ATV

Blog

  • Barcelona synon Jeremy Doku si zëvendësues të Raphinhas

    Barcelona synon Jeremy Doku si zëvendësues të Raphinhas

    Barcelona ka kthyer vëmendjen te Liga Premier, duke identifikuar Jeremy Doku si zëvendësuesin ideal për repartin sulmues në të ardhmen e afërt.

    Kjo lëvizje lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Raphinhas, i cili ka zgjuar interes të madh nga Superliga e Arabisë. Klubet arabe do të ishin të gatshme të paguajnë deri në 100 milionë euro për anësorin brazilian, një shifër tejet joshëse për ekonominë e Barcelonës.

    Përballë mundësisë së largimeve të mëdha, drejtuesit teknikë po kërkojnë një profil që garanton depërtim, shpërthim dhe “energji të pastër” në skemën sulmuese. Paqartësia rreth vazhdimësisë së Marcus Rashfordit, i cili aktualisht luan në huazim, e forcon edhe më shumë nevojën për të kërkuar elementë të rinj me peshë në treg.

    Talenti i kombëtares së Belgjikës po shfaqet si opsioni i preferuar i Hansi Flickut, i cili synon t’i japë skuadrës një vertikalitet shkatërrues. Barcelona vlerëson se momenti për ta realizuar këtë transferim është i përshtatshëm, sidomos për faktin se te Manchester City po ndihet fundi i një cikli. Largimi i mundshëm i Pep Guardiolës për një pushim profesional ka ngritur dyshime te disa pjesëtarë të skuadrës së “Qytetarëve”.

    Doku, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2028, thuhet se do ta shihte shumë pozitivisht një ndryshim drejt ngrohtësisë së Mesdheut spanjoll. Aftësia e tij për të krijuar rrezik është e padiskutueshme; ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë 14 asistime në 41 ndeshje zyrtare.

    Operacioni vlerësohet rreth 80 milionë euro, shumë që klubi blaugranas besohet se do ta mundësonte pa vështirësi.

  • Bora–Bashkimi dhe Peja–Trepça vendosin finalistët apo vazhdimin e serive

    Bora–Bashkimi dhe Peja–Trepça vendosin finalistët apo vazhdimin e serive

    Play-off-i i basketbollit të Kosovës hyn në një fazë vendimtare këtë fundjavë, me zhvillimin e ndeshjeve të katërta gjysmëfinale, të cilat mund të përcaktojnë edhe dy skuadrat finaliste.

    Në përballjen e parë, Bora pret Bashkimi në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Skuadra nga Prizreni udhëheq serinë 2:1 dhe ka mundësinë që me një fitore ta sigurojë finalen, ndërsa Bora kërkon barazimin për ta çuar serinë në ndeshje vendimtare.

    Një ditë më vonë, vëmendja zhvendoset në Pejë, ku Peja përballet me Trepça. Edhe këtu mitrovicasit kanë epërsinë 2:1 dhe synojnë ta mbyllin serinë, ndërsa vendasit kërkojnë reagim për të mbetur në garë për finale.

    Të dyja ndeshjet nisin nga ora 19:30 dhe pritet të sjellin spektakël e tension maksimal, pasi çdo gabim mund të jetë vendimtar.

    Nëse Bashkimi dhe Trepça triumfojnë, finalistët do të dihen menjëherë. Por në rast se Bora dhe Peja arrijnë fitore, atëherë gjithçka do të vendoset në ndeshjet e pesta, ku drama e play-off-it do të arrijë kulmin.

  • José Mourinho përflitet për rikthim te Real Madrid por lojtarët preferojnë Jürgen Klopp

    José Mourinho përflitet për rikthim te Real Madrid por lojtarët preferojnë Jürgen Klopp

    Gjatë javëve të fundit kanë qarkulluar shumë spekulime për një rikthim të mundshëm të José Mourinhos te Real Madridi. Trajneri portugez, i cili e drejtoi skuadrën në “Santiago Bernabéu” nga viti 2010 deri në 2013, konsiderohet kandidati i preferuar i presidentit Florentino Pérez për të marrë drejtimin, në rast se Álvaro Arbeloa shkarkohet, siç pritet.

    Mourinho vazhdon të jetë një figurë e vlerësuar brenda klubit, ndërsa te tifozët opinionet mbeten të ndara, sidomos pas komenteve të tij lidhur me polemikat e fundit që përfshinë Vinícius Júnior dhe Gianluca Prestianni.

    Edhe lojtarët kanë dhënë mendimin e tyre, teksa mundësia e rikthimit të Mourinhos po bëhet gjithnjë e më konkrete. Sipas gazetarit Gastón Álvarez, dhoma e zhveshjes te Real Madridi nuk e ka portugezin si zgjedhjen e parë për sezonin e ardhshëm, pasi preferon Jürgen Kloppin.

    “Klopp pëlqehet shumë më tepër se Mourinho. Mourinho është një ‘bombë me sahat’ dhe, në një dhomë zhveshjeje ku ka mënyra të caktuara veprimi dhe njëfarë egoizmi, një njeri si ai mund të përplaset drejtpërdrejt me ta, dhe ata e dinë këtë”, citohet të ketë thënë Álvarez.

    Më tej, gazetari shpjegoi edhe pse Pérez e vlerëson kaq shumë Mourinhon. Edhe pse Klopp konsiderohet si kandidati ideal nga shumë brenda klubit, ardhja e portugezit shihet si një mënyrë për të rikthyer entuziazmin te tifozët pas dy sezoneve zhgënjyese.

    “Florentino e di se ai që i entuziazmon tifozët është Klopp, por gjithashtu e di se nëse vjen Mourinho, pas disa javësh, zhurma që krijon figura e tij do t’i bëjë tifozët të harrojnë gjithçka që ka ndodhur”, shtoi ai.

    Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet kjo situatë te Real Madridi në javët në vijim.

  • MINTI publikon çmimet të derivateve për sot

    MINTI publikon çmimet të derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka publikuar çmimet e derivateve për sot.

    Aty bëhet e ditur se, nafta do ketë çmimin maksimal 1.69 euro për litër, nje cent më shtrenjtë se sa që tregtohej një ditë më parë.

    Ndërsa, benzina do ketë 1.48 euro për litër, dhe gazi, 0.85 për litër.

  • Luka Modrić përballet me vendimin për të ardhmen pas dëmtimit me AC Milan

    Luka Modrić përballet me vendimin për të ardhmen pas dëmtimit me AC Milan

    Luka Modrić po përballet me një vendim të madh për të ardhmen e tij, pasi pësoi një dëmtim në fytyrë gjatë paraqitjes me Milanin.

    40-vjeçari kroat tani duhet të zgjedhë mes vazhdimit të aventurës në “San Siro” ose mbylljes së një karriere të jashtëzakonshme. Modrić është përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit në Serie A, pasi pësoi frakturë të mollëzës në një përplasje me Manuel Locatelli gjatë barazimit 0-0 të Milanit me Juventus FC.

    Mesfushori kroat ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe do t’i mungojë Milanit në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.

    Pavarësisht dëmtimit, kjo situatë nuk ia ka zbehur dëshirën për të vazhduar të luajë. Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, ish-ylli i Real Madrid CF po anon drejt aktivizimit të klauzolës për zgjatjen edhe për një vit të kontratës me Milanin.

    Modrić ka pasur rol kyç në mesfushën e “Rossonerëve” këtë sezon, duke zhvilluar më shumë minuta sesa në cilindo nga pesë sezonet e tij të fundit në Madrid. Veterani mbetet i vendosur ta përfundojë karrierën sipas kushteve të tij.

    Raporti shton se motivimi kryesor i Modrić është mundësia për ta mbyllur karrierën duke garuar në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Qëndrimi në “San Siro” do t’i jepte mundësinë të synojë edhe një herë një rrugëtim të fundit në Ligën e Kampionëve.

    Mesfushori thuhet se ka ndërtuar një mirëkuptim të fortë taktik me trajnerin e Milanit, Massimiliano Allegri, i cili është mbështetur shumë te kroati për të kontrolluar ritmin e lojës së skuadrës.

    Drejtuesit e Milanit besohet se janë të gatshëm ta zgjasin qëndrimin e Modrić vetëm me miratimin e lojtarit, duke reflektuar respektin e ndërsjellë të krijuar që nga ardhja e tij në klub.

  • E ardhmja e Robert Lewandowskit në pikëpyetje-Juventus në avantazh për transferimin

    E ardhmja e Robert Lewandowskit në pikëpyetje-Juventus në avantazh për transferimin

    FC Barcelona ka disa çështje për të zgjidhur para hapjes së afatit kalimtar veror në fillim të korrikut, dhe njëra prej tyre lidhet me kontratën e sulmuesit veteran, Robert Lewandowski.

    Kontrata aktuale e polakut skadon në fund të qershorit dhe, ndonëse klubi katalanas i ka ofruar rinovim, ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nga ana e lojtarit. Me kalimin e javëve, po shtohen gjasat që ai të largohet nga Barcelona në fund të sezonit.

    Në rast largimi, destinacioni më i mundshëm duket Italia. Për Lewandowskin kanë shfaqur interes disa klube të mëdha si Juventus FC, Inter Milan dhe AC Milan.

    Juventusi është klubi më i avancuar në këtë drejtim, pasi tashmë ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit dhe i ka paraqitur një ofertë konkrete. Sipas raportimeve nga mediat italiane, drejtuesit e klubit torinez besojnë se marrëveshja mund të arrihet brenda javëve të ardhshme.

    “Zonja e Vjetër” pritet të ndahet me Dušan Vlahović dhe e sheh Lewandowskin si zëvendësuesin ideal në repartin ofensiv. Brenda klubit ekziston bindja se sulmuesi polak do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit.

    Nga ana tjetër, një largim i Lewandowskit do të ishte i dobishëm edhe për Barcelonën në aspektin financiar. Kursimi i pagës së tij do t’i ndihmonte katalanasit të regjistrojnë përforcimet e reja në La Liga, duke shmangur problemet që kanë hasur në sezonet e fundit.

    Vendimi përfundimtar tani mbetet në duart e vetë lojtarit, i cili pritet të sqarojë të ardhmen e tij në javët në vijim.

  • Mohamed Salah do të vendosë për të ardhmen e tij pas largimit nga Liverpool gjatë botërorit të kësaj vere

    Mohamed Salah do të vendosë për të ardhmen e tij pas largimit nga Liverpool gjatë botërorit të kësaj vere

    Mohamed Salah, i cili pritet të largohet nga Liverpool FC këtë verë, do ta shfrytëzojë Botërorin e kësaj vere për të vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën e tij në nivel klubesh.

    Salah e njoftoi largimin nga “Anfield” në mars, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në Merseyside, gjatë së cilës fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm me klubin. Egjiptiani pati një rol kyç sezonin e kaluar, duke ndihmuar Liverpoolin të fitojë titullin e Premier League.

    Edhe pse kishte negociuar një vazhdim kontrate në vitin 2025, e cila pritej të zgjaste edhe dy vite, ai arriti një marrëveshje për ndërprerje me konsensus me klubin, duke u bërë lojtar i lirë këtë verë.

    Në garë për firmën e tij është përmendur edhe Fenerbahçe, që thuhet se i ka ofruar një pagë vjetore prej rreth 20 milionë eurosh.

    Megjithatë, sipas raportimeve, Salah po shqyrton seriozisht edhe një transferim në Major League Soccer (MLS) në Shtetet e Bashkuara. Liga amerikane është e interesuar ta afrojë yllin egjiptian, ndërsa klubi nga San Diego po përmendet si një nga destinacionet më të mundshme.

    Vendimi përfundimtar i Salah pritet të merret gjatë ose pas Botërorit të kësaj vere, ku ai synon të përqendrohet fillimisht te paraqitjet me kombëtaren e tij.

  • Tentim vrasje në Istog, dy vëllezër sulmohen me thikë e mjete të forta nga 3 persona

    Tentim vrasje në Istog, dy vëllezër sulmohen me thikë e mjete të forta nga 3 persona

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një rast të tentim vrasjes që ka ndodhur në Istog.

    Në raportin e PK-së, bëhet e ditur se, dy vëllezër janë sulmuar fizikisht me mjete të forta dhe me thikë nga tre persona, të cilët gjenden në arrati.

    ‘’VRASJE NË TENTATIVË

    Istog  01.05.2026 – 16:05.  Dy viktima meshkuj kosovarë –vëllezër, kanë  raportuar se derisa kanë qenë në veturën e tyre  në afërsi të një autolarje janë sulmuar fizikisht me mjete të forta dhe thikë nga tre të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjende në arrati. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar’’, thuhet në raportin e PK-së.

  • Tetë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, Policia njofton për disa të arrestuar

    Tetë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit, Policia njofton për disa të arrestuar

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar tetë raste të dhunës në familje. Të njëjtat, janë raportuar të kenë ndodhur në Obiliq, Graqanicë, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Malishevë, Rahovec dhe Mitrovicën të Jugut.

    Nga Policia, po ashtu është bërë e ditur se, si pasojë e këtyre rasteve, janë arrestuar disa persona.

    Raporti i Policisë:

    DHUNË NË FAMILJE

    Obiliq  01.05.2026 – 12:10. Është raportuar se viktima femër kosovare,  ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti procedohet në procedurë në rregullt.

    Graqanicë  01.05.2026 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar i mitur, ka shkaktuar dhunë-probleme në familje. Është njoftuar prokurori dhe nuk raportohet për të arrestuar.

    Fushë Kosovë  01.05.2026 – 16:57. Pas një mosmarrëveshje në familje janë rrahur –sulmuar mes veti dy të dyshuar një mashkull dhe një femër–bashkëshort. Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    Podujevë  01.05.2026 – 19:00. Është raportuar se viktima femër kosovare,  ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit  janë liruar në procedurë të rregullt.

    DHUNË NË FAMILJE

    Kaçanik  30.04.2026 – 00:00. Është raportuar se një mashkull kosovar është sulmuar fizikisht nda djali i tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE & MBAJTJE NË PRONËSI  KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR TË ARMËVE

    Malishevë  01.05.2026 – 09:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Në posedim të personit të dyshuar është  gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz. I dyshuari është arrestuar dhe  me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    Rahovec 01.05.2026 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar,  pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit, ka shkaktuar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij dhe tre fëmijëve të tyre duke i dëbuar edhe nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    Mitrovicë Jugu 01.05.2026 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte sulmuar fizikisht nënën e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari  me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Sot 27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    Sot 27 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

    Sot mbushen plot 27 vjet nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

    Teksa kishin marrë rrugën për në Shqipëri, të dhënat nga dëshmitarët tregojnë se viktimat u nxorën me forcë nga një kolonë me qindra qytetarë të zhvendosur dhe u pushkatuan brenda vetëm dy orëve.

    Në nder të viktimave, sot në Studime do të mbahet një akademi përkujtimore.