ATV

Blog

  • Barcelona refuzon 120 milionë euro nga Manchester United për Fermín López

    Barcelona refuzon 120 milionë euro nga Manchester United për Fermín López

    FC Barcelona ka marrë një vendim të prerë në mes të zhurmës së afatit kalimtar, duke refuzuar një ofertë prej 120 milionë eurosh nga Manchester United për mesfushorin Fermín López.

    Ky veprim konfirmon vlerësimin e lartë që klubi katalanas i jep lojtarit, i cili është shndërruar në një nga elementët me më shumë potencial në skuadër. Pavarësisht shumës së konsiderueshme, drejtuesit sportivë e konsiderojnë shitjen e tij në këtë moment si një gabim strategjik.

    Fermín López jo vetëm që është rritur si alternativë konkurruese, por është konsoliduar si një futbollist që përfaqëson identitetin e klubit: intensiv në presion, vertikal në lojë dhe me personalitet për të ndikuar në ndeshje të mëdha.

    Manchester United synonte të përfitonte nga shpërthimi i tij për të siguruar një mesfushor modern, me aftësi shënuese dhe energji të lartë, por është përballur me një refuzim të qartë. As shifra prej 120 milionë eurosh nuk ka ndryshuar planin e klubit katalanas.

    Edhe pse një shumë e tillë mund të ndikojë në planet financiare të shumë klubeve, përfshirë Barcelonën që vazhdon të monitorojë situatën ekonomike, mesazhi i brendshëm ka qenë i prerë: jo çdo lojtar me treg duhet të shitet.

    Klubi synon të ndërtojë rreth futbollistëve të formuar brenda dhe me potencial afatgjatë, jo t’i shesë sapo shfaqet një ofertë e majme. Qëndrimi për të mbajtur López dërgon një sinjal të fortë si brenda skuadrës, ashtu edhe në treg.

    Barcelona nuk dëshiron të perceptohet si një klub shitës kur bëhet fjalë për talentet e saj më të mirë. Edhe pse Manchester United mund të rikthehet me oferta të reja, qëndrimi aktual mbetet i pandryshuar: lojtari nuk është në shitje.

    Refuzimi i një oferte të tillë përfaqëson një deklaratë të qartë besimi ndaj një futbollisti që konsiderohet pjesë thelbësore e së ardhmes së klubit.

    Barcelona e sheh Fermín López si shumë më tepër sesa një mundësi përfitimi financiar. Në një skuadër që kërkon ekuilibër mes talentit të ri dhe performancës së menjëhershme, ai ofron një kombinim të vlefshëm, duke qenë i aftë të luajë në disa role në mesfushë dhe të ndikojë drejtpërdrejt në fazën sulmuese.

  • Vinícius Junior hyn në historinë e Real Madridit me një tjetër arritje golash

    Vinícius Júnior ka siguruar zyrtarisht vendin e tij mes golashënuesve më produktivë në historinë e Real Madrid.

    Duke arritur kuotën e 20 golave në të gjitha kompeticionet për këtë sezon, ai bëhet një nga lojtarët e paktë që ka shënuar mbi 20 gola në pesë ose më shumë sezone radhazi për klubin madrilen. Ky sukses e vendos sulmuesin brazilian në një grup elitar legjendash të klubit.

    Mes emrave me të cilët ai tashmë krahasohet janë Pahíno, Alfredo Di Stéfano, Ferenc Puskás dhe Hugo Sánchez.

    Në të njëjtën kohë, ai ndan këtë arritje edhe me ikonat moderne të klubit si Raúl González, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.

    Ky moment historik nënvizon vazhdimësinë mbresëlënëse të Vinícius Junior dhe transformimin e tij në një lider vendimtar në repartin ofensiv të “Los Blancos”.

  • OBSH lëshon deklaratë mbi shpërthimin e hantavirusit

    OBSH lëshon deklaratë mbi shpërthimin e hantavirusit

    Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Henri P. Kluge, ka lëshuar një deklaratë në lidhje me shpërthimin e hantavirusit në një anije në Atlantik.

    “Po veprojmë me urgjencë për të mbështetur reagimin ndaj ngjarjes së hantavirusit në bordin e një anijeje turistike në Atlantik, pas humbjes tragjike të jetës”, tha drejtori.

    Raportohet se OBSH po punon për të mbështetur kujdesin mjekësor, evakuimin, hetimet dhe vlerësimin e rrezikut të shëndetit publik.

    “Jam në kontakt të ngushtë me ekipet tona për të siguruar një përgjigje të koordinuar dhe të bazuar në shkencë. Falënderoj autoritetet e Afrikës së Jugut për mbështetjen e tyre të shpejtë, duke përfshirë kujdesin për një pacient në Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi P. Kluge.

    Ndryshe, infeksionet nga hantavirusi janë të rralla dhe zakonisht lidhen me ekspozimin ndaj brejtësve të infektuar.

    Ndërsa të rënda në disa raste, nuk transmetohen lehtësisht midis njerëzve.

    Sipas drejtorit rajonal të OBSH-së, rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët. “Nuk ka nevojë për panik ose kufizime udhëtimi”. Tha ai.

  • Tragjedia në Durrës, reagon shkolla e nxënësve: Humbje për gjithë komunitetin

    Tragjedia në Durrës, reagon shkolla e nxënësve: Humbje për gjithë komunitetin

    Pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ka reaguar edhe shkolla e tyre, duke shprehur dhimbje të thellë për humbjen e nxënësve.

    Në mesazhin e saj, shkolla thekson se kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet, por për gjithë komunitetin dhe këdo që i ka njohur, teksa u shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte.

    Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe.

    Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona”.

  • Haradinaj: Zjarrfikësit krenaria e shtetit, meritojnë më shumë mbështetje dhe respekt

    Haradinaj: Zjarrfikësit krenaria e shtetit, meritojnë më shumë mbështetje dhe respekt

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar zjarrfikësit si një nga shtyllat më të rëndësishme të shërbimit publik në vend.

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, Haradinaj shkroi se pavarësisht kushteve të vështira dhe mungesës së mbështetjes së duhur, sipas tij, në vitet e fundit, zjarrfikësit nuk janë ndalur asnjëherë në kryerjen e detyrës së tyre.

    “Krenaria e shtetit tonë janë zjarrfikësit. Në kushte të vështira, të lënë anash dhe pa mbështetjen e duhur nga qeverisja e fundit, ata nuk u ndalën asnjëherë. Me përkushtim dhe guxim, çdo ditë janë në vijën e parë në shërbim të qytetarëve. Sot, më shumë se kurrë, meritojnë respektin, vlerësimin dhe përkrahjen për shërbimin ndaj vendit. Mirënjohje e thellë për secilin prej tyre. 4 maj Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve”, shkroi Haradinaj.

  • Blerim Latifi ironizon me “projektin letrar” për Agim Bahtirin: Paralajmërim i një epoke të re, me një kult të ri lideri

    Blerim Latifi ironizon me “projektin letrar” për Agim Bahtirin: Paralajmërim i një epoke të re, me një kult të ri lideri

    Profesori i filozofisë, Blerim Latifi ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj një deklarate publike, sipas së cilës një person po punon në shkrimin e “8 vëllimeve” për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri.

    Në reagimin e tij, Latifi përdor një ton ironik për të komentuar përmasat e projektit, duke thënë se së shpejti publiku mund të ketë në duar disa libra voluminozë për Bahtirin, secili me rreth 500 faqe, që në total arrijnë në mijëra faqe – një përmasë që ai e krahason me vepra klasike si “Lufta dhe Paqja” e Lev Tolstoi dhe “Kapitali” i Karl Marksit.

    “Po pra, së shpejti do të kemi “nderin” t’i kemi në duar pesë libra mbi Agim Bahtirin. Secili vëllim me nga 500 faqe. 2500 faqe në total. Pak a shumë sa “Lufta dhe Paqja” e Lev Tolstoit dhe “Kapitali” i Karl Marksit. Mos të qeshim para kohe. Kjo punë “kolosale” në “Republikën e Letrave Kosovare” mund të jetë paralajmërim i një epoke të re, me një kult të ri lideri. Nuk është hera e parë, dhe as do të jetë e fundit, që turmat e çmendura i vendosin në fron palaçot dhe kllounët”, shkroi Latifi.

    “Flitet se Isak Njuton një herë ka thënë: Unë mund të llogaris lëvizjen e trupave qiellorë, por jo edhe marrëzinë e njerëzve”, shtoi ai.

  • Arbnor Ramadani shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

    Arbnor Ramadani shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

    Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili këtë herë i është dhënë futbollistit të KF Llapi, Arbnor Ramadani, si lojtari më i dalluar i javës së 32-të në elitën e futbollit kosovar.

    Ky vlerësim është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka veçuar paraqitjet e Ramadanit gjatë kësaj jave.

    Pas pranimit të çmimit, Ramadani u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e ekipit dhe fokusin për ndeshjet e ardhshme.

    “E kemi pasur një ndeshje ndaj një kundërshtari shumë të fortë si FC Ballkani. Nuk kemi pasur shumë kohë për përgatitje, por kemi hyrë në fushë pa pasur çfarë të humbim, duke dhënë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

    Fondi i lojtarëve në klubin tonë është mjaft i pasur dhe besoj se pozita ku gjendemi aktualisht nuk është reale. Megjithatë, disa rezultate të dobëta radhazi na kanë sjellë në këtë situatë.

    Do të japim maksimumin për të dalë nga kjo gjendje dhe për të shmangur barazhin. Fillimisht dua ta falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë vlerësim. Ky çmim i dedikohet të gjithë bashkëlojtarëve, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur të shpallesha ‘Ylli i Javës’. Tani jemi të fokusuar 100% në ndeshjet e radhës dhe shpresojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

  • 50 mijë euro garanci për të dalë nga burgu, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës

    50 mijë euro garanci për të dalë nga burgu, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës

    Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzon kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”, me një masë më të butë. Paralelisht, në GJKKO do të shqyrtohet e njëjta kërkesë për lirimin nga qelia.

    Vendimi u mor nga gjyqtare Saida Dollani, e cila nuk mori parasysh ofrimin e garancisë pasurore në vlerë 50 mijë euro.

    Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

    Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

    Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.

  • Michael Carrick vendos rekord historik në “Old Trafford”me fitoren e Man United kundër Liverpool

    Manchester United ka regjistruar një fitore dramatike 3-2 në “Old Trafford” ndaj rivalit të përhershëm Liverpool, në kuadër të javës së 35-të të Ligës Premier, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund.

    Kjo fitore nuk ka rëndësi vetëm për garën në tabelë, por edhe për historinë personale të trajnerit Michael Carrick.

    Me këtë sukses, ai bëhet trajneri i parë anglez që arrin të fitojë të paktën 8 nga 9 ndeshjet e para në shtëpi në Ligën Premier, një statistikë që nënvizon ndikimin e tij të menjëhershëm në drejtimin e skuadrës. Në nivel të përgjithshëm, Carrick hyn në një grup të ngushtë trajnerësh elitarë, duke u bërë vetëm i gjashti që arrin këtë shifër mbresëlënëse në ndeshjet e para si vendas.

    I fundit që kishte realizuar një ecuri të tillë ishte Antonio Conte gjatë sezonit 2016/17, kur ai udhëhoqi skuadrën e tij drejt titullit kampion.

    Përveç rekordit personal, kjo fitore forcon ndjeshëm pozitat e Manchester United në renditje. “Djajtë e Kuq” tashmë mbajnë vendin e tretë me 64 pikë, duke siguruar matematikisht një vend në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

    Forma e mirë në ndeshjet si vendas dhe stabiliteti i treguar në fazën përfundimtare të sezonit po e konfirmojnë Manchester United si një nga skuadrat më konkurruese të këtij edicioni, ndërsa puna e Carrick po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një nga faktorët kyç të këtij suksesi.

  • Kurti e Rama në foton familjare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian

    Kurti e Rama në foton familjare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian

    Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, u ka uruar mirëseardhje pjesëmarrësve të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për forcimin e bashkëpunimit në kontinent.

    Përmes njoftimit në X, ai është shprehur se është “kënaqësi e madhe të mirëpresë kolegët dhe partnerët në Jerevan”, duke e cilësuar kryeqytetin armen si “zemra rrahëse e Evropës” gjatë këtij samiti.

    Pashinyan ka theksuar gjithashtu se pret diskutime mbi çështje kyçe dhe angazhime që do të çojnë drejt partneriteteve më të forta dhe më premtuese mes vendeve pjesëmarrëse.

    Krahas mesazhit, ai ka publikuar edhe foton familjare të liderëve që marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Në mesin e tyre ndodhen edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.