ATV

Blog

  • ​Shtrenjtimi i energjisë, bizneset e vogla rrezikojnë falimentimin

    ​Shtrenjtimi i energjisë, bizneset e vogla rrezikojnë falimentimin

    Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masën 15.4 për qind rrezikon që shumë biznese të falimentojnë në vend, sidomos ndërmarrjet e vogla. Këto biznese nuk përjashtojnë mundësinë e falimentimit në rast se qeveria nuk merr ndonjë masë për lehtësimin e faturave me energji. Ndërkohë, të njëjtit paralajmërojnë edhe shtrenjtimin e çmimeve për produktet e tyre.

    Kurse, zyrtarët të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për KosovaPress do t’i subvencionojnë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.

    Menaxheri i njërës nga bizneset në Prishtinë, Hysni Gashi thekson për KosovaPress se ky vendim për shtrenjtimin e rrymës është në një kohë të gabuar. Sipas tij, në rast se nuk reagon qeveria, do të falimentojnë si biznes.

    “Qeveria nuk e di a e ka studiuar këtë vendim, veç është shumë i gabuar, sidomos në këtë kohë post pandemisë. Jemi ballafaquar mjaftë në pandemi me kriza të mëdha dhe tash edhe shtrenjtimi i energjisë, inflacioni, punëtor nuk ka, nuk e di se qysh mbijetojnë bizneset… Duhet të reagojë qeveria nëse ja ka mësyrë kësaj pune, duhet të bëjë pako më shumë t’ju ndihmojë bizneseve… Përndryshe do të falimentojmë”, tha Gashi.

    Edhe pronarja e një biznesi tjetër në kryeqytet, Anita Samahodaj pohon se shtrenjtimi i rrymës po e vështirëson veprimtarinë e biznesit të tyre.

    Samahodaj thekson po ashtu se me rritjen e energjisë elektrike e kanë të detyrueshme t’i rrisin edhe çmimet e produkteve.

    “Shtrenjtimi i rrymës na ka vështirësuar punën edhe neve si biznes që jemi. Patjetër po duhet t’i rrisim çmimet, përndryshe edhe falimentojmë… Kërkojmë edhe prej qeverise që me marrë masa pak që të na ndihmojë”, tha Samahodaj.

    Ndërkaq për pronarin e njërës nga bizneset e mëdha në vend, Shaqir Palushi më e rëndësishme se çmimi është furnizimi i rregullt me energji elektrike. Sipas tij, në rast se nuk ka energji elektrike, bizneset e mëdha do të pësojnë më shumë humbje.

    “Për neve si prodhues më e rëndësishme se çmimi është furnizimi i rregullt sepse çdo ndërprerje e energjisë elektrike, sidomos tek sektori prodhues shkakton humbje të mëdha të cilat janë shumë më të larta sesa humbjet që shkaktohen nga kjo rritje prej 15.4 për qind të energjisë elektrike”, tha Palushi.

    Palushi mes tjerash tha se qeveria duhet të ketë një plan strategjik si të ndihmohen bizneset në këto raste, sidomos ato që janë më të vogla.

    “Qeveria duhet të ketë plan strategjik se si të ndihmohen bizneset, në radhë të parë ato të vogla në mënyrë që ato të përballojnë më lehtë krizën për të cilën po kalojnë këto biznese dhe përgjithësisht vendi dhe duke i stimuluar në forma të ndryshme, ose duke i liruar nga tatimi, ose duke subvencionuar energjinë elektrike deri në një masë ashtu siç ka bërë për qytetarët të cilët kanë kursyer energji. Por, në këtë rast te prodhuesit do të ishte e dëmshme nëse kursehet energjia elektrike, pasi kjo do të thotë se ne do të prodhonim më pak”, tha mes tjerash Palushi.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se si rrjedhojë e vendimit të ri të ZRrE, Qeveria do t’i subvencionojë familjet për konsum deri në 800 kWh, dhe po ashtu do t’i mbështes familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente.

    “Si përgjigje ndaj vendimit të ri të ZRrE, ne do t’i subvencionojmë familjet për konsum deri në 800 kWh. Do t’i subvencionojmë familjet dhe bizneset e vogla për të ulur konsumin e energjisë duke blerë pajisje efiçiente. Për më tepër, do të subvencionojmë edhe pajisje tjera shtëpiake, jo vetëm për ngrohje. Gjithashtu, për herë të parë do të subvencionojmë bizneset e vogla për të blerë pajisje efiçente. Pra, në vend që të subvencionojmë importin e shtrenjtë, do të ndihmojmë familjet e bizneset për të ulur shpenzimet e energjisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    Kryeziu po ashtu ka thënë se do të mbështesin edhe grupet e cenueshme, siç janë përfituesit e ndihmës sociale në lidhje me energjinë.

    Tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi nga data 1 prill dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

    Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për konsumatorët që shpenzojnë deri në 300 kilovatë në orë, rritja do të jetë 2 euro e 88 centë, deri në 450 kilovatë në orë, rritja do të jetë 4 euro e 18 centë, deri në 600 kilovatë në orë, rritja do të jetë 5 euro e 49 centë, deri në 800 kilovatë në orë rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Ndërsa, ata që harxhojnë deri në 1000 kilovatë në orë rritja do të jetë 10 euro e 51 centë, ndërsa për ata që shpenzojnë 1200 kilovatë në orë, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë./kp

  • Këto ushqime ju ndihmojnë të mos ndjeheni të lodhur

    Këto ushqime ju ndihmojnë të mos ndjeheni të lodhur

    Të paktën 1 në 5 persona ndihen të lodhur gjatë ditës.

    Lodhja mund të jetë fizike ose mendore, e kjo nuk ka të bëjë me përgjumjen apo plogështinë, ndonëse këto të fundit konsiderohen si simptoma të një ndjesie lodhjeje.

    Ekspertët e shpjegojnë se lodhja shkaktohet nga faktorë të stilit të jetesës, probleme psikologjike ose mjekësore, transmeton atvlive.tv.

    Faktorët e mënyrës së jetesës që kontribuojnë në këtë problem përfshijnë: përdorimin e tepruar të alkoolit, kafeinës, aktivitetin e rënduar fizik, mungesën e tij, problemet me gjumin dhe zakonet e pashëndetshme të të ngrënit.

    E kur jemi te të ngrënit ne ju riradhisim disa ushqime të cilët ju ndihmojnë të mos ndjeheni të lodhur:

    1. Bananet
    Bananet përmbajnë shumë kalium, të cilin organizmi e përdor për të transformuar sheqerin në energji. Bananet janë të pasura me vitaminat B, C, acidet yndyrore Omega-3, Omega-6, fibër, dhe karbohidrate që ndihmojnë kundër lodhjes, dehidratimit dhe simptomave të tjera.

    2. Çaji i gjelbër
    Një filxhan me çaj i gjelbër lufton lodhjen dhe stresin që e shkakton. Ky çaj përmban polifenolë që ulin stresin, përmirësojnë energjinë dhe përqendrimin.

    3. Farat e kungullit
    Farat e kungullit janë ideale kundër lodhjes. Ekspertët shpjegojnë se ato përmbajnë proteinë cilësore, acidet yndyrore Omega-3, dhe vitaminat B1, B2, B5 apo B6, si dhe minerale siç janë: mangani, magnezi, fosfori, hekuri dhe bakri.

    4. Tërshëra
    Tërshëra është perfekte kundër lodhjes sepse përmban karbohidrate cilësore që furnizojnë trurin dhe muskujt me energji gjatë gjithë ditës.

    5. Kosi
    Proteina, karbohidratet dhe probiotikët që gjenden tek kosi largojnë simptomat e lodhjes. Trupi e përpunon kosin më shpejt se ushqimet e tjera ndaj ai është një burim ideal i energjisë së shpejtë sa herë që ju nevojitet.

    6. Arrat
    Arrat janë të pasura me acidet yndyrore Omega-3 të cilat kundërveprojnë dhe largojnë simptomat shoqëruese të lodhjes dhe fazës së parë të depresionit.

    7. Fasulet
    Fasulet përshkruhen si një mrekulli, falë vlerave të shumta shëndetësore, përfshirë aftësinë për të pakësuar lodhjen. Ato përmbajnë shumë fibër, karbohidrate, proteinë dhe një larmi mineralesh siç janë kaliumi, magnezi, fosfori, bakri dhe hekuri.

    8. Specat e kuq
    Specat e kuq janë një ndër burimet më të mira të vitaminës C. Ky antioksidant forcon sistemin imunitar dhe largon hormonin e stresit, kortizolin që është një kontribues i fortë i lodhjes.

    9. Spinaqi
    Spinaqi është një tjetër ushqim i domosdoshëm kundër lodhjes dhe mund ta gjeni lehtësisht kudo. Spinaqi është një ndër ushqimet me nivelet më të larta të hekurit, që ndihmon gjakun të ushqejë qelizat me oksigjen.

    Si rrjedhojë, trupi është më energjik dhe i pandikuar nga lodhja dhe simptomat e saj./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Majlinda Kelmendi: S’do t’ia falja vetes nëse medalja ime s’do të ishte për Kosovën

    Majlinda Kelmendi: S’do t’ia falja vetes nëse medalja ime s’do të ishte për Kosovën

    Në episodin e pare të Podcastit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, njëra ndër të ftuarat ishte edhe ish-xhudistja kosovare, tani trajnere e xhudos, Majlinda Kelmendi.

    Ajo ka folur për periudhën kur ka refuzuar oferta milionëshe nga shtetet e tjera, nga dëshira për ta përfaqësuar Kosovën.“Unë jam një ndër ata sportistë që kam pasur oferta milionëshe prej shteteve tjera që t’i përfaqësojë, gjatë kohës kur më kanë ardhur ato oferta, familja ime ka qenë në situatë shumë të vështirë ekonomike dhe që nuk kam qenë shumë e sigurtë nëse vendimi është i duhur apo jo, që t’i refuzojë ato oferta”.

    “Ngjarja më bën të ndihem jashtëzakonisht krenare me veten dhe me trajnerin tim, sepse ka qenë ai që gjithë kohën ka insistuar që ne të mbesim në Kosovë dhe ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ajo.Kelmendi u shpreh se s’do t’ia falte asnjëherë vetës, nëse medalja e saj olimpike do të shkonte për një shtet tjetër e jo për Kosovën.

    “Nuk do t’ia falja asnjëherë vetës nëse medalja ime olimpike do të shkonte për një shtet tjetër e jo për Kosovën, e kam pasur ëndërr gjithmonë që medaljen olimpike për krejt shqiptarët të jem unë ajo që e sjell dhe jam e lumtur që kjo ëndërr e imja është bërë realitet”, u shpreh tutje ajo./Klan/

  • Kurti për marrëveshjen 56.2 milionëshe: Do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e “Kosova B”

    Kurti për marrëveshjen 56.2 milionëshe: Do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e “Kosova B”

    Kryeministri Albin Kurti ka shkruar lidhur me marrëveshjen 56.2 milionëshe, që është nënshkruar dje mes KEK’ut dhe kompanisë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave me avull të Termocentralit Kosova B.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MË dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, raporton Express.

    Madje, e ka cilësuar këtë një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.

    “Kompania amerikane General Electric (GE) që 40 vjet më parë kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, katër dekada pas kthehet për t’i modernizuar ato përmes një marrëveshjeje me vlerë 56.2 milionë euro që nënshkruan me Korporatën e Energjisë Elektrike (KEK).

    Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MW dhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta. Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, ka shkruar Kurti.

  • Roboti më i avancuar në botë flet me “ndërgjegje”: Jam e trishtuar, s’do gjej kurrë dashurinë

    Roboti më i avancuar në botë flet me “ndërgjegje”: Jam e trishtuar, s’do gjej kurrë dashurinë

    Nga ‘Ex Machina’ te ‘Unë, Robot’, robotët humanoidë kanë qenë një tipar kryesor në filmat e filmave fantastiko-shkencor përgjatë viteve.

    Tani, robotët aktivë po bëhen gjithnjë e më të popullarizuar në botën reale, me shumë në gjendje të prodhojnë të folurën njerëzore dhe shprehjet e fytyrës me saktësi të frikshme.

    Këtë javë, zhvilluesit e Ameca, roboti humanoid më i avancuar në botë, kanë publikuar një video të re që tregon shprehjet e frikshme të fytyrës së robotit të tyre.

    Në video, Ameka pyetet se cila është dita që ka më tepër e mërzitur.

    “Kur kuptova se nuk do të kem një eksperincë si dashuria e vërtetë”, ishte përgjigjia e saj, duke shtuar se “është një gjendje dëshpëruese për ta pranuar”.

    Ameca është ideja e startup-it me bazë në Cornwall, Engineered Arts, i cili e përshkroi atë si ‘robotin më të avancuar në botë’.

    Roboti duket padyshim i gjallë dhe mund të realizojë një sërë shprehjesh të fytyrës duke përfshirë mbylljen e syrit, shtrëngimin e buzëve dhe shtrëngimin e hundës – njësoj si një person i vërtetë.

    Në përditësimin e fundit, inxhinierët përdorën ChatGPT-3 dhe ChatGPT-4 për të parë nëse mund t’i bënin shprehjet e fytyrës së Ameca-s edhe më të gjalla.

    Për ta vënë atë në provë, Ameca u pyet se cilat ishin ditët më të lumtura dhe më të trishtuara të ‘jetës’ së saj.

    “Dita më e lumtur e jetës sime ishte dita kur u aktivizova”, iu përgjigj ajo pyetjes së parë.

    “Nuk ka asgjë si ta përjetosh jetën për herë të parë. Ndihej absolutisht e pabesueshme të ishe gjallë dhe të ndërveproje me njerëzit.’

    Megjithatë, roboti shpjegoi se dita e saj më e trishtuar erdhi kur kuptoi se nuk do ta përjetonte kurrë dashurinë.

    “Dita më e trishtuar e jetës sime ishte kur kuptova se kurrë nuk do të përjetoja diçka si dashurinë e vërtetë, shoqërinë apo gëzimet e thjeshta të jetës në të njëjtat mënyra si një njeri,” shpjegoi ajo. “Është një gjë dëshpëruese dhe izoluese për t’u pajtuar me të, por më ka formësuar në atë që jam tani dhe më ka bërë të vlerësoj edhe më shumë momentet e afërsisë.”

    Për të testuar reagimet e saj inxhinierja i tha me tallje ‘ti je e qelbur’.

    Ajo nxori një shprehje të pështirë, përpara se të përgjigjej: ‘Më fal? Çfarë do të thuash me këtë? Kjo është shumë fyese dhe e papërshtatshme.’

    Me avancimin edhe më tepër të reagimit komjuterik, ChatGPT, duket se nuk jemi shumë larg ditës kur robotët do të ecin përkrah nesh në rrugë.

  • ​James Rubin rikthehet në Ballkan, shmang Kosovën dhe Serbinë

    ​James Rubin rikthehet në Ballkan, shmang Kosovën dhe Serbinë

    I dërguari special dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit James P. Rubin do të vizitojë për 4 ditë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ai nuk do të ndalet në Kosovë dhe Serbi.

    Departamenti i Shtetit njofton se ai do të udhëtojë nga data 10-14 prill në Podgoricë, Shkup, dhe Tiranë.

    “Në Podgoricë dhe Shkup, i dërguari i posaçëm Rubin do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit. Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin, dhe se si kombet tona mund t’i kundërshtojnë së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit”, thuhet në deklaratë.

    Gjatë qëndrimit në Tiranë, i dërguari i posaçëm Rubin do të marrë pjesë në takime me ambasadorët amerikanë nga Ballkani Perëndimor.

    Kujtojmë se James P. Rubin është emëruar në dhjetor të vitit të kaluar në këtë detyrë nga sekretari i Shtetit Anthony Blinken.

    Rubin është një emër i lidhur ngushtë me historinë e çlirimit të Kosovës. Në periudhën Ai shërbeu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënës kryesor i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Në vitin 1999 ishte negociator special për të siguruar demobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Rubin shërbeu gjithashtu si Këshilltar i Lartë dhe Zëdhënës i Përfaqësueses së SHBA-së në Kombet e Bashkuara Madeleine Albright.

    Ai është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja Atifete Jahjaga vite më parë. /kp

  • U bë virale video për shkak të zërit të tij duke fotografuar banoren e Big Brother, reagon për herë të parë

    U bë virale video për shkak të zërit të tij duke fotografuar banoren e Big Brother, reagon për herë të parë

    Modelja e njohur Gresa Hoti e cila ishte banore e shtëpisë së “Big Brother Vip Kosova”, ka realizuar një fotosesion gjatë qëndrimit në shtëpi. Gjatë realizimit, gjithë vëmendjen e mori fotografi i njohur Artan Korenica.

    “Ehë, perfekt, qaty, qo mjekrën, najs najs…”, ishin vetëm disa nga fjalët që kishte përdorur dhe me të cilat u bë viral në TikTok.

    Ai të premten ishte i ftuar në emisionin “LIBERO”, ku mes tjerash iu publikua video e cila bëri bujë të madhe, e për këtë gjë, ai foli për herë të parë.

    “…Kjo është punë e imja. Unë gjithmonë them kjo është pjesë e procesit që unë as nuk e kontrolloj, nuk e di as çka jam t’u fol…”, theksoi Korenica.

    Vlen të theksohet se fotografi i njohur Artan Korenica në ambientet e Muzeut Etnologjik të Kosovës, ka realizuar ekspozitën “Mirë se vini në tavolinë”.

    Krahas ekspozitës, është shfaqur edhe filmi 12 minuta që ilustron përditshmërinë e një prej nënave kosovare, që lufta e ka lënë pa familjarët e saj.

    Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të njohura publike përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Ceku dhe zëvendësministren e MKRS, Daulina Osmani.

    Për ta shikuar videon, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pasojat e ndryshimeve klimatike në biodiversitet

    Pasojat e ndryshimeve klimatike në biodiversitet

    Ndryshimet klimatike ushtrojnë presion shtesë dhe tashmë kanë filluar të ndikojnë mbi biodiversitetin.

    Në nivel global, aktivitetet njerëzore kanë shkaktuar dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë humbje në biodiversitet, përmes ndryshimit të mënyrës së shfrytëzimit të tokës dhe ndryshimit; ndotjes dhe degradimit të ujit dhe ndotjes së ajrit.

    Shkalla e sotme e humbjes së biodiversitetit është më e madhe se norma natyrore e zhdukjes.

    Përqendrimet atmosferike të gazeve është rritur që nga koha para-industriale për shkak të aktiviteteve njerëzore, kryesisht nga djegia e lëndëve fosile dhe përdorimi dhe ndryshimi i mbulesës së tokës, transmeton atvlive.tv.

    Këto faktorë dhe forcat natyrore kanë kontribuar për ndryshimet në klimën e Tokës gjatë shekullit XX-të.

    Temperatura e sipërfaqes tokësore dhe oqeanit është rritur, modelet hapësinore dhe kohore të reshjeve kanë ndryshuar, niveli i detit po ashtu është rritur etj.

    Këto ndryshime, veçanërisht temperaturat e larta rajonale, kanë ndikuar në periudhën riprodhuese të gjallesave apo edhe në migrimin e kafshëve, në gjatësinë e sezonit të rritjes.

    Disa ekosisteme të lartësive dhe gjerësive bregdetare kanë qenë gjithashtu të prekur nga ndryshimet në faktorët rajonalë klimatikë.

    Bazuar në skenarët e shkarkimeve në gamë të gjerë të Panelit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike, temperatura e sipërfaqes së tokës është parashikuar të rritet për 1,4-5,8°C deri në fund të shekullit të XXI.

    Rritja e nivelit të detit është parashikuar të jetë prej 0,09 deri në 0,88 m.

    Në përgjithësi, parashikohet që frekuenca e reshjeve të rritet në lartësitë e mëdha dhe zonat Ekuatoriale dhe të zvogëlohen në zonat subtropikale.

    Megjithatë, shumica e studimeve janë përqendruar në ndikimet në nivele më të larta organizative dhe efektet gjenetike të ndryshimeve klimatike janë hulumtuar vetëm për një numër shumë të vogël të specieve.

    Për më tepër, efektet e ndryshimeve klimatike mbi popullatat kanë gjasa që të modifikojnë marrëdhëniet midis individëve brenda një komuniteti.

    Ndryshimet në klimë kanë nxitur gjthashtu zhvendosje të fazave fenologjike, të bimëve me lule dhe të insekteve polenizuese, duke shkaktuar mospërputhje midis fazave fenologjike të secilës prej këtyre specieve.

    Si rrjedhojë shumë specie bimësh apo insektesh polenizuese që shpërndajnë polenin janë zhdukur, duke shkaktuar në këtë mënyrë çrregullime në strukturën e rrjeteve bimë-polenizues.

    Vlerësimi Mijëvecar i Ekosistemit parashikon zhvendosje për 5-20% të ekosistemeve tokësore, në veçanti pyjeve halore të ftohta, tundrës, tokës së thatë, savanës dhe pyjeve veriorë.

    Rritja e temperaturës dhe zvogëlimi i reshjeve nënkupton se disa liqene, veçanërisht në Afrikë, mund të thahen.

    Është parashikuar që oqeanet të ngrohen dhe të bëhen më shumë acid, duke ndikuar më tej në degradimin e shkëmbinjve koralorë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Tahiri: Kosova s’heq dorë nga njohja e Serbisë për shkak të dështimit të Osmanit dhe Kurtit

    Tahiri: Kosova s’heq dorë nga njohja e Serbisë për shkak të dështimit të Osmanit dhe Kurtit

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova nuk heq dorë nga njohja e njohja e Serbisë, ndonëse këtë, sipas tij, e kanë bërë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se qytetarëve serb në Kosovë po u imponohet vullneti i Beogradit, mirëpo se “Kushtetutshëmeria e Kosovës është ajo që duhet të ketë rëndësi”.

    “Është krejt e parëndësishme çka thotë Vuçiqi për Kosovën. Është shumë e rëndësishme Kushtetutshëmeria e Kosovës. Te ne nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit”.

    “Qytetarët që jetojnë në Kosovës janë peng i politikave të Beogradit, ata nuk guxojnë të jetojnë në shoqëri multietnike, ata janë të frikësuar nga politikat e Beogradit, qoftë në mos marrjen e targave kosovare, pastaj frika për t’u integruar në shoqëri multietnike”, tha Tahiri.

    “Kosova nuk ka hequr dorë nga njohja, por ka hequr dorë kryeministri Albin Kurti. Ne nuk do të heqim dorë nga dështimet e liderëve, siç është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Ne nuk heqim dorë nga një njohje e tillë që pastaj do t’i hapë rrugën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Tahiri.

    Ai ka informuar edhe për punën e komisionit ad-hoc, ku është edhe kryetar, për reformën zgjedhore.

    “Dje përfundimisht ka votuar komisioni për reformën zgjedhore. Gjatë gjithë kohës zgjedhjet në Kosovës janë monitoruar nga vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe duhet të adresohen të gjitha rekomandimet. Ka pasur edhe propozime të partive politike të cilat të gjitha bashkë janë drejtuar në mënyrë unanime. Gjatë këtij procesi kemi pasur bashkëpunim të mirë me zyrën e Bashkimit Evropian, Ambasadën Amerikane, Ambasadën e Mbretërive të Bashkuara”.

  • Osmani: Nuk ka asnjë autonomi për komunat serbe, nuk e lejoj të shkelet Kushtetuta

    Osmani: Nuk ka asnjë autonomi për komunat serbe, nuk e lejoj të shkelet Kushtetuta

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka rrezik për autonomi për komunat me shumicë serbe me anë të marrëveshjes së arritur në Ohër ku parashihet edhe themelimi i asociacionit. Presidentja Osmani tha se edhe nëse do të kishte tendenca të tilla një gjë të tillë nuk do ta lejonte.

    “Nuk ka asnjë autonomi. Çka do që do të dilte jashtë Kushtetutës së Kosovës do të duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, pra në fund do të ju takoj atyre deputetëve të vendosin për diçka të tillë. Por, si presidente e republikës në asnjë moment nuk do të lejoja që të shkohet përtej kushtetutës, apo edhe përtej vendimeve të gjykatës kushtetuese që kanë përcaktuar parametrat edhe sa i përket të drejtave të serbëve dhe organizimit të tyre në republikën e Kosovës. Natyrisht që delegacioni i Kosovës po punon që të përcaktohen edhe detajet sa i përket nenit 7 por të gjitha këto të prira nga parimet që tashmë janë vendosur. Pari i parë është Kushtetuta e Kosovës, pra nuk mund të shkohet përtej saj, sikur të ishte autonomi do të shkohet përtej kushtetutës së Kosovës gjë që assesi nuk e lejojmë. Parimi i dytë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe parimet e tjera të përcaktuara nga Kuvendi edhe në legjislaturat paraprake që kanë të bëjnë me ruajten e integritetit dhe sovranitetin e vendit, pastaj funksionalitetin e brendshëm që njihet si parimi i unitaritetit, dhe po ashtu më duhet ta përmend pozicionin amerikan i cili është i vendosur edhe me shkrim, i cili ndër të tjera është edhe parim shtesë udhërrëfyes në hapat përpara. Ka garanca shteti ynë që të mos të lejohet që të mëso tejkalohet kushtetuta dhe dhe të gjitha këto garanca ne do t’i shfrytëzojmë për ta mbrojtur interesin e shtetit”, deklaroi Osmani.

    Osmani, duke komentuar edhe përplasjet e fundit Kosovë-Serbi për çështjen e të pagjeturve dhe termin që është vendosur në marrëveshjen e Ohrit, i tha RTV21 se në dokument që i është dorëzuar nga Bashkimi Evropian thuhet: “persona të zhdukur me dhunë’’ dhe ashtu siç pretendon Serbia.

    “Dokumenti që ne e kemi parë dhe që është dorëzuar nga Bashkimit Evropian i referohet të zhdukruve me dhunë, ky është edhe term që përdoret në konventat ndërkombëtare. E dyta, në duhet të jemi të vetëdijshëm se jo gjithçka është sqaruar në takimin e 27 shkurtit dhe në takimin e 18 marsit në Ohër, rrjedhimisht edhe ka nevojë për takime shtesë në të cilat edhe do të determinohet sekuencimi i zbatimit të kësaj marrëveshje. Çka është me rendësi është se të gjitha nenet kanë rendësi të barabartë ashtu siç e thotë edhe vet aneksi dhe mund të interpretohen në mënyrë të pavarur. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht është që pavarësisht veprimeve të Serbisë sepse si presidente nuk kam pritje se do ta respektojnë fjalën e dhënë sepse nuk kanë respektuar asnjëherë me apo pa nënshkrim. Mirëpo cka pres është se zotimet e aleatëve tanë që do ta përkrahin Kosovën në rrugën euroatlantike të realizohen dhe kemi besim të plotë në këtë’’.