ATV

Blog

  • Nga 180 në 50 milionë euro, rënia e frikshme e vlerës së Gavi dhe De Jong

    Nga 180 në 50 milionë euro, rënia e frikshme e vlerës së Gavi dhe De Jong

    Një rënie e madhe në vlerën e tregut për dy prej mesfushorëve më të rëndësishëm të Barcelonës.

    Gavi dhe Frenkie de Jong, që vetëm pak vite më parë konsideroheshin ndër lojtarët më të vlefshëm në pozicionet e tyre, kanë parë një zhvlerësim të ndjeshëm në treg.

    Sipas të dhënave të Transfermarkt, të dy futbollistët aktualisht vlerësohen me nga 25 milionë euro secili. Shifra është shumë larg vlerës së tyre maksimale, pasi në periudhat e tyre më të mira, Gavi dhe De Jong arrinin një vlerë prej 90 milionë eurosh secili.

    Kjo do të thotë se vlera e përbashkët e dy mesfushorëve ka pësuar një rënie spektakolare, nga 180 milionë euro në vetëm 50 milionë euro.

    Një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar në këtë rënie janë dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë. Sidomos në një treg ku vlera e futbollistëve lidhet ngushtë me paraqitjet, minutat e luajtura dhe formën fizike, mungesa në fushë mund të ketë një ndikim të madh.

    Megjithatë, te Barcelona ende besojnë se kjo situatë mund të ndryshojë. Rikthimi i plotë në formë dhe një periudhë e qëndrueshme pa dëmtime mund t’u japë të dy lojtarëve mundësinë të rikthehen në nivelet e tyre më të larta.

    Në fund, mbetet për t’u parë nëse Gavi dhe Frenkie de Jong do të arrijnë të rikthejnë jo vetëm formën në fushë, por edhe vlerën e tyre të humbur në treg.

  • Trepça deklarohet për ngujimin e 63 minatorëve: Ndodhi avari në trafo, nuk kishte pjesë rezervë për sanim

    Trepça deklarohet për ngujimin e 63 minatorëve: Ndodhi avari në trafo, nuk kishte pjesë rezervë për sanim

    Ndërmarrja “Trepça” ka dhënë detaje të reja lidhur me avarinë e mbrëmshme në Minierën me Flotacion në Stan Tërg, ku 63 minatorë u ndodhën brenda minierës pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

    Sipas njoftimit të “Trepçës”, avaria ka ndodhur rreth orës 19:30 në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për minierën dhe Njësinë e Flotacionit.

    Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe planifikonin ta përfundonin punën në orën 23:00.

    Pas ndërprerjes së energjisë, 54 minatorë kanë arritur të dalin në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

    “Trepça” njofton se furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe 20 minuta më vonë.

    “Furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50. Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.

    Sipas ndërmarrjes, procesi i sanimit është vështirësuar për shkak të mungesës së pjesëve rezervë në magazinë, pasi ato aktualisht nuk janë në stok.

    “Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësistë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë”, thotë ndërmarrja.

  • Agron Bajrami emërohet kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë

    Agron Bajrami emërohet kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë

    Qeveria e Kosovës e ka emëruar kryenegociator për dialogun teknik me Serbinë Agron Bajramin, ambasadorin e Kosovës në Belgjikë.

    Vendimi është marrë më 17 shtator dhe është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës.

    Në vendim të Qeverisë thuhet se funksioni i Bajramit si kryenegociator përfundon me mbarimin e mandatit të kryeministrit, nëse emërimi i tij nuk ndërpritet më herët.

    Në vendim përcaktohet gjithashtu se Bajrami është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me ligjin në fuqi.

  • Ushtroi dhunë ndaj gruas dhe vajzës së tij në Rahovec, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Ushtroi dhunë ndaj gruas dhe vajzës së tij në Rahovec, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një person është arrestuar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre.

    Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 08:00, në Rahovec.

    Tutje bëhet e ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe pastaj janë liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Rahovec 07.10.2026 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe pastaj janë liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, lidhur me rastin është informuar edhe QPS-ja dhe mbrojtësit e viktimave.

  • Nënë e bijë denoncojnë dhunë në familje në Prishtinë – djali dyshohet se i sulmoi dhe i kërcënoi me vrasje

    Nënë e bijë denoncojnë dhunë në familje në Prishtinë – djali dyshohet se i sulmoi dhe i kërcënoi me vrasje

    Një rast i dhunës në familje është raportuar pak pas mesnate në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë, ku nënë e bijë kanë denoncuar se janë sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me vrasje nga djali, respektivisht vëllai i tyre.

    Siç mësohet rreth orës 00:20, Policia ka pranuar informatën për incidentin dhe njësia patrulluese ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Sipas deklarimeve të A.S. dhe O.S., konflikti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me zhurmën e muzikës, ndërsa L.S. dyshohet se më pas i ka sulmuar fizikisht dhe i ka kërcënuar se do t’i vriste.

    Të dyja janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë pranuar trajtim mjekësor dhe janë intervistuar lidhur me rastin.

    Edhe i dyshuari është shoqëruar në stacion dhe ka marrë trajtim mjekësor. Sipas të dhënave të rastit, ai ka qenë në gjendje të dehur, prandaj intervistimi i tij ka mbetur të zhvillohet gjatë kohës së ndalimit.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, L.S. është ndaluar për 48 orë.

    Rasti po trajtohet për “Lëndim të lehtë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

  • “Një emër i paharruar i lirisë së Kosovës”, Haradinaj përkujton “Sandokanin”

    “Një emër i paharruar i lirisë së Kosovës”, Haradinaj përkujton “Sandokanin”

    Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar në përvjetorin e vdekjes Abedin Rexhën, të njohur me nofkën “Sandokani”.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, duke e cilësuar si një luftëtar trim dhe të vendosur.

    “Me Abedin Rexhën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, ditën kur ra Luani e u plagos Rafet Rama.

    E kujtoj si luftëtar trim e të vendosur, një emër i paharruar i lirisë së Kosovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se dëmtoi kompaninë me kontrata dhe fatura të rreme

    Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se dëmtoi kompaninë me kontrata dhe fatura të rreme

    Një person është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit.

    Sipas Policisë, ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka lidhur kontrata të dëmshme për një kompani dhe ka paraqitur raporte të rreme, përmes të cilave dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

    Policia thotë se i ndaluari dyshohet se i ka shkaktuar kompanisë edhe dëm financiar përmes faturave të rreme.

    Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Tre persona dyshohen për dhunim dhe grabitje të një shtetaseje të huaj në Prishtinë

    Tre persona dyshohen për dhunim dhe grabitje të një shtetaseje të huaj në Prishtinë

    Policia po heton një rast të dhunimit dhe grabitjes së një shtetaseje të huaj në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, në rast dyshohet se janë përfshirë tre persona ende të paidentifikuar. Ata dyshohet se, nën kanosje, i kanë marrë viktimës gjësende dhe dokumente personale.

    Rasti ka ndodhur më 6 tetor, ndërsa për të janë njoftuar prokurori dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe hetimet janë në vazhdim.

  • Arrestohet një person për vrasje në tentativë në Vushtrri

    Arrestohet një person për vrasje në tentativë në Vushtrri

    Një person është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “vrasje në tentativë në bashkëkryerje”.

    Sipas Policisë, rasti kishte ndodhur më 30 shtator në Vushtrri, kur i dyshuari, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kishte sulmuar viktimën me mjete të forta.

    Si pasojë e lëndimeve, viktima kishte kërkuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • 63 minatorët e bllokuar në Stan Tërg dalin nga miniera, të gjithë janë mirë me shëndet

    63 minatorët e bllokuar në Stan Tërg dalin nga miniera, të gjithë janë mirë me shëndet

    Të 63 minatorët që kishin mbetur të bllokuar mbrëmë në minierën e Stan Tërgut kanë dalë nga miniera rreth orës 02:45 të mëngjesit. Drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Minatorët e ndërrimit të dytë kishin mbetur nëntokë pas ndërprerjes së energjisë elektrike, e cila kishte pamundësuar daljen e tyre në mënyrën e zakonshme.

    Për këtë arsye, një pjesë e tyre kishte nisur të dilte përmes shkallëve emergjente, ndërsa në vendngjarje ishin angazhuar edhe ekipe mjekësore.

    Defekti ishte paraqitur mbrëmë rreth orës 19:30.