ATV

Blog

  • Rama emëron Bujar Gashin drejtor të Shëndetësisë në Prishtinë

    Rama emëron Bujar Gashin drejtor të Shëndetësisë në Prishtinë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se e ka emëruar Bujar Gashin si drejtor të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.
    Ai ka thënë se Gashi sjell me vete një përvojë të gjatë profesionale dhe besimin e madh qytetar, si asamblisti më i votuar në zgjedhjet e fundit.

    “Ky besim është dëshmi e përkushtimit të tij në shërbim publik, dhe jam i bindur se ai do të vazhdojë të punojë me transparencë dhe vizion për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Rama.

    Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për drejtorin e deritanishëm, Izet Sadiku.

    “Gjatë mandatit të tij, ai ka dëshmuar jo vetëm profesionalizëm të lartë, por edhe një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve dhe sistemit shëndetësor. Me punën e tij, korrektësinë në vendimmarrje dhe qasjen gjithmonë njerëzore, ai ka vendosur standarde të larta për drejtimin e këtij sektori. Faleminderit z.Sadiku për përkushtimin dhe profesionalizmin që do të mbeten referencë për të ardhmen. Suksese në angazhimet e ardhshme! Urime z.Gashi për detyrën e re dhe suksese në këtë rrugëtim në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

  • Deri tani pesë nga shtatë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes janë pranuar me shkrim në rastin e Thaçit kundër administrimit të drejtësisë

    Deri tani pesë nga shtatë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes janë pranuar me shkrim në rastin e Thaçit kundër administrimit të drejtësisë

    Pesë nga shtatë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes janë pranuar me shkrimë deri më tani në rastin kundër administrimit të drejtësisë me të akuzuar Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

    Vlen të theksohet se mbrojtja ka kërkuar që të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të tyre të pranohen me shkrim me arsyetimin që sipas tyre nuk është e nevojshme që ata të dëgjohen gjatë seancave gjyqësore.

    Kërkesa është miratuar për vetëm pesë nga shtatë dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja dhe si rezultat janë anuluar seancat e parapara për 24 dhe 28 prill 2026.

    Ndërsa, vendimi në lidhje me dy dëshmitarët e mbetur të mbrojtjes nuk është marrë ende.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

    Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Kuvendi miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030

    Kuvendi miraton projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030

    Në seancën e sotme të Parlamentit, të zgjedhurit e popullit miratuan projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030

    Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 kaloi në shqyrtimin e dytë më 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

  • 21 vjet nga videoja e parë në YouTube, klipi 18-sekondësh që ndryshoi botën

    21 vjet nga videoja e parë në YouTube, klipi 18-sekondësh që ndryshoi botën

    Më 23 prill 2005, rreth orës 08:30 të mëngjesit, filloi një epokë e re për internetin kur videoja e parë u ngarkua në platformën YouTube, me një kohëzgjatje prej vetëm 18 sekondash.

    Videoja u publikua nga një nga themeluesit e platformës, Jawed Karim, dhe titullohej “Me at the zoo”.

    Në të, ai shfaqet para elefantëve në Kopshtin Zoologjik të San Diegos, duke folur thjesht dhe pa ndonjë përgatitje të veçantë.

    Nuk kishte asnjë montazh apo skenar, por vetëm një moment i zakonshëm i ndarë në internet.

    Edhe pse nuk u bë virale në atë kohë, kjo video tregoi se sa e lehtë mund të ishte shpërndarja e përmbajtjes video në internet, në një kohë kur kjo nuk ishte e zakonshme.

    Me kalimin e viteve, ky koncept i thjeshtë e ka ndihmuar YouTube të bëhet platforma më e madhe e videove në botë, me mbi 2 miliardë përdorues aktivë.

    Sot, videoja e parë ka arritur gati 388 milionë shikime, ndërsa krijuesi i saj ka mbi 6 milionë abonentë.

  • Profesor në UP, drejtor i Institutit Albanologjik, autor i shumë veprave – Biografia e Rexhep Qosjes

    Profesor në UP, drejtor i Institutit Albanologjik, autor i shumë veprave – Biografia e Rexhep Qosjes

    Rexhep Qosja, i cili vdiq sot në moshën 90 vjeçare, ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai ka qenë profesor dhe drejtues studimesh në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ishte edhe drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981

    I lindur në vitin 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Guci. Në vitin 1959 përfundoi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa një vit më vonë u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku diplomoi më 1964. Rruga e tij akademike vazhdoi me angazhimin në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku u pranua si asistent në vitin 1967 dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta shkencore.

    Gjatë viteve 1967–1968 u specializua për shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit, ndërsa në vitin 1971 mbrojti doktoratën mbi jetën dhe veprën e poetit Asdreni. Pas kësaj, ai u bë bashkëpunëtor i lartë dhe këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nga viti 1972 deri më 1981 drejtoi Institutin Albanologjik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e studimeve albanologjike.

    Qosja ishte autor i mbi tridhjetë librave që përfshijnë studime letrare, kritikë, romane, tregime, drama dhe publicistikë. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Anatomia e kulturës” dhe romani “Bijtë e askujt”, për të cilin u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe kanë qenë objekt studimi në qarqe akademike.

    Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me shumë çmime, përfshirë çmimin “Nderi i Kombit” nga Republika e Shqipërisë në vitin 2000. Përveç veprimtarisë shkencore e letrare, ai ishte i angazhuar edhe në jetën politike të Kosovës, duke drejtuar një parti në periudhën 1998–2000.

    Biografia

    Lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.

    Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

    Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpër­blimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

    Bibliografia

    Vepra në gjuhën shqipe:

    Episode letrare, Rilindja, Prishtinë, 1967.

    Dialogje me shkrimtarët, Rilindja, Prishtinë, 1968.

    Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.

    Antologjia e lirikës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1970.

    Kontinuitete, Rilindja, Prishtinë, 1972.

    Asdreni – jeta dhe vepra e tij, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1972.

    Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973.

    Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1974.

    Shkrimtarët dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishitnë, 1975.

    Anatomia e kulturës, Rilindja, Prishtinë, 1976.

    Mite të zhveshura, Rilindja, Prishtinë, 1978.

    Prej tipologjisë deri te periodizimi, ASHAK, Prishtinë, 1979.

    Morfologjia e një fushate, Instituti Albanologjik,Prishtinë, 1980.

    Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.

    Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi I-II-III, Rilindja, Prishtinë, 1984-1985.

    Antologjia historike e letërsisë shqipe. Poezia dhe Proza, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1985.

    Porosia e madhe, Prishtinë, 1986.

    Populli i ndaluar, Prishtinë, 1990.

    Fjalori demokratik, Prishtinë, 1997.

    Çështja shqiptare, Historia dhe politika, Prishtinë, 1998.

    Ligjërime paravajtëse, Prishtinë, 1998.

    Strategjia e bashkimit kombëtar, Prishtinë, 1998.

    Paqja e përgjakshme, Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, Prishtinë, 1999.

    Tronditja e shekullit I, Tiranë, 2001.

    Tronditja e shekullit II, Tiranë, 2001.

    Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. Toena, Tiranë, 2001.

    I ringjalluri i penduar, tregim satirik. Toena, Tiranë, 2002.

    Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne – Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2006.

    Ideologjia e shpërbërjes, trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Toena, Tiranë, 2006.

    Realiteti i shpërfillur, Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, Toena, Tiranë, 2006.

    Të vërtetat e vonuara: përgjigje e dytë në polemikat e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij, Toena, Tiranë, 2006.

    Rilindja e dytë, Toena, Tiranë, 2007.

    Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007.

    Bijtë e askujt, I dhe II, Valdoli, 2010.

    Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime, i cili në pesë cikle përmban këto vepra: I. Veprat historiko-letrare: 1. Vazhdimësi, 2. Panteoni i rralluar, 3.Asdreni – jeta dhe vepra, 4. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, 5. Anatomia e kulturës, 6. Nocione të reja albanologjike, 7. Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 2, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3, 8. Porosia e madhe, 9. Tri mënyra të shkrimit shqip, 10. Semantika e ndryshimeve historiko-letrare. II. Veprat letrare: 11. Antologjia e lirikës shqipe, 12. I ringjalluri i penduar, 13. Mite të zhveshura, 14. Vdekja më vjen prej syve të tillë, 15. Një dashuri dhe shtatë faje, 16. Nata është dita jonë, 17. Bijtë e askujt 1, Bijtë e askujt 2. III. Veprat historike dhe historiko-dokumentare: 18. Çështja shqiptare – historia dhe politika, 19. Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, 20. Paqja e përgjakshme, 21. Tronditja e shekullit 1, Tronditja e shekullit 2, 22. Rilindja e dytë. IV. Veprat publicistike: 23. Populli i ndaluar, 24. Strategjia e bashkimit shqiptar, 25. Ligjërime paravajtëse, 26. Fjalor demokratik, 27. Demokracia e shpërdorur, 28. Intelektualët, etika dhe politika. V. Veprat polemike: 29. Morfologjia e një fushate, Ideologjia e shpërbërjes, Realiteti i shpërfillur, Të vërtetat e vonuara.

  • Maqedonci në Gjermani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës

    Maqedonci në Gjermani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të angazhimeve zyrtare, të enjten ka zhvilluar një takim me Thomas Röwekamp, kryetar i komisionit për mbrojtje në Bundestagun gjerman, si dhe me anëtarët e këtij komisioni.

    Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe për objektivat e përbashkëta strategjike.

    Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj misionit të KFOR-it, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

    Sipas tij, Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, duke kontribuar përmes angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare, përfshirë në Kuvajt dhe Ishujt Falkland.

    Maqedonci ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një objektiv strategjik i Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë për këtë proces.

    “Republika e Kosovës mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, standarde këto që përbëjnë bazën e çdo partneriteti serioz në fushën e mbrojtjes dhe që ne i zbatojmë si parim i pandryshueshëm”, ka shkruar ai.

    Në fund, Maqedonci ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë po vazhdon të thellohet, i bazuar në vlera demokratike dhe besim të ndërsjellë.

  • Kuvendi një minutë heshtje për Rexhep Qosjen

    Kuvendi një minutë heshtje për Rexhep Qosjen

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që ka nisur paradite, kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të akademik Rexhep Qosjes, që vdiq këtë të enjte.

    Njofimin për ndarjen nga jeta të Qosjes, e dha nipi i tij, i cili bëri të ditur se varrimi është kryer në një ceremoni të thjeshtë, në praninë e anëtarëve më të ngushtë.

    Sipas njoftimit të familjes, me dëshirë të të ndjerit nuk do të organizohet ceremoni pritjeje dhe familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

    “Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”.

    Vdes Rexhep Qosja, nipi i tij e jep lajmin: U varros në praninë e anëtarëve të familjes së ngushtë

  • Ky lepur shpallet më i vjetri në botë nga Guinness

    Ky lepur shpallet më i vjetri në botë nga Guinness

    Lepurushi i një çifti britanik u emërua lepuri më i vjetër që jeton nga Guinness në moshën 15 vjeç e 82 ditë.

    Familja Dunham tha se e adoptuan lepurin kur ai ishte vetëm 8 javësh si shoqërues për lepurushin e tyre femër, Flopsy.

    “Ata i janë përkushtuar njëri-tjetrit për 10 vjet”, tha Melissa Dunham për Guinness.

    Dunham zbuloi se lepurit i pëlqen të përkëdhelet nga njerëzit dhe të shijojë diellin në kopsht.

  • Sa mund të kushtojë Ferrari i parë elektrik? Flitet për rekorde çmimi

    Sa mund të kushtojë Ferrari i parë elektrik? Flitet për rekorde çmimi

    Jemi pak më shumë se një muaj larg një dite që shumë mendonin se nuk do të vinte kurrë: zbulimi i një Ferrari elektrik.

    Megjithatë, Luce ka kohë që pritet, pasi është njoftuar vite më parë.

    Maranello ka ndarë vetëm pamje të kabinës, ndërsa pjesa e jashtme është mbështjellë me kamuflazh për të fshehur dizajnin.

    Mes detajeve të pakta të ndara, thashethemet rreth çmimeve kanë vazhduar të dalin në sipërfaqe.

    Në qershor 2024, Reuters pretendoi se modeli elektrik italian do të fillonte nga mbi 500,000 euro në tregun vendas.

    Ferrari e hodhi poshtë shpejt pretendimin, duke thënë se çmimi përfundimtar nuk ishte vendosur ende.

    Tani, një raport i ri i Bloomberg sugjeron se Luce mund të jetë edhe më i shtrenjtë.

    Burime nga brenda kompanisë i kanë thënë agjencisë së lajmeve se Ferrari ka vendosur një çmim fillestar paraprak prej afërsisht 550,000 eurosh.

    Megjithatë, etiketa përfundimtare mund të lëvizë lart ose poshtë me 10%. Nëse kjo shifër qëndron, kjo do ta bënte Luce plot 100,000 euro më të shtrenjtë se Purosangue me motor V12.

    Nëse çmimi fillestar prej 550,000 eurosh del i saktë, kjo do ta bënte Luce veturën elektrike më të shtrenjtë jashtë sferës së superveturave dhe hiperveturave.

    Do të tejkalonte veturat elektrike të nivelit të lartë si Rolls-Royce Spectre , Lucid Air Sapphire dhe Porsche Taycan Turbo GT.

  • Reagon Sami Lushtaku: Hashim Thaçi burrështetas që përfaqëson një epokë të tërë, historia nuk i fal ata që zgjedhin anën e turpit

    Reagon Sami Lushtaku: Hashim Thaçi burrështetas që përfaqëson një epokë të tërë, historia nuk i fal ata që zgjedhin anën e turpit

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i ka reaguar deputetit të Vetëvedoshjes Fatos Geci, me një fotografi të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaci.

    Sipas Lushtakut, Thaçi është vetë historia e Kosovës.

    “Një emër që nuk mund të ndahet nga rrugëtimi i popullit tonë drejt lirisë. Si burrështetas ai përfaqëson një epokë të tërë, që me luftë, sakrificë dhe vendosmëri themeloi shtetin që gëzojmë sot. Emri i tij është i mishëruar me luftën çlirimtare dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke mbetur përgjithmonë pjesë e historisë sonë më të re”, ka shkruar Lushtaku.

    Ai thotë se është krenar që ka bashkudhëtuar me Thacin, në luftë dhe në paqe.

    “…në ditë të vështira e në momente historike. Krenar që kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në anën e duhur të historisë, aty ku qëndron dinjiteti, sakrifica, krenaria dhe e vërteta. Sepse historia nuk i harron ata që i shërbejnë vendit me nder, ashtu siç nuk i fal ata që zgjedhin anën e turpit”.

    “Me respekt e besim të thellë, të presim krahapur dhe me kokën lart, ashtu siç i ka hije atyre që qëndrojnë drejt para historisë!”.

    Reagimi vjen pas deklaratës së djeshme të deputetit Geci në Kuvendin e Kosovës e krahasoi Hashim Thaçin me Naim Murselin, duke kërkuar burg të përjetshëm për të.

    Deputeti i VV-së deklaroi ndër tjera: “Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat.” – tha ai.

    Në seancë, reagim pati Vlora Çitaku nga PDK-ja, e cila tha se këtij deputeti duhet t’i vie turp.

    Vdes Rexhep Qosja, nipi i tij e jep lajmin: U varros në praninë e anëtarëve të familjes së ngushtë
    Read more