ATV

Blog

  • Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Kriza me çmime të naftës, Bajrami akuzon Qeverinë për abuzim ndaj qytetarëve: Shfrytëzim i krizës për mbushje të buxhetit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosveprimin ndaj çmimeve të naftës, duke e quajtur këtë “abuzim ndaj qytetarëve”. Ajo tha se çmimi i naftës u rrit menjëherë pas lajmit për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, por nuk ra kur bursat ndërkombëtare regjistruan ulje si pasojë e arritjes së armëpushimit SHBA-Iran.

    “Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata dje u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Pra, për t’u rritur çmimi mjafton një lajm por për t’u ulur, duhet ‘kohë’. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, tha Bajrami.

    Ajo kritikoi masat e Qeverisë për vendosjen e tavanit të çmimit dhe theksoi mungesën e vullnetit për të mbrojtur qytetarët.

    “E vërteta është që kjo situatë po tolerohet nga Qeveria, e cila në vend që të mbrojë qytetarët, po e shfrytëzon krizën për të mbushur buxhetin. Kemi thënë vazhdimisht: kjo nuk zgjidhet me marzha e çmime tavan që nuk kontrollohen dot. Problemi është shumë më i thellë: mungesë vullneti për të ulur taksat, mungesë menaxhimi dhe mungesë analizë të të dhënave. Sot, nuk ka as të dhëna bazike: Sa naftë ka në tregun vendor kur rriten çmimet? Me çfarë çmimi është importuar dhe a po shitet më shtrenjtë?”, tha ajo.

    Bajrami tha se Qeveria duhet të dijë saktësisht stoqet e naftës dhe çmimin e importit, të dhëna që ekzistojnë në Doganë, por nuk përdoren në vendimmarrje.

    “Kjo do të thotë se vendimet nuk bazohen në të dhëna, por në reagime të vonuara dhe selektive. Ndërkohë që Qeveria vendos marzhat dhe garanton fitimin për tregtarë, refuzon të ulë TVSH-në dhe akcizën, dy komponentët kryesorë të çmimit. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë para mbledh shteti. Sot, për çdo litër naftë, buxheti merr 13–15 cent më shumë taksa sesa para krizës. Ky është ‘fitimi’ i Qeverisë nga kriza”, tha ajo.

    Deputetja propozoi disa masa për stabilizimin e çmimeve: raportim ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektim real i çmimeve në kohë, ulje e TVSH-së dhe akcizës.

    “Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk e stabilizon çmimin e saj menjëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm e ushqen këtë të fundit. Po një gjë duhet të dihet qartë se problemi nuk është mungesa e mjeteve për reagim, problemi është mungesa e vullnetit”, përfundoi Bajrami.

  • Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Pezheskian: Irani nuk do ta braktisë popullin e Libanit

    Presidenti iranian, Massoud Pezheskian, tha sot se sulmet izraelite ndaj Libanit shkelin marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të martën, duke rrezikuar që negociatat të bëhen të pakuptimta. 

    Ai tha se Irani nuk do ta braktisë popullin libanez.

    Sulmet e vazhdueshme izraelite kundër Hezbollahut në Liban do të kenë “pasoja të qarta dhe reagime të ashpra”, paralajmëroi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, duke këmbëngulur se armëpushimi dyjavor i njoftuar të martën vlen edhe për Libanin diçka që si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja e mohojnë.

    “Shkeljet e armëpushimit do të kenë përgjigje të qarta dhe të ashpra”, shkroi ai. “Shuajeni zjarrin menjëherë”.

  • Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër kineze arrestohen në Durrës për prostitucion, i dyshuar edhe një person nga Kosova

    Katër shtetase kineze kanë përfunduar në prangat e Policisë së Durrësit, pasi dyshohet se kishin marrë me qira dy ambiente dhe i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa në kuadër të këtij rasti janë proceduar edhe katër shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.

    Sipas raportimeve, të dyshuarat kishin marrë me qira dy ambiente në zonën e Golemit dhe te Shkëmbi i Kavajës, të cilat i kishin përshtatur për prostitucion.

    “Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase e ushtronin aktivitetin në dy ambiente të marra me qira, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit, Durrës, duke i përshtatur për prostitucion. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, edhe 4 shtetas nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në cilësinë e provës materiale, autoritetet kanë sekuestruar katër pasaporta dhe një shumë parash, ndërsa materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

  • Manuel Neuer i jep fund përfundimisht kombëtares, mungon në Botërorin 2026

    Manuel Neuer i jep fund përfundimisht kombëtares, mungon në Botërorin 2026

    Portieri legjendar gjerman, Manuel Neuer, ka konfirmuar përfundimisht se nuk do të rikthehet në Kombëtaren e Gjermanisë dhe, rrjedhimisht, nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026.

    Neuer ka bërë të qartë se vendimi i tij është i prerë, duke i dhënë fund çdo spekulimi për një rikthim të mundshëm. “Rikthimi në kombëtare? Gjithçka ka përfunduar në lidhje me këtë… tani e rëndësishme është sezoni me Bayernin”, është shprehur ai, duke theksuar fokusin e tij te klubi.

    Sipas legjendës gjermane Lothar Matthäus, edhe trajneri i Kombëtares, Julian Nagelsmann, nuk do ta hapë derën për rikthimin e portierit me përvojë. Kjo e bën edhe më të qartë se vendimi i Neuer për t’u tërhequr nga futbolli ndërkombëtar është përfundimtar.

    Kështu, një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit i jep fund kapitullit të tij me Gjermaninë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe suksese të panumërta në arenën ndërkombëtare.

  • Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Haxhiu bën homazhe në Koshare

    Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu bashkë me kabinetin qeveritar dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe në Koshare, për të përkujtuar dëshmorë që ranë në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Më 9 prill 1999, para 27 vjetësh luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike.

  • OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    OVL-UÇK për Betejën e Koshares: Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ka ndëruar dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në 27-vjetorin e rënies së tyre.

    Sipas tyre, kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare.

    Postimi i plotë:

    Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, sot me respekt dhe përulje, nderuan dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të cilët prehen të qetë në Kompleksin Memorial në Koshare, pikërisht në përvjetorin e fillimit të Betejës së Koshares.

    Kjo ditë shënon një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë çlirimtare, ku bijtë më të mirë të kombit dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot.

    Lavdi e përjetshme trimave që ranë në këtë betejë!

  • Kvaratskhelia “i pandalshëm” në Champions League, dominon me gola dhe asistime

    Kvaratskhelia “i pandalshëm” në Champions League, dominon me gola dhe asistime

    Khvicha Kvaratskhelia po shkëlqen në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke u shndërruar në një nga lojtarët më dominues të garës më prestigjioze evropiane.

    Ylli gjeorgjian ka qenë vendimtar në pothuajse çdo ndeshje, duke lënë gjurmë me gola dhe asistime kundër skuadrave të mëdha. Ai ka realizuar ndaj Atalantas, Sporting CP, Monacos, Chelseat (në dy ndeshje) dhe Liverpoolit, ndërsa ka kontribuar me asistime kundër Bayer Leverkusenit, Tottenhamit dhe Newcastle United.

    Kulmi i paraqitjeve të tij erdhi pikërisht ndaj Chelseat, ku shpërtheu me dy gola dhe një asistim, duke konfirmuar se është një lojtar për ndeshje të mëdha.

    Me këtë formë mbresëlënëse në Champions League, Kvaratskhelia po dëshmon se është një nga yjet më të rrezikshëm të momentit në Evropë. Aftësia e tij për të vendosur ndeshje, kreativiteti dhe guximi në lojë e bëjnë atë një kërcënim konstant për çdo kundërshtar.

    Në këtë ritëm, gjeorgjiani duket i pandalshëm dhe një nga figurat kryesore të këtij sezoni në elitën e futbollit evropian.

  • Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Irani: SHBA duhet të zgjedhë midis luftës dhe armëpushimit

    Zëvendësministri i jashtëm i Iranit deklaroi se SHBA-të duhet të zgjedhin nëse duan luftë apo paqe.

    “Ata nuk mund t’i kenë të dyja në të njëjtën kohë. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën, është mjaft e qartë”, theksoi ai.

    Saeed Khatibzadeh tha se sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban janë një “shkelje e rëndë” e armëpushimit SHBA-Iran.

    “Irani u kërkon “të gjithëve në Lindjen e Mesme t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje… dhe ne presim që amerikanët të bëjnë të njëjtën gjë me aleatët e tyre”, deklaroi Khatibzadeh, shkruan Abcnews.al.

    I pyetur nëse Irani do të tërhiqet nga negociatat nëse sulmet izraelite vazhdojnë, ai tha: “Ne po përqendrohemi shumë në mirëqenien e të gjithë Lindjes së Mesme”.

  • Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Varka fundoset në Kanalin Anglez, katër emigrantë të vdekur

    Katër persona kanë vdekur në brigjet e Francës veriore pasi u përpoqën të kalonin Kanalin Anglez.

    Autoritetet franceze thanë se viktimat ishin dy burra dhe dy gra. Varka e emigrantëve u fundos në tentativë për të kaluar në Britaninë e Madhe, ndërsa një operacion kërkim-shpetimi nisi pas incidentit në brigjet e Boulogne në jug të Calais.

    Sipas mediave lokale rreth 30 persona janë nën kujdesin e shërbimeve të emergjencës.

    Pas javësh me kushte të vështira, moti në Kanal ka qenë i qetë gjatë ditëve të fundit, teksa kalimet kanë tendencë të rriten në muajt e verës.

    Gjatë tre viteve të fundit, kalimet në Kanal janë rritur, me 41,472 njerëz që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2025.

    Gjatë vitit të kaluar, kontrabandistët e njerëzve kanë përdorur barka motorike përgjatë pjesëve të bregdetit verior francez dhe belg, duke mbledhur emigrantë përgjatë bregut

    Midis 1 janarit dhe 26 marsit 2026, një total prej 4,441 personash kaluan Kanalin Anglez me varkë të vogël nga Franca.

    Kjo shifër është 33% më e ulët se numri i atyre që kishin arritur në Mbretërinë e Bashkuar deri në këtë pikë në vitin 2025, megjithëse kushtet e motit mund të kenë luajtur një rol.

  • Yamal pas humbjes nga Atletico: Asgjë nuk ka përfunduar, do të luftojmë deri në fund

    Yamal pas humbjes nga Atletico: Asgjë nuk ka përfunduar, do të luftojmë deri në fund

    Pas humbjes në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madridit, te Barcelona nuk ka vend për dorëzim.

    Talenti i ri i katalanasve, Lamine Yamal, ka reaguar pas ndeshjes përmes rrjeteve sociale, duke dërguar një mesazh motivues për ekipin dhe tifozët para sfidës kthyese.

    “Kjo nuk ka përfunduar ende. Do të japim gjithçka në ndeshjen e kthimit. Gjithmonë të bashkuar, ka shkruar Yamal në Instagram.

    Pavarësisht disfatës në takimin e parë, te Barcelona mbetet besimi se kualifikimi është ende i arritshëm. Mesazhi i Yamal tregon qartë vendosmërinë dhe shpirtin luftarak brenda skuadrës.

    Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku katalanasit synojnë përmbysjen dhe vazhdimin e rrugëtimit në garën më prestigjioze evropiane.