ATV

Blog

  • Julian Álvarez shkruan histori në Champions League-Bëhet golashënuesi i gjashtë më i mirë argjentinas në Champions

    Julian Álvarez shkruan histori në Champions League-Bëhet golashënuesi i gjashtë më i mirë argjentinas në Champions

    Sulmuesi 26-vjeçar i Atlético Madrid, Julián Álvarez, shënoi golin e tij të 24-t në karrierë në UEFA Champions League gjatë fitores së rëndësishme 2-0 në transfertë ndaj FC Barcelona në çerekfinalet e sezonit 2025/26.

    Álvarez hapi serinë e golave me një goditje dënimi të shkëlqyer, duke vulosur një tjetër moment të madh në karrierën e tij dhe duke hyrë në historinë e futbollistëve argjentinas në këtë garë elitare evropiane.

    Me 24 gola gjithsej (16 me Atleticon dhe 8 me Manchester City), ai tashmë renditet në vendin e pestë mes golashënuesve më të mirë argjentinas në historinë e Champions League. Ai e ndan këtë shifër me Gonzalo Higuaín dhe Ángel Di María, por e ka arritur në më pak ndeshje.

    Para tij në renditje janë vetëm Lionel Messi (129 gola), Sergio Agüero (41 gola), Hernán Crespo (25 gola) dhe Lautaro Martínez (25 gola).

    Gjithashtu, Álvarez ka forcuar pozitat e tij në historinë e Atleticos, duke u renditur aktualisht si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit në Champions League, vetëm pas Antoine Griezmann.

  • Sonte çerekfinalet e Europa League dhe Conference League

    Sonte çerekfinalet e Europa League dhe Conference League

    Këtë të enjte zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale në garat e Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës, ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe përballje të forta, në të cilat çdo detaj mund të vendosë fatin e kualifikimit.

     

    Në Ligën e Evropës, Bologna pret Aston Villa në një duel interesant mes dy skuadrave që synojnë të vazhdojnë surprizën e tyre në arenën evropiane, në kërkim të trofeut të çmuar.

     

    Në një tjetër përballje të fortë, FC Porto përballet me Nottingham Forest, ku portugezët do të tentojnë të shfrytëzojnë përvojën e tyre, ndërsa anglezët synojnë të vazhdojnë rrugëtimin mbresëlënës.

     

    Ndërkohë, në Gjermani, SC Freiburg ndeshet me Celta Vigo në një duel që pritet të jetë i balancuar dhe shumë i luftuar.

     

    Pas ndeshjeve të Ligës së Evropës, vëmendja zhvendoset te Liga e Konferencës, ku gjithashtu zhvillohen përballje interesante në fazën çerekfinale.

     

    Në ndeshjen e parë, Rayo Vallecano përballet me AEK Athens, me spanjollët që kërkojnë të imponojnë ritmin e tyre në fushë.

     

    Në mbrëmje, Crystal Palace luan ndaj ACF Fiorentina, në një nga sfidat më të forta të ditës, ndërsa 1. FSV Mainz 05 përballet me RC Strasbourg Alsace në një duel që premton spektakël dhe gola.

     

    Po ashtu, Shakhtar Donetsk ndeshet me AZ Alkmaar, në një përballje ku përvoja dhe talenti do të përplasen për një fitore që mund t’i afrojë skuadrat një hap më pranë gjysmëfinales.

  • Haradinaj: Në 5 vitet e fundit Kushtetuta është shkelur shpesh, kjo praktikë duhet të ndalet

    Haradinaj: Në 5 vitet e fundit Kushtetuta është shkelur shpesh, kjo praktikë duhet të ndalet

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar në shënimin e Ditës së Kushtetutës, duke ngritur shqetësime për shkelje të shpeshta të saj gjatë viteve të fundit.

    Përmes një postimi në facebook, Haradinaj është shprehur se Kushtetuta e Kosovës, si dokument themelor i shtetit, përfaqëson idealet e luftës për liri dhe shtetësi, duke garantuar të drejtat e qytetarëve dhe barazinë para ligjit.

    Ai ka theksuar se në pesë vitet e fundit janë regjistruar shkelje të shumta përmes vendimeve dhe veprimeve që i cilësoi si antikushtetuese.

    “Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor që mishëron idealet e luftës çlirimtare për liri dhe shtetësi. Kjo Kushtetutë moderne është gardiani që mbron arritjen më të madhe të shqiptarëve, shtetin e pavarur të Kosovës, duke garantuar të drejtat e njeriut, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e qytetarëve pa dallim.

    Në 5 vitet e fundit, kemi parë shkelje të panumërta të Kushtetutës, përmes vendimeve dhe veprimeve antikushtetuese duke anashkaluar qëllimisht parimet e saj. Kjo praktikë duhet të ndalet urgjentisht”, ka shkruar Haradinaj

  • Nga cilat vende furnizohet Kosova me naftë dhe pse çmimet vazhdojnë të jenë të larta

    Nga cilat vende furnizohet Kosova me naftë dhe pse çmimet vazhdojnë të jenë të larta

    Kosova është e varur nga importi i derivateve të naftës, duke u furnizuar nga vende të ndryshme të botës, kjo duke reflektuar edhe në çmimet si pasojë e lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare dhe situatës së tensionuar globale, përfshirë ndikimet nga lufta në disa rajone prodhuese.

    Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës për periudhën janar-prill 2026, vendi ka importuar gjithsej rreth 199.4 milionë litra naftë nga këto vende:

    Emiratet e Bashkuara Arabe: 14,198,637 litra
    Gjermania: 300 litra
    Algjeria : 65,100 litra
    Egjipti: 128,825 litra
    Greqia : 37,852,732 litra
    India: 36,927,681 litra
    Maqedonia e Veriut : 3,839,824 litra
    Rumania : 2,174,772 litra
    Arabia Saudite : 85,584,456 litra
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës: 18,635,831 litra
    Ky varësim i lartë nga importi bën që çmimet e derivateve të jenë të ndjeshme ndaj luhatjeve ndërkombëtare.

    Sot, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar çmimet maksimale për tregun vendor: nafta shitet me 1.91 euro për një litër, ndërsa benzina me 1.47 euro për një litër.

    Situata tregon qartë se pavarësisht diversifikimit të furnizimit nga dhjetëra vende, çmimet mbeten të larta, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun vendor dhe në koston e jetesës për qytetarët e Kosovës./Indeksonline/

  • Shpëtohet minatori i bllokuar prej dy javësh në një minierë në Sinaloa

    Shpëtohet minatori i bllokuar prej dy javësh në një minierë në Sinaloa

    Autoritetet meksikane kanë shpëtuar një minator që kishte mbetur i bllokuar për gati 14 ditë pas një shembjeje në një minierë në shtetin verior të Sinaloas.

    Ngjarja ndodhi më 25 mars në minierën El Rosario, ku struktura u shkatërrua dhe një digë u ça, duke sjellë përmbytjen e galerisë.

    Nga 25 minatorë që ndodheshin në momentin e aksidentit, 21 arritën të dilnin menjëherë. Tre të tjerë mbetën të bllokuar në thellësi. Sipas raportimeve, njëri prej tyre u shpëtua më herët nga rreth 300 metra thellësi, ndërsa një tjetër ende rezulton i zhdukur dhe një është gjetur i pajetë, siç konfirmoi presidentja Claudia Sheinbaum.

    Minatori i shpëtuar së fundmi, i identifikuar si Francisco Zapata Nájera, u gjet nga ekipet e emergjencës pas zhytjeve të shumta në pjesët e përmbytura të minierës. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur ai gjendet në ujë deri në mes, i lodhur por i vetëdijshëm, shkruan A2CNN.

    Ekipet e shpëtimit i siguruan ushqim, ujë dhe oksigjen përpara se ta nxirrnin nga hyrja e minierës një ditë më pas. Sipas autoriteteve, ai kishte vetëm shenja dehidratimi dhe u dërgua në spital për trajtim dhe vëzhgim të mëtejshëm.

  • Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Prizren, pranon së paku 5 raste të vjedhjes

    Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Prizren, pranon së paku 5 raste të vjedhjes

    Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për disa raste të vjedhjeve. Ai gjatë intervistimit ka pranuar kryerjen e disa vjedhjeve.

    Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua të mërkurën dhe se gjatë ndalimit tëv tij, në trup iu gjet kokainë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ju njoftojmë se pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, sot më datë 08.04.2026, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”. Gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin, Policia bën të ditur se në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.

    “I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Policia po punon me përkushtim në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në veprat penale të vjedhjes”, thuhet në njoftim.

    Sipas Policisë, në të njëjtën ditë u arrestuan në flagrancë tre të dyshuar për vjedhje të rëndë.

    “Gjithashtu, ju rikujtojmë se po sot, në orët e hershme të mëngjesit, policia ka arritur të arrestojë në flagrancë tre të dyshuar në një rast të vjedhjes së rëndë. Të dyshuarve u është sekuestruar një sasi e bizhuterive të arit të vjedhura, si dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës. Pas përfundimit të procedurave, stolitë e arit i janë kthyer pronarit të ligjshëm, ndërsa tre të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Trump paralajmëron Iranin: Sulmet e ardhshme do të jenë më të fortat që keni parë ndonjëherë

    Trump paralajmëron Iranin: Sulmet e ardhshme do të jenë më të fortat që keni parë ndonjëherë

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ushtria amerikane do të mbetet në Lindjen e Mesme dhe ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin, “fillojnë të shtënat”, më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë”.

    Në një postim në Truth Social, Trump tha se prania ushtarake amerikane ishte “e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen penale vdekjeprurëse dhe shkatërrimin e një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme”.

    Ai e përfundoi mesazhin duke pretenduar se SHBA-të po “ngarkohen” dhe “presin me padurim” “sulmin” e radhës.

    Ndryshe, një nga kushtet e planit 10-pikësh të publikuar të Iranit ishte largimi i forcave amerikane nga rajoni.

    Shtëpia e Bardhë tha se plani ishte “hedhur poshtë nga presidenti Trump” dhe ishte “në thelb joserioz”.

    Në 24 orët që kur Trump njoftoi se SHBA-të do të pezullonin sulmet ndaj Iranit, është rritur pasiguria nëse armëpushimi i përkohshëm do të qëndrojë.

    Izraeli nisi një valë të madhe sulmesh në Liban dje, duke vrarë më shumë se 250 persona.

    Si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja këmbëngulin që Libani nuk është i përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit, ndërsa Irani dhe Pakistani nuk janë dakord.

    Në hakmarrje ndaj sulmeve izraelite, Hezbollahu – grupi i mbështetur nga Irani me bazë në Liban – tha se kishte qëlluar me raketa në Izraelin verior, duke përmendur “shkelje të armëpushimit”. /Telegrafi/

  • Nexhi nga Kosova prapë s’bindet nga NASA: S’ka mundësi me qenë ajo foto prej mbrapa Hënës

    Nexhi nga Kosova prapë s’bindet nga NASA: S’ka mundësi me qenë ajo foto prej mbrapa Hënës

    Nexhi Krasniqi, shqiptari nga Kosova që tërhoqi edhe vëmendjen e NASA-s pasi e vuri në pikëpyetje autenticitetin e një fotografie të publikuar nga misioni Artemis II, të realizuar gjatë fluturimit rreth anës së largët të Hënës, nuk është ende i bindur nga shpjegimi i vetë NASA-s për të.

    Ai thotë se ka bërë “një analizë me vetveten”, duke e përsëritur pyetjen që ia bëri NASA-s: “Ku janë yjet?”.

    “Në momentin kur e pashë postimin e fotos që e kish postu NASA, duke e bërë analizë me vetveten unë, tu e pa se një fotografi që bëhet prej një distance pas një planeti si Hëna edhe shihet Toka prapa saj edhe shihet pjesa dërrmuese e horizontit, e hapësirës, tu e këqyre, tu bo analizë, tu thënë ku janë yjet? S’shifen yjet fare. Pse Toka kaq e madhe po doket në krahasim më Hënën nëse ata janë afër Hënës qysh po ka mundësi Toka me u duk kaq e madhe. Edhe retë e bardha u shihshin aty. Edhe mu duk absurde me thënë të drejtën edhe thash hajt ta lëshoj këtë koment”, tha ai për Tëvë1.

    Ai e vuri në pikëpyetje autenticitetin e disa pamjeve të hënës të publikuara nga NASA dhe të realizuara në misionin Artemis II. Në postimin e NASA-s ku paraqiteshin pamje të realizuara nga anija kozmike Orion gjatë fluturimit rreth anës së fshehtë të Hënës, qytetari nga Kosova pyeti pse nuk duken yjet në fotografi dhe sugjeroi se pamjet mund të ishin krijuar nga inteligjenca artificiale.

    “Pse nuk janë të dukshme yjet nga kjo pozicion? Dyshoj se është krijuar nga inteligjenca artificiale!”, shkroi ai në koment.

    Reagimi nga NASA nuk vonoi. Pas vetëm pesë minutash, NASA iu përgjigj drejtpërdrejt, duke shpjeguar arsyen shkencore pas mungesës së yjeve në pamje.

    “Ne s’mund t’i shohim yjet në këto imazhe sepse yjet duken relativisht shumë të zbehtë në krahasim me Hënën, e cila është shumë më afër dhe reflekton shumë më tepër dritë. Kamerat mund të kapin vetëm një interval të caktuar midis pjesëve më të ndritshme dhe më të errëta të një skene”.

    Por Nexhi Krasniqi s’është i bindur.

    “I kam lexu komentet e njerëzve shumë mirëpo përgjigje prej NASA nuk kam lexu kurrë edhe mu duk si e veçantë. Po unë prapë e kam atë mendim se foto si foto mua vetë po ma jep përshtypjen me u bind se nuk ka mundësi me qenë e fotografueme prej mbrapa Hënës, duke e pa edhe Tokën. Jo se jam ekspert i kësaj lëmie, as s’kam të bëj fare me këtë, mirëpo, me të thënë të drejtën, e kam shiku shumë shpesh e kam vizitu Google Earth, planetët tjera…”, shprehet ai.

  • Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

    Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares: Sakrificë për liri dhe shembje të kufirit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, një prej përballjeve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka nderuar luftëtarët e rënë dhe pjesëmarrësit e kësaj beteje, duke e cilësuar atë si një përpjekje për shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për çlirimin e vendit.

    “Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava. Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar kryeminstri.

    Kurti ka theksuar se më 9 prill 1999 filluan luftimet në zonën kufitare, ku forcat e UÇK-së u përballën me ushtrinë jugosllave në një terren malor dhe të vështirë, ndërsa beteja vazhdoi deri në përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s.

    “Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës”, shkruhet tutje në postimin e tij.

    Njëherësh, i pari i ekzekutivit ka kujtuar se në këtë betejë ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe mbi 400 të tjerë u plagosën, duke e cilësuar sakrificën e tyre si të rëndësishme për lirinë e Kosovës.

    “Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, shkroi Kurti.

  • Dita e Kushtetutës, Haxhiu: 9 prilli shënon ditën kur shteti mori formën e plotë juridike dhe politike

    Dita e Kushtetutës, Haxhiu: 9 prilli shënon ditën kur shteti mori formën e plotë juridike dhe politike

    Sot bëhen 18 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

    Kryetarja e Kuvendit, njëherit u.d. e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka uruar këtë ditë duke thënë se 9 prilli i vitit 2008 shënoi ditën kur shteti mori formën e tij të plotë juridike dhe politike.

    “Përkushtimi ndaj Kushtetutës mbetet parakusht për stabilitet, zhvillim dhe konsolidim demokratik”, shkruhet në postimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në Facebook.