ATV

Blog

  • Barcelona kërkon Julian Alvarez- Agjencia Niagara mund të bëjë diferencën

    Barcelona kërkon Julian Alvarez- Agjencia Niagara mund të bëjë diferencën

    Një zhvillim i ri në merkato lidh FC Barcelona me sulmuesin e Atlético Madrid, Julián Álvarez. Sipas raportimeve të Diario Sport, çelësi i këtij operacioni mund të jetë agjencia Niagara.

    E drejtuar nga Andy Bara dhe Juanma López, Niagara konsiderohet një nga agjencitë më me ndikim në tregun spanjoll dhe mund të luajë rol vendimtar në hapjen e negociatave mes palëve.

    Sipas të njëjtave burime, kjo agjenci ka qenë e përfshirë edhe në dy transferime të rëndësishme për katalanasit: afrimin e Dani Olmo nga RB Leipzig në vitin 2024, si dhe kalimin e Joan García nga RCD Espanyol.

    Raportohet se Juanma López ka marrëdhënie shumë të mira si me drejtuesit e Barcelonës, ashtu edhe me rrethin e Alvarez, gjë që mund të shfrytëzohet nga “Blaugrana” për të avancuar në këtë operacion.

    Megjithatë, Atlético Madrid nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga sulmuesi argjentinas. Klubi madrilen po shqyrton mundësinë e rinovimit të kontratës së kampionit të botës 2022, duke e konsideruar atë pjesë kyçe të projektit të tyre.

    Në anën tjetër, vështirësitë financiare të FC Barcelona mbeten një pengesë serioze, sidomos duke marrë parasysh se Atletico kërkon rreth 100 milionë euro për kartonin e lojtarit.

  • Formula 1 zhvendos startin e garës në Miami për shkak të rrezikut nga shiu

    Formula 1 zhvendos startin e garës në Miami për shkak të rrezikut nga shiu

    Fundjava e garave në Miami Grand Prix ka marrë një kthesë të papritur, pasi Drejtoria e Garës shpalli zyrtarisht protokollin “Rain Hazard”. Ndryshe nga praktikat e zakonshme, Formula 1 ka vendosur që gara të nisë më herët për të shmangur kushtet e rrezikshme atmosferike.

    Sipas vendimit të ri, starti i garës është caktuar për në orën 19:00 (sipas kohës në Maqedoninë e Veriut). Ky ndryshim është bërë i mundur falë rregullores së re për vitin 2026, e cila u jep organizatorëve fleksibilitet për të ndryshuar orarin në rast të kushteve ekstreme të motit.

    Pavarësisht temperaturave të larta në Miami, që arrijnë rreth 34°C, aktivizimi i këtij protokolli nënkupton se ekipet dhe pilotët duhet të përshtaten menjëherë me kushtet e reja dhe të përgatiten për një start të përshpejtuar.

    Në vijën e parë të nisjes, Kimi Antonelli mban pole-position për të tretën herë radhazi, ndërsa përkrah tij do të jetë kampioni në fuqi Max Verstappen.

    Ekipet kanë shumë pak kohë në dispozicion për të rishikuar strategjitë, sidomos në aspektin e menaxhimit të gomave dhe ftohjes së bolidëve në kushte temperaturash të larta. Gara pritet të zhvillohet në një atmosferë intensive dhe me shumë të papritura.

  • Embiid frymëzon 76ers drejt një rikthimi historik kundër Celtics

    Embiid frymëzon 76ers drejt një rikthimi historik kundër Celtics

    Philadelphia 76ers siguruan një fitore të jashtëzakonshme 109:100 ndaj Boston Celtics, duke përmbysur serinë nga 3-1 dhe duke avancuar në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes për herë të parë që nga viti 2023.

    Kjo është hera e parë që nga viti 1982 që Sixers arrijnë të eliminojnë Celtics në një seri play-off, duke e bërë këtë sukses edhe më historik. Skuadra nga Philadelphia, e cila e mbylli sezonin e rregullt në vendin e shtatë, realizoi një rikthim epik, pavarësisht se ishte në disavantazh të thellë pas katër ndeshjeve të para.

    Ndeshja vendimtare u zhvillua në TD Garden, ku miqtë arritën të ruajnë epërsinë gjatë gjithë takimit dhe t’u rezistojnë përpjekjeve të vendasve për rikthim. Celtics u ndikuan edhe nga mungesa e Jayson Tatum për shkak të një problemi në gju.

    Protagonisti kryesor i fitores ishte Joel Embiid me 34 pikë dhe 12 kërcime, i mbështetur nga Tyrese Maxey që realizoi 30 pikë dhe 11 kërcime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe debutuesi VJ Edgecombe me 23 pikë.

    Kjo fitore konfirmon formën e shkëlqyer të 76ers dhe i vendos ata si një nga pretendentët kryesorë në Lindje.

  • Greqia mbulohet nga bora, temperaturat deri -1 gradë

    Greqia mbulohet nga bora, temperaturat deri -1 gradë

    Greqia po përjeton muajin Maj që të kujton dimrin pas pushtimit të të ftohtit që solli borë në male, shi në shumë zona dhe erëra të forta në Egje.

    Duke filluar nga nesër, moti i keq do t’ia lërë vendin një pamjeje krejtësisht të ndryshme, me temperaturat që do të rriten ndjeshëm dhe do të kalojë 27 gradë Celsius gjatë javës.

    Për shkak të reshjeve të borës në Parnitha, trafiku i automjeteve është pezulluar nga lartësia e teleferikut.

    Pamja është jashtëzakonisht dimërore dhe megjithëse kalendari shënon 3 maj, moti nuk i ngjan aspak pranverës, raporton Topchannel.

    E njëjta skenë është edhe në Parnassos. Peizazhi është magjepsës, por nuk i ngjan aspak pranverës, pasi gjithçka është e mbuluar me borë, nga rruga deri te pemët, të cilat janë veshur me të bardha.

    Kushtet dimërore janë gjithashtu në Akai, me qendrën e skive në Kalavrita, megjithëse të mbyllur, e cila është plot me borë, temperatura është në -1 gradë Celsius.

    Ata që ishin në zonën e Kalavrytës këtë fundjavë të 1 Majit, megjithëse nuk do ta kishin menduar se do të përballeshin me borë, u ngjitën në qendrën e skive për të shijuar peizazhin e rrallë.

    Borë ra edhe në Ziria në malin Korinth, duke krijuar një skenë të pazakontë për këtë sezon.

    Nga fshatrat e Trikalës e më lart, rruga ka shumë borë, dhe shoferët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, sepse rruga është e rrëshqitshme.

    Zinxhirët e dëborës janë të nevojshëm nga disa pika. Rajoni i Peloponezit u sigurua që të hapte rrugët dhe të hidhte kripë.

    Borë ka rënë edhe në Pelion me termometrin në 0 gradë Celsius, ndërsa ata që përpiqen të lëvizin më lart se Hania (Kretë), drejt zonës së resortit të skive, këshillohet të kenë zinxhirë dëbore në makinat e tyre.

  • Raphinha kërkohet nga Arabia Saudite, por synon të qëndrojë në Evropë

    Raphinha kërkohet nga Arabia Saudite, por synon të qëndrojë në Evropë

    Sulmuesi brazilian Raphinha është rikthyer në qendër të vëmendjes në merkato, me interesim të madh nga klubet e Arabisë Saudite, të cilat janë të gatshme të bëjnë një ofertë të jashtëzakonshme financiare.

    Sipas El País, klubet e Superligës Saudite mund të ofrojnë rreth 90 milionë euro për transferimin e anësorit, ndërsa paga vjetore do të arrinte afërsisht 30 milionë euro.

    Megjithatë, raporti thekson se paratë nuk janë faktori kryesor në vendimmarrjen e Raphinhas. Futbollisti synon të vazhdojë të garojë në nivelin më të lartë në Evropë dhe ka mbajtur të njëjtin qëndrim prej kohësh: prioritet mbetet suksesi sportiv, jo një largim i bujshëm për arsye financiare.

    Interesimi vjen pas një sezoni të vështirë për 28-vjeçarin, i cili është përballur me lëndime dhe mungesë forme, duke humbur 23 ndeshje dhe duke qëndruar mbi 100 ditë jashtë fushave.

    Së fundmi, ai është rikthyer në aksion dhe është sërish pjesë e planeve të trajnerit Hansi Flick te FC Barcelona, në një fazë vendimtare të sezonit.

    Nga ana e klubit katalanas, një shitje e mundshme për 90 milionë euro do të ndihmonte ndjeshëm në lehtësimin e presionit financiar dhe do të krijonte hapësirë për investime të reja. Megjithatë, brenda klubit nuk ka presion që lojtari të largohet, duke lënë të hapur çdo skenar për të ardhmen e tij.

  • Zidane refuzon Real Madridin dhe i qëndron besnik marrëveshjes me Francën

    Zidane refuzon Real Madridin dhe i qëndron besnik marrëveshjes me Francën

    Trajneri francez Zinedine Zidane ka refuzuar një rikthim të tretë te Real Madrid CF, pasi i ka dhënë fjalën Federatës Franceze të Futbollit, raporton mediumi spanjoll Diario AS.

    Zidane është pa klub që prej largimit nga madrilenët, ndërkohë që Reali po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe rrezikon të mbyllë sezonin e dytë radhazi pa trofe.

    Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit, në krye me presidentin Florentino Pérez, kishin kontaktuar Zidanen që në muajin dhjetor për ta rikthyer në stolin e skuadrës dhe për ta zëvendësuar Xabi Alonso.

    Megjithatë, tekniku francez kishte refuzuar ofertën, duke bërë të qartë se tashmë kishte arritur një marrëveshje me Federatën Franceze.

    Sipas “Diario AS”, Zidane pritet të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Francës pas Kupës së Botës 2026, duke zëvendësuar Didier Deschamps në stolin e “Gjelave”.

  • Kosova 10  vjet në UEFA-Nga izolimi te një hap larg Botërorit

    Kosova 10 vjet në UEFA-Nga izolimi te një hap larg Botërorit

    Me rezultat të ngushtë 28:24, Kosova u pranua në UEFA më 3 maj 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest. Ky vendim historik i dha fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar dhe hapi rrugën për integrim të plotë ndërkombëtar. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016, Kosova u bë pjesë edhe e FIFA.

    Një dekadë më pas, zhvillimi i futbollit kosovar është i dukshëm. Përfaqësuesja e Kosovës ka kaluar tri cikle kualifikuese për Kupën e Botës dhe dy për Kampionatin Evropian, ndërsa ka marrë pjesë katër herë në UEFA Nations League, duke u ngjitur nga Liga D në Ligën B. Aktualisht, Kosova renditet në vendin e 78-të në ranglistën e FIFA-s, që është pozita më e mirë në histori.

    Rritja konfirmohet edhe nga paraqitjet konkurruese, përfshirë humbjen e ngushtë 1:0 ndaj Turqisë më 31 mars, në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Edhe klubet kosovare kanë bërë hapa të mëdhenj në garat evropiane. FC Ballkani është paraqitur dy herë në fazën grupore të UEFA Europa Conference League, ndërsa FC Drita në edicionin aktual arriti deri në fazën nokaut, pasi përfundoi në vendin e 20-të nga 36 skuadra në fazën e ligës.

    Pranimi në UEFA dhe FIFA ka sjellë gjithashtu përfitime të mëdha financiare për Federatën e Futbollit të Kosovës, duke mundësuar investime në projekte të ndryshme dhe implementimin e sistemit VAR para shumë vendeve të rajonit.

    Megjithatë, sfidat mbeten. Infrastruktura vazhdon të jetë e mangët, pasi vetëm Stadiumi Fadil Vokrri plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Po ashtu, akuzat për kurdisje ndeshjesh vazhdojnë të jenë të pranishme, sidomos në përfundim të kampionatit.

    Pavarësisht vështirësive, futbolli kosovar po shënon një dekadë me progres të qëndrueshëm dhe ndodhet në një nga momentet më të mira të tij, me synime të qarta për të ardhmen.

  • Marrëveshje 20 vjeçare për furnizim me gaz amerikan, Rama: Hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike

    Marrëveshje 20 vjeçare për furnizim me gaz amerikan, Rama: Hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike

    Në shënimet e tij javore në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama dha detaje për marrëveshjen e sapo nënshkruar me SHBA-në për gazin e lëngshëm.

    Rama tha se kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë drej pavarësisë energjetike. Ai shtoi se Shqipëria do të furnizohet me gaz natyror nga SHBA për një periudhë prej 20 vitesh dhe se nëpërmjet TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

    “Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.

    Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.

    Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha kryeministri./TCH

  • Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, BE: Mbështesim lirinë e shprehjes në Kosovë

    Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, BE: Mbështesim lirinë e shprehjes në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha sot se është inkurajuese të shohësh Kosovën të ngrihet 15 vende në Organizatën Botërore “Reporterët pa Kufij”.

    Ajo theksoi se ky përparim duhet të mbahet nga zyrtarët publikë dhe institucioni politik.

    “Ky përparim tani duhet të mbahet nga zyrtarët publikë dhe institucioni politik që ndajnë përgjegjësinë për sigurimin e një mjedisi që mundëson median”, nënvizoi Palatova.

    Në njoftim ndër të tjera thuhet se BE do të vazhdojë mbështetjen e mediave dhe lirisë së shprehjes në Kosovë.

  • Vendimi për tërheqjen e trupave nga Gjermania, Trump: Do të largohen shumë më tepër se 5 mijë

    Vendimi për tërheqjen e trupave nga Gjermania, Trump: Do të largohen shumë më tepër se 5 mijë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i tërheqin “shumë më tepër se 5,000” trupa nga Gjermania, tha presidenti amerikan Donald Trump.

    Fox News publikoi një video nga një deklarim i Trump për reporterët, ndërsa njëri nga ta e pyeti presidentin: “Pse SHBA-ja po i tërheq trupat nga Gjermania?”

    Përgjigjja e Trump ishte kjo: “Ne do ta zvogëlojmë shumë numrin, dhe po e zvogëlojmë shumë më tepër se 5,000”.

    Deklarata e tij pason raportimet e djeshme se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm.

    Vendimi i Pentagonit erdhi pasi Trump njoftoi se tarifat për veturat dhe kamionët nga Bashkimi Europian do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme, duke e akuzuar bllokun europian se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.