ATV

Blog

  • Kapja e 136 kilogramëve marihuanë, Prokuroria: Të dyshuarit planifikonin transportimin nga Shqipëria drejt Turqisë përmes Kosovës

    Kapja e 136 kilogramëve marihuanë, Prokuroria: Të dyshuarit planifikonin transportimin nga Shqipëria drejt Turqisë përmes Kosovës

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se tre persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë operacionit, të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër daljes Doganaj-Kaçanik, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 136 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

    Sipas Prokurorisë, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhet në arrati, ndërsa ka dyshime edhe për përfshirjen e një zyrtari policor.

    “Ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Prokuroria dyshon se ata kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.

    Tre personat dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave të dyshuar.

    Tutje bëhet e ditur se brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

  • Goditje e rëndë për Bayernin, Jamal Musiala pëson tjetër lëndim dhe pritet të mungojë deri në gjashtë javë

    Goditje e rëndë për Bayernin, Jamal Musiala pëson tjetër lëndim dhe pritet të mungojë deri në gjashtë javë

    Bayern Munich ka marrë një lajm të keq në lidhje me Jamal Musialan, pasi mesfushori gjerman ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në gjashtë javë.

    Sipas raportimit të “Sky Sport”, futbollisti 23-vjeçar ka pësuar një çarje të fibrave muskulore në kofshë gjatë përballjes ndaj Lille. Shqetësues është fakti se dëmtimi ka ndodhur në të njëjtën zonë ku Musiala kishte pasur probleme edhe më parë.

    Ylli i bavarezëve sapo ishte rikthyer në dispozicion të skuadrës, pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të lëndimit të pësuar në kofshën e djathtë gjatë nxehjes para ndeshjes së Gjermanisë kundër Holandës në Ligën e Kombeve, në fund të muajit shtator.

    Pas rikuperimit, Musiala u rikthye në fushë në ndeshjen ndaj Kolnit, ndërsa në përballjen kundër Lille u aktivizua nga banka rezervë.

    Megjithatë, sipas raportimeve, mesfushori kishte ndier shqetësime fizike që pas takimit me Kolnin, por pavarësisht kësaj kishte vendosur të ishte në dispozicion edhe për ndeshjen e radhës

    .Gjendja e tij është përkeqësuar pas përballjes me skuadrën franceze, duke bërë që Bayern Munich të përballet me një tjetër mungesë të rëndësishme në repartin ofensiv.

    Kështu, bavarezët do të detyrohen të vazhdojnë pa një prej futbollistëve më të rëndësishëm të tyre, pikërisht në momentin kur Musiala kishte nisur të rikthehej gradualisht në formën e tij më të mirë.

    1. Tragjedi në futbollin islandez, vdes në moshën 37-vjeçare ish-portieri i kombëtares

      Tragjedi në futbollin islandez, vdes në moshën 37-vjeçare ish-portieri i kombëtares

      Futbolli islandez është në zi pas lajmit për vdekjen e Ingvar Jonssonit, portierit 37-vjeçar të Vikingurit dhe ish-përfaqësuesit të Islandës, i cili ishte pjesë e skuadrës në Kampionatin Evropian të vitit 2016.

      Jonsson ndërroi jetë të mërkurën mbrëma, më 25 nëntor, pas një beteje të gjatë me kancerin. Lajmi i hidhur u konfirmua nga klubi i tij, Vikingur, përmes një komunikate zyrtare.

      “Me trishtim të madh dhe pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëlojtarit tonë të dashur, Ingvar Jonsson, portierit të Vikingurit, i cili ndërroi jetë të mërkurën, më 25 nëntor, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur.

      Mendimet e të gjithëve në klub dhe të gjithë mbështetësve të Vikingurit janë me familjen dhe të afërmit e tij. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, thuhet në njoftimin e klubit islandez.

      Paraqitjen e fundit në karrierë, Jonsson e regjistroi më 3 maj, në përballjen ndaj Keflavikut.

      Gjatë karrierës së tij, portieri islandez fitoi katër tituj kampioni dhe tri Superkupa të Islandës. Ai luajti edhe në futbollin norvegjez, ku mbrojti ngjyrat e Startit, Sandnesit dhe Sandefjordit, ndërsa në Danimarkë ishte pjesë e Viborgut.

      Me fanellën e përfaqësueses së Islandës regjistroi tetë paraqitje dhe ishte pjesë e gjeneratës që shkroi historinë në Euro 2016 në Francë.

      Islandezët befasuan Evropën në atë turne, duke arritur deri në çerekfinale në debutimin e tyre në një Kampionat Evropian, një sukses që mbetet ndër momentet më të veçanta në historinë e futbollit të këtij vendi.

      Ndarja nga jeta e Jonssonit në moshën 37-vjeçare është një humbje e madhe për familjen, klubin dhe futbollin islandez.

    2. Samiti i liderëve: Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojë integrimin e tregut rajonal për të përmbushur objektivat e Planit të Rritjes të BE-së

      Samiti i liderëve: Ballkani Perëndimor duhet të përshpejtojë integrimin e tregut rajonal për të përmbushur objektivat e Planit të Rritjes të BE-së

      Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, u bëri thirrje gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor (WB6) të përshpejtojnë zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) dhe të sigurojnë që dallimet politike të mos pengojnë integrimin ekonomik rajonal, në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes, të mbajtur sot në Tiranë.

      Samiti mblodhi së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për të shqyrtuar progresin në zbatimin e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar sfidat e mbetura dhe për të rënë dakord mbi prioritetet për avancimin e reformave, integrimin ekonomik rajonal dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së.

      “Në një botë që është bërë më e vështirë për ekonomitë e vogla, ne të gjashtë ende mund të zgjedhim të mos mbetemi të vegjël. Pikërisht për këtë shërben ky treg dhe RCC-ja do ta çojë këtë punë deri në fund së bashku me ju”, tha Kapetanović, duke theksuar se integrimi rajonal është thelbësor për forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

      Duke iu drejtuar liderëve, Kapetanović nënvizoi se Tregu i Përbashkët Rajonal, i koordinuar nga RCC-ja, është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të BE-së, duke plotësuar reformat e brendshme dhe integrimin gradual në Tregun Unik të BE-së. Ndërsa reformat e përgatisin rajonin për Tregun Unik, integrimi ekonomik rajonal u siguron bizneseve të tij shkallën e veprimtarisë dhe konkurrueshmërinë e nevojshme për të pasur sukses në këtë treg.

      Ai vuri në dukje arritjet konkrete që dëshmojnë përfitimet e bashkëpunimit rajonal, përfshirë roaming-un me tarifa vendore në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që nga viti 2021 dhe anëtarësimin e katër ekonomive të Ballkanit Perëndimor në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), gjë që ka ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkombëtare. Megjithatë, ai paralajmëroi se pengesat administrative, kufizimet në ofrimin e shërbimeve dhe dallimet në rregullore vazhdojnë të kufizojnë potencialin e tregut rajonal.

      “Kemi përparuar më shpejt atje ku përfitimet ishin të dukshme, puna mbeti në nivel teknik dhe rezultati i pritshëm ishte i qartë. Kemi ngecur atje ku çështjet teknike u përfshinë në mosmarrëveshje më të gjera”, tha Kapetanović, duke bërë thirrje për përshpejtimin e zbatimit, zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe përcaktimin e afateve konkrete. Duke iu referuar gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të RCC-së, Kapetanović vuri në dukje se qytetarët e njohin gjithnjë e më shumë vlerën e bashkëpunimit rajonal, por presin rezultate më konkrete, veçanërisht në një kohë kur kostoja e jetesës dhe pasiguria ekonomike mbeten shqetësime të mëdha.

      Liderët e Ballkanit Perëndimor mirëpritën progresin e arritur në avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe shprehën vlerësimin e tyre për punën dhe rolin koordinues të RCC-së në mbështetjen e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimin e Planit të Rritjes. Diskutimet theksuan rëndësinë e ruajtjes së ritmit të progresit, adresimit të pengesave të mbetura dhe sigurimit që angazhimet rajonale të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

      Me hyrjen e Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje në vitin e tij të fundit dhe me afrimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028 në mesin e periudhës së zbatimit, ritmi i zbatimit duhet të përshpejtohet ndjeshëm. Përmbushja e angazhimeve të mbetura do të kërkojë koordinim më të fortë, mbështetje politike dhe gatishmëri për kompromis në interesin e përbashkët rajonal. Si kuadër bashkëpunimi që i përket vetë rajonit, RCC-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me qeveritë e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian dhe partnerët rajonalë për të koordinuar zbatimin, monitoruar progresin dhe mbështetur përmbushjen e angazhimeve të Tregut të Përbashkët Rajonal.

      Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes i parapriu një sërë takimesh të nivelit të lartë në Tiranë, përfshirë Takimin Ministror për Turizmin, i cili shënoi lançimin e Instrumentit Rajonal të Turizmit për Gjashtë Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar nga RCC-ja, Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor “New Frontier”, ku Kapetanović prezantoi një portofol rajonal me 32 mundësi investimi, si dhe Takimin Ministror për Integrimin Evropian. Së bashku, këto takime u përqendruan në avancimin e integrimit ekonomik rajonal, tërheqjen e investimeve dhe përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes të BE-së.

    3. Përmbysje spektakolare në “Liman Gegaj”, Llapi mposht Malishevën dhe regjistron fitoren e tretë radhazi

      Përmbysje spektakolare në “Liman Gegaj”, Llapi mposht Malishevën dhe regjistron fitoren e tretë radhazi

      Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Malishevës, duke triumfuar me rezultat 3-2 në kuadër të javës së 15-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

      Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina bëri një përmbysje të madhe në stadiumin “Liman Gegaj”, pasi arriti të rikthehej nga disavantazhi prej një goli dhe të siguronte tri pikë të vlefshme. Ky ishte triumfi i tretë radhazi për ekipin nga Podujeva.

      Malisheva e nisi më mirë takimin dhe pjesën e parë e mbylli me epërsi 2-1.

      Xhemal Ibishi zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të, por gëzimi i vendasve zgjati vetëm dy minuta, pasi Fiton Ademi realizoi për 1-1.

      Në minutën e 40-të, Kreshnik Uka riktheu epërsinë e Malishevës, duke shënuar për 2-1 dhe duke i dërguar vendasit në pushim me avantazh.

      Megjithatë, në pjesën e dytë Llapi tregoi një fytyrë tjetër, duke marrë iniciativën dhe duke ushtruar presion në kërkim të përmbysjes.

      Fiton Ademi realizoi golin e barazimit në minutën e 61-të, ndërsa fitoren e madhe të mysafirëve e vulosi Pjero Skaric, i cili shënoi në minutën e 82-të për rezultatin përfundimtar 3-2.

      Me këtë fitore, Llapi ngjitet nga pozita e nëntë në të tetën e tabelës, duke grumbulluar 14 pikë. Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e dytë me 30 pikë.

      Në xhiron e ardhshme, Malisheva do të përballet në udhëtim me Ballkanin, ndërsa Llapi do të jetë nikoqir i Drenicës.

    4. Zbulohen çiftet e 1/16-tës së finales së Kupës së Kosovës, derbi interesant për Prishtinën

      Zbulohen çiftet e 1/16-tës së finales së Kupës së Kosovës, derbi interesant për Prishtinën

      Janë përcaktuar përballjet e fazës së 1/16-tës së finales së Kupës së Kosovës në futboll, pas shortit të tërhequr të premten në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

      Në këtë fazë do të garojnë skuadra nga Superliga, Liga e Parë dhe Liga e Dytë, të cilat do të kërkojnë vazhdimin e rrugëtimit drejt trofeut të Kupës.

      Shorti ka sjellë disa përballje interesante, ku vëmendje të veçantë tërheqin dueli mes Tefik Çangës dhe Prishtinës, si dhe përballja Sharr – Drita.

      Kampioni Ballkani do të përballet me Istogun 03, ndërsa Malisheva do të ketë përballë Suharekën. Në duele të tjera, Gjilani do të udhëtojë te Besa, kurse Llapi do të përballet me 2 Korrikun.

      Ndeshjet e kësaj faze janë paraparë të zhvillohen më 2 dhe 3 dhjetor 2026, ndërsa skuadrat fituese do të sigurojnë kalimin në raundin tjetër.

      Çiftet e 1/16-tës së finales së Kupës së Kosovës:

      • Liria – Rilindja
      • Ulpiana – Prishtina e Re
      • Ballkani – Istogu 03
      • FC Besa – Gjilani
      • Vushtrria – Vjosa
      • Kika – Feronikeli ’74
      • Drenica – Ramiz Sadiku
      • Trepça ’89 – Istogu
      • Dukagjini – Lepenci
      • Tefik Çanga – Prishtina
      • Malisheva – Suhareka
      • Mitrovica – Rilindja 1974
      • Vëllaznimi – Trepça
      • 2 Korriku – Llapi
    5. Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit, nderon sakrificën e familjes Jashari

      Aleanca bën homazhe në Prekaz në prag të 28 Nëntorit, nderon sakrificën e familjes Jashari

      Në prag të 28 Nëntorit, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të të rënëve për liri.

      Sipas një njoftimi për media thuhet se në Prekaz, kjo datë merr një kuptim edhe më të thellë. 

      “Sakrifica e familjes Jashari, e udhëhequr nga Adem Jashari, është një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë të re. Për ne, kujtesa historike nuk është vetëm nderim për të kaluarën. Është detyrimi ynë që sakrificën e dëshmorëve ta nderojmë duke ndërtuar institucione të forta, duke ruajtur unitetin dhe duke punuar për një Kosovë ku liria, drejtësia dhe dinjiteti i qytetarëve janë vlera të pacenueshme. Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri! Gëzuar 28 Nëntori gjithë shqiptarëve në trojet tona dhe gjithë botën”, thuhet në njoftim.

    6. Picula: Beogradi vazhdon me të njëjtat interpretime për luftërat në Kosovë, Kroaci e Bosnjë

      Picula: Beogradi vazhdon me të njëjtat interpretime për luftërat në Kosovë, Kroaci e Bosnjë

      Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka deklaruar se reagimet e Beogradit ndaj Rezolutës për Vukovarin nuk japin shpresë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.

      Picula ka vlerësuar se kundërshtimet ndaj rezolutës, të shprehura nga një grup studentor në Serbi, janë domethënëse, pasi pasqyrojnë qëndrimet e krahut politik që fitoi zgjedhjet dhe tashmë po formon qeverinë e re.

      Studentët kundërshtues kanë pretenduar se teksti i rezolutës nuk i merr parasysh vuajtjet e popullit serb.

      Sipas Piculës, reagimet nga Beogradi nuk dallojnë nga interpretimet që Serbia ka dhënë prej vitesh për luftërat e viteve ’90.

      “Ajo që kemi dëgjuar lë pak shpresë se së shpejti do të ketë një ndryshim në mënyrën se si interpretohen ngjarjet që ndodhën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, ka deklaruar ai.

      Ai ka shtuar se mbetet të shihet nëse qeveria e re serbe do të ketë kapacitetin të shkëputet nga një politikë, rrënjët e së cilës datojnë që nga vitet ’80.

      Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Picula ka theksuar se ajo përcjell një mesazh të qartë kundër politikave agresive dhe autoritare, të cilat përmes projekteve për krijimin e “shteteve të mëdha” rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin.

      Ai ka vlerësuar edhe përfshirjen e Ukrainës në tekstin e rezolutës, duke theksuar se mund të krijohen paralele mes popujve që mbrojnë vendin e tyre nga agresioni dhe pushtimi.

      “Është e rëndësishme që këto politika të identifikohen me kohë”, ka përfunduar Picula.

    7. Tyson Fury merr dritën e gjelbër për duelin me Joshuan, sqarohet situata nga Bordi Britanik i Boksit

      Tyson Fury merr dritën e gjelbër për duelin me Joshuan, sqarohet situata nga Bordi Britanik i Boksit

      Përballja e shumëpritur mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas mund të zhvillohet sipas planit, pasi Bordi Britanik i Kontrollit të Boksit ka dhënë sinjale pozitive lidhur me mundësinë që Fury të ngjitet në ring.

      Gjatë ditëve të fundit, realizimi i këtij dueli ishte vënë në pikëpyetje për shkak të raportimeve rreth gjendjes shëndetësore mendore të ish-kampionit britanik.

      Dyshimet u shtuan pas deklaratave të bashkëshortes së tij, Paris Fury, e cila në një dokumentar të Netflixit kishte bërë të ditur se Tyson ishte diagnostikuar me skizofreni.

      Megjithatë, Bordi Britanik i Kontrollit të Boksit ka sqaruar situatën të premten, duke bërë të ditur se nuk ka pengesa që Fury të zhvillojë meçin e planifikuar më 11 dhjetor në Cardiff.

      Në këtë mënyrë, përballja me Joshuan mbetet në program, ndërsa tifozët e boksit presin me interes duelin mes dy emrave më të njohur të peshave të rënda.

      Fury, i cili gjatë karrierës së tij ka fituar titujt e kampionit të botës në vitet 2015 dhe 2020, synon të vazhdojë karrierën e tij me një tjetër përballje të madhe në ring.

    8. Nico Paz shihet si pasuesi i Bruno Fernandesit te Manchester Unitedi

      Nico Paz shihet si pasuesi i Bruno Fernandesit te Manchester Unitedi

      Nico Paz mund të jetë njëri prej emrave të përzgjedhur nga Manchester Unitedi për të zëvendësuar kapitenin Bruno Fernandes, në rast të largimit të këtij të fundit nga “Old Trafford”.

      Sipas raportimit të mediumit britanik “The Athletic”, talenti argjentinas, i cili aktualisht aktivizohet te Como, shihet si një kandidat serioz për të marrë rolin e mesfushorit portugez te “Djajtë e Kuq”.

      Bruno Fernandes ka bërë të ditur se për momentin i ka ndërprerë bisedimet për rinovimin e kontratës, duke lënë të hapur çështjen e së ardhmes së tij.

      Ndërkohë, Nico Paz po kalon një sezon mjaft të mirë në Serie A, ku në 16 paraqitje me Comon ka realizuar gjashtë gola dhe ka regjistruar tetë asistime.

      Argjentinasi iu bashkua Comos nga Real Madridi në vitin 2024, por gjiganti spanjoll ka ruajtur të drejtën për ta rikthyer futbollistin përmes një klauzole riblerjeje në tri afatet kalimtare verore.

      Mundësia e fundit që madrilenët ta aktivizojnë këtë klauzolë është vera e vitit 2027.

      Kështu, e ardhmja e 22-vjeçarit mbetet një çështje interesante në tregun e transferimeve, me interesimin e Manchester Unitedit që mund të sjellë zhvillime të reja.