ATV

Blog

  • Cleveland Cavaliers mposhtin Toronto Raptors 114:102 dhe sigurojnë gjysmëfinalet e konferencës lindore

    Cleveland Cavaliers mposhtin Toronto Raptors 114:102 dhe sigurojnë gjysmëfinalet e konferencës lindore

    Cleveland Cavaliers arritën një fitore të rëndësishme ndaj Toronto Raptors me rezultatin 114:102 në ndeshjen e shtatë vendimtare, duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e Konferencës Lindore në NBA.

    Heroi i mbrëmjes ishte Jarrett Allen, i cili barazoi rekordin e tij në playoff me 22 pikë dhe 19 kërcime, duke qenë lojtari kyç për ekipin vendas. Donovan Mitchell shtoi gjithashtu 22 pikë, ndërsa James Harden kontribuoi me 18 pikë.

    Toronto e nisi më mirë ndeshjen dhe mbajti kontrollin gjatë pjesës së parë, duke krijuar një epërsi prej 10 pikësh në çerekun e dytë. Megjithatë, Cleveland reagoi fuqishëm, duke përmbysur disavantazhin 47:38 me një seri 11:2 dhe duke e mbyllur pjesën e parë në barazim 49:49, falë goditjeve për tre pikë nga Harden, Max Strus dhe Jaylon Tyson.

    Momenti vendimtar erdhi mes çerekut të dytë dhe të tretë, kur Cavaliers realizuan një seri të jashtëzakonshme 49:21, duke kaluar nga -9 në +19. Në këtë fazë, Allen dominoi me 14 pikë dhe 10 kërcime, pesë prej tyre ofensive, ndërsa një nga momentet më të spikatura ishte kundër-zhytja e tij pas vjedhjes së topit nga Strus ndaj Scottie Barnes.

    Cleveland dominoi edhe në kërcime (25:8 në atë periudhë), duke shndërruar 10 kërcime ofensive në 14 pikë. Pas ndeshjes, Barnes, që e mbylli me 24 pikë dhe 9 kërcime, deklaroi se rikuperimet sulmuese të kundërshtarit ishin vendimtare për rrjedhën e takimit.

    Për Raptors, RJ Barrett realizoi 23 pikë, ndërsa Brandon Ingram mungoi për të dytën ndeshje radhazi për shkak të një dëmtimi në thembër.

    Menjëherë pas ndeshjes, Mitchell theksoi fokusin te sfida e radhës, duke u shprehur se ekipi tashmë është i përqendruar te kundërshtari i radhës.

  • Nga procesi krijues te libri, Jehona Kicaj sonte përballë lexuesve në Prishtinë

    Nga procesi krijues te libri, Jehona Kicaj sonte përballë lexuesve në Prishtinë

    Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, sot nga ora 16:00 mbahet një mbrëmje e veçantë letrare me shkrimtaren Jehona Kicaj.

    Me këtë rast, publiku është i ftuar të përjetojë nga afër letërsinë bashkëkohore dhe procesin krijues të autores.

    Leximi me Jehona Kicaj në Prishtinë, do të jetë një mbrëmje ku autorja lexon fragmente nga romani i saj “ë” dhe do të ofrojë një pasqyrë mbi finesat gjuhësore dhe thellësinë tematike të veprës.

    Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në diskutim me autoren, gjatë të cilit ajo do të flasë për prapaskenat, frymëzimin dhe procesin krijues të romanit.

    Moderimi i ngjarjes bëhet nga Blertë Ismajli dhe Uridije Lajçi.

    Ngjarja organizohet në bashkëpunim me Goethe-Zentrum, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

  • Robert Lulgjuraj, kush është shqiptari që po synon të bëjë histori në Kongresin Amerikan

    Robert Lulgjuraj, kush është shqiptari që po synon të bëjë histori në Kongresin Amerikan

    “Ka ardhur koha që një shqiptar të jetë pjesë e Kongresit Amerikan.”

    Kështu ishte shprehur disa muaj më parë Robert Lulgjuraj, i cili tashmë synon të shkruajë historinë e tij në politikën e Shteteve të Bashkuara.

    Prokurori me origjinë shqiptare dhe anëtar i Partisë Republikane ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për Kongres, që të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michigan-it në zgjedhjet e vitit 2026.

    Familja Lulgjuraj e ka prejardhjen nga trojet shqiptare në Mal të Zi.

    Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan drejt Amerikës në vitin 1960, në kërkim të lirisë dhe për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar.

    Në vitin 2015, ai u diplomua në Studime Biznesi dhe Shkenca Humane, ndërsa në vitin 2020 përfundoi doktoraturën në drejtësi në “University of Detroit Mercy School of Law”.

    Që gjatë viteve të studimit, Lulgjuraj shfaqi një interes të fortë për politikën.

    Ai shërbeu si kryetar i të rinjve të Partisë Republikane në qarkun Macomb, ku u dallua për lidership dhe një vizion të qartë për të ardhmen.

    Pas përfundimit të studimeve, ai nisi karrierën si avokat në Detroit, duke u përballur me çështje të rënda penale, nga vjedhjet dhe tentativat për vrasje, deri te rastet e trafikimit të narkotikëve.

    Më vonë, në rolin e prokurorit në Wayne County dhe Macomb County, Lulgjuraj ka ndjekur mbi 2,000 çështje penale, duke përfshirë dosje të krimit të organizuar dhe raste të dhunës së rëndë.

  • Flamuri i UÇK-së në Hagë: avokatët e mbrojtjes japin mesazh përmes një fotografie simbolike

    Flamuri i UÇK-së në Hagë: avokatët e mbrojtjes japin mesazh përmes një fotografie simbolike

    Avokatja ndërkombëtare Annie O’Reilly, pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Dhomat e Specializuara, ka ndarë një reflektim të drejtpërdrejtë për përmasat dhe sfidat e procesit gjyqësor në Hagë.

    Në një postim publik, ajo thekson se më shumë se pesë vite pas paraburgimit të klientëve të saj, procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit tashmë është mbyllur, duke e cilësuar këtë si një rast jashtëzakonisht të vështirë.

    “Për të gjithë ne, jetët personale u shtynë në një qoshe, ndërsa përpiqeshim ta çonim përpara këtë gjykim monumental. Kërkoi përgatitje të pafundme të dëshmitarëve, draftime, stres, kaos, pasiguri dhe refuzime të vazhdueshme, që, të jem e sinqertë, ishin shpesh demoralizuese”, shkruan O’Reilly.

    Ajo përmend gjithashtu edhe sakrificat personale gjatë këtij procesi, përfshirë humbjen e një kolegu dhe sfidat e balancimit të jetës private, duke nënvizuar intensitetin e përfshirjes në këtë rast.

    Megjithatë, në fund të reagimit të saj, O’Reilly shpreh krenarinë për punën e bërë dhe për faktin që ka qenë pjesë e këtij ekipi dhe e komunitetit ndërkombëtar të mbrojtjes penale.

    Në fotografinë që shoqëron këtë postim, krahas ekipit ndërkombëtar të mbrojtjes, shihet edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i cili ka qenë pjesë e mbrojtjes që nga fillimi i procesit.

    Mbappé shkon për pushime në Sardenja, “shpërthejnë” kritikat ndaj tij në Spanjë
    Read more

  • Prokuroria në Pejë: 100 raste ndërmjetësimi brenda 4 muajve, 4 mijë euro detyrim për të dyshuarit

    Prokuroria në Pejë: 100 raste ndërmjetësimi brenda 4 muajve, 4 mijë euro detyrim për të dyshuarit

    Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar opinionin publik se gjatë periudhës janar-prill ka shënuar progres në trajtimin e procedurave alternative.

    Sipas njoftimit, janë regjistruar gjithsej 100 raste të procedurave të ndërmjetësimit me 183 persona të përfshirë.

    Në tri raste ku është bërë pezullimi i përkohshëm i procedurës, të dyshuarit janë detyruar të deponojnë 4.000 euro në xhirollogarinë e fshatit Sos.

    Po ashtu, në kuadër të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, gjatë kësaj periudhe janë arritur 4 marrëveshje të pranimit të fajësisë nga 4 persona.

    Ndërkohë, në rastet ku ndjekja penale nuk është e detyrueshme, për katër muajt e parë të vitit janë trajtuar 2 raste ndaj 2 personave, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

  • Përparim Rama merr vendim për ndryshimin e qarkullimit të mjeteve në Dardani

    Përparim Rama merr vendim për ndryshimin e qarkullimit të mjeteve në Dardani

    Bazuar në vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit të Prishtinës, nga sot është bërë ndryshimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugën “Ilaz Kodra”, në lagjen Dardania, duke e kthyer këtë rrugë në gjendjen e mëparshme të qarkullimit pas përfundimit të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në këtë zonë.

    Rruga “Ilaz Kodra” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Sali Çeku”, në drejtim të rrugëve “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini”. Rrugët “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini” vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit.

    Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë në këtë zonë, si dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore.

  • Mësimdhënësi dyshohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses në Klinë, pritet masa e paraburgimit

    Mësimdhënësi dyshohet për ngacmim seksual ndaj nxënëses në Klinë, pritet masa e paraburgimit

    Një mësimdhënës është ndaluar për 48-orë nën dyshimin se ka ngacmuar përmes mesazheve me përmbajtje seksuale një nxënëse në qytetin e Klinës.

    Siç mëson Klankosova, ndaj tij pritet të caktohet masa e paraburgimit.

    Sakaq, në raportin 24-orësh, thuhet se rasti dyshohet se ka ndodhur më 30 prill të këtij viti, ndërsa viktima e ka raportuar në polici më 3 maj.

  • Gati dy mijë gjoba për 24 orë ndaj shoferëve që s’respektuan rregullat në trafik

    Gati dy mijë gjoba për 24 orë ndaj shoferëve që s’respektuan rregullat në trafik

    Gjatë 24-orëve të fundit, siguria në trafik dhe rendi publik në vend vazhdojnë të mbeten sfidë, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit dhe parandalimin e incidenteve. Statistikat e publikuara tregojnë për dhjetëra aksidente trafiku dhe një numër të lartë gjobash të shqiptuara ndaj shkelësve

    Gjatë 24-orëve të fundit, sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, në vend janë regjistruar gjithsej 41 aksidente trafiku.

    Prej tyre, 25 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 16 të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Nuk është raportuar asnjë aksident me fatalitet.

    Në kuadër të aktiviteteve të sigurisë në trafik, policia ka shqiptuar 1929 tiketa trafiku ndaj shkelësve të rregullave.

    Ndërkohë, 9 persona janë arrestuar për vepra të ndryshme, ndërsa 8 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

  • Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

    Fahrije Hoti i bashkohet Vjosa Osmanit në zgjedhje

    Fahrije Hoti do t’i bashkohet politikës, duke kandiduar për deputete në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit. Lajmi është bërë i ditur nga ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi në Facebook.

    Sipas Osmanit, Hoti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, duke përfaqësuar një figurë të fuqishme të grave dhe një histori të njohur të qëndresës dhe punës në Kosovë.

    “Nëse një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë”, është shprehur Osmani, duke e cilësuar Hotin si një grua “të fortë si guri, të pastër si loti dhe punëtore si askush tjetër”.

  • Sa kohë mund të zgjatë zemra e transplantuar?

    Sa kohë mund të zgjatë zemra e transplantuar?

    Çfarë mund të presin pacientët pas transplantimit, cilët faktorë ndikojnë në jetëgjatësinë e organit dhe si mund të ruhet sa më mirë shëndeti afatgjatë

    Sa gjatë mund të zgjasë zemra e transplantuar dhe çfarë mund të presin pacientët pas transplantimit të këtij organi, e shpjegon kirurgu i transplantimit të zemrës, dr. Raymond Lee, nga University of Southern California.

    Dr. Lee tregon se çfarë mund të presin pacientët me zemër të re pas transplantimit, cilët faktorë bëjnë dallimin dhe si mund ta shfrytëzojnë sa më mirë jetën me zemrën e tyre të re.

    Çfarë mund të presë pacienti që ka zemër të transplantuar?

    “Ka shumë arsye pse zemrat e disa pacientëve zgjasin më shumë, ndërsa te disa të tjerë më pak”, thotë dr. Raymond Lee, drejtor i Programit për Transplantimin e Zemrës në University of Southern California.

    Sipas tij, jetëgjatësia mesatare e zemrës së transplantuar është rreth 10 vjet, megjithëse rezultatet ndryshojnë nga pacienti në pacient.

    Në tre muajt e parë pas transplantimit të zemrës, pacientët duhet të presin kontrolle të shpeshta mjekësore.

    “Do të thosha se ndjekja e kujdesshme gjatë tre muajve të parë është thelbësore, vetëm për t’u siguruar që pacientët nuk shfaqin shenja të refuzimit të organit. Gjithashtu sigurohemi që ata po i tolerojnë mirë barnat, që rezultatet laboratorike janë stabile dhe që rikuperimi pas operacionit, si edhe steroidet imunosupresive, nuk po ndikojnë shumë në mirëqenien e tyre emocionale”, shpjegon dr. Lee.

    Ulja e rrezikut dhe sigurimi i shëndetit afatgjatë

    Dr. Lee thotë se pacientët mund të ndërmarrin hapa për të ulur rrezikun nga komplikimet dhe për të mbështetur shëndetin afatgjatë të zemrës, si:

    • Kontrolli i sëmundjeve shoqëruese, si diabeti ose tensioni i lartë i gjakut
    • Marrja e të gjitha barnave sipas përshkrimit të mjekut
    • Kryerja e kontrolleve të rregullta te specialistët
    • Mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm për zemrën, sipas rekomandimeve të mjekut

    Ka disa lloje specialistësh që marrësi i organit do t’i takojë gjatë këtij rrugëtimi. Në veçanti, punonjësit socialë dhe fizioterapeutët mund të bëjnë dallim të madh në përgatitjen e pacientit për operacion dhe në rikuperimin e tij.

    “Punonjësit socialë mund t’i vlerësojnë pacientët para operacionit për të parë gatishmërinë e tyre të shëndetit mendor për rrugën që i pret, ose për të parë nëse pacienti ka mbështetje sociale. Pas transplantimit, ata mund të vazhdojnë të ndihmojnë në respektimin e terapisë me barna ose në luhatjet e humorit që mund të shkaktohen nga steroidet”, thekson dr. Lee.

    Pacientët mund të vazhdojnë të jenë plotësisht aktivë pas transplantimit

    Sa u përket fizioterapeutëve, ata mund ta ndihmojnë kirurgun e transplantimit të krijojë një pasqyrë më të qartë për gjendjen fizike të pacientit gjatë përgatitjes për një ndërhyrje të madhe. Fizioterapeutët e specializuar për transplantimin e zemrës mund të ndihmojnë shumë edhe në rehabilitim.

    Për rikuperim nevojitet bashkëpunimi i disa profesionistëve shëndetësorë.

    Familja dhe miqtë mund të kenë rol shumë të rëndësishëm në kujdesin në shtëpi pas operacionit, në mbështetjen emocionale, madje edhe në ndihmën që pacientët t’i përmbahen orareve ndonjëherë të lodhshme të marrjes së barnave.

    Dr. Lee thotë se shumë nga pacientët e tij vazhdojnë të jenë plotësisht aktivë, ndërsa disa madje bëhen edhe sportivë.

    “Kemi kryer transplantime te njerëz të të gjitha moshave. Kam parë disa prej tyre duke vrapuar 5 kilometra dhe maratona. Shumë prej atyre që na vijnë nga ishujt e Paqësorit janë surfistë. Me kujdesin e duhur pas transplantimit, me zgjedhje të shëndetshme të stilit të jetesës dhe me respektim të terapisë, shumë pacientë me transplantim të zemrës mund të vazhdojnë të jetojnë një jetë aktive dhe të përmbushur”, thekson dr. Lee.