ATV

Blog

  • Federata e Ragbit e Kosovës reagon pas humbjes 101–0 ndaj Malit të Zi

    Federata e Ragbit e Kosovës reagon pas humbjes 101–0 ndaj Malit të Zi

    Federata e Ragbit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas humbjes së thellë 101–0 ndaj Malit të Zi, një rezultat që ka qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjete sociale.

    Në deklaratën e saj, Federata thekson se ragbi në Kosovë është ende në fazë zhvillimi dhe se rezultate të tilla janë pjesë e natyrshme e këtij procesi, sidomos për vendet që sapo kanë nisur rrugëtimin në këtë sport.

    Federata përgëzoi kundërshtarin për paraqitjen dhe fitoren e merituar, por theksoi se rezultati nuk pasqyron ambiciet afatgjata të ekipit kosovar.

    Sipas reagimit, Kosova ka më pak se 10 ndeshje ndërkombëtare në formatin XV dhe ekipi në këtë përballje përbëhej nga shumë lojtarë të rinj, disa prej të cilëve në hapat e parë në këtë sport, si dhe me mungesa për shkak të lëndimeve.

    Në deklaratë u përmend gjithashtu se rezultate me diferenca të mëdha ndodhin edhe në nivele të larta të ragbit ndërkombëtar, duke sjellë si shembull humbjen 103–0 të Skocisë ndaj Francës në ragbin e femrave.

    Federata kujtoi edhe organizimin e suksesshëm të eventeve ndërkombëtare në formatin 7’s, duke theksuar se Kosova ka qenë nikoqire e turneut të Rugby Europe Conference 2 dhe do të vazhdojë të presë gara të ngjashme.

    Në përfundim, Federata nënvizoi se fokusi mbetet zhvillimi i sportit, përfshirja e të rinjve dhe ndërtimi i një strukture të qëndrueshme, ndërsa vendimet për të ardhmen e ndeshjeve në formatin XV do të merren nga bordi drejtues.

  • João Pinheiro gjyqtar kryesor në supersfidën Bayern Munich – Paris Saint-Germain

    João Pinheiro gjyqtar kryesor në supersfidën Bayern Munich – Paris Saint-Germain

    UEFA i ka besuar arbitrit portugez João Pinheiro drejtimin e sfidës së madhe mes FC Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain, një ndeshje që pritet të përcaktojë finalistin e Ligës së Kampionëve për sezonin 2025/26.

    38-vjeçari nga Vila Nova de Famalicão vjen me eksperiencë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare dhe me statistika pozitive kur ka drejtuar ndeshje të Bayern Munich. Ai ka qenë më herët gjyqtar në dy përballje të bavarezëve, të dyja të fituara: ndaj PSV Eindhoven (2:1) në sezonin 2025/26 dhe ndaj ŠK Slovan Bratislava (3:1) në sezonin 2024/25.

    Pinheiro ka gjykuar gjithashtu në finalen e Superkupës së Evropës 2025/26, ku Paris Saint-Germain triumfoi ndaj Tottenham Hotspur pas penalltive.

    Gjatë këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, ai ka drejtuar shtatë ndeshje. Një nga sfidat më të diskutueshme ishte ajo mes Juventus FC dhe Galatasaray SK, ku u akorduan gjashtë kartonë të verdhë dhe një karton i kuq, në një ndeshje me intensitet të lartë disiplinor.

  • Endrick flet për të ardhmen e tij pas përfundimit të edicionit

    Endrick flet për të ardhmen e tij pas përfundimit të edicionit

    Sulmuesi i ri brazilian Endrick vazhdon të ketë paraqitje të shkëlqyera për klubin francez Olympique Lyonnais, duke qenë protagonist në fitoren 4:2 ndaj Stade Rennais FC. 19-vjeçari ishte një nga lojtarët vendimtarë të ndeshjes.

    Endrick fillimisht dhuroi një asist për Afonso Moreira nga pika e penalltisë për golin e 2:1, ndërsa më pas shënoi vetë për 4:2, duke vulosur praktikisht fitoren rreth 15 minuta para fundit të takimit.

    Me këtë sukses, Lyon është ngjitur në vendin e tretë në Ligue 1, pozicion që të çon direkt në Ligën e Kampionëve, duke lënë pas Lille me dy pikë diferencë.

    Pas ndeshjes, vëmendja u zhvendos te e ardhmja e tij, pasi huazimi nga Real Madrid CF po i afrohet fundit. Endrick u shpreh i hapur për çdo mundësi:

    “Nëse duhet të kthehem në Madrid, do të kthehem. Nëse Reali dëshiron të më dërgojë diku tjetër, do të shkoj. Në fund, vendimin do ta marrë Zoti dhe unë do të ndjek atë që më udhëzon Zoti dhe gruaja ime.”

    Ai shtoi gjithashtu se do të ishte i lumtur të qëndronte në Lyon, duke theksuar:
    “Nëse më duhet të qëndroj në Lyon, do të jem i lumtur.”

    Deri tani këtë sezon, Endrick ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 19 paraqitje.

    Në jetën personale, ai është i martuar me modelen dhe influencuesen braziliane Gabriela Miranda që nga shtatori 2024. Çifti është komentuar gjerësisht në media për disa rregulla të veçanta në marrëdhënien e tyre, përfshirë sjelljen dhe komunikimin.

    Në Francë shpresojnë që një kualifikim i mundshëm në Ligën e Kampionëve mund ta bindë talentin brazilian të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm në Lyon.

  • 12 skuadra tashmë të kualifikuara në fazën e Ligës në Ligën e Kampionëve 2026/27

    12 skuadra tashmë të kualifikuara në fazën e Ligës në Ligën e Kampionëve 2026/27

    Sipas portalit analitik Football Meets Data, tashmë janë konfirmuar 12 skuadra që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

    Në këtë listë bëjnë pjesë disa nga klubet më të mëdha të futbollit evropian, të cilat kanë siguruar matematikisht vendin e tyre në fazën e ligës. Mes tyre janë: FC Barcelona, Real Madrid CF dhe Villarreal CF nga Spanja; FC Bayern Munich dhe Borussia Dortmund nga Gjermania; PSV Eindhoven nga Holanda; Arsenal FC, Manchester City dhe Manchester United nga Anglia; Inter Milan nga Italia; Paris Saint-Germain nga Franca dhe FC Porto nga Portugalia.

    Kualifikimi i këtyre skuadrave vjen pas një sezoni të fortë në kampionatet përkatëse, ku performancat në ligat vendase kanë vendosur tashmë një pjesë të madhe të pjesëmarrësve të sezonit të ardhshëm në kompeticionin më prestigjioz për klube në Evropë.

    Ndërkohë, lista nuk është ende e plotë, pasi shumë vende të tjera do të përcaktohen në javët e fundit të kampionateve evropiane dhe përmes renditjeve të mbetura në ligat përkatëse.

    Në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, faza e ligës do të përbëhet nga 36 skuadra gjithsej. Deri tani janë konfirmuar 12 prej tyre, ndërsa 24 skuadrat e tjera pritet të mësohen në javët në vijim, teksa sezonet në kampionatet kryesore evropiane po shkojnë drejt fundit.

  • Shqiptarët në super formë në Zvicër, tre lojtarë në formacionin e javës

    Shqiptarët në super formë në Zvicër, tre lojtarë në formacionin e javës

    Xhiro e 35-të në Superligën e Zvicrës ka përfunduar, duke sjellë edhe një surprizë të madhe në garën për titull. FC Thun është shpallur kampion, duke befasuar me ecurinë e tij këtë sezon.

    Kjo javë u karakterizua edhe nga paraqitje shumë të mira të futbollistëve shqiptarë. Në veçanti, dyshja e FC Sion, Benjamin Kololli dhe Kreshnik Hajrizi, ishte ndër më të dalluarit në fushë.

    Gjithashtu, në formë të shkëlqyer u paraqit edhe reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, duke konfirmuar rolin e tij të rëndësishëm në skuadër.

    Falë performancave të tyre, Kololli, Hajrizi dhe Alioski janë përfshirë në formacionin e javës në elitën e futbollit zviceran nga SofaScore.

    Kololli spikati me notën 8.3 pas golit të shënuar ndaj FC St. Gallen, ndërsa Hajrizi dhe Alioski u vlerësuan me nga 7.9, duke dëshmuar paraqitje të qëndrueshme dhe ndikim të rëndësishëm për ekipet e tyre.

  • Reagon Fahrije Hoti, Osmanin e quan presidente: Politika për mua është si puna që kam bërë gjithë jetën

    Reagon Fahrije Hoti, Osmanin e quan presidente: Politika për mua është si puna që kam bërë gjithë jetën

    Fahrije Hoti ka reaguar pas njoftimit nga ish-presidentja Vjosa Osmani, se ajo i është bashkuar rrugëtimit politik të saj, për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se nga sot nis një rrugëtim të ri, “krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani”.

    Ajo tha se këtë hap e ndërmori për gruan që ngrihet, për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre, për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë dhe për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime.

    “Vij nga Krusha. Vij nga një kohë kur gratë e fshatit tim humbën gjithçka, përveç njëra-tjetrës. Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë”.

    “Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë. Për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime. Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën. Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t’ju zhgënjej! E juaja, Fahrija”, ka shkruar ajo.

  • ​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

    ​KEK nis remontin vjetor të njësisë B2

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) bën të ditur se, në përputhje me Bilancin Vjetor Energjetik (BVE), ka filluar zbatimi i remontit të rregullt vjetor 30-ditor njësisë B2 në Termocentralin Kosova B.

    Sipas njoftimit, ky proces është pjesë e planifikimit të rregullt operativ dhe ka për qëllim mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë.

    “Ndërkohë, siç është bërë e ditur edhe më herët, njësia B1 e TC Kosova B i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet të rritet ndjeshëm siguria e operimeve, të zgjatet jetëgjatësia e njësisë për rreth 20 vite dhe, mbi të gjitha, të sigurohet funksionimi në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

  • Albion Rrahmani shkëlqen me Sparta Pragën dhe përfshihet në formacionin e javës

    Albion Rrahmani shkëlqen me Sparta Pragën dhe përfshihet në formacionin e javës

    Albion Rrahmani është rikthyer te golat në Superligën e Çekisë, duke konfirmuar formën e tij të mirë me fanellën e Sparta Prague.

    Sulmuesi kosovar ishte vendimtar në fitoren 2-0 ndaj FK Jablonec. Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 60-të dhe arriti të shënojë golin e dytë, duke vulosur suksesin e ekipit të tij.

    Falë paraqitjes së shkëlqyer në këtë ndeshje, Rrahmani është përfshirë në formacionin e javës në elitën e futbollit çek nga SofaScore.

    25-vjeçari ishte ndër lojtarët më të vlerësuar të javës, duke u notuar me 8.3 për performancën e tij mbresëlënëse.

    Ndërkohë, forma e tij këtë sezon është dëshmi e vazhdimësisë, pasi në 45 ndeshje në të gjitha garat me Spartën, Rrahmani ka realizuar 15 gola dhe ka dhuruar 3 asistime, duke qenë një nga pikat kyçe në repartin ofensiv të skuadrës

  • Policia ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

    Policia ndalon garat ilegale në autostradë, sekuestron 4 vetura

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë, ka ndërmarrë aksione gjatë javës së fundit.

    Sipas njoftimit, vetëm brenda një jave janë parandaluar tri raste të garave ilegale në autostradë, ku janë shqiptuar masa dhe gjoba ndaj shoferëve të përfshirë.

    Në njoftimin e Policisë thuhet: “ka arritur që në tri raste të parandalojë garat ilegale të shpejtësisë me automjete”, ndërsa janë shqiptuar gjithsej disa gjoba për shkelje të ndryshme në trafik.

    Po ashtu, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe automjete të dyshuara për modifikime teknike. Në njoftim theksohet: “gjatë vikendit janë sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikim në sistemin e tërheqjes”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.

    Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë rrugore, duke raportuar rastet e tilla dhe duke mos u përfshirë në gara ilegale. Në fund të njoftimit theksohet: “APELON tek të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor” dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për parandalimin e këtyre rasteve.

  • Adioni ‘vendos ultimatum’ Mozës: I ke 12 orë, do të të shkatërroj

    Adioni ‘vendos ultimatum’ Mozës: I ke 12 orë, do të të shkatërroj

    Në Ferma VIP situata mes Adiont dhe Mimoza Ahmetit ka eskaluar në një tjetër nivel tensioni, pas një përplasjeje të ashpër verbale brenda shtëpisë.

    Debati mes tyre është shoqëruar me tone të rënda dhe deklarata të forta nga ana e Adionit.

    Moza: S’më le të shijoj një pesëminutësh, ma more shpirtin.

    Adion: Do të ta marr, të kam thënë, do të të shkatërroj.

    Moza: Jo, unë s’të prek më me dorë ty. Do të lutesh. Kaq do ta bësh dhëmbin, unë nuk të prek më me dorë ty.

    Adion: Nuk do të ketë më shanse, ja unë, ja ti. Nuk do të ketë më shanse, ‘s’do të të prek më me dorë’. Ke kohë edhe 12 orë.

    Moza: Mos i ke ti 12 orë? Do t’u them, nxirrni nga arkiva krejt ato çka më ka bërë ky, barazohemi. Nuk do të luaj më me ty.

    Sipas dinamikës së krijuar në bisedë, Adioni i ka vendosur një ultimatum Mimozës, duke i lënë vetëm 12 orë kohë në kuadër të lojës dhe duke e kthyer përplasjen në një garë të hapur force brenda formatit.

    Kjo deklaratë ka shtuar edhe më shumë tensionin mes tyre dhe ka ndarë banorët në qëndrime të ndryshme.

    Ngjarja është komentuar gjerësisht edhe jashtë shtëpisë, ku rrjetet sociale janë mbushur me reagime të forta.

    Një pjesë e madhe e publikut e ka dënuar ashpër sjelljen e Adionit, duke e cilësuar të papranueshme dhe të tepruar për një format televiziv me audiencë të gjerë.

    @cloeosbuba #perteeee #albania #fermavip #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #kosovo🇽🇰 ♬ audio originale – CloeOSBuba