ATV

Blog

  • Kosova ëndërron Ligën A, 21.7% gjasa për promovim

    Kosova ëndërron Ligën A, 21.7% gjasa për promovim

    Kosova vazhdon të ëndërrojë për një ngjitje në elitën e Ligës së Kombeve, ndërsa dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni mund të vendosin gjithçka.

    Sipas parashikimeve të publikuara nga Football Rankings, “Dardanët” kanë rreth 21.7 për qind gjasa për t’u promovuar në Ligën A. Kosova renditet e nënta mes përfaqësueseve të Ligës B sa i përket mundësive për ngjitje në nivelin më të lartë.

    Megjithatë, rruga drejt Ligës A mbetet plotësisht e hapur.

    Kosova e nisi aventurën në Grupin B3 me një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Republikës së Irlandës. Më pas erdhi një humbje 3-1 në transfertë ndaj Austrisë, ndërsa “Dardanët” morën dy barazime, fillimisht 0-0 me Izraelin dhe më pas 1-1 ndaj Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Pas katër ndeshjeve, Austria kryeson grupin me tetë pikë. Kosova dhe Republika e Irlandës kanë nga pesë pikë, ndërsa Izraeli mbyll renditjen me dy pikë.

    Tani, gjithçka mund të vendoset në nëntor.

    Më 14 nëntor, Kosova do ta presë Izraelin, në një ndeshje ku fitorja mund të jetë vendimtare për objektivin e saj. Katër ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë për t’u përballur me Republikën e Irlandës.

    Sipas rregullave të këtij edicioni, vetëm skuadra që përfundon e para në grup siguron promovimin direkt në Ligën A. Ndërkohë, vendi i dytë ofron një tjetër mundësi, përmes “play-off”-it të promovimit.

    Pra, Kosova ende e ka fatin në duart e saj. Dy ndeshje, gjashtë pikë në lojë dhe një objektiv i madh në horizont: ngjitja në Ligën A të Ligës së Kombeve.

  • Fyti ju kruhet dhe hunda ju bllokohet? Ja çfarë mund të bëni që në shenjat e para të ftohjes

    Fyti ju kruhet dhe hunda ju bllokohet? Ja çfarë mund të bëni që në shenjat e para të ftohjes

    Fyti fillon t’ju kruhet, hunda ju rrjedh ose bllokohet dhe pak më vonë shfaqen teshtimat, kolla dhe lodhja. K

    ëto janë ndër shenjat më të zakonshme të ftohjes, një infeksion viral që zakonisht përmirësohet vetë. Sipas CDC, simptomat zakonisht arrijnë kulmin brenda 2–3 ditësh.

    Pini mjaftueshëm lëngje dhe pushoni

    Pushimi dhe hidratimi janë ndër masat kryesore që rekomandohen gjatë ftohjes. NHS këshillon gjithashtu të konsumohen mjaftueshëm lëngje dhe të bëhet pushim derisa trupi të rikuperohet.

    Provoni solucion fiziologjik për hundët

    Spërkatjet ose pikat me solucion fiziologjik mund të ndihmojnë në lagështimin e kanaleve të hundës dhe në lirimin e mukusit, duke e bërë më të lehtë frymëmarrjen. Këtë e rekomandojnë edhe CDC dhe Mayo Clinic.

    Nëse përdorni një pajisje për shpëlarjen e hundës, si neti pot, siguria e ujit është shumë e rëndësishme. Mayo Clinic rekomandon ujë të distiluar ose steril; nëse përdoret ujë rubineti, ai duhet të zihet dhe më pas të ftohet. Uji i zakonshëm i rubinetit nuk duhet përdorur drejtpërdrejt për shpëlarje të hundës.

    Për dhimbjen e fytit

    Gargara me ujë të ngrohtë me kripë mund të ndihmojë në qetësimin e dhimbjes së fytit. NHS e rekomandon këtë si një nga mënyrat e thjeshta për të lehtësuar simptomat.

    Edhe një pije e ngrohtë me limon dhe mjaltë mund të qetësojë fytin. Mjalti nuk duhet t’u jepet fëmijëve nën një vjeç.

    Po shpëlarja e hundës, a e shkurton ftohjen?

    Këtu duhet pak kujdes. Studimet kanë treguar se solucionet fiziologjike mund të ndihmojnë në lehtësimin e disa simptomave, veçanërisht bllokimit të hundës, por një rishikim i Cochrane thekson se provat për shkurtimin e kohëzgjatjes së ftohjes janë ende të kufizuara dhe jo mjaftueshëm të forta për të thënë se kjo metodë e shkurton patjetër sëmundjen.

    Antibiotikët nuk e kurojnë ftohjen

    Një nga gabimet më të zakonshme është përdorimi i antibiotikëve për një ftohje. Ftohja shkaktohet nga viruse, ndërsa antibiotikët veprojnë kundër baktereve dhe nuk ndihmojnë në trajtimin e një ftohjeje virale.

    Në shumicën e rasteve, ftohja kalon vetë. Mayo Clinic thotë se shumica e rasteve përmirësohen brenda 7–10 ditësh, ndërsa NHS vëren se disa njerëz mund të kenë simptoma për 1–2 javë.

  • “Nuk kam asgjë për të deklaruara”, tha udhëtari por Dogana ia gjen mbi 30 mijë euro në veturë

    “Nuk kam asgjë për të deklaruara”, tha udhëtari por Dogana ia gjen mbi 30 mijë euro në veturë

    Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar tentativën për futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

    Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur të fshehura 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftim.

    Dogana rikujton se sipas Nenit 33 të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë, është i obliguar të deklarojë me shkrim shumën e mjeteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor. /Telegrafi/

  • Tragjedi në Ukrainë: Bombat ruse godasin dy autobusë, 30 të vrarë e 18 të plagosur

    Tragjedi në Ukrainë: Bombat ruse godasin dy autobusë, 30 të vrarë e 18 të plagosur

    Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë publikë në qytetin e Kramatorskut, në rajonin lindor të Donetskut, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.

    Sulmi ndodhi rreth orës 10:00, teksa autobusët po transportonin pasagjerë. Sipas autoriteteve, besohet se ata u goditën nga bomba ajrore të drejtuara me precizion të lartë.

    Këshilli i Qytetit të Kramatorskut tha se transporti publik është pezulluar pas sulmit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve.

    Sulme ruse janë raportuar edhe në Kiev, ku dy persona u gjetën të vdekur pas një sulmi me dron në një ndërtesë, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Më herët, kryebashkiaku Vitali Klitschko kishte njoftuar për një viktimë dhe 11 të plagosur në sulmet ruse.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 142 dronë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 126 prej tyre.

  • Shiroka-Pula ia shpreh Kurtit gatishmërinë për bashkëpunim në shërbim të interesave të Kosovës

    Shiroka-Pula ia shpreh Kurtit gatishmërinë për bashkëpunim në shërbim të interesave të Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit.

    Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës.

  • “Jo në emrin tim”, shqiptarët protestojnë nesër në Bonn të Gjermanisë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    “Jo në emrin tim”, shqiptarët protestojnë nesër në Bonn të Gjermanisë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    ë premten pritet të mbahet një protestë në Bonn të Gjermanisë, në kundërshtim me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Protesta siç njoftoi platforma “Liria ka Emër”, do të nisë në orën 19:00, me moton “Jo në emrin tim”.

    “Nesër Bonn, Gjermani – bashkë! Drejtësi për çlirimtarët!”, thuhet në njoftim.

     

  • Inspektorati Policor: Do të verifikohen pretendimet lidhur me afatin e skaduar të gazit lotsjellës

    Inspektorati Policor: Do të verifikohen pretendimet lidhur me afatin e skaduar të gazit lotsjellës

    Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

    Nga IPK konfirmuan për Radio Dukagjinin se, në kuadër të këtij hetimi, përveç ankesave të pranuara nga qytetarët, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës.

    Sipas IPK-së, si për ankesat e pranuara në objektet e këtij institucioni, ashtu edhe për rastet e iniciuara në kuadër të detyrës zyrtare, tashmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore, përfshirë sigurimin e video incizimeve dhe dëshmive të tjera, marrjen e deklaratave dhe shikimin e dokumentacioneve zyrtare policore që ndërlidhen me menaxhimin e protestës.

    “IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren”, deklaruan nga IPK.

    Gjatë protestës, e cila u mbajt me kërkesën për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, kishte ngritur dyshime se Policia e Kosovës kishte përdorur gaz lotsjellës të modelit të vitit 2018, të cilit pretendohet se i kishte skaduar afati. Ato bombola të gazit lotsjellës Radio Dukagjini i kishte incizuar dhe janë këto në fotografi. /RadioDukagjini/

  • Kurti pas takimit me presidenten Shiroka-Pula: Nuk kemi kohë për të humbur, do të bashkërendohemi për sfidat shtetërore

    Kurti pas takimit me presidenten Shiroka-Pula: Nuk kemi kohë për të humbur, do të bashkërendohemi për sfidat shtetërore

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mbajtur sot një takim me presidenten, Justina Shiroka-Pula, gjersa uroi të gjithë qytetarët për stabilitetin institucional të Kosovës, pas votimit të presidentes së re.

    Kurti në një deklaratë për media tha se falënderoi presidenten Shiroka-Pula për pranimin e kandidaturës për presidente, gjersa uroi të gjithë qytetarët për stabilitetin institucional.

    “Ishte një takim i parë me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror të Republikës, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim…

    Tash na presin shumë punë e angazhime, të cilat natyrisht që me vullnet të mirë, dijen e mundësinë që kemi do t’i shtyjmë përpara sa më shpejt që mundemi”, tha ai, raporton Telegrafi.

    Kurti u shpreh më tej se Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë ka institucionet plotësisht funksionale.

    “…Tash natyrisht se nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, tha ai, duke shtuar se hasi në mirëkuptimin dhe vullnetin e presidentes që të bashkërendohen maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt. /Telegrafi/

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në disa pjesë të Pejës, shkak një avari në rrjet

    Ndërpritet furnizimi me ujë në disa pjesë të Pejës, shkak një avari në rrjet

    Banorët e disa lagjeve dhe rrugëve në Pejë kanë mbetur pa ujë si pasojë e një avarie të madhe në rrjetin e ujësjellësit.

    Ndërprerja e furnizimit ka prekur “Kapeshnicën”, “Dardania I dhe II”, si dhe rrugët “Bajram Kelmendi”, “Mbretëresha Teuta”, “Mbreti Zog”, “UÇK”, “Sali Çeku” dhe “Muharrem Mitrovica”.

    Sipas KRU “Hidrodrini”, shkak i ndërprerjes është një defekt në gypin DN 450, i cili ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi”, pranë Urës së Re.

    Ekipet e terrenit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për sanimin e avarisë, ndërsa nga kompania kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë pritet të rikthehet gjatë pasdites.

    “Ekipet e terrenit ndodhen në lokacionin e avarisë dhe po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë sa më shpejt të jetë e mundur. Furnizimi pritet të rikthehet në ora 15:00. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin tuaj”, thuhet në njoftim.

  • Ditën e parë si presidente Shirkoka-Pula e nis me homazhe në Prekaz, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

    Ditën e parë si presidente Shirkoka-Pula e nis me homazhe në Prekaz, Rugova e Demaçi: Kosova është ndërtuar mbi sakrificë e vizion

    Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, raporton Ekonomia Online.

    Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

    “Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

    Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

    “Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

    Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

    “Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

    Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.