ATV

Blog

  • 24 vjet nga Beteja e Koshares

    24 vjet nga Beteja e Koshares

    Janë bërë 24 vjet nga Beteja e Koshares e cila konsiderohet si një ndër betejat më të përgjakshme dhe heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Të shtunën e 9 prillit janë bërë 24 vjet nga Beteja e Koshares.

    Kjo betejë konsiderohet si një ndër betejat më të përgjakshme dhe heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Beteja e Koshares është zhvilluar më 9 prill 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta” në brigadën 138, në krye të së cilës ishte Agim Ramadani.

    Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në Kosovë.

    Kjo betejë kishte rëndësi të veçantë jo vetëm në marrjen dhe pastrimin e kufirit, por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike.

    Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet më të suksesshme të forcave të UÇK-së për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj.

    Më pas kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

  • 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës

    15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës

    Sot janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi.

  • ​Hovenier: Mbetet për t’u bërë më shumë për romët e Kosovës

    ​Hovenier: Mbetet për t’u bërë më shumë për romët e Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka shkruar se në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, festojnë trashëgiminë e pasur të komunitetit rom, duke pranuar sfidat dhe diskriminimin me të cilin ata vazhdojnë të përballen.

    Hovenier ka shkruar në Facebook se mbetet për t’u bërë më shumë për të siguruar që romët e Kosovës të kenë qasje të barabartë në arsim, punësim dhe shërbime qeveritare.

  • Edith Harxhi: Gjyqi i Hagës proces i padrejtë, po hedhin baltë mbi historinë e lavdishme të Kosovës

    Edith Harxhi: Gjyqi i Hagës proces i padrejtë, po hedhin baltë mbi historinë e lavdishme të Kosovës

    Edith Harxhi, ish-zëvendës ministre e Jashtme, e ftuar sot në “Kjo Javë” në News24, foli lidhur me gjyqin në Hagë për ish-liderët e UÇK-së. Ajo u shpreh se ky është një proces i padrejtë dhe që përbalt një pjesë të lavdishme të historisë së shqiptarëve.

    “Është një proces i padrejtë sepse hedh baltë në një pjesë të historisë për popullin shqiptar që për ne do mbetet e lavdishme. Jemi një vend që si një shtet demokratik, jemi palë e drejtësisë ndërkombëtare. Sot po kuptojmë që sa më tepër të mundohen të na bëjnë presion nga jashtë, duhet të dimë si të tregohemi vende sovrane, dhe Kosova nëse do kishte shpjeguar që atëherë se cilat ishin qëllimet e Dick Marty, dhe cilët ishin ata që kishin shkaktuar një dramë të madhe, nuk do të ishim sot këtu. Zoti Thaçi në një farë mënyrë mundohej që fajin për të gjithë këtë, u mundua të thoshte se kam qenë drejtues politik dhe nuk ka drejtuar nga terreni. Në një farë mënyrë e zhvendosi veten nga lideri i UÇK, dhe ishte një moment që uroj të ishte për arsye të gjykimit dhe konfuzionit se kush janë viktimat dhe kush sulmuan. Duhet të ketë një lloj kohezioni, dhe vetë Thaçi, nuk e ka menduar ne 2015 që do të ndodhte kjo, se jam e sigurt që do kishin vepruar krejtësisht ndryshe. Mendoj dhe uroj që ky gjyq do të përfundojë dhe do ta nxjerrë Kosovën ashtu siç është, e bardhë”, tha ajo.

    Ndërkohë, ajo ka komentuar edhe gjyqin e ish-presidentit të SHBA, Donlad Trump, ku tha se duhet si një proces politik.

    “Gjatë viteve të fundit duket një ndërhyrje e madhe në sistemin e drejtësisë. Përplasja e kampeve politike në SHBA kanë sjellë probleme politike në gjithë botën. Nuk besoja që në momentin që Trump u largua pas 6 janarit nga drejtimi i SHBA, që ai do t’i shpëtonte një lloj gjykimi të së majtës, ndaj them se është proces politik, kur ka nisur fushata dhe ai ka deklaruar se do kandidojë për zgjedhjet brenda republikanëve dhe më pas për ato presidenciale”, u shpreh Harxhi shkruan News 24.

    Harxhi komentoi shkurt edhe rolin e ambasadorëve në vendin tonë, kur tha se këta të fundit nuk duhet të dinë cakun se ku mbaron misioni i tyre diplomatik dhe ku fillon ai politik, për ta shmangur këtë të fundit.

    “Trupi diplomatik në përgjithësi duhet të jetë më i angazhuar që të përligjë vendimet e Konventës së Vienës. Duhet të dinë patjetër cakun dhe kufirin ku mbaron dipilomatikja dhe ku fillon politikja, në Shqipëri këto limite janë thyer”, tha ajo.

  • Mot me shi të dielën në Kosovë

    Mot me shi të dielën në Kosovë

    Mot me vranësira, të cilat në pjesën e dytë të ditës parashihen të sjellin reshje shiu, pritet të mbajë të dielën.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat minimale parashihen të shënojnë rritje të lehta, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të jenë rreth 10 gradë Celsius.

    “Parashihet të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-8m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Besimtarët katolikë sot festojnë Pashkët

    Besimtarët katolikë sot festojnë Pashkët

    Besimtarët katolikë në të gjithë botën sot festojnë Pashkët.

    Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

    Kjo festë është e lëvizshme, që do të thotë se nuk ndodh në të njëjtën datë çdo vit. Pashka llogaritet në bazë të fazave të hënës dhe ardhjes së pranverës.

    Në praktikë, kjo do të thotë që Pashkët janë gjithmonë të dielën e parë pas hënës së parë të plotë që bie më ose pas 21 marsit. Pashkët mund të shfaqen që në fillim të 22 marsit dhe deri më 25 prill, varësisht se kur ndodh hëna e plotë e Pashkës.

    Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, me fillim nga ora 11, do të mbahet mesha kryesore e Pashkës. Ndërkaq, në orën 19 Ipeshkvi i Kosovës organizon pritjen solemne me rastin e festës së Pashkës.

  • LDK dhe AAK po shpresojnë që Gjykata Kushtetuese do të shpallë të pavlefshëm Ligjin për Paga

    LDK dhe AAK po shpresojnë që Gjykata Kushtetuese do të shpallë të pavlefshëm Ligjin për Paga

    Edhe pse u deshën më shumë se dy vjet për miratimin e Ligjit për Paga, i njëjti përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

    Pas 104 ankesave, Institucioni i Avokatit të Popullit ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

    “Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të jap drejtësi, do të rrëzojë këtë ligj dhe do të ruajë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik në atë mënyrë që paga e tyre të jetë e dinjitetshme për punën që ata e bëjnë dhe po ashtu të mos ketë kaq shumë diskriminime në sektorin publik ashtu siç ka propozuar kjo qeveri. Prandaj, ne presim që Gjykata Kushtetuese ta kthejë prapa është këtë ligj duke vërtetuar edhe njëherë se kjo qeveri vazhdon të jetë një shkelëse serike, përsëriste, recidiviste e Kushtetutës”, tha Xhafer Tahiri nga LDK.

    Paralajmërimet se Ligji do të përfundonte në Kushtetuese, ishin dhënë qysh në kohën kur Qeveria e mbante sekret vlerën monetare të koeficientit. Ato ishin shtuar më shumë ditën kur ishte vendosur vlera e koeficientit, e që është 105 euro për këtë vit dhe 110 për vitin e ardhshëm.

    “Mendoj që gjykata Kushtetuese do ta kthej prapa këtë ligj sepse nuk e di që ka afektuar qytetarët. Nëse iu është rritur një dozë e vogël e pagës, jau ka ndal shtesat, mëditjet e benefitet”, tha Time Kadrijaj nga AAK.

    Ankesat e pranuara në Institucionin e Avokatit të Popullit kishin të bënin kryesisht me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

    Ky ligj, prek pagat e më shumë se 80 mijë punonjësve. /atvlive.tv

  • Ish pjesëtarët e UÇK-së do të duhej të dëmshpërblehen nëse shpallen të pafajshëm

    Ish pjesëtarët e UÇK-së do të duhej të dëmshpërblehen nëse shpallen të pafajshëm

    Akuzat ndaj tyre janë të shumta. Por, në rast se shpallen të pafajshëm nga Gjykata Speciale, ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej dëmshpërblehen për secilën ditë që e kanë kaluar prapa grilave gjatë periudhës së paraburgimit.

    “Ligji për Gjykatë Speciale por edhe rregullorja e procedurës së provave, e parasheh mundësinë që personat që kanë qëndruar në paraburgim, por që në fund janë shpallur të pafajshëm, të kenë të drejt ta kërkojnë shpërblimin e dëmit, me ligj është përcaktuar se ky dëmshpërblim paguhet nga buxheti i Kosovës”, tha Artan Qerkinaj, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale.

    Pagesa do të bëhet për çdo ditë që kaluan në qelitë e Hagës.

    “Nëse shpallen të pafajshëm, të njëjtit kanë të drejtë t’i drejtohen Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të realizuar të drejtën e tyre për dëmshpërblim. Në bazë të tarifave që ka këshilli gjyqësor, të njëjtit kanë të drejtë t’i marrin nga 15 euro për çdo ditë që kanë qëndruar në paraburgim”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Por, sipas Artan Qerkinajt, avokatit të akredituar nga gjykata speciale, shuma mund të shkojë edhe më lart, nëse do të merren parasysh edhe disa faktorë.

    “Dëmi do të varet nga kohëzgjatja, intensiteti i dhimbjeve shpirtërore gjatë asaj periudhe, kohëzgjatja e paraburgimit, dëmet materiale, e po ashtu edhe humbjet e mundësisë për t’u ngritur në karrierë”, tha Qerkinaj.

    Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke qëndruar në Dhomat e Specializuara që nga nëntori i vitit 2020, ndërkaq me 3 prill filloi gjykimi ndaj tyre. /atvlive.tv

  • Duke filluar nga 9 maji deri në 9 qershor, në Kosovë do të mbahet Chopin Piano Fest

    Duke filluar nga 9 maji deri në 9 qershor, në Kosovë do të mbahet Chopin Piano Fest

    Artistë nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Suedia, Italia, Hungaria, Polonia e Turqia do të performojnë në Kosovë në kuadër të Chopin Piano Fest që do të mbahet nga 9 maji deri më 9 qershor.

    Në këtë festival tradicional e ndërkombëtar, para publikut kosovar do të ketë edhe artistë pjesëmarrës nga Tirana dhe Maqedonia e Veriut, si dhe artistë vendës.

    Ndryshe nga vendet tjera ku publiku paguan deri në 100 euro një biletë për të dëgjuar përformancat e këtyre artistëve publiku kosovar mund t’i ndjek koncertet falas. Këtë vit, madje shënohet edicioni i 13-të i këtij festivali.

    Organizimi për festivalin e sivjetmë pritet të kushtojë deri në 98 mijë euro.

    Ky edicion ashtu si vitet parapake mundësohet nga sponsor të ndryshëm, përfshirë Ministrinë e Kulturës.

    Vitin e shkuar MKRS-ja kishte ndarë vetëm 12 mijë euro për këtë festival.

    ATV-ja ka dërguar pyetje në Ministrinë e Kulturës për të kuptuar shumën që do të ndahet nga ky institucion për edicionin e sivjetmë por askush nuk është përgjigjur. /atvlive.tv

  • Dhjetë muaj që nga licencimi, Elektrosever nuk ka filluar faturimin e rrymës në komunat veriore

    Dhjetë muaj që nga licencimi, Elektrosever nuk ka filluar faturimin e rrymës në komunat veriore

    Gati dhjetë muaj qw nga licencimi i kompanisë Elektrosever, faturimi i energjisë elektrike nuk ka filluar. Elektrosever, ende nuk ka përmbushur disa prej obligimeve, duke shkelur të gjitha afatet e parapara.

    “Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS për Ofrimin e Shërbimeve në katër komunat veriore, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e qasjes ne nënstacionin e Vallaqit dhe në infrastrukturën e transmetimit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS)”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Pa specifikuar kur, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Kosova do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim 320 milionë euro për energjinë e papaguar në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Edhe pse bëhet fjalë për territorin e Kosovës, sipas Bislimit, reparacioni do kërkohet meqë Serbia ka penguar faturimin dhe inaksimin.

    “Energjia e shpenzuar në veri, e cila i është faturuar Qeverisë deri sot, ka një faturë prej 320 milionë euro. E gjithë kjo faturë, në një moment të caktuar do të prezantohet si kërkesë në procesin e repereacioneve ndaj Serbisë”, tha Bislimi.

    Teksa njoftoi se kanë marrë një sinjal pozitiv në Bruksel për nisjen e faturimit, Bislimi fajësoi Beogradin për mosnënshkrimin e marrëveshjes komerciale Elektrosever-KEDS, e cila do të mundësonte nisjen e faturimit.

    “Për Brukeslin është e qartë se pala Bllokuese është Serbia. Është e qartë arsyeja, sepse marrin energji falas. Përshtypja e z. Lajcak, pas bisedave që ka pasur me z. Vucic, është që shumë shpejtë pritet që Elektrosever të nënshkruaj kontratën e dërguar nga KEDS-i”, theksoi Bislimi.

    Bislimi tha se nëse vazhdohet me refuzim, ZRRE-ja mund të detyrohet t’ia tërheqë licencën Elektroseverit. Diçka të tillë nuk përjashtoi as ZRRE-ja.

    “Në rast të mos përmbushjes së kërkesave sipas udhërrëfyesit për energji, ZRRE-ja do te ndërmerr te gjitha veprimet ligjore që parashihen në legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Për dhjetë muaj Elektrosever ka nënshkruar marrëveshjen kornizë për aderim në rregullat e tregut në Kosovë, atë mbi detyrimet e balancimit dhe ka marrë kodin e identifikimit të energjisë.

    Ndërkaq, përmes BE-së i ka dhënë KEDS-it dhe KOSTT-it një bazë të dhënash për konsumatorët. Vetëm për periudhën Janar-Nëntor 2022, Qeveria pagoi 64 milionë euro për energjinë shpenzuar në katër komunat në veri. /atvlive.tv