ATV

Blog

  • Flick thyen rekordin e Guardiolës, shkruan histori në Ligën e Kampionëve

    Flick thyen rekordin e Guardiolës, shkruan histori në Ligën e Kampionëve

    Hansi Flick vazhdon të lërë gjurmë në futbollin evropian. Trajneri i Barcelonës ka arritur të vendosë një rekord të ri në Ligën e Kampionëve, duke u bërë trajneri që arrin më shpejt shifrën e 150 golave të shënuar nga skuadrat e tij në këtë kompeticion.

    Ekipet e drejtuara nga tekniku gjerman kanë realizuar plot 150 gola në vetëm 49 ndeshje, një ecuri që nuk është arritur më parë nga asnjë trajner në historinë e kësaj gare.

    Me këtë arritje, Flick ka lënë pas një emër të madh të futbollit botëror, Pep Guardiolën, i cili deri më tani mbante rekordin. Trajnerit spanjoll i ishin dashur 65 ndeshje për të arritur të njëjtën kuotë golash.

    Kjo do të thotë se Flick ka arritur ta përmirësojë rekordin e Guardiolës me plot 16 ndeshje më pak, duke konfirmuar efikasitetin e jashtëzakonshëm ofensiv të skuadrave të tij në skenën më të madhe evropiane.

    Rekordi i trajnerit gjerman u kompletua pas fitores së thellë të Barcelonës me rezultat 4-1 në udhëtim ndaj Sabahut, një tjetër paraqitje që i dha skuadrës katalunase arsye për të festuar.

    Kështu, Flick jo vetëm që po synon suksese me Barcelonën, por tashmë ka hyrë edhe në librat e historisë së Ligës së Kampionëve, duke lënë pas një rekord që deri më tani mbahej nga Guardiola.

  • Muriqi vendimtar ndaj Shakhtarit, kosovari shkëlqen edhe në statistika

    Muriqi vendimtar ndaj Shakhtarit, kosovari shkëlqen edhe në statistika

    Vedat Muriqi ishte figura kryesore e fitores së Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut, duke realizuar golin që vulosi triumfin e skuadrës turke dhe duke zhvilluar një paraqitje të nivelit të lartë.

    Përveç golit të shënuar, sulmuesi kosovar ishte një nga lojtarët më aktivë në repartin ofensiv, duke dominuar në disa prej statistikave kryesore të takimit.

    Muriqi regjistroi gjashtë goditje drejt portës, më shumë se çdo futbollist tjetër në fushë. Ai u tregua dominues edhe në ajër, duke fituar shtatë duele ajrore, statistikë që gjithashtu e renditi në krye të kësaj kategorie.

    Ndikimi i tij në zonën kundërshtare ishte po ashtu i dukshëm. Sulmuesi preku topin tetë herë brenda zonës së rreptësisë së Shakhtarit, duke qenë lojtari me më së shumti kontakte në këtë hapësirë.

    Paraqitja e tij u vlerësua edhe nga platforma e statistikave SofaScore, e cila i dha notën 7.2.

    Për Muriqin, ky ishte një tjetër gol me peshë të madhe për Fenerbahçen. Me dy gola vendimtarë të realizuar deri më tani, sulmuesi kosovar ka kontribuar drejtpërdrejt në sigurimin e gjashtë pikëve për ekipin turk.

    Kështu, Muriqi po dëshmon se vlera e tij për Fenerbahçen nuk matet vetëm me numrin e golave, por edhe me ndikimin e drejtpërdrejtë që ka në rezultatet e skuadrës.

  • Haxhiu: Krerët e UÇK-së edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Haxhiu: Krerët e UÇK-së edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në një adresim në Parlament para fillimit të seancës ka kujtuar ngjarjet dhe personalitetet që, sipas saj, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lirisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka folur edhe për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se rrënjët e saj lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e dëshmorëve.

    “Jemi në ditët e rëndësishme të nëntorit. Nesër është Dita e FSK-së, një forcë që i ka rrënjët te UÇK-ja, te sakrifica e dëshmorëve dhe te përpjekjet e brezave që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë në Republikën tonë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka kujtuar gjithashtu ngjarjet e fundit të nëntorit, të cilat, sipas saj, shënuan kalimin e rezistencës së armatosur në luftë të hapur kundër forcave serbe.

    Haxhiu ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e tyre.

    “Teksa kujtojmë ngjarjet, jemi pranë krerëve të UÇK-së, luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe të lirohen sa më parë”, ka thënë Haxhiu.

  • Ndoti rrugën në Prizren, 1100 euro gjobë për kompaninë dhe shoferin e kamionit

    Ndoti rrugën në Prizren, 1100 euro gjobë për kompaninë dhe shoferin e kamionit

    Një kompani dhe drejtuesi i një kamioni janë gjobitur me gjithsej 1 mijë e 100 euro nga Policia e Kosovës, pasi kamioni kishte ndotur rrugën në fshatin Landovicë të Prizrenit.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është evidentuar më 25 nëntor, gjatë patrullimit të rregullt nga zyrtarët e Stacionit Policor Prizren-Veri.

    Gjatë kontrollit në terren është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk i kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga një vendpunishte me baltë në rrugën e asfaltuar.

    “Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, është konstatuar se drejtuesi i kamionit nuk kishte pastruar rrotat e automjetit para se të dilte nga terreni me baltë në rrugën e asfaltuar. Si pasojë, është ndotur rruga dhe është rrezikuar siguria e pjesëmarrësve në komunikacion. Për këtë shkelje, personit juridik, përkatësisht kompanisë pronare të kamionit, i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 1,000 euro, ndërsa drejtuesit të kamionit 100 euro” – thuhet në njoftim.

    Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e masave për parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe jetën e qytetarëve.

  • Trump dhe kreu i NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë të mos e zgjerojë luftën në Ukrainë

    Trump dhe kreu i NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë të mos e zgjerojë luftën në Ukrainë

    Rusia duhet të shmangë veprimet që mund ta zgjerojnë luftën në Ukrainë, deklaruan Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas një takimi në Florida. Ata diskutuan gjithashtu për luftën që përfshin Iranin, ndonëse nuk dhanë detaje lidhur me këtë pjesë të bisedës së tyre.

    “Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që mund të çojë — qëllimisht ose pa dashje — në zgjerimin e luftës, si dhe rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje paqësore sa më shpejt të jetë e mundur,” thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

    Takimi u zhvillua pasi Trump u takua javën e kaluar në Azi me Presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin kinez Xi Jinping, duke iu referuar atyre si “miqtë” e tij. Takimi me Putinin shkaktoi kritika nga demokratët në SHBA dhe nga aleatët evropianë, të cilët këmbëngulin të përfshihen në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Rutte vuri në dukje se është normale që fuqitë e mëdha bërthamore të takohen. Ai diskutoi gjithashtu me Trumpin nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe për investime brenda SHBA-së dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy — të cilin Trump e ka kritikuar më parë — deklaroi se Evropa duhet të përfshihet në negociatat e paqes.

    Trump shpesh i kritikon aleatët perëndimorë lidhur me kontributet e tyre në NATO, tarifat tregtare dhe atë që ai e quan mbështetje të pamjaftueshme për luftën kundër Iranit.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen tre persona-sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

    Aksion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, arrestohen tre persona-sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

    Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, gjatë një aksioni policor të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

    Operacioni është realizuar më 25 nëntor 2026, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Njësitë Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

    Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, janë gjetur 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.

    Sipas hetimeve preliminare, tre të dyshuarit dyshohet se përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

    Përmes kësaj skeme, viktimat dyshohet se janë vënë në lajthitje dhe janë shtyrë të ndërmarrin veprime që kanë dëmtuar pasurinë e tyre.

    Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe dokumentimit të dyshimeve për veprimtari kriminale.

  • Kosova e Shqipëria kryesojnë në rajon për jetëgjatësinë

    Kosova e Shqipëria kryesojnë në rajon për jetëgjatësinë

    Shqipëria kryeson në Ballkanin Perëndimor për nga jetëgjatësia, me një mesatare prej 80.1 vjetësh, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara.

    Ndërkaq, sa i përket renditjes globale, Shqipëria pozicionohet në vendin e 61-të, mes 237 vendeve të tjera.

    Kosova renditet e dyta pas Shqipërisë, me një jetëgjatësi mesatare prej 78.6 vjetësh.

    Të dhënat aktuale, krahasuar me ato të vitit 1950, tregojnë se Shqipëria ka shënuar një rritje të dukshme të jetëgjatësisë, prej 35 vjetësh. Ndërkaq, sociologët kanë ngritur edhe çështjen e lidhjes mes zhvillimit intelektual dhe jetëgjatësisë, raporton Top Channel.

    “Është e vërtetuar shkencërisht që intelektualët, profesorët dhe nobelistët kanë jetëgjatësi më të lartë se populli në përgjithësi. Unë kam bërë një studim me akademikët burra dhe më ka rezultuar se mesatarisht jetojnë shtatë vjet më shumë se burrat e tjerë, për shkak të zhvillimit të trurit”, është shprehur sociologu Zyhdi Dervishi.

    Monako është renditur si vendi me jetëgjatësinë më të lartë në botë, me një mesatare prej 86.7 vjetësh.

  • Aksident mes kamionit dhe një veture në autostradën “Arbër Xhaferi”, katër persona kërkojnë ndihmë mjekësore

    Aksident mes kamionit dhe një veture në autostradën “Arbër Xhaferi”, katër persona kërkojnë ndihmë mjekësore

    Katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Arbër Xhaferi”, në segmentin Babush–Lipjan, ku janë përfshirë një kamion që transportonte beton dhe një veturë.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

    Ai ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për aksidentin rreth orës 08:18, ndërsa njësitë e Autostradës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njësiti policor është marrë me procedurat e nevojshme në vendin e ngjarjes.

  • Çitaku: Mirëpres gatishmërinë e BE-së për konsultimet rreth Ligjit për Specialen

    Çitaku: Mirëpres gatishmërinë e BE-së për konsultimet rreth Ligjit për Specialen

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se e mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar rreth Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Nga BE-ja janë shprehur të gatshëm për t’u konsultuar për çfarëdo nisme për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

    Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Çitaku, duke e vlerësuar qëndrimin e BE-së për këtë process.

    “E mirëpres gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar me ne në procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ky është një lajm i mirë. I ftoj që nesër të vijnë në konsultime. Ne jemi gati. E gjithë ajo që kërkojmë përmes këtij procesi është drejtësi. Një proces i drejtë, i paanshëm, në të cilin respektohen parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Besoj se thirrja për drejtësi na bashkon. Edhe me Bashkimin Evropian.”, ka shkruar Çitaku në Facebook.