ATV

Blog

  • Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Osmani falënderon eurodeputetët që ndihmuan në liberalizim të vizave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një postim në llogarinë e saj në Twitter, duke falënderuar eurodeputetët që ishin zë i fuqishëm brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën.

    “Për të gjithë eurodeputetët aktualë dhe ish-deputetë që kanë qenë përkrahësit më të vendosur në arritjen e lirisë së vizave për Kosovën: Faleminderit! Faleminderit që jeni zëri i popullit të Kosovës në Parlamentin e BE-së”, ka shkruar Osmani, duke e përmendur Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, Lukas Mandl, Viola VOn Cramon, Thijs Reuten, Ilhan Kyuchyuk.

  • Lidhja që Kina dhe India kanë forcuar me Rusinë

    Lidhja që Kina dhe India kanë forcuar me Rusinë

    Shpesh thuhet se lufta ka pasoja të papritura. Një nga lëvizjet e para të Perëndimit pasi Rusia dha dritën jeshile për pushtimin e Ukrainës ishte vendosja e sanksioneve.

    Por, Rusia jo vetëm që ka mundur të shmangë të gjitha pengesat perëndimore, por i ka përdorur ato për të forcuar tregtinë e saj të naftës në pika të tjera. Eksportet e naftës bruto ruse të transportuara nga deti kanë arritur në 3,5 milionë fuçi në ditë, një shifër që tejkalon 3,35 milionë të regjistruara një vit më parë. Gjëja mbresëlënëse është se nga gjithë kjo naftë, 90% është blerë nga Kina dhe India.

    Sot, vetëm 8% e eksporteve ruse të naftës bruto arrijnë në portet e vendeve evropiane.

    Shumë përpara se Putini të niste sulmin e tij në Ukrainë, Kina ishte tashmë një nga blerësit kryesorë të naftës ruse. Në fakt, në vitin 2021 importet kineze përbënin 25% të naftës së papërpunuar të eksportuar ruse. Kjo shifër është rritur me 36% që atëherë.

    Kemi edhe rastin e Indisë. Para pushtimit, India varej nga Moska për vetëm 1% të naftës së saj. Tani blen 51% të të gjithë naftës së papërpunuar nga Rusia. Për shkak të kësaj lloj “mrekullie tregtare”, digat ruse të naftës, të cilat duhet të ishin në telashe serioze deri më tani, po jetojnë një rini të dytë.

    Ashtu siç thuhet se lufta ka pasoja të padëshiruara, dihet gjithashtu se është momenti ideal për të krijuar miqësi.

  • Von Cramon e quan gabim bojkotin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

    Von Cramon e quan gabim bojkotin e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka vlerësuar gabim të madh bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri nga ana e Listës Serbe, por ka thënë se nuk pret që e diela të sjellë tensione në veri të vendit.

    Duke folur rreth kësaj çështje, Von Cramon ka shprehur keqardhje për bojkotin e këtyre zgjedhjeve nga ana e Listës Serbe.

    “Bojkoti ka ndodhur tashmë, besoj për shkak të vendimit të Beogradit. Lista Serbe nuk është regjistruar të marrë pjesë në zgjedhje dhe këtë e konsideroj gabim të madh. E kam kritikuar hapur një vendim të tillë dhe jam përpjekur të kontaktoj me njerëz të caktuar në Begorad. Ky do të duhej të kishte qenë sinjal i mirë që të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të ishin regjistruar dhe njerëzit në veri ngadalë të ktheheshin në institucione. Këto zgjedhje do të duhej të ishin një test në këtë drejtim. Shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk është regjistruar dhe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe realisht ky nuk është sinjal premtues”, ka thënë Von Cramon.

    Ajo tutje ka thënë se “nëse njerëzit i bojkotojnë zgjedhjet nuk do të thotë detyrimisht të ketë përshkallëzim”.

    “Shpresoj që njerëzit atje të jenë të kujdesshëm. Nëse nuk dalin në zgjedhje është vendim i tyre, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndonjë synim për ta përshkallëzuar situatën. Do të doja të shihja një shkallë të lartë të daljes në zgjedhje, por siç e thashë pala kryesore ka vendosur që të mos dalë në zgjedhje dhe ky është një problem. Sidoqoftë, secili qytetar jo vetëm që është i mirëpritur të dalë në zgjedhje por edhe i kërkoj që të veproj në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka nënvizuar Von Cramon.

    Von Cramon: Liberalizimi i vizave, hap drejt eurointegrimit të Kosovës

    Von Cramon ka thënë se me nënshkrimin e sotëm të aktit ligjor në Strasburg nga Këshilli i Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën kjo çështje ka përfunduar dhe qytetarët e Kosovës që nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të lëvizin lirshëm.

    Ajo ka thënë se nuk pret që të ketë më vonesa në këtë drejtim. “Me nënshkrimin e sotëm të Këshillit të BE-së është fundi i këtij procesi. Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë gjë që do ta zhvlerësonte apo vononte lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

    “Më 1 janar do të jetë data kur qytetarët do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Nuk e di se sa i kondisderueshëm ka qenë kontributi im, do të kisha dashur të bëja këtë punë shumë më parë, por nuk është varur vetëm nga unë. Por, tashmë kjo punë është kryer dhe për 8 ose 9 muaj qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë lirinë e re dhe mundësinë për të ecur drejt BE-së”, ka shtuar Van Cramon.

    Ajo ka thënë se procesi i liberalizimit është hap drejt eurointegrimit, derisa ka shprehur shpresën që Kosova së shpejti t’i gëzohet edhe sukseseve tjera drejt integrimit evropian.

    ”Shpresoj që së shpejti të shohim Kosovën edhe si pjesë të Këshillit të Evropës. Pra, aplikimi është pranuar dhe këtë duhet ta vendosim në rend të ditës. Kjo ka qenë një ndër pikat që është përmendur gjatë dialogut. Edhe pse janë çështje të ndara, me fleksibilitetin në dialog kjo do të diuhej të ishte hapi vijues, derisa më pas edhe aplikimi për anëtarësim në BE, që normalisht merr kohën e saj”, ka nënvizuar ajo.

    Sa i përket mundësisë së keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga qytetarët e Kosovës, siç ka ndodhur me qytetarët e disa vendeve të rajonit vite më parë kur është parë një migrim i hovshëm dhe i paligjshëm drejt shteteve të BE-së, Von Cramon ka thënë se nuk pret që një gabim të tillë ta përsërisin qytetarët e Kosovës.

    ”Kjo ka qenë në fakt arsyeja që disa shtete anëtare nuk kanë qenë pro liberalizimit sepse disa vende tjera të rajonit apo thënë më mirë qytetarët e tyre e kishin keqpërdorur liberalizimin, kishin kërkuar azil, pastaj i kanë keqpërdorur sistemet shëndetësor të disa shteteve dhe kjo ka shkaktuar një lloj nervoze dhe disa qeveri të shteteve anëtare të BE-së me të drejtë kanë qenë skeptike. Nuk besoj se Kosova ka nevojë ta përsërisë këtë gabim. Ju e keni një diasporë të madhe në Zvicër, Gjermani, Austri e shtete tjera dhe është absolutisht legjitime që te vizitohen familjarët në ato vende. Nëse ndodh ndonjë gjë atje, sistemi i BE-së do t’iu ofrojë zgjidhje të mundshme. Por është e qartë se nuk mund të punosh atje, pa pasur një vizë pune apo kontratë pune. Pra duhet të kesh vendbanimin e përhershëm atje për të pasur këtë mundësi dhe kjo nuk është pjesë e liberalizimit të vizave”, është shprehur Van Cramon.

  • Kurti: Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat

    Kurti: Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat

    Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar grupin e intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ai në Facebook shkroi se është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

    “Më 19 prill 1999, grupi me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare, derisa po largoheshin për në Mal të Zi, janë ndaluar nga forcat serbe.

    Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu për herë të fundit janë parë në fshatin Dreth, në komunën e Zubin Potokut. Me dyshimin për varrezë masive, më 26 gusht 2021 ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, kanë gërmuar në fshatin Dreth, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë. Forcat serbe, pas vrasjes, kanë zhdukur trupat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.

    Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

    Për zbardhjen e së vërtetës, drejtësi për viktimat e denim për kriminelët e luftës”, ka shkruar Kurti.

  • Rritet numri i kompanive të falimentuara në Gjermani

    Rritet numri i kompanive të falimentuara në Gjermani

    Numri i kompanive të falimentuara në Gjermani është rritur sërish.

    Sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave, në mars u regjistruan 13,2% më shumë falimentime krahasuar me muajin shkurt.

    Në të njëjtën periudhë, numri i falimentimeve të kompanive u rrit me 10,8% krahasuar me muajin janar.

    Gjykatat gjermane raportuan 1 271 falimentime të kompanive, rreth një e pesta më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Shumica e kompanive të falimentuara në janar operonin në industrinë e ndërtimit me 246 raste të regjistruara, e ndjekur nga sektori i tregtisë me 204 raste.

  • ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret vendimin për liberalizimin e vizave

    ​Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpret vendimin për liberalizimin e vizave

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian ku u miratua liberalizimi i vizave për Kosovën.

    Në një komunikatë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh) thuhet se “ky vendim, në të vërtetë i vonuar i Bashkimit Evropian, është një arritje historike e shtetit të Kosovës, institucioneve dhe popullit të saj, që kanë bërë të mundur plotësimin e të gjitha kushteve teknike e politike të vendosura nga Komisioni Evropian”,

    KASh shfrytëzon rastin të përgëzojë të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës të përfshira në këtë proces për punën e tyre të palodhshme dhe profesionale në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara.

    “Një falënderim i veçantë shkon për znj. Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin e BE-së, për punën dhe përkushtimin e palodhur në arritjen e këtij qëllimi, i cili është i rëndësishëm, si për Kosovën ashtu edhe për BE-në”.

    “AAC shpreh besimin se liria e lëvizjes, si e drejtë themelore dhe më se e merituar e qytetarëve të Kosovës, shkëmbimet dhe kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet qytetarëve, njerëzve të biznesit, shkencëtarëve, letrarëve dhe kulturës do t’i shërbejnë konsolidimit socio-ekonomik të Kosovës, promovimi i mëtutjeshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës, imazhit dhe promovimit të Kosovës në Evropë dhe më gjerë. Rrjedhimisht, do t’i shërbente edhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. I urojmë suksese të mëtejshme Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike!”, përfundon shkrimi i KASh-it.

  • “Qeveria u thotë “jo” 45 milionë eurove”, dje shfuqizoi vendimin për dhënien e statusit “investitor strategjik” për një kompani

    “Qeveria u thotë “jo” 45 milionë eurove”, dje shfuqizoi vendimin për dhënien e statusit “investitor strategjik” për një kompani

    Një ditë para se ta merrte përfundimisht statusin e investitorit strategjik, Qeveria e shfuqizoi vendimin që i hap rrugë investimit 45 milionësh të kompanisë ““MOXICO LUMA KOSOVA MINING” në disa fshatra të Vushtrrisë e Mitrovicës.

    Për këtë vendim ndaj kompanisë të cilës fillimisht drita e gjelbër iu dha në qeverisjen e Avdullah Hotit dhe u rikualifikua si investitor strategjik në dhjetor të viti të kaluar, nga Qeveria thonë se në projektin investues kishe të dhëna të pavërteta.

    “Veprimi i Qeverisë është mbështetur në Ligjin Nr. 05/L – 079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës. Ky Ligj i mundëson Qeverisë se në rast se gjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues, ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit investim strategjik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Por veç saj sot në Kuvend deputetët do të duhej të votonin edhe për ligjin e ri për investime strategjike, por në mungesë kuorumi nuk u arrit as të diskutohej.

    “Sot Qeveria e ka sjellë në Kuvend një ligj tjetër, me një emërim tjetër për investime të qëndrueshme që në një farë formë e abrogon komplet metodologjinë e investitorëve strategjikë dhe e centralizon pranë zyrës së kryeministrit dhe e shuan agjencinë KIESA”, tha kryetari i Komisonit për Ekonomi, Ferat Shala.

    Sipas tij, nëse investitorët lënë Kosovën do të jetë dëm i madh për ekonominë e vendit.

    “T’i thuhet “jo” një investitori që sot vjen në këtë krizë ekonomike, të investojë 45 milionë euro në Vushtrri e Mitrovicë, pa asnjë bazë për teke personale, është dëm i madh për Kosovën, dëm ekonomik, dëm politik dhe largim ekstrem i investitorëve ndërkombëtarë”, tha Shala.

    Gjatë dy viteve të Qeverisjes Kurti është vetëm një kompani që e ka marrë statusin si “investitor strategjik” derisa 10 të tjera janë në pritje. /atvlive.tv

  • Vazhdon tradita, 5 mijë suharekas pastrojnë qytetin e fshatrat

    Vazhdon tradita, 5 mijë suharekas pastrojnë qytetin e fshatrat

    Nxënës e mësimdhënës të shkollave të mesme e fillore të komunës së Suharekës, ditën e filluan me aksion për pastrim në zonën e njohur si “Çafa e Dulës”. Por pastrimi i ambientit po bëhet në të njëjtën kohë edhe në 41 fshatrat e tjera.

    Ky është viti i gjashtë që organizohet një aktivitet i tillë, derisa kësaj radhe numri i qytetarëve që morën pjesë shkoi në 5 mijë.

    Nxënësit thonë se gjithmonë janë të gatshëm të kontribuojnë në pastrimin e ambientit.

    “Është e dyta herë që unë marr pjesë në këso aktivitete. Është shumë ndjenjë e mirë se mundemi me bë punë vullnetare e me i ndihmu ambientit”, thotë Olsa Elshani, nxënëse.

    “Këto aktivitete shkollore ose komunale janë shumë të mira për komunën e për ambientin, e kjo na bën me u ndje mirë kur rinia kontribuon shumë”, thotë Lirik Ramshaj, nxënës.

    Së bashku me nxënësit, ishte edhe i pari i kësaj komune, Bali Muharremaj, i cili tha se qëllimi i aksionit është vetëdijesimi i qytetarëve.

    “Qëllimi është të mos hidhen mbeturina. Të shohin të rinjtë e të rejat se nuk duhet të hidhet bërlloku në tokë. Ne kemi vendosur edhe kamera nëpër deponi ilegale, me qëllim të ndalohet ndotja e ambientit”, tha kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

    Që aksioni të kalojë pa ndonjë incident, në terren doli edhe policia.

    “Me policë të mjaftueshëm sot i jemi bashkëngjitë aksionit, me rreth 25 policë, sa jemi caktuar vetëm për këtë aksion”, tha Afrim Syla, komandant policie.
    Ndërkaq, pavarësisht se nuk ndajnë të njëjtat bindje politike, komuna Suharekës, me atë të Shtimes, çdo vit bashkohen në aktivitete të tilla. Por, këtë vit Komuna e Shtimes, aksionin do ta mbajë pas festës së Fitër Bajramit. /atvlive.tv

  • S’mund të udhëtojnë nëse nuk e kanë pasaportën kosovare, çfarë thonë serbët e Kosovës për liberalizimin e vizave

    S’mund të udhëtojnë nëse nuk e kanë pasaportën kosovare, çfarë thonë serbët e Kosovës për liberalizimin e vizave

    Serbët e Kosovës nuk do të mundë të udhëtojnë pa viza, pavarësisht liberalizimit.

    Nëse nuk janë të pajisur me pasaporta të Kosovës, pasaportat e tyre të lëshuara nga Serbia nuk u vlejnë.

    Këtë e konfirmoi edhe raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thjis Reuten.

    “Legjislacioni është i qartë – pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë kanë viza. Vendimi është formuluar mjaft me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

    Serbët që jetojnë në Kosovës vazhdimisht kanë refuzuar të pajisen me dokumente të lëshuara nga shteti i Kosovës.

    Megjithatë, e mirëpresin liberalizimin e vizave.

    “I kam bërë disa vjet, andaj nuk konsideroj të udhëtoj. Por për të rinjtë them se kjo ka rëndësi. Për fat të keq, kjo nuk vlen edhe për të rinjtë në veri. Them se njerëzit do të marrin pasaportën e Kosovës, por mua s’më duhet”, thotë një qytetar serb.

    “Mirë që njerëzit mund të udhëtojnë. Unë tashmë kam pasaportë me të cilën mund të udhëtoj, kështu që s’më duhet ndonjë tjetër”, thotë një tjetër qytetar serb.

    Por, ka edhe nga ata që ende e refuzojnë pasaportën kosovare.

    Ndonëse, Serbia ka fituar liberalizimin e vizave në vitin 2009, serbët të cilët jetojnë në Kosovë, janë pajisur me një pasaportë të dorës së dytë, me të cilën u pamundësohet udhëtimi pa viza.

    Për analistin Branslav Kërstiq, e gjithë kjo është rezultat i politikës së Beogradit.

    Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se është duke punuar për liberalizimin e vizave për serbët që jetojnë në Kosovë. Sipas tij, kjo po diskutohet në kuadër të procesit të dialogut. /atvlive.tv

  • Familja Maqastena që jeton në kushte të rënda: Shtëpia ku jetojmë është e shkatërruar

    Familja Maqastena që jeton në kushte të rënda: Shtëpia ku jetojmë është e shkatërruar

    Tavani në dhomën e gjumit iu shemb, e fëmijën nëntë vjeç të familjes Maqastena nga Prishtina, e zuri në gjumë.

    “Nuk kam mundur të vij shpejt. E kam çu djalin e madh. Ai tha: nënë po bie tavani. Thashë: vraponi, hiqeni djalin se është në gjumë. Kur kemi mbërri, e gjetëm përfundi këtyre”, thotë Fedaije Maqastena.

    Nëna që rastin e bëri publik në emisionin “N’frekuencë me Robin” në ATV, tregon se djali i shpëtoi me disa lëndime, por tavani i shembur, është vetëm një barrë më shumë për familjen pesanëtarëshe.

    “Shpia tejet e rrënume. Kjo nuk është për jetesë. As s’kam rrymë, vetëm disa kabllo që i kemi zgjatë… Plloça është gjysma e thyme. Kur e ndezi shporetin, muaji janar, me qenë duke vdekur nga ftohti, duhet t’i hapim dritaret, si me djegë goma brenda. Po m’vjen turp m’i dërgu fëmijët në shkollë, sepse era, po qeshin me ta”, shprehet ajo.

    Madje, ajo nuk ka as vend se ku t’i pastrojë fëmijët e saj.

    Me vetëm 100 euro të ardhura mujore, shumicën e kohës zonja e shtëpisë ushqimin e siguron nga bamirësit. Por, ka raste kur vizitorë të paftuar ia hanë ushqimin.

    “Kam dalë në dy-tre dyqane për ta gjetur më lirë atë gjellë. E kam lanë në kuzhinë të ftohet. Kam shku te shkolla m’i marrë fëmijët, e kur jam kthyer miu e kishte hangër më shumë se gjysmën. Kam shkuar prapë e kam marrë hua, që të kemi ushqim”, rrëfen Fedaije Maqastena.

    Problemet shëndetësore me këmbë e bëjnë atë të paaftë për punë, ndërsa bashkëshorti i saj, me punë krahu e duke mbledhur kanaçe, mundohet të sigurojë të holla për familjen.

    Krejt çfarë Fedaija kërkon, është një banesë ku ajo mund t’i rrisë fëmijët e saj të sigurt e të shëndetshëm. /atvlive.tv