ATV

Blog

  • Kurti i bën thirrje sektorit privat: Paga e 13-të të mos mbetet privilegj vetëm i sektorit publik

    Kurti i bën thirrje sektorit privat: Paga e 13-të të mos mbetet privilegj vetëm i sektorit publik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka thënë se sot është dita e atyre që kanë ndërtuar gjithçka rreth nesh dhe që vazhdojnë të na zhvillojnë çdo ditë.

    Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë një kuptim të rëndësishëm të vlerës së punës edhe përtej ekonomisë.

    Ai po ashtu përmendi vendimin e Qeverisë për dhënien e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik duke i bërë thirrjë sektorit privat të ndjekë këtë shembull “sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”.

    “Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”, ka shkruar Kurti.

  • Anthony Joshua do të zhvillojë një ndeshje “ngrohëse” para përballjes me Tyson Fury-Trajneri Shane McGuigan e paralajmëron britanikun para duelit kundër Kristian Prengës

    Anthony Joshua do të zhvillojë një ndeshje “ngrohëse” para përballjes me Tyson Fury-Trajneri Shane McGuigan e paralajmëron britanikun para duelit kundër Kristian Prengës

    Anthony Joshua ka zgjedhur të zhvillojë një ndeshje “ngrohëse” para përballjes së madhe me Tyson Fury, sipas trajnerit të njohur Shane McGuigan.

     

    McGuigan ka paralajmëruar Joshuan se ndeshja kundër shqiptarit Kristian Prenga nuk do të jetë e lehtë, veçanërisht në aspektin emocional. Britaniku do të stërvitet pa disa nga miqtë e tij që humbën jetën në një aksident muaj më parë.

     

    “Stërvitjet janë vende të vetmuara. Boksi është një sport i vjetër dhe i vështirë, dhe nëse nuk e bën për para, por për kënaqësi, ndoshta kënaqësia nuk është më ajo që ka qenë dikur,” tha McGuigan për “Sky Sports”.

     

    Ai shtoi se Joshua duhet të ketë guxim për të përballuar një sfidë të madhe si ajo me Tyson Fury dhe se ndeshja kundër Prengës është një hap i nevojshëm për t’u përgatitur fizikisht dhe emocionalisht.

     

    Përballja mes Joshua dhe Prengës do të zhvillohet më 25 korrik në Arabinë Saudite.

  • Diaspora 12 ditë afat për t’u regjistruar si votues

    Diaspora 12 ditë afat për t’u regjistruar si votues

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që të jenë 12 ditë afat për regjistrimin e mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit

    Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026.

    Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri 19:00.

    Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 maj deri më 18 maj 2026.

    Lista e Qendrave të Votimit nëpër përfaqësi diplomatike dhe caktimi i numrit maksimal të votuesve do të bëhet nga 5 deri më 6 maj.

  • KE për pezullimin e fondeve për Serbinë: Pa reforma në drejtësi, s’ka fonde

    KE për pezullimin e fondeve për Serbinë: Pa reforma në drejtësi, s’ka fonde

    Bashkimi Evropian pezulloi mbështetjen financiare për Serbinë pas paralajmërimeve që lëshoi ndaj Beogradit për ndërhyrjet në sistemin gjyqësor. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos theksoi se vendi nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes, derisa të adresojë të gjithë shqetësimet e raportuara në gjyqësor.

    Në një konferencë për shtyp, Marta Kos vuri në dukje se një vend që është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian “nuk mund të ulet në dy karrige dhe se në një moment Serbia do të duhet të bëjë një zgjedhje”.

    Komisioni Evropian, në përgjigje të interesit të Euronews Serbia në lidhje me deklaratën e Kos, deklaroi se Serbia duhet që të zbatojë të gjithë rekomandimet e Komisionit të Venecias në kohën më të shkurtër me një proces konsultimi transparent dhe gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët përkatës.

    “Për momentin, i kemi pezulluar vendimet që ndikojnë në pagesat për Serbinë dhe kjo mbetet ende në fuqi. Komisioni vlerëson vazhdimisht nëse janë përmbushur të gjitha kushtet përkatëse për mbështetje për vende si Serbia dhe në këtë kontekst do të shqyrtojmë nëse rekomandimet e Komisionit të Venedikut po zbatohen”, thuhej në përgjigjen e KE-së.

  • KQZ e miraton shumën që u duhet për zgjedhje: 10 milionë e  887 mijë euro

    KQZ e miraton shumën që u duhet për zgjedhje: 10 milionë e 887 mijë euro

    Komisioni Qendror Zgjedhor është duke zhvilluar sot mbledhjen e radhës, por e cila lidhet me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Buxheti i planifikuar dhe miratuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve është në vlerën: 10,887,186.445 Euro.

  • Minatorët: Shteti të inspektojë “Trepçën” e ndërmarrjet e tjera shtetërore

    Minatorët: Shteti të inspektojë “Trepçën” e ndërmarrjet e tjera shtetërore

    Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës” ka kërkuar nga ministri i Punës Andin Hoti që inspektimet që ka nisur në vendpunishte t’i vazhdojë edhe në ndërmarrjet shtetërore.

    “Është mirë që po kontrollohen se shumë punëtorë po vdesin por inspektorët duhet të vijnë edhe në ndërmarrje publike, aty ku është dora e shtetit e ku përballemi me shkelje të të drejtave për çdo ditë”, ka thënë Januzi në emisionin”tre8tre” në KTV.

    Ai ka folur për largimet nga puna të minatorëve që bëhen me direktiva nga udhëheqësit e “Trepçës” dhe që sipas tij janë të padrejta.

    “Video e dy punëtorëve që kinse bëjnë check-in e largohen nga puna nuk është e vërtetë. Pas lajmërimit në punë ata kanë shkuar me veturë të tyre te vendi i punës që është 30 metra nën tokë. Këta minatorë mbi 40 vjet kanë punuar, kanë qenë krenaria e Kosovës e sot janë larguar si asgjë” ka thënë Januzi.

    Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vendpunishte.

    Inspektorati Qendror i Punës po vazhdon inspektimet në sektorët me rrezikshmëri të lartë në territorin e Kosovës.

    Në 48-orëshin e fundit Inspektorati ka realizuar aksione vetëm në sektorin e ndërtimtarisë.
    Sipas raportit, nga gjithsej 32 inspektime, në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet dhe katër janë proceduar në Polici. Po ashtu, në 21 vende janë shqiptuar vërejtje.

  • KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj

    KQZ cakton 10 ditë e 7 orë fushatë për zgjedhjet e 7 qershorit – fillon me 28 maj

    KQZ ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59.

    Pas caktimit dhe shpalljes të datës 7 qershor 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, KQZ mori disa vendime në kuadër të fillimit të përgatitjes për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

    Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ mori vendim për caktimin e afateve dhe miratoi planin e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, i cili përfshin, ndër të tjera: deklarimin e partive politike për pjesëmarrje/mospjesëmarrje në zgjedhje; deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve; aplikimin për certifikimin e subjekteve politike; dorëzimin e listave të kandidatëve dhe verifikimin e tyre; periudhën e fushatës zgjedhore; caktimin e qendrave të votimit, përfshirë përfaqësitë diplomatike; regjistrimin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës; periudhën e votimit përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike; certifikimin e listës së votuesve; akreditimin e vëzhguesve dhe mediave; si dhe emërimin e anëtarëve të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillave të vendvotimeve.

    Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ:

    Deklarimi i partive politike për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve bëhet nga 1 maj deri më 7 maj 2026.

    Aplikimi për certifikim të subjekteve politike (përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) zhvillohet nga 2 maj deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë bëhet nga 2 maj deri më 12 maj 2026.

    KQZ vendos për certifikimin e subjekteve politike deri më 10 maj 2026, ndërsa për kandidatët deri më 15 maj 2026.

    Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

    Sa i përket votuesve dhe organizimit teknik:

    Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026.

    Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri 19:00.

    Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 maj deri më 18 maj 2026.

    Po ashtu, KQZ ka paraparë afate për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, akreditimin e vëzhguesve dhe emërimin e komisioneve zgjedhore komunale dhe këshillave të vendvotimeve gjatë muajit maj.

    Dita e zgjedhjeve është caktuar më 7 qershor 2026, me orar votimi nga 07:00 deri 19:00.

  • Drilon Hajrizi: Nuk kam sharë askënd, KB Pejës i kërkoj borxhin prej 15,000 eurove

    Drilon Hajrizi: Nuk kam sharë askënd, KB Pejës i kërkoj borxhin prej 15,000 eurove

    Basketbollisti Drilon Hajrizi ka reaguar pas akuzave nga KB Peja, duke theksuar se nuk ka sharë lojtarët apo klubin. Ai përmes një postimi në “Facebook” tha se klubi po përpiqet të zhvendosë vëmendjen, duke iu kërkuar “borxhin prej 15,000 eurove”.

    “Të dashur dhe të respektuar qytetarë,

    Nuk kam sharë, nuk është në natyrën time! Është e vërtetë se e kam ofenduar në shenjë revolte njërin prej orkestruesve të sharjeve në kor ndaj meje në Pejë, por asnjëherë lojtarët dhe aq më pak klubin.

    Kontributi im për KB Pejën është i madh. Atë e dijnë tifozët e vjetër, Shqiponjat e vërteta. Këta që janë vërsulur ndaj meje duan të zhvendosin vëmendjen dhe të fshehin palarat e tyre. Në vend që të merreni me këto gjëra, ma ktheni borxhin prej 15,000 eurove!

    Ja sharjet e orkestruara në kor ndaj meje. Paramendoni, ndaj njeriut që dha aq shumë për klubin e KB Pejës!”, shkroi Hajrizi.

    Ndërkohë, të shtunën do të zhvillohet gjysmëfinalja e katërt mes Pejës dhe Trepçës

  • “Muaji s’po del me këtë pagë” – punëtorët e sektorit privat të zhgënjyer

    “Muaji s’po del me këtë pagë” – punëtorët e sektorit privat të zhgënjyer

    Punëtorët e sektorit privat në Ditën e Punëtorëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me pagat, që po i marrin.

    Ata kanë kërkuar që paga minimale për ta të jetë 600 euro.

    Blerim Rrustolli, punëtor i sigurimit në Fakultetin Teknik, ka thënë për Ekonomia Online se nuk është aspak i kënaqur me pagën që e merr.

    Madje, ka shtuar se është zhgënjyer edhe nga politikanët, duke shtuar se nuk do të dalë më për të votuar.

    “ I knaqt kurrqysh hiq, këta për veti janë të knaqt a na jo, na totalisht jo. 380 euro çka me bo, ku dalin, muji- mujin s’ma nzen. A me ju pagua fëmijëve kombin, a vetit, a me ble harxh për shpi, a çka…Paga minimale duhet me u kon 500 a 600 qaty se tjetër zgjidhje s’ka as me 200 as me 300 s’ka zgjidhje. Unë jam totalisht i zhgënjyer me zgjedhje edhe s’ka me dal, s’ki kon e voton, ata i provum, këta po, kështu që hiq mo”, ka thënë ai.

    Edhe një punëtorë tjetër ka thënë se kanë dalë në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre.

    “Sikur të tjerët, edhe ne jemi dal po dihet për të drejtat tona, për rroga. Me na u plotësu kushtet, për stazhin e punës e këto tjerat, sikur tjerët edhe na qashtu…ne po i kërkojmë pagën minimale 600 euro, sikur shteti që i ka edhe na”, ka thënë ajo.

    Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ka mbajtur sot protestë në Prishtinë.

    Nga aty u tha se te drejtat e punëtorëve të sektorit privat po shkelen çdo ditë, derisa u kërkua edhe drejtësi për këta punëtorë.

  • Hyn në fuqi marrëveshja, sërish lëvizje e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Hyn në fuqi marrëveshja, sërish lëvizje e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Ka hyrë këtë të premte në fuqi sërish marrëveshja për lëvizjen e lirë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kjo marrëveshje do të jetë aktive deri në muajin tetor, ndërsa pritet të ripërtërihet edhe në muajt dhjetor dhe janar, si dhe gjatë fundjavave.

    Ajo parashikon shmangien e qëndrimit të automjeteve në radhë në kufi, si dhe lehtësimin e procedurave, ku kalimi bëhet pa kontroll të detajuar të letërnjoftimeve apo pasaportave, përveç rasteve të dyshuara.

    Zbatimi i saj ka shmangur pritjet e gjata në kufi.

    Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë mëngjesit të sotëm kanë hyrë në territorin e Shqipërisë rreth 15 mijë shtetas, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Kosova.

    Lëvizja e përshpejtuar ka vënë në funksion plot 11 sportele në pikën kufitare të Morinës, duke mundësuar zbatimin pa pengesa të marrëveshjes./TCH