ATV

Blog

  • Jasharit i përfundon mandati në krye të FSK-së, Maqedonci: Do të veprojmë sipas ligji

    Jasharit i përfundon mandati në krye të FSK-së, Maqedonci: Do të veprojmë sipas ligji

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është deklaruar lidhur me përfundimin e mandatit të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

    I pyetur nëse Jashari do të vazhdojë edhe për një mandat në këtë pozitë, Maqedonci nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se procedurat do të ndiqen në përputhje me ligjet në fuqi.

    “Komandantin e patë më herët. Normalisht që është një ligj i cili është në fuqi, kemi një komandant që po përfundon mandatin dhe janë të gjitha hapat e nevojshëm që do të ndërmerren me kohë sipas ligjeve dhe procedurave”, ka deklaruar Maqedonci.

    Mandati pesëvjeçar i Bashkim Jasharit në krye të FSK-së përfundon më 30 nëntor të këtij viti.

    Jashari ishte emëruar në këtë pozitë më 30 nëntor 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Rrahman Rama.

    Ndërkaq, sipas nenit 21, paragrafit 7, të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, mandati i komandantit zgjat pesë vjet dhe nuk mund të riemërohet për një mandat të dytë.

  • Zyrtare: Brahim Diaz rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2031

    Zyrtare: Brahim Diaz rinovon kontratën me Real Madridin deri në vitin 2031

    Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me Brahim Diazin, i cili do të jetë pjesë e klubit madrilen deri më 30 qershor të vitit 2031.

    Sulmuesi maroken, kontrata e mëparshme e të cilit skadonte verën e ardhshme, ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij afatgjatë me “Los Blancos”, klub me të cilin është i lidhur që nga viti 2019.

    “Real Madrid CF dhe Brahim Diaz kanë rënë dakord për zgjatjen e kontratës së lojtarit tonë, i cili tani është i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në njoftimin zyrtar të madrilenëve.

    27-vjeçari bëhet kështu lojtari i radhës që siguron të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”, pas rinovimeve të fundit të Arda Guler dhe Aurelien Tchouamenit.

    E ardhmja e Diazit ishte vënë në pikëpyetje gjatë afatit kalimtar të verës, por Jose Mourinho kishte ndërhyrë për të penguar largimin e tij.

    Në këtë sezon, marokeni ka regjistruar katër asistime në 10 paraqitje, megjithëse ka arritur të jetë titullar vetëm në një ndeshje.

    Ndërkohë, Brahim Diaz shkëlqeu edhe në Kupën e Afrikës 2025, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, ndonëse Maroku u desh të kënaqej me vendin e dytë.

  • Lajm bombastik: Marc Marquez njofton tërheqjen nga MotoGP, Valencia gara e fundit në karrierë

    Lajm bombastik: Marc Marquez njofton tërheqjen nga MotoGP, Valencia gara e fundit në karrierë

    Marc Marquez ka befasuar botën e motorsportit me një vendim të papritur, duke njoftuar tërheqjen nga Botërori i MotoGP. Piloti spanjoll, i cili sapo ka fituar titullin e tij të 10-të kampion bote, e bëri të ditur vendimin gjatë provave të lira të Çmimit të Madh të Valencias.

    Marquez zgjodhi një mënyrë të pazakontë për të komunikuar lajmin, duke shfaqur para kamerave një pankartë me mbishkrimin: “Kjo do të jetë gara ime e fundit në MotoGP”.

    Menjëherë pas këtij njoftimi reagoi edhe skuadra Ducati Lenovo, e cila konfirmoi zyrtarisht vendimin e pilotit 33-vjeçar.

    “Është zyrtare. Marc Marquez ka vendosur të tërhiqet nga garat e MotoGP dhe Çmimi i Madh i Valencias 2026 do të jetë gara e fundit në karrierën e tij sportive si pilot profesionist me Ducati Lenovo”, thuhet në komunikatën e skuadrës italiane.

    Në këtë mënyrë, Marquez i jep fund një karriere të jashtëzakonshme, duke u larguar nga MotoGP në majën më të lartë të suksesit. Që nga debutimi i tij në vitin 2008, spanjolli ndërtoi një karrierë që e shndërroi në njërin prej pilotëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

    Në 19 sezone, ai ka fituar gjithsej 10 tituj botërorë: një në kategorinë 125cc në vitin 2010, një në Moto2 në vitin 2012 dhe tetë në MotoGP, në vitet 2013, 2014, 2016, 2017, 2018, 2019, 2025 dhe 2026.

    Palmaresi i tij përfshin gjithashtu 106 fitore, prej të cilave 80 në MotoGP, 134 podiume dhe 78 pole position.

    Karriera e Marquez nuk ka qenë e lehtë. Dëmtimi i rëndë në krahun e djathtë, i pësuar në Jerez në vitin 2020, shënoi fillimin e një periudhe të vështirë, gjatë së cilës iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale.

    Pas 11 sezonesh me Hondën, spanjolli u largua nga skuadra japoneze në fund të vitit 2023 për t’iu bashkuar Gresinit. Ky ishte një hap i rëndësishëm në rikthimin e tij në nivelet më të larta, që më pas i siguroi kalimin te skuadra zyrtare e Ducatit.

    Me Ducatin, Marquez riktheu titullin kampion në vitin 2025, gjashtë vjet pas triumfit të tij të fundit, ndërsa në vitin 2026 arriti të mbrojë kurorën pas një rikthimi spektakolar prej 102 pikësh, duke realizuar përmbysjen më të madhe në historinë e MotoGP drejt titullit.

    Vendimi për t’u tërhequr nënkupton gjithashtu heqjen dorë nga dy vitet e mbetura të kontratës me Ducatin dhe mundësia për të udhëhequr projektin e skuadrës italiane në vitin 2027, kur pritet të hyjnë në fuqi rregullat e reja teknike.

    Kështu, ajo që pritej të ishte gara e fundit e një tjetër sezoni historik në Valencia, do të shndërrohet në lamtumirën e një prej sportistëve më të suksesshëm spanjollë të të gjitha kohërave.

    Të dielën, numri 93 do të jetë për herë të fundit në startin e një gare të MotoGP.

  • Në Ditën e Forcës, Çitaku kujton Thaçin: Ishte komandant suprem kur FSK-ja mori mandatin e ushtrisë

    Në Ditën e Forcës, Çitaku kujton Thaçin: Ishte komandant suprem kur FSK-ja mori mandatin e ushtrisë

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së Forcës, duke rikujtuar momentin historik të transformimit të saj në ushtri.

    Çitaku, së bashku me deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, ka kujtuar 14 dhjetorin e vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës votoi për mandatin e ri të Forcës, shkruan Gazeta Sinjali.

    Ajo ka theksuar se në atë periudhë, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rrahman Rama kishte rol vendimtar në përgatitjen dhe udhëheqjen e saj gjatë viteve të para të transformimit.

    “Në atë moment historik, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rama, si komandant i saj, luajti rol vendimtar në përgatitjen e FSK-së për mandatin e ri dhe e udhëhoqi Forcën në vitet e para të transformimit”, ka deklaruar Çitaku.

    Në prag të 28 Nëntorit, ajo ka kujtuar edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar kontributin e atyre që luftuan për lirinë e vendit.

    Çitaku ka falënderuar pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës për përkushtimin dhe shërbimin ndaj Republikës.

    “Urime Ditën e Forcës, Kosovë!”, ka përfunduar ajo.

  • Shiroka-Pula kërkon trajtim të barabartë për Kosovën në rrugën drejt BE-së: Nuk kërkojmë privilegje, por barazi

    Shiroka-Pula kërkon trajtim të barabartë për Kosovën në rrugën drejt BE-së: Nuk kërkojmë privilegje, por barazi

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar trajtim të barabartë për Kosovën në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vlerësohen mbi bazën e meritave dhe kritereve të njëjta.

    Në fjalimin e saj para liderëve të rajonit, në kuadër të takimit të Iniciativës Brdo-Brijuni që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

    Sipas njoftimit të Presidencës, ajo ka kritikuar edhe mospërfshirjen e Kosovës në Forumin e Zgjerimit të BE-së, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, si dhe lejimin e interpretimit të një kënge me përmbajtje nacionaliste, e cila, sipas saj, vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Presidentja e ka cilësuar paradoksale që në një aktivitet të dedikuar zgjerimit të BE-së dhe promovimit të vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që mohojnë realitetin.

    Ajo ka theksuar se praktika të tilla nuk ndihmojnë pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal, duke shtuar se Kosova nuk kërkon privilegje, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë.

    Shiroka-Pula ka ritheksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet zgjedhje strategjike e Kosovës, ndërsa mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat, sipas saj, dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të rajonit.

    Në takimin e liderëve rajonalë, për herë të parë mori pjesë edhe kryetari i ri i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq.

  • Gary Neville bën parashikimin e madh: Haaland do të transferohet te Real Madridi

    Gary Neville bën parashikimin e madh: Haaland do të transferohet te Real Madridi

    Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, ka bërë një parashikim të bujshëm, duke deklaruar se Erling Haaland do të largohet nga Manchester City për t’u transferuar te Real Madridi brenda 18 muajve të ardhshëm.

    Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Stick to Football”, pjesë e emisionit “The Overlap”, ish-futbollisti anglez u shpreh i bindur se sulmuesi norvegjez do të përfundojë në kryeqytetin spanjoll, madje mundësia që kjo lëvizje të realizohet në fund të këtij sezoni nuk përjashtohet.

    “Jam absolutisht i bindur se Erling Haaland do të jetë lojtar i Real Madridit brenda 18 muajve më së shumti, madje ndoshta edhe në fund të këtij sezoni”, deklaroi Neville.

    Ai parashikoi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv të madrilenëve, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë sulmuesit të Manchester Cityt.

    Sipas Neville, Vinicius Junior do të largohet nga Real Madridi, ndërsa Kylian Mbappe do të zhvendoset në krahun e majtë të sulmit, duke ia lënë pozitën e qendërsulmuesit norvegjezit Haaland.

    Një dyshe ofensive e përbërë nga Mbappe dhe Haaland do të ishte një kombinim jashtëzakonisht i fuqishëm dhe do ta bënte Real Madridin edhe më të rrezikshëm në futbollin evropian.

    Megjithatë, deri tani bëhet fjalë vetëm për parashikimin e Gary Neville dhe jo për ndonjë marrëveshje të konfirmuar mes palëve.

  • Maqedonci: Gati 500 milionë euro investime në armatim dhe pajisje për FSK-në, kemi përmbyllur rekrutimin e planifikuar deri më 2028

    Maqedonci: Gati 500 milionë euro investime në armatim dhe pajisje për FSK-në, kemi përmbyllur rekrutimin e planifikuar deri më 2028

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të kësaj qeverisjeje janë investuar gati 500 milionë euro në blerjen e sistemeve të armatimit, mjeteve transportuese dhe pajisjeve të nevojshme për operacionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

    Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Maqedonci ka thënë se investimet në zhvillimin e FSK-së janë përqendruar në tri fusha kryesore: armatim dhe pajisje, personel dhe infrastrukturë.

    “Ditë që na bashkon, ditë që tregon për përkushtimin tonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Republikës sonë. Dhe kjo, pasqyrohet përmes punës dhe angazhimit të secilit dhe secilës që shërben në forcën e sigurisë së Kosovës, dhe gjithashtu atyre që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes, në mbështetje të zhvillimit të forcës së sigurisë së Kosovës. Investimet tona gjatë kësaj qeverisjeje janë orientuar në 3 drejtime kryesore. Fillimisht, përkushtimi ynë dhe paraqitja ka qenë që të fokusohemi në blerje të sistemeve të armatimit, në mjetet transportuese, në pajisjet, në gjërat e tjera të nevojshme për ta operacionalizuar ushtrinë, dhe deri më tani janë bërë gati 500 milionë euro investime për blerje të sistemeve të armatimit, transportit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së. Fokusi i dytë në investime ka qenë personeli, ku kemi qenë të orientuar në edukimin e forcës së sigurisë së Kosovës, edukimin e personelit të forcës së sigurisë së Kosovës, në rekrutimin e personelit. Tashmë kemi numrin e nevojshëm që ka qenë i paraparë që të rekrutohet deri në vitin 2028, pra kemi përmbyllur këtë pjesë, dhe gjithashtu kemi zhvilluar programe trajnuese. Kurse fusha e tretë ka qenë infrastruktura dhe bazat e reja”, tha ai.

    Maqedonci ka bërë të ditur se FSK-ja tashmë ka katër baza më shumë sesa ishin paraparë në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, si dhe dy poligone të mëdha për trajnime, të cilat shfrytëzohen edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

    “Tashmë dihet që kemi 4 baza më shumë sesa ka qenë e planifikuar të kemi në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit. Kemi 2 poligone të mëdha trajnimi, të cilat po shfrytëzohen edhe nga forcat tona, por edhe nga partnerët tanë, për të realizuar ushtrime duke përfshirë edhe ato ushtrimet ndërkombëtare që kemi parë që kanë qenë seria e ushtrimeve Defender Europe. Shumë prej fushave i kemi tejkaluar qysh tani, nuk do ta presim vitin 2028 për t’i deklaruar të validuara shumë kapacitetet që i kemi kryer tani. Ne jemi në përfundim të fazës së tranzicionit dhe normalisht jemi edhe në përfundim të operacionalitetit të plotë të FSK-së, kështu që në periudhën në vazhdim objektivat tona do të fokusohen edhe në fusha të tjera, siç është industria e mbrojtjes, ku jemi duke bërë punë të vazhdueshme dhe me përkushtim të lartë, dhe gjithashtu mbrojtja gjithëpërfshirëse një koncept i ri, një sistem i ri mbrojtjes, ku e vendos qytetarin në pikë qendrore në aspektin e angazhimit për mbrojtje dhe siguri”, tha ai.

  • Gërvalla: Sa më shumë e forcojmë ushtrinë, aq më larg qëndrojnë ata që na kërcënojnë me luftë

    Gërvalla: Sa më shumë e forcojmë ushtrinë, aq më larg qëndrojnë ata që na kërcënojnë me luftë

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është garanci për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e vendit, duke theksuar se Kosova nuk ka synime ndaj asnjë shteti fqinj, raporton Ekonomia Online. 

    Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Gërvalla ka thënë se forcimi i ushtrisë është mesazhi më i fuqishëm për realizimin e amanetit të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

    “Ne sot kemi ardhur që ta shohim nga afër realitetin e krijuar në vendin tonë, dhe nuk ka pasqyrë më të qartë dhe nuk ka mesazh më të fuqishëm për realizimin e amanetit të të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë sesa ky realitet i ri i krijuar. Sa më shumë që e forcojmë forcën e sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla ka përgëzuar komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe pjesëtarët e Forcës për angazhimin e tyre në rritjen e sigurisë në vend.

    Ajo ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim i institucioneve të vendit.

    “Prandaj, përgëzoj nga zemra komandantin Bashkim Jashari, ministrin e mbrojtjes e Ejup Maqedonci, dhe të gjithë ata të cilët çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë e investojnë për ta bërë qytetarin e Kosovës të ndihet më i sigurt dhe të flejë më qetë me gjithë konfliktet që kanë shpërthyer në të katërt anët e botës, edhe me gjithë kërcënimet e vazhdueshme që marrim nga fqinji ynë. Kosova, Republika e Kosovës, anëtare e NATO-s, është synimi të cilin nuk e fshehim dhe për të cilin e shohim që çdo ditë punohet këtu”, shtoi ajo.

  • Oliver Kahn mbron Jamal Musialan: Është absurde t’i kërkohet të heqë dorë nga paga

    Oliver Kahn mbron Jamal Musialan: Është absurde t’i kërkohet të heqë dorë nga paga

    Gjendja shëndetësore e Jamal Musialas vazhdon të jetë temë diskutimi në futbollin gjerman, ndërsa në këtë debat është përfshirë edhe legjenda e Bayern Munichut, Oliver Kahn.

    Mesfushori gjerman po përballet me probleme shëndetësore, pas dy episodeve të fikëti në fushën e lojës, ndërsa situata e tij ka nxitur reagime të shumta, sidomos pas deklaratave të diskutueshme nga drejtuesit e klubit bavarez.

    Ish-portieri dhe ish-drejtuesi i Bayernit ka dalë në mbrojtje të Musialas, duke shprehur besimin se futbollisti mund ta tejkalojë këtë periudhë të vështirë dhe të rikthehet në nivelin e tij më të mirë.

    “Sa dramatike duket e gjithë kjo situatë, sëmundja mund të trajtohet dhe besoj se Jamal do të jetë në gjendje ta përballojë. Gjithashtu, besoj se mund të rikthehet në nivelin e tij më të lartë”, u shpreh Kahn.

    Ai reagoi ashpër edhe ndaj idesë që Musialës t’i kërkohet të heqë dorë nga një pjesë e pagës në rast se problemet shëndetësore ndikojnë në paraqitjet e tij.

    “Ekziston një kontratë e vlefshme dhe nuk ka asgjë për të kritikuar në këtë drejtim. T’i bësh presion lojtarit në këtë moment dhe t’i kërkosh publikisht, në emër të ndërgjegjes së tij, të heqë dorë nga një pjesë e pagës, është thjesht absurde”, deklaroi ish-kreu i Bayernit.

    Kahn theksoi se çështje të tilla duhet të diskutohen brenda strukturave drejtuese të klubit dhe jo të bëhen publike.

    Sipas tij, Bayern Munich duhet t’i ofrojë mbështetje të plotë futbollistit, duke vendosur shëndetin dhe mirëqenien e tij mbi çdo interes tjetër.

  • Jose Mourinho i mbyll dyert e largimeve te Real Madridi: Nuk dua asnjë transferim në janar

    Jose Mourinho i mbyll dyert e largimeve te Real Madridi: Nuk dua asnjë transferim në janar

    Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka qenë i qartë sa i përket lëvizjeve të mundshme në afatin kalimtar të janarit, duke bërë të ditur se nuk dëshiron asnjë largim apo transferim në skuadrën e tij.

    Gjatë javëve të fundit, disa futbollistë të madrilenëve janë përfolur për një largim të mundshëm nga klubi. Në mesin e tyre janë Eduardo Camavinga, Antonio Rudiger, Ferland Mendy dhe Raul Asencio.

    Megjithatë, trajneri portugez ka bërë të qartë se dëshiron ta ruajë grupin aktual dhe nuk planifikon të lejojë largimin e ndonjë futbollisti gjatë afatit kalimtar dimëror.

    “Nuk ka asnjë lojtar që nuk më pëlqen apo që nuk e dua këtu. Nuk dua askënd në tregun e transferimeve”, deklaroi fillimisht Mourinho.

    “Po e them këtë tani, edhe pse kanë mbetur edhe dy muaj para se gjërat të acarohen. Nuk dua që askush të largohet. Dera është e mbyllur. Nuk dua asnjë bisedë për transferime dhe mos krijoni histori për këtë temë, sepse unë nuk i dua ato”, përfundoi trajneri portugez.

    Kështu, Mourinho ka përcjellë një mesazh të qartë për skuadrën, duke lënë të kuptohet se dëshiron të vazhdojë me grupin aktual edhe pas hapjes së afatit kalimtar të janarit.