ATV

Blog

  • Parashikimi i motit për vikend

    Parashikimi i motit për vikend

    Nesër do të mbajë mot i vranët, me intervale kohore me diell. Vranësirat do të jenë kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të cilat do të shoqërohen me riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet e ditës nga 14 deri në 17°C.

    Ndërkaq gjatë ditës së diel parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 17°C.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.

  • Vendi në zgjedhje, Kurti emëron  Zëvendësministrin e radhës

    Vendi në zgjedhje, Kurti emëron Zëvendësministrin e radhës

    Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka emëruar Agon Batushën, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal

    Siç njofton ZKM’ja, Kurti i ka uruar suksese Batushës në detyrën e re.

    Ndryshe, Batusha, më herët ka qenë deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Komunikata e ZKM’së:

    Agon Batusha emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal

    Prishtinë, 1 maj 2026

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Agon Batusha në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Kryeministri në detyrë Kurti e uroi z. Batusha për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Kos: Mali i Zi do të jetë i pari që do të anëtarësohet në BE, i ndjekur nga Shqipëria

    Kos: Mali i Zi do të jetë i pari që do të anëtarësohet në BE, i ndjekur nga Shqipëria

    Bashkimi Evropian do të fitojë anëtarë të rinj në periudhën e ardhshme, me Malin e Zi të parin në radhë, i ndjekur nga Shqipëria, tha Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos.

    “Tani është mjaft realiste që Bashkimi Evropian të zgjerohet në vitet e ardhshme. Megjithatë, në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor ende ekziston skepticizëm nëse anëtarësimi në BE është i mundur. Shpresoj që shembulli pozitiv i Malit të Zi dhe Shqipërisë, të cilat janë të radhës, do të frymëzojë vendet e tjera në rajon të ndjekin shembullin”- tha ajo në një konferencë në Freiburg.

    Marrëveshjet e pranimit të vendeve të reja në Bashkimin Evropian do të përmbajnë një dispozitë të re që do t’i lejojë Komisionit Evropian të zbatojë sanksione në rast të mosrespektimit të rregullave dhe “vlerave” të Unionit, shtoi Komisionerja Evropiane.

    “Marrëveshja e pranimit me Malin e Zi do të jetë e para që do të përfshijë masa mbrojtëse të veçanta, të nxjerra nga përvoja me Hungarinë” – tha Marta Kos.

    Kos pretendon se kjo ka të bëjë me parandalimin e shfaqjes së “Kuajve të Trojës” brenda Unionit.

    “Nëse do të më kishit pyetur për këtë pesë ose dhjetë vjet më parë, do të kisha thënë se ishte absurde. Por tani e kuptojmë se duhet të jemi në gjendje të mbrojmë veten,” – shtoi Komisioneri Evropian.

    Vendi i fundit që iu bashkua BE-së ishte Kroacia, gjë që ndodhi në vitin 2013, dhe vetë procesi zgjati dhjetë vjet.

  • Krimineli Ratko Mlladiq në gjendje të keqe shëndetësore, afër vdekjes

    Krimineli Ratko Mlladiq në gjendje të keqe shëndetësore, afër vdekjes

    Avokatët që mbrojnë kriminelin e dënuar serb të luftës në Bosnjë, Ratko Mlladiq, po presin një vendim nga një gjykatë e OKB-së mbi përpjekjen e tyre për ta liruar atë nga burgu në Hagë me arsyetimin se ai është afër fundit të jetës së tij.

    Mlladiq, 84 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi midis viteve 1992 dhe 1995.

    Në një parashtresë të detajuar drejtuar gjykatës të premten, avokatët e tij thanë se Mlladiq kishte qenë në shtrat ose në karrocë me rrota për një kohë të gjatë.

    Ata thanë se krimineli kishte pësuar një goditje të dyshuar në tru gjatë një telefonate me të birin, që e la pothuajse të paaftë të fliste.

    Sipas tyre, dy mjekë e kishin vlerësuar gjendjen e tij si serioze dhe se “rreziku i vdekjes së menjëhershme është i lartë”, andaj kanë bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm të përkohshëm ose me kusht.

    Ndryshe, Mlladiq komandoi forcat serbe të Bosnjës në vitet 1990 kundër ushtrive kroate dhe boshnjake, gjatë një lufte në të cilën trupat e tij kryen “spastrim etnik” në Bosnjë-Hercegovinë, rrethoi qytetin kryesor të Sarajevës me vdekjen e më shumë se 10,000 njerëzve dhe kreu masakrën e 8,000 burrave dhe djemve në Srebrenicë.

    Mlladiq u zhduk në vitin 1995 dhe u gjurmua në Serbi vetëm në vitin 2011 pas 16 vitesh në arrati.

    Ai doli në gjyq në Hagë në vitin 2012 dhe u dënua në vitin 2017.

  • Trump njofton tarifa 25% për automjetet e BE-së

    Trump njofton tarifa 25% për automjetet e BE-së

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të rrisin tarifat për makinat dhe kamionët që importohen nga Bashkimi Evropian në 25%.

    Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi vjen për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve tregtare nga BE-ja, sipas tij, shkruan BBC.

    “Kam kënaqësinë të njoftoj se, bazuar në faktin se Bashkimi Evropian nuk po i përmbahet Marrëveshjes sonë të Tregtisë për të cilën jemi plotësisht të dakordësuar, javën tjetër do të rris tarifat e ngarkuara ndaj Bashkimit Evropian për makinat dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa do të rritet në 25%. Është plotësisht e kuptueshme dhe e rënë dakord që, nëse ata prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat e SHBA-së, NUK DO TË KETË TARIFË. Shumë fabrika automobilash dhe kamionësh janë aktualisht në ndërtim e sipër, me mbi 100 miliardë dollarë të investuara, NJË REKORD në Historinë e Prodhimit të Makinave dhe Kamionëve. Këto fabrika, të pajisura me punëtorë amerikanë, do të hapen së shpejti – Nuk ka pasur kurrë diçka të ngjashme me atë që po ndodh në Amerikë sot!’, shkroi Trump.

  • Kolona të gjata: Qytetarët nga Kosova ia mësyjnë Shqipërisë

    Kolona të gjata: Qytetarët nga Kosova ia mësyjnë Shqipërisë

    Ka hyrë këtë të premte në fuqi sërish marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kjo marrëveshje do të jetë aktive deri në muajin tetor, ndërsa pritet të ripërtërihet edhe në muajt dhjetor dhe janar, si dhe gjatë fundjavave.

    Ajo parashikon shmangien e qëndrimit të automjeteve në radhë në kufi, si dhe lehtësimin e procedurave, ku kalimi bëhet pa kontroll të detajuar të letërnjoftimeve apo pasaportave, përveç rasteve të dyshuara.

    Zbatimi i saj ka shmangur pritjet e gjata në kufi.

    Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin e Shqipërisë rreth 15 mijë shtetas, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Kosova.

  • Kosova përfaqësohet nga pesë sportiste në Kupën Evropiane për Junior në Stamboll

    Kosova përfaqësohet nga pesë sportiste në Kupën Evropiane për Junior në Stamboll

    Më 2 dhe 3 maj 2026, në Stamboll të Turqisë do të mbahet Kupa Evropiane për juniorë. Kosovën do ta përfaqësojnë: Estea Arifaj -52 kg, Laurinë Gashi -52 kg, Enise Zijade -57 kg, Erlule Musaj -63 kg dhe Sidorela Dodaj -63 kg.

    Ekipi ynë do të udhëhiqet nga trajnerët Driton Kuka, Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi.

    Kjo garë do të mbledhë gjithsej 512 garues/e, 309 meshkuj dhe 203 femra, nga 27 shtete dhe 3 kontinente.

    Erlulja dhe Sidorela do të ndeshen të shtunën, ndërsa Estea, Laurinë dhe Enise do të ndeshen të dielën, njofton Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK).

  • Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, nga 11 deri më 15 maj

    Seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, nga 11 deri më 15 maj

    Seancat në çështjen Thaçi dhe të tjerët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që lidhen me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar që të mbahen gjatë muajit maj, sipas kalendarit të DhSK-së.

    “Sikurse pasqyrohet në Kalendar, në çështjen Thaçi dhe të tjerët në lidhje me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë, janë caktuar seanca për periudhën nga 11 deri 15 maj 2026”, u tha në njoftimin e DhSK-së.

    Kjo erdhi pas anulimit të trefishtë të seancave të prillit.

    Në këtë rast, nën akuzë janë Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.

    Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

  • Shkroi në veturën kosovare “Kosova është Serbi”, dënohet një serb në Kroaci

    Shkroi në veturën kosovare “Kosova është Serbi”, dënohet një serb në Kroaci

    Gjykata e Qarkut në Rjekë të Kroacisë, më 29 prill 2026, ka caktuar masën e paraburgimit për një shtetas 25-vjeçar të Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale të dëmtimit të pronës së tjetrit dhe nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes.

    Paraburgimi ndaj tij u caktua në mungesë pasi i dyshuari është i paarritshëm për organet e drejtësisë kroate dhe, sipas vendimit të gjykatës, ndodhet në arrati.

    Sipas përmbajtjes së vendimit, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht 2022, midis orës 00:00 dhe 00:30 në Opati, në rrugën ‘Mareshal Tito’.

    “Bëhet fjalë për hapësirën e parkimit të hotelit ‘Kristal’, ku ndodhej automjeti i tipit Audi, me ngjyrë të bardhë dhe targa të Kosovës, në pronësi të një shtetasi të Kosovës. I dyshuari akuzohet se me një markues me ngjyrë të zezë, në kapakun e motorit të makinës ka vizatuar një kryq të rrethuar nga katër shkronja ‘S’ cirilike, ndërsa poshtë tij ka shkruar me alfabet cirilik ‘Kosovo je Srbija’ (Kosova është Serbi). Me këtë veprim, sipas pretendimeve nga procesi, pronarit të automjetit i është shkaktuar një dëm material në vlerë prej rreth 398 eurosh”, ka raportuar media kroate “Fiuman”.

    Sipas këtij raportimi, një pjesë veçanërisht rënduese e rastit lidhet me faktin se i dyshuari, sipas dyshimeve të prokurorisë së shtetit, e ka filmuar të gjithë aktin me celular dhe më pas videon e ka publikuar në profilin e tij në Instagram.

    Prokuroria vlerëson se përmes këtij publikimi, ai ka bërë të disponueshëm për publikun një përmbajtje që bën thirrje për dhunë ose urrejtje ndaj një grupi njerëzish ose një anëtari të grupit për shkak të përkatësisë së tyre fetare, kombëtare dhe etnike, gjuhës dhe origjinës.

    Nga vendimi i gjykatës rezulton se dyshimi i bazuar mbështetet në kallëzimin penal të Drejtorisë Policore të rajonit Primorsko-Goranska, përkatësisht Stacionit Policor të Opatisë, si dhe në provat e mbledhura, mes të cilave janë shënimet zyrtare, fotografitë e automjetit të dëmtuar, pamjet e kamerave të vëzhgimit të hotelit “Kristal”, publikimi nga rrjeti social Instagram dhe materiale të tjera të mbledhura gjatë hetimit kriminalistik.

    Gjykata po ashtu thekson se i dyshuari nuk është gjetur në vendbanimin e paraqitur në Hotel “Opatija”, se nga data 29 gusht 2022 nuk ka shkuar në punë dhe as nuk e ka njoftuar punëdhënësin për mungesën, dhe se akomodimin e ka lënë më 2 shtator 2022.

    Po atë ditë, sipas të dhënave nga shkresat e lëndës, siç raporton “Fiuman”, ai ka lënë territorin e Republikës së Kroacisë me transport publik përmes pikës kufitare Stara Gradishka.

    “I dyshuari nuk i është përgjigjur as ftesës së prokurorisë së shtetit për marrjen në pyetje për herë të parë në nëntor të vitit 2022. Organet kroate të drejtësisë më pas tentuan të bien në kontakt me të përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, por organi kompetent i Republikës së Serbisë e refuzoi kërkesën. Në shkresat e lëndës thuhet gjithashtu se i dyshuari nuk ka vendbanim të deklaruar në territorin e Serbisë dhe se ndaj tij është lëshuar një urdhër-kërkimi në nivel kombëtar”, u tha në raportimin e medias kroate.

    Ndërkaq, masa e paraburgimit mund të zgjasë më së shumti një muaj dhe do të llogaritet nga dita e privimit nga liria.

    Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se paraburgimi mund të zëvendësohet me një dorëzani prej 5.000 eurosh, me kusht që i dyshuari të premtojë se nuk do të fshihet, nuk do ta lëshojë vendbanimin pa miratim, nuk do ta pengojë procedurën penale dhe nuk do të kryejë vepër të re penale.

  • Hansi Flick konfirmon rikthimin e Raphinhas dhe Bernalit për ndeshjen ndaj Osasunës

    Hansi Flick konfirmon rikthimin e Raphinhas dhe Bernalit për ndeshjen ndaj Osasunës

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se Raphinha dhe Marc Bernal do të jenë pjesë e udhëtimit për përballjen ndaj CA Osasuna në Pamplona këtë fundjavë, ndërsa skuadra e tij synon të afrohet edhe më shumë me titullin e La Liga-s. Barcelona rikthehet në “El Sadar”, vendi ku Flick pësoi humbjen e tij të parë si trajner i Barcelonës, për ndeshjen që do të luhet të shtunën në orën 21:00.

    Flick u pyet për atë ndeshje dhe më herët kishte vlerësuar cilësinë e Osasunës, përfshirë edhe sulmuesin Ante Budimir. “E mbaj mend atë ditë sepse bëmë shumë ndryshime në formacionin titullar. Nesër nuk do ta bëjmë këtë. Mendoj se tani jemi në një moment të mirë. E di gjithashtu që Osasuna po luan mirë dhe një nga objektivat e tyre është të luajnë në Evropë sezonin e ardhshëm. Si gjithmonë, duhet të japim maksimumin,” u shpreh ai.

    Barcelona ka mundësinë të arrijë në 100 pikë këtë sezon nëse fiton pesë ndeshjet e mbetura, por kjo nuk është diçka që e shqetëson trajnerin gjerman. “Ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Nuk jam i mirë me numrat. Do të ishte perfekte nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet, por kemi ende kundërshtarë të vështirë. Duhet të luajmë në nivelin tonë më të mirë. Kjo është filozofia dhe mentaliteti ynë. Jam i kënaqur me atë që po shoh në stërvitje. Skuadra është 100% e fokusuar,” theksoi Flick.

    Barcelona mund të rikthejë një nga lojtarët kyç në sulm, Raphinha, i cili ka munguar gjatë gjithë muajit prill për shkak të një lëndimi. Edhe Andreas Christensen dhe Marc Bernal janë stërvitur me ekipin. “Lëndimet ndodhin. Rapha gjithmonë jep 100%. Kjo është mentaliteti dhe qëndrimi i tij. Ai na ndihmon shumë, por ka pasur vështirësi këtë sezon. Është e rëndësishme ta kemi sërish. Do të udhëtojë me ekipin dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Ai është kapiten. Ndoshta do të na japë atë që na duhet,” përfundoi trajneri i Barcelonës