 qytetarë u natyralizuan në qytetin e Cyrihut. Pason kantoni i Vaud me 5,459 dhe kryeqyteti Berna me 3,578. Kantoni më i vogël, Appenzell-Innerrhoden, regjistroi vetëm 14 natyralizime.

  • 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

    Sot, bëhen 18 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    9 Prilli, është festë shtetërore sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës u nënshkrua më 7 prill 2008, pastaj u ratifikua më 9 prill 2008, ndërsa ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

    Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    Kushtetuta mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.

  • 27 vjet nga fillimi i Betejës së Koshares

    27 vjet nga fillimi i Betejës së Koshares

    Sot shënohen 27 vjet nga Beteja e Koshares, një nga përballjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për liri.

    Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.

    Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme nga luftëtarët shqiptarë.

    Thyerja e kufirit jo vetëm që kishte rëndësi strategjike, por edhe simbolike, duke shënuar një hap të madh drejt çlirimit të Kosovës.

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në orët e para të mëngjesit, më pas menjëherë pritet shtim i vranësirave, ku më vonë gjatë pasdites pritet të tërhiqen.

    Era do të fryjë nga veriu dhe perëndimi, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 17-49 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17°C. /MeteoKosova/

  • Rahoveci 029 mbetet në Superligë pas triumfit dramatik ndaj Golden Eagle Ylli

    Rahoveci 029 mbetet në Superligë pas triumfit dramatik ndaj Golden Eagle Ylli

    Rahoveci 029 ka fituar një ndeshje dramatike ndaj Golden Eagle Yllit, duke siguruar mbetjen në Superligë. Me këtë fitore të arritur në Suharekë, rahovecasit e përfundojnë sezonin në vendin e shtatë.

    Ndërkohë, nga Superliga bie Vëllaznimi, pavarësisht se në xhiron e fundit arriti fitore ndaj Peja.

    Ndeshja mes Yllit dhe Rahovecit 029 u vendos vetëm pas vazhdimeve pesëminutëshe. Në kohën shtesë, rahovecasit shënuan 14 pikë dhe pësuan tetë, për të fituar në fund me rezultat 89:83. Pas 40 minutave lojë, rezultati ishte i barabartë 75:75.

    Suharekasit dominuan në çerekun e parë, ndërsa çereku i dytë ishte i barabartë. Mysafirët u rikthyen fuqishëm në çerekun e tretë, duke e fituar atë 33:20. Çereku i katërt ishte shumë dramatik, por nuk nxori fitues.

    Në vazhdimin prej pesë minutave, Rahoveci 029 tregoi më shumë vendosmëri dhe dëshirë për fitore, duke siguruar qëndrimin në elitën e basketbollit kosovar.

    Sezonin në vendin e gjashtë e përfundoi Sigal Prishtina, Rahoveci 029 në vendin e shtatë, ndërsa Vëllaznimi në vendin e tetë

    May be an illustration of text

  • Ambasada japoneze për makiaton e Kosovës: Pse është kaq e mirë kudo?

    Ambasada japoneze për makiaton e Kosovës: Pse është kaq e mirë kudo?

    Kultura e kafesë në Kosovë po vazhdon të tërheqë vëmendjen e të huajve, të cilët gjithnjë e më shpesh e cilësojnë makiaton si një nga përvojat më të veçanta gjatë qëndrimit të tyre në vend.

    Së fundmi, edhe Ambasada e Japonisë në Kosovë ka ndarë një reagim pozitiv, duke pyetur me kureshtje: “Pse makiato është kaq i mirë kudo në Kosovë?”, një reflektim që pasqyron përvojën e shumë vizitorëve ndërkombëtarë.

    Kosova njihet për traditën e fortë të kafesë, ku makiato, një espresso e shoqëruar me pak qumësht, përgatitet me kujdes të veçantë në pothuajse çdo lokal. Nga kafenetë në qendër të Prishtinës deri te ato në qytetet më të vogla, cilësia dhe shija mbeten të qëndrueshme.

    Në Kosovë, kafeja nuk është vetëm një pije, por një ritual i përditshëm. Takimet shoqërore, diskutimet e biznesit dhe momentet e relaksit shpesh zhvillohen rreth një makiatoje.

    Për shumë të huaj, kjo përvojë bëhet pjesë e pandashme e kujtimeve nga Kosova.

    Në një kohë kur turizmi në Kosovë po rritet gradualisht, duket se një nga “ambasadorët” më të mirë të vendit mbetet pikërisht një filxhan makiatoje.

  • Juventusi interesohet për Manuel Ugarte-Manchester United i hapur për shitje

    Juventusi interesohet për Manuel Ugarte-Manchester United i hapur për shitje

    Juventus ka shprehur interes për mesfushorin Manuel Ugarte, ndërsa Manchester United duket i gatshëm ta lejojë largimin e tij gjatë afatit kalimtar veror.

    Sipas raportimeve të Tuttomercato, klubi italian është i përgatitur të ofrojë rreth 40 milionë euro për 24-vjeçarin, një shumë që mund të konsiderohet e pranueshme nga drejtuesit e United, të cilët po planifikojnë ndryshime në skuadër për sezonin e ardhshëm.

    Ugarte ka hasur vështirësi për të gjetur vazhdimësi që nga transferimi në Angli, duke mos arritur të rikthejë formën që e bëri një nga mesfushorët më premtues në Evropë gjatë kohës së tij te Sporting CP. Edhe periudha e tij te Paris Saint-Germain nuk rezultoi në rikthimin e nivelit të mëparshëm, dhe sfidat kanë vijuar edhe në “Old Trafford”.

    Megjithatë, interesi për mesfushorin uruguaian mbetet i lartë. AS Monaco po e ndjek nga afër situatën dhe mund të hyjë në garë për shërbimet e tij me afrimin e fundit të sezonit.

    Gjatë këtij sezoni, Ugarte ka regjistruar 23 paraqitje me Manchester United, kryesisht si zëvendësues, pa arritur të shënojë apo të asistojë.

  • Bashkim Ramosaj shpreh ngushëllime për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit, tregon identitetin e tij

    Bashkim Ramosaj shpreh ngushëllime për vdekjen e punëtorit nga Strellci i Deçanit, tregon identitetin e tij

    Një person e ka humbur jetën në vendin e punës në Strellc të Deçanit.

    Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

    Viktima është Xhevat Hasanmetaj nga Strellci, kështu Ramosaj vlerësoi kontributin e tij.

    “Në këto momente të rënda mora lajmin e hidhur për ndarjen tragjike nga jeta të Xhevat Hasanmetaj nga Strellci. Kontributi dhe sakrifica e tij në kohë të vështira do të kujtohen gjithmonë me respekt e mirënjohje. Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, miqtë dhe për të gjithë ata që e njohën. Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Deçanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hasanmetaj dhe gjithë farefisit”, ka shkruar Ramosaj.