ATV

Blog

  • Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Lansohet shërbimi digjital për regjistrimin e lindjes së fëmijës

    Një shërbim i ri digjital që lidhet me regjistrimin e lindjes së fëmijëve pritet të prezantohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Gjinekologjisë.

    Iniciativa, sipas komunikatës për media, synon të lehtësojë procedurat për qytetarët, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe më efikase për regjistrimin e lindjeve.

    Në ceremoninë e lansimit do të jenë të pranishëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.

    Ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, me fillim nga ora 13:30.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për sot.

    Sipas vendimit të MINTI-t çmimi maksimal i naftës (dizel) është përcaktuar në 1.69 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër.

    Çmimi i gazit është vendosur në 0.84 euro për litër.

    Këto çmime do të jenë në fuqi për sot, ndërsa do të fillojnë të zbatohen nga ora 10:00.

  • Policia jep detaje nga aksidenti në Durrës ku humbën jetën 2 fëmijë: Autori ishte dënuar disa herë për tejkalim shpejtësie

    Policia jep detaje nga aksidenti në Durrës ku humbën jetën 2 fëmijë: Autori ishte dënuar disa herë për tejkalim shpejtësie

    Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

    Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

    Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

    Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

    Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

    Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

    Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

    Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

    Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

    Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

    Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

  • Ushtria Amerikane do të përdorë 15 mijë trupa në “Operacionin Liria” në Ngushticën e Hormuzit

    Ushtria Amerikane do të përdorë 15 mijë trupa në “Operacionin Liria” në Ngushticën e Hormuzit

    Më shumë detaje mbi “Operacionin Liria” janë njoftuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së, dega ushtarake që vepron në Lindjen e Mesme.

    Pas njoftimit të Donald Trump të dielën vonë, grupi thotë se forcat do të fillojnë të mbështesin mallrat tregtare në Ngushticën e Hormuzit që nga sot (e hënë).

    Në një postim në X, CENTCOM thotë se mbështetja ushtarake për misionin do të përfshijë shkatërrues me raketa të drejtuara, mbi 100 avionë nga toka dhe deti, platforma pa pilot me shumë domene dhe 15,000 anëtarë të shërbimit.

    “Mbështetja jonë për këtë mision mbrojtës është thelbësore për sigurinë rajonale dhe ekonominë globale, pasi ne gjithashtu ruajmë bllokadën detare”, ka thënë Admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM.

    Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se SHBA-të do të fillojnë të udhëzojnë anijet “në mënyrë të sigurt” jashtë Ngushticës së Hormuzit të hënën në mëngjes.

    “Përsëri, këto janë anije nga zona të botës që nuk janë në asnjë mënyrë të përfshira në atë që po ndodh aktualisht në Lindjen e Mesme”, tha Trump.

    “U kam thënë përfaqësuesve të mi t’i informojnë se do të bëjmë çmos që anijet dhe ekuipazhet e tyre të dalin në mënyrë të sigurt nga Ngushtica”, shtoi ai.

    “…Kjo ka për qëllim thjesht të çlirojë njerëzit, kompanitë dhe vendet që nuk kanë bërë absolutisht asgjë të gabuar – Ata janë viktima të rrethanave”, sipas Trumpit.

    Trump shtoi se ky është një “gjest humanitar në emër të Shteteve të Bashkuara, vendeve të Lindjes së Mesme, por, në veçanti, të vendit të Iranit”.

    Por, tha se nëse ky “proces humanitar ndërhyhet” në ndonjë mënyrë, ai “do të duhet të trajtohet me forcë”.

    Kujtojmë se zyrtarët iranianë kanë thënë tashmë se çdo ndërhyrje amerikane me lëvizjen e anijeve në zonë do të shkelë armëpushimin.

  • Edhe 3 ditë afat: 53 partitë duhet të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme

    Edhe 3 ditë afat: 53 partitë duhet të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme

    Partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që deri më 7 maj, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara si parti politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.

    Gjithashtu, partitë duhet të informojnë KQZ-në brenda afatit të përcaktuar nëse planifikojnë të garojnë në kuadër të ndonjë koalicioni.

    Partitë kanë saktësisht afat edhe tre ditë të vendosin nëse duan të garojnë në zgjedhje si koalicion apo të pavarura.

    Sipas KQZ-së, koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe sipas ligjit, partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

    KQZ ka vendosur që periudha zyrtare e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke filluar më 28 maj 2026 dhe duke përfunduar më 7 qershor 2026 në orën 06:59.

    Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

  • Manchester United mposht Liverpoolin 3-2 dhe siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve

    Manchester United mposht Liverpoolin 3-2 dhe siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve

    Në ndeshjen e javës së 35-të të Premier League, Manchester United ka regjistruar një fitore të madhe 3-2 ndaj Liverpool, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të një vendi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

    Vendasit e nisën ndeshjen furishëm, duke krijuar një epërsi të dyfishtë brenda 14 minutave. Në minutën e 6-të, Matheus Cunha shënoi një gol të bukur nga jashtë zonës për 1-0, ndërsa në minutën e 14-të, Benjamin Šeško e dyfishoi rezultatin pas një situate të ngatërruar në zonë. Goli i tij u kontrollua nga VAR-i për një të dyshuar për lojë me dorë, por pas rishikimit u konfirmua si i rregullt.

    Liverpooli reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Dominik Szoboszlai e riktheu skuadrën në lojë me një aksion individual dhe goditje të bukur nga distanca për 2-1 (47’), ndërsa Cody Gakpo barazoi rezultatin në 2-2 (56’), pas asistimit të Szoboszlait.

    Megjithatë, Manchester United nuk u dorëzua dhe në minutën e 77-të, Kobbie Mainoo shënoi golin vendimtar për 3-2, duke përfituar nga një top i kthyer dhe duke gjuajtur saktë nga skaji i zonës.

    Me këtë fitore, Manchester United duket se ka “blinduar” vendin e tretë në tabelë dhe ka siguruar  pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. United tani ka 64 pikë në pozitën e tretë, ndërsa Liverpooli mbetet në vendin e katërt me 58 pikë.

  • Sassuolo mposht Milanin-Ardon Jashari protagonist në humbje

    Sassuolo mposht Milanin-Ardon Jashari protagonist në humbje

    Sassuolo ka shënuar një fitore të madhe 2-0 ndaj AC Milan, në ndeshjen e javës së 35-të në Serie A.

    Futbollisti shqiptar Ardon Jashari u paraqit titullar për Milanin, por ishte i pafat te goli i parë, që erdhi pas një gabimi të tij.

    Sassuolo kaloi në epërsi që në minutën e 5-të me Domenico Berardi, ndërsa epërsinë e dyfishoi në fillim të pjesës së dytë me Armand Laurienté në minutën e 47-të.

    Situata për Milanin u vështirësua edhe më shumë në minutën e 24-të, kur Fikayo Tomori u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë, duke i lënë mysafirët me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të takimit.

    Jashari u zëvendësua në minutën e 66-të, ndërsa portieri Arijanet Muric qëndroi në pankinë për Sassuolon pa u aktivizuar.

    Pas kësaj fitoreje, Milani mbetet në vendin e tretë me 67 pikë, ndërsa Sassuolo ngjitet në pozitën e nëntë me 49 pikë.

  • Barazim dramatik në Gjilan, Ferizaj barazon në sekondat e fundit

    Barazim dramatik në Gjilan, Ferizaj barazon në sekondat e fundit

    Në kuadër të javës së 32-të të Superliga e Kosovës, SC Gjilani dhe KF Ferizaj barazuan 1-1 në një ndeshje shumë dramatike të zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

    Pjesa e parë nuk prodhoi gola, me të dyja skuadrat që treguan kujdes në lojë. Megjithatë, pjesa e dytë solli emocione dhe gola, duke e bërë sfidën shumë interesante deri në fund.

    Fillimisht, Ferizaj gjeti rrugën e rrjetës në mesin e pjesës së dytë me Betim Haxhimusa, por goli u anulua pas rishikimit me VAR.

    Më pas, Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 82-të, kur Senad Jarović realizoi me kokë për 1-0, duke i dhënë avantazhin vendasve.

    Në minutat e fundit, Ferizaj fitoi një penallti, por nuk arriti ta konkretizojë.

    Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 103-të (minuta e 13-të shtesë), pas një aksioni të ndërtuar mirë, Claudi shënoi me kokë për 1-1, duke i siguruar Ferizajt një pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë.

    Nga ana tjetër, Gjilani humbi dy pikë të vlefshme në luftën për pozitat që dërgojnë në garat evropiane.

  • Llapi trondit Ballkanin në Suharekë me fitore minimale

    Llapi trondit Ballkanin në Suharekë me fitore minimale

    Në kuadër të javës së 32-të të Superliga e Kosovës, KF Ballkani u përball me KF Llapi në Suharekë, ku mysafirët regjistruan një fitore të madhe minimale 1-0.

    Pjesa e parë u karakterizua me disa raste nga të dyja skuadrat, por rrjetat mbetën të paprekura.

    Në pjesën e dytë, Ballkani rriti presionin dhe krijoi mundësi të njëpasnjëshme, por portieri Marjan Coric ishte vendimtar, duke ndalur çdo tentim të vendasve.

    Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 75-të, kur Llapi shfrytëzoi një dalje të rrezikshme dhe Arbor Ramadani realizoi një gol fantastik për 0-1.

    Në minutat e mbetura, Ballkani provoi gjithçka, duke hedhur më shumë sulmues në fushë, por nuk arriti të barazojë. Ndeshja pati edhe tensione, ku një anëtar i stafit të Llapit u ndëshkua me karton të kuq.

    Në kohën shtesë, Ballkani kërkoi penallti, por gjyqtari Genc Nuza, pasi konsultoi VAR-in, nuk akordoi goditje nga pika e bardhë.

    Pas kësaj humbjeje, Ballkani duket se largohet nga gara për titull, pasi ka 55 pikë, tetë më pak se lideri KF Drita me 63 pikë. Ndërkohë, Llapi ngjitet në vendin e tetë me 36 pikë, pozitë që çon në baraz

  • Drenica triumfon ndaj Dukagjinit në Klinë me gol në minutat shtesë

    Drenica triumfon ndaj Dukagjinit në Klinë me gol në minutat shtesë

    Në kuadër të javës së 32-të të Superligës së Kosovës, KF Dukagjini dhe KF Drenica u përballën në Klinë, ku mysafirët shënuan fitore minimale 1-0.

    Të dyja skuadrat krijuan raste të mira shënimi gjatë pjesës së parë, por mungoi konkretizimi para portës. Edhe në pjesën e dytë loja ishte e baraspeshuar, me Dukagjinin që kërkonte golin e fitores në fushën e vet.

    Megjithatë, insistimi i vendasve nuk u shpërblye dhe në fund u ndëshkua. Në kohën shtesë, Fjoart Januzi arriti të shënojë golin vendimtar, duke i siguruar Drenicës tri pikë shumë të rëndësishme.

    Pas këtij rezultati, të dyja skuadrat kanë nga 41 pikë dhe, për momentin, ndodhen jashtë zonës së rrezikut në Superliga e Kosovës.