ATV

Blog

  • Komandanti i KFOR-it viziton monitoruesit në Gjilan

    Komandanti i KFOR-it viziton monitoruesit në Gjilan

    Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, vizitoi Komandën Rajonale-Ushtarët Lindor të ekipit turk monitorues të ndërlidhjes (LMT) në Gjilan.

    Gjenerali Ristuccia u njoftua mbi aktivitetet e vazhdueshme dhe diskutoi me ta situatën e përgjithshme në zonë.

    “LMT-të e KFOR-it janë burimi kryesor i informimit për situatën në terren, duke lejuar KFOR-in të kuptojë më mirë situatën dhe të përqendrojë përpjekjet e tyre. Këto ekipe janë mjete themelore për krijimin dhe mbajtjen e lidhjeve të përhershme dhe besimin mes KFOR-it dhe autoriteteve lokale, udhëheqësve dhe organizatave ndërkombëtare në nivel komunal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Policia e arreston të dyshuarin për lëndim trupor

    Policia e arreston të dyshuarin për lëndim trupor

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar personin e dyshuar për një rast të lëndimit trupor që ka ndodhur të enjten në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

    Të njëjtit dje Policia ia publikoi fotografitë dhe i luti qytetarët që të ndihmojnë për identifikimin e tij.

    “Bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë e Kosovës, ka mundësuar që të arrestohet personi i dyshuar për lëndim trupor, që ka ndodhur me 06.04.2023, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Aktualisht hetuesit policor të stacionit qendra, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë përkatëse, lidhur me rastin që dyshohet të jetë i përfshirë i arrestuari”, thuhet në njoftim.

  • Avokatja Marija Ristic thotë se UÇK-ja ishte grup gueril pa strukturë të qartë komanduese

    Avokatja Marija Ristic thotë se UÇK-ja ishte grup gueril pa strukturë të qartë komanduese

    Analistja e Amnesty International dhe avokatja e njohur Marija Ristic, e cila ka përcjellë gjyqet për krime lufte në Tribunalin për ish-Jugosllavi ka vënë në dyshimin vërtetësinë e akuzës për përgjegjësi komanduese të krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ne një analizë rreth fillimit të procesit në Hagë, ajo shtron pyetjen se si prokurorët do ta dëshmojnë përgjegjësinë komanduese: “Cili është roli që Thaçi dhe figurat e tjera të fuqishme të UÇK-së kanë pasur në fakt në urdhërimin e krimeve?”, thotë ajo.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një grup gueril, pra nuk kanë pasur një strukturë shumë të qartë, nuk ka pasur aq shumë dokumente etj., siç kemi me ushtritë e tjera, siç kemi pasur për shembull për ushtrinë jugosllave. Do të jem shumë kurioz të shoh se cilat janë provat”, ka theksuar ajo për platformën ndërkombëtare Justice.

    Për Gjykatën Speciale ajo thotë se kjo “gjykatë hibride më e re në Ballkan” është në fakt “e vetmja e dedikuar vetëm për Kosovën dhe e fokusuar vetëm në një grup specifik”.

    Ajo ka potencuar se Gjykata e Hagës ndjek vetëm UÇK-në dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi tek qytetarët e Kosovës.

    Ky fakt, krahasuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e cila ka paditur pa dallim serbët, boshnjakët, kroatët dhe kosovarët dhe fakti që “vetëm ata që ishin anëtarë të UÇK-së mund të ndiqen penalisht, për shumë njerëz në Kosovë. shihet si diçka shumë e padrejtë”, thotë ajo.

    “Shumica e krimeve të kryera në Kosovë në fakt janë kryer nga forcat jugosllave dhe ushtria serbe,” thotë Ristiq.

    “Dhe në përgjithësi, drejtësia për krimet e kryera në Kosovë ka qenë mjaft e ngadaltë”, ka vlerësuar ekspertja e njohur në arenën ndërkombëtare.

  • Ish-ambasadori Bosch: Pres që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

    Ish-ambasadori Bosch: Pres që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

    sh-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.

    Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara, është i duhuri.

    Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Specialja pasi u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.

    “Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht”, thotë Bosch.

    Ai mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të seantorit Marty.Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.

    “Gabimi që ka bërë Qeveria e Kosovës ka qenë se nuk kanë krijuar grupin e tyre hetues, nuk e kanë bërë pas raportit të Marty. Ata është dashur të thonë, kjo është marrëzi, por ne do të krijojmë një grup hetimi, ata nuk e bënë këtë”, thotë diplomati holandez.

    Bosch ngre pyetjen pse duhet të ekzistojë një gjykatë për të hetuar vetëm disa raste dhe të injorohen mbi 13 mijë civilë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Dhe çfarë thotë prokurori, tani flet për 100 raste, sepse sigurisht 100 raste janë shumë, mirëpo nëse kemi midis 16 dhe 12 mijë njerëz të vrarë, pse të kemi një gjykatë të tërë për 100 raste? Çfarë është kaq e rëndësishme për këto 100? Pra, 15 mijë minus 100 raste, a nuk ia vlen të hetohen, është pak e çuditshme”, thotë ish-ambasadori holandez.Bosch thotë se puna me këtë gjykatë nuk do të duhej të vazhdonte pasi prokurori amerikan Clint Williamson kishte nxjerrë raportin në të cilin vërtetoi se nuk ka dëshmi për trafikim të organeve.

    Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë flet edhe për situatën aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij kjo e fundit një ditë do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

    Ai thotë se në Serbi nuk ka liri të shtypit, rrjedhimisht propaganda është shumë e zhvilluar dhe njerëzve u transmetohet sikur serbët në Kosovë nuk trajtohen mirë.

    Në Gjykatën Speciale në Hagë të martën fillon paraqitja e provave në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.

    Gjykimi i madh pritet të marrë disa vjet meqë prokuroria ka paralajmëruar qindra dëshmitarë që do të flasin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

  • Osmani uron Ditën e Romëve: Vlerësojmë kontributin e vazhdueshëm të tyre në Kosovë

    Osmani uron Ditën e Romëve: Vlerësojmë kontributin e vazhdueshëm të tyre në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar komunitetin rom në ditën ndërkombëtare të tyre.

    Osmani tha se e vlerëson kontributin e vazhdueshëm të romëve në Kosovë, duke shtuar se do të bëhet më shumë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë.

    “Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe vlerësojmë kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

  • Szunyog uron romët, thotë se janë një nga prioritetet e BE-së

    Szunyog uron romët, thotë se janë një nga prioritetet e BE-së

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka uruar komunitetin rom në Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

    Szunyog tha se përfshirja e romëve në jetën sociale, ekonomike e politike të Kosovës vazhdon të jetë një nga prioritetet e BE-së.

    “Ne do të vazhdojmë të punojmë për të avancuar në këtë agjendë me të dyja qeveritë. dhe joqeveritare. institucionet në Kosovë”, tha Szunyog.

  • Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kryeministri Kurti ua uron komunitetit rom

    Shënohet 52-vjetori i Ditës Botërore të Romëve, Kryeministri Kurti ua uron komunitetit rom

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në manifestimin e organizuar nga OJQ “Romani Baht” në bashkëpunim me Partinë Përparimtare Rome, të drejtuar nga deputeti Erxhan Galushi, në shënim të 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve.

    Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përcolli një letër përshëndetëse te të pranishmit që u lexua nga këshilltarja e tij, Nurie Shala.

    Më poshtë gjeni, letër përshëndetjen dhe urimin e plotë:

    Të nderuar anëtarë të Partisë Përparimtare Rome,

    I nderuar kryetar Erxhan Galushi,

    Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

    Në pamundësi që të jem sot i pranishëm në festën tuaj, më lejoni që përzemërsisht të ju uroj Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

    Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë.

    Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale.

    Për krijimin e mundësive të barabarta në arsim kemi ndarë 500 bursa në vlerë 300 mijë euro për nxënësit e shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Kështu ata do të mund fokusohen në ngritjen e tyre profesionale dhe akademike, pa pasur barrën e anës financiare. Po ashtu, kemi ndarë 200 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 104 romë, ashkali dhe egjiptianë kanë përfituar trajnim profesional, një rritje domethënëse nga vetëm 34 aq sa ishin në vitin paraprak. Të mërkurën pata kënaqësi të veçantë të marr pjesë në hapjen e minibibliotekës me tituj në gjuhën rome. Shpresoj dhe uroj që kjo dhe bibliotekat tjera të pasurohen edhe më shumë dhe të avancohet sa më shumë gjuha dhe kultura rome.

    Jemi falënderues e mirënjohës për kontributin dhe angazhimin e komunitetit rom në ndërtimin e vendit tonë. Shpresoj për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, për realizimin e synimeve të përbashkëta, për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie.

    Edhe njëherë: Urime Dita e Romëve!

    Bahtalo Romano Dive!

  • ​Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi këtë muaj në Suedi

    ​Aplikimi për anëtarësim në BE, Bislimi këtë muaj në Suedi

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi do të ketë një vizitë gjatë këtij muaji në Suedi për të diskutuar për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë presidencës suedeze të Këshillit të BE-së.

    Nga zyra e Bislimit thonë se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE ka marrë mbështetje të gjerë të shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së, për çka janë të kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere, veçmas me Suedinë, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së deri në qershor. Përkitazi me këtë, shprehën optimist se do të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    Mirëpo, ndryshe këtë proces e shohin dy partitë opozitare, PDK dhe LDK dhe njohësit e proceseve integruese të BE-së, të cilën konsiderojnë se rruga e Kosovës në Bashkim Evropian varet nga dialogu Kosovë-Serbi dhe pesë vendet mosnjohëse të Kosovës.

    ”Aplikimi i Kosovës me 15 dhjetor për anëtarësim në BE, ka marrë mbështetje të gjerë në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet partnere e posaçërisht Suedinë, e cila mban dhe Presidencën e Këshillit të BE-së. Gjatë këtij muaji, pritet që zëvendëskryeministri Bislimi të ketë dhe një vizitë në kryeqendrën suedeze, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe rrugën përpara të Kosovës në proceset e integrimit evropian. Hapat përpara dhe rruga tutje në integrimin e Kosovës drejt BE-së, janë biseduar edhe në takimin e fundit me Komisionerin Varhelyi. Ne jemi optimist e presim që të ketë zhvillime pozitive brenda këtij viti dhe të vazhdojmë të bëjmë në vijim hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se aplikimi për anëtarësim në BE është bërë vetëm sa për foto në rrjete sociale, pasi shqyrtimi dhe pranimi i aplikacionit nuk është i mundur pa pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës.

    Ajo shton se institucionet kosovare nuk kanë bërë asnjë hap përpara me asnjërën prej këtyre pesë vendeve, rrjedhimisht ato do të jenë kategorike kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës për statusin vend kandidat për anëtarësim në BE.

    “Këto aplikime për anëtarësime bëhen sa për foto në rrjete sociale. Asnjë anëtarësim i Republikës sonë nuk mund të bëhet nëse kemi një dritë të gjelbër nga shtetet që janë me fuqi botërore dhe shumë prej tyre janë shtete mike me Kosovën. Vlerësoj se edhe për aplikim në Bashkim Evropian është e njëjta storje si me Këshill të Evropës, pasi ke pesë vende mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e ke asnjë hap që e ke bërë përpara që e ke bërë me asnjërën prej tyre dhe e dorëzon një aplikim, kur e din që po të pestat do të votojnë kundër”, thotë ajo.

    Skeptike për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës gjatë këtij viti është edhe deputetja e LDK-së, njëherësh edhe kryetare e Komisionit parlamentar për integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

    Ajo thotë për KosovaPress se proceset integruese të Kosovës janë lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.

    “Të gjitha proceset integruese janë të lidhura me marrëveshjen e (Brukselit) dhe Ohrit që pa implementimin e asaj marrëveshjeje nuk do të ketë hapa të tjerë, siç janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës. E pamë edhe me liberalizimin e vizave, që tani ka mbetur vetëm të votohet në Parlamentin Evropian dhe presim që të përfundojë shpejtë ky proces. Mirëpo proceset të tjera janë të lidhura ngushtë me procesin e dialogut”, deklaron Krasniqi.

    Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE më shumë ka qenë strategjik, për të treguar orientimin properëndimor, pasi, sipas tij, realisht është ditur se aplikacioni i Kosovës nuk do të merret parasysh për një kohë.

    “Trajtimi i aplikacionit të Kosovës me gjasë nuk do të merret parasysh edhe për një kohë. Fakti që Kosova ka aplikuar ka qenë strategjik, tregues i orientimit sesa realisht një pritshmëri që të merret në trajtim kërkesa e saj. Pra më shumë ka qenë për të treguar orientimin, pozicionin se Kosova është palë konstruktive”, thotë Imeri.

    Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën presidencën çeke.

    Prej 1 janarit deri më 30 qershor të këtij viti Presidencën e Këshillit të BE-së e mban Suedia, kurse në gjysmën e dytë të vitit presidencën e BE-së do të ketë Spanja.

  • Peci-gastronomëve: Nëse ka rezistencë kundër ligjit për duhan, do të ketë masa të ashpra

    Peci-gastronomëve: Nëse ka rezistencë kundër ligjit për duhan, do të ketë masa të ashpra

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka paralajmëruar të gjithë qytetarët dhe gastronomët që ligji kundër duhanit s’ka kthim prapa.

    Ai tha se synimi i tyre është që të përqafojnë vlerat e avancuara të vendeve të BE-së, atje ku sipas tij, Kosova synon të integrohet.

    “Kështu që në këtë drejtim, ne s’e mendojmë në asnjë mënyrë zmbrapsjen karshi imponimit të zbatueshmërisë së këtij ligji”, tha ai në Klan Kosova.

    Përveç kësaj, ai tha se nëse sheh rezistencë për moszbatimin e këtij ligji, do të ketë masa të ashpra.

    “Nëse shoh në lokalitete të caktuara se ka rezistencë për mos-zbatimin e këtij ligji, unë do të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të mekanizmave që janë më të ashprit për shkak se s’guxojmë të kthehemi mbrapa karshi një ligji të cilin e ka aprovuar kuvendi”, tha Peci.

  • Hovenier uron për Ditën e Romëve: Mbetet punë për qasjen në edukim dhe punësim

    Hovenier uron për Ditën e Romëve: Mbetet punë për qasjen në edukim dhe punësim

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke uruar për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ka thënë se kremtohet trashëgimia e pasur e komunitetit rom megjithëse dihen sfidat dhe diskriminimi me të cilin ata përballen.

    “Mbetet më shumë punë për t’u bërë që romëve të Kosovës t’u mundësohet qasje e barabartë në edukim, punësim dhe shërbime qeveritare”, është shprehur Hovenie.