ATV

Blog

  • Trajneri i Hoffenheimit i gëzohet kthimit të Leon Avdullahut

    Trajneri i Hoffenheimit i gëzohet kthimit të Leon Avdullahut

    Trajneri i TSG 1899 Hoffenheim, Christian Ilzer, është shprehur i kënaqur me rikthimin e mesfushorit Leon Avdullahu pas një periudhe mungese për shkak të lëndimit. Në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, në prag të ndeshjes kundër FC Augsburg, Ilzer bëri të ditur se lojtari ka qenë plotësisht i përfshirë në stërvitjet e ekipit gjatë gjithë javës, duke lënë të hapur mundësinë për aktivizimin e tij nga minuta e parë.

    Avdullahu u rikthye në aksion në përballjen ndaj 1. FSV Mainz 05, ku u inkuadrua në lojë nga minuta e 61-të, në një ndeshje që përfundoi me humbje 2:1 për Hoffenheimin. Sipas trajnerit, ky rikthim gradual ishte i rëndësishëm për ta ndihmuar lojtarin të rifitojë ritmin dhe formën fizike pas lëndimit.

    “Ishte shumë e rëndësishme që Leon Avdullahu të kishte minuta në ndeshjen kundër Mainz. Ai luajti rreth gjysmë ore dhe tregoi se është në rrugën e duhur për rikuperim të plotë. Gjithashtu, gjatë gjithë javës ka stërvitur pa asnjë problem me pjesën tjetër të skuadrës. Pas stërvitjes së fundit do të vendosim nëse ai do ta nisë ndeshjen si titullar apo do të jetë një opsion nga banka rezervë”, deklaroi Ilzer.

    Ndeshja mes Hoffenheimit dhe Augsburgut është planifikuar të zhvillohet të premten në orën 20:30 dhe pritet të jetë një përballje e rëndësishme për ekipin vendas, që synon të rikthehet te rezultatet pozitive në kampionat.

    Në skuadrën e Hoffenheimit vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm edhe dy futbollistë të tjerë nga Kosova, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.

  • Pau Cubarsi merrë përgjegjësinë për humbjen kundër Atletico Madrid-it

    Pau Cubarsi merrë përgjegjësinë për humbjen kundër Atletico Madrid-it

    Qendërmbrojtësi Pau Cubarsi ka qenë figura tragjike për Barcelonën në ndeshjen e parë cerekfinale të Champions kundër Atletico Madrid-it,ku morri karton të kuq në fund të pjesës së parë pas ndërhyrjes kundër Giuliano Simeones.

    Cubarsi pas ndeshjes ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen ndaj ekipit madrilienëve,dhe kërkoi falje për incidentin e shkaktuar që mund ta eliminoj Barcelonën nga Champions.

    “Një veprim i vetëm mund të përcaktojë rezultatin e një ndeshjeje dhe një çifti. Ky është futbolli dhe unë marr përgjegjësi të plotë për rezultatin”, deklaroi Cubarsi

    Përndryshe Cubarsi në fund shtoi se është i bindur që Barca mund ta përmbysë rezultatin prej dy golash,në mënyrë që të siguroj gjysmëfinalen dhe të luftoj për trofeun e Ligës së Kampionëve.

    Kujtojmë që Barcelona pësoi 0:2 nga Atletico Madrid në Camp Nou në cerekfinale të Ligës së Kampionëve,dhe synon përmbysjen në ndeshjen e kthimit në Ëanda Metropolitano.

  • Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Vrasja e 38 vjeçares nga Kosova, Ish-kancelari austriak Kurz thirrje për të ndihmuar familjen e viktimës

    Tronditja pas vrasjes së 38-vjeçares nga Kosova, nënës së katër fëmijëve në Sooß, Austri e Ulët, është ende e thellë. Ish-kancelari Sebastian Kurz në rrjetet sociale, ka shprehur gjithashtu ngushëllimet e tij dhe ka shpërndar një apel për donacione për familjen e viktimës.

    Ngjarja tragjike e cila ndodhi të dielën e kaluar në qytetin Sooß, në Austri, ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar, raporton albinfo.at

    Vrasja mizore e gruas (38) nga ish-bashkëshorti (të dy nga Kosova), është lajmi kryesor i këtyre ditëve në mediat austriake.

    Pas këtij rasti, komuna e qytetit Soß, ka hapur një xhirollogari donacionesh për t’iu dal në ndihmë familjes së prekur, e në veçanti, katër fëmijëve të mitur që humbën nënën e tyre.

    “Akti i tmerrshëm i dhunës që ndodhi në Sooß të dielen e Pashkëve na ka tronditur thellësisht të gjithëve. Mendimet tona janë me fëmijët dhe familjet e tyre”, tha në një deklaratë të martën kryebashkiaku Hermann Rauch, transmeton albinfo.at

    Më tej thuhet: “E megjithatë: vetëm fjalët për fat të keq nuk janë të mjaftueshme. Nevojitet ndihmë konkrete dhe mbështetje financiare., ka vijuar ai.

    “Bashkia e Sooß dëshiron ta mbështesë familjen në këto momente të vështira. Donacionet do të ndihmojnë në mbulimin e kostove të akomodimit për fëmijët, shpenzimeve të funeralit dhe kostove të tjera të papritura. Ne po mbështetemi përsëri në gatishmërinë e qytetarëve tanë për të ndihmuar, të cilën e kanë demonstruar kaq shpesh më parë, dhe po dërgojmë një mesazh se jemi aty për njëri-tjetrin dhe nuk do t’i braktisim fëmijët tanë. Çdo kontribut, sado i vogël, ka rëndësi”, ka nënvizuar, Hermann Rauch.

    Tutje, kryebashkiaku Rauch është lutur që të shpërndahet ky apel për donacione në mënyrë që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të ndihmojnë

    Përveç qytetarëve të shumtë, në mbështetje të këtij aksioni është solidarizuar edhe ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz. Në rrjetet e tij sociale, përpos ngushëllimeve, ai ka shpërndar apelin duke kërkuar donacione për familjen dhe fëmijët jetim.

    Apeli për donacione, i cili përfshinë të dhënat bankare, është shkruar në emër të kryetarit të bashkisë së Sooß-it, Hermann Rauch

    Hier kann geholfen werden!

    Spendenkonto:

    Marktgemeinde Sooß
    IBAN: AT19 3204 5000 0509 5120
    BIC: RLNWATWWBAD
    Unterstützung Femizid Sooß

  • Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Këshilli i Sigurimit të OKB-së sot mban seancë, Kosovën e përfaqëson Konjufca

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka udhëtuar për një Nju Jurk të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Kryediplomati Konjufca, njëherësh zëvendëskryeministër i parë, do ta përfaqësojë Kosovën në këtë mbledhje, që pritet të mbahet pasdite, sipas orës lokale në Kosovë.

    “Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Glauk Konjufca ka udhëtuar për Nju Jork të SHBA-së për të përfaqësuar Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Seanca e Këshillit të Sigurimit do të mbahet sot nga ora 10:00 sipas kohës lokale, kurse në Kosovë do të jetë ora 16:00.”, ka njoftuar zyra për media e MPJD-së.

  • Dronët e marinës amerikane monitorojnë Ngushticën e Hormuzit

    Dronët e marinës amerikane monitorojnë Ngushticën e Hormuzit

    Një dron i marinës amerikane është parë duke ndjekur fluturimet mbi Ngushticën e Hormuzit sot.

    Northrop Grumman MQ-4C Triton shkoi nga baza ajrore Sigonella në Siçili. Marina amerikane ka një prani në bazën ajrore italiane.

    Të dhënat në Flightradar24 tregojnë se ai kaloi më shumë se dy orë mbi Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit.

    Trump paralajmëron Iranin: Sulmet e ardhshme do të jenë më të fortat që keni parë ndonjëherë

    Siç raportohet, Irani ka ndaluar trafikun detar në ngushticë në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore të Izraelit në Liban dje.

    Organizata detare e Iranit ka paralajmëruar gjithashtu për “përplasje të mundshme me mina detare”.

    Ndërkohë, pesë transportues mallrash me shumicë dhe asnjë cisternë nafte ose gazi kaluan nëpër ngushticë dje, sipas të dhënave të gjurmimit detar nga Kpler. /Telegrafi/

  • Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti themelor që vulosi shtetësinë e vendit tonë

    Abdixhiku: Kushtetuta është dokumenti themelor që vulosi shtetësinë e vendit tonë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar Ditën e Kushtetutës.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka shkruar se Kushtetuta është dokumentit themelor që vulosi shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit tonë.

    Sipas tij Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

    Me rastin e 18 vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dërgon këtë mesazh:

    “Sot, bëhen 18 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themelor që vulosi shtetësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik të vendit tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. E po ashtu është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë”, tha ai.

    Tutje kreu i LDK-së në këtë 18 vjetor, kujtojë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik, si dhe të gjithë qytetarëve tanë që me përkushtim punuan dhe kontribuuan në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit tonë, mbi vlerat demokratike.

    “Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për të vazhduar angazhimin tonë për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe euroatlantike. Urime, Dita e Kushtetutës”, u shpreh Abdixhiku tutje.

  • Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

    Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin, siç tha, diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.

    “Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiq në Facebook.

    Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë.

    Vuçiq, mësa duket, iu referua Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, që nisën të zbatohen në Kosovë nga 15 marsi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

    Ai tha se ka kërkuar angazhimin konkret të aktorëve në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai, po ashtu, paralajmëroi se “veprimet e njëanshme nga Prishtina” rrisin tensionet dhe cenojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke dëmtuar procesin e dialogut.

    “Kam përsëritur se angazhimi i fortë dhe i vazhdueshëm i BE-së është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos ketë për qëllim pengimin e dialogut, por, përkundrazi, krijimin e kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”, shkroi Vuçiq në rrjetet sociale.

    Muajin e kaluar, Sorensen u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

    Pas atij takimi, Qeveria e tij u ofroi disa lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huajt.

    Një ditë më herët, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Kurti tha se institucionet e shtetit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

    Sorensen takoi së voni edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Një takim të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të këtyre dy vendeve nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, edhe pse BE-ja ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një të tillë./REL

  • Arne Slot:Jemi me fat që humbëm vetëm 2:0 në ndeshjen e parë nga PSG

    Arne Slot:Jemi me fat që humbëm vetëm 2:0 në ndeshjen e parë nga PSG

    Trajneri i Liverpool-it Arne Slot ka komentuar humbjen e skuadrës së tij nga PSG në kuadër të ndeshjes së parë cerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Tekniku holandez është i bindur se skuadra e tij mund të rikthejë rezultatin në ndeshjen e kthimit në Anfield,dhe shton se Liverpool është me fat që humbi vetëm 2:0 marrë parasysh rastet e krijuarua nga ekipi i Luis Enrique.

    “Mendoj se duhet të jemi me fat që humbëm vetëm 2-0 sepse ata patën më shumë raste, megjithëse goli i parë u duk i vështirë. Por më pas ata patën më shumë raste për të shënuar më shumë”

    Përndryshe Slot thotë se është mjaft mirë që “The Reds”është në lojë,dhe beson se atmosfera në Anfield është motivim shtesë për ndeshjen e kthimit.

    Kujtojmë që Liverpool pësoi humbje 0:2 në ndeshjen e parë cerekfinale të Ligës së Kampionëve nga PSG,teksa ndeshja e kthimit mes të dy skuadrave zhvillohet javën e ardhshme në Anfield.

  • Oklahoma City Thunder në formë të shkëlqyer-Fitore bindëse ndaj LA Clippers

    Oklahoma City Thunder në formë të shkëlqyer-Fitore bindëse ndaj LA Clippers

    Skuadra e Oklahoma City Thunder vijon serinë e rezultateve pozitive, duke mposhtur me rezultat të thellë Los Angeles Clippers me shifrat 128-110. Pas fitores ndaj Lakers një ditë më parë, Oklahoma konfirmoi formën e saj të mirë edhe në këtë përballje dhe siguroi vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

     

    Protagonist i ndeshjes ishte Chet Holmgren, i cili realizoi 30 pikë dhe udhëhoqi ekipin drejt suksesit. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Shai Gilgeous-Alexander, që shtoi 20 pikë.

     

    Në sfidat e tjera, Orlando Magic fitoi 132-120 ndaj Minnesota Timberwolves, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të lojtarëve të stolit, që realizuan plot 62 pikë.

     

    Ndërkohë, Detroit Pistons konfirmoi vendin e parë në Konferencën e Lindjes duke mposhtur Milwaukee Bucks me rezultatin 137-111. Të gjithë lojtarët titullarë të Detroit shënuan mbi 10 pikë, me Jalen Duren që ishte më i miri me 21 pikë.

     

    Fitore regjistroi edhe Phoenix Suns, që mundi Dallas Mavericks 112-107, në një ndeshje ku shkëlqeu Devin Booker me 37 pikë.

     

    Në takimet e tjera, San Antonio Spurs mposhti Portland Trail Blazers 112-101, ndërsa Denver Nuggets fitoi 136-119 ndaj Memphis Grizzlies, me Jamal Murray që realizoi 26 pikë.

     

    Po ashtu, Cleveland Cavaliers triumfoi 122-116 ndaj Atlanta Hawks, falë paraqitjes së mirë të Donovan Mitchell, autor i 31 pikëve.

  • Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Emisari i BE’së në Beograd, Vuçiq ia kërkon themelimin e Asociacionit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim që pati me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, në zyrën e tij në Beograd.

    Ai tha se me të pati një “bisedë të thelluar” për “çështjet kyçe që rëndojnë marrëdhëniet në rajon”.

    Vuçiq tha se ia ka shprehur “shqetësimet” e tij për për situatën aktuale në Kosovë “me fokus të veçantë te siguria e popullit serb, si dhe te pasiguria e madhe në të cilën ata jetojnë, duke pasur parasysh zbatimin selektiv të rregullave të ndryshme dhe diskriminimin e dukshëm në pothuajse të gjitha sferat e jetës”.

    Presidenti serb akuzoi Kosovën për “masa të njënashme” dhe tha se “zbatimi i rregullave pa marrë parasysh rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz ndaj popullit serb dhe institucioneve jetike serbe në Kosovë”.

    Vuçiq i kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një temë që duket se u zbeh së fundi nga ana e BE’së, e cila më parë kishte këmbëngulur vazhdimisht në themelimin e tij, raporton Gazeta Express.

    “Nënvizova se Serbia mbetet e përkushtuar fort ndaj dialogut si e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura, por gjithashtu presim angazhim konkret nga aktorët në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Veçanërisht theksova rëndësinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një element kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë, një obligim që duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”.

    Vuçiq gjithashtu pretendoi se “veprimet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të rrisin më tej tensionet dhe të rrezikojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke minuar drejtpërdrejt procesin e dialogut”.

    “Përsërita se një angazhim i fortë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos jetë i drejtuar drejt pengimit të dialogut, por drejt krijimit të kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”.

    Në fund, ai pretendoi se vendi i tij është “i përkushtuar” ndaj dialogut dhe tha se do të veprojë me përgjegjësi e konstruktivitet, “duke ruajtur interesat e saj kombëtare, por edhe duke kontribuar në stabilitetin e të gjithë rajonit”.

    “Shpreha bindjen se komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata në interes të paqes, sigurisë dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve”.