ATV

Blog

  • Nënshkruhet akti ligjor për liberalizim të vizave, Reuten: Padrejtësisë ndaj Kosovës i ka ardhur fundi

    Nënshkruhet akti ligjor për liberalizim të vizave, Reuten: Padrejtësisë ndaj Kosovës i ka ardhur fundi

    Pas vendimit, radha ishte për një akt tjetër të rëndësishëm drejt liberalizmit të vizave. Në Strasburg, Kosova nënshkroi aktin ligjor që i hap rrugë lëvizjes së lirë të kosovarëve.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, teksa dha firmën në dokument, tha se nga janari nuk do të ketë “mijëra mundësi të humbura” për shtetasit e Kosovës.

    “Ky ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa rrugës dhe ka marrë 11 vjet kohë për ta përmbyllur. Liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, të përforcojë lidhjet tona me BE-në, të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë”, tha Bislimi.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Thijs Reuten, ritheksoi se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mundë të udhëtojnë pa viza në Schengen.

    “Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për t’i plotësuar të gjitha kushtet dhe për t’i përmbushur ato para shumë vjetësh dhe tashmë po shpërblehet për këtë gjë. Por, nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, por është me rëndësi edhe për ne, pasi BE-ja përfundimisht e përmbushi premtimin e vet”, tha Reuten.

    Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodhë pas 20 ditësh.

    Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. /atvlive.tv

  • Davenport kërkon të mos “prishen” zgjedhjet në veri

    Davenport kërkon të mos “prishen” zgjedhjet në veri

    Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë – OSBE bëri thirrje për zgjedhje paqësore dhe demokratike, për kryetarë dhe asamble, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të dielën.

    Në një intervistë për ATV-në, ambasadori Michael Davenport tha se është shumë e rëndësishme të shmanget çfarëdo incidenti i dhunshëm dhe të mos ketë përpjekje për të prishur procesin demokratik zgjedhor.

    “Mendoj se është e rëndësishme që votuesve t’u jepet mundësia ta hedhin votën e tyre dhe ajo të bëhet në mënyrë paqësore, të zakonshme, qetësisht. Shpresoj që procesi të ecë pa probleme. Siç thashë, i dëshiroj KQZ-së sukses në drejtimin e këtyre zgjedhjeve dhe që ato të mos pengohen në asnjë mënyrë, të jenë të zakonshme dhe paqësore. Mendoj se ky është prioriteti kryesor”, tha Davenport.

    Ambasadori Davenport foli edhe për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 Prillit.

    “Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht. Të dyja, si kandidatët për zgjedhje, ashtu dhe votuesit, por kjo është zgjedhja që është bërë. Do të jetë e rëndësishme teksa shkohet përpara, që megjithatë interesat dhe pikëpamjet e të gjitha komuniteteve po merren parasysh dhe po merren nën të drejtën e të gjithëve të mbrohen dhe kjo është fondamentale. Një demokraci funksionale, po, ka të bëjë me zgjedhjet demokratike, por është gjithashtu edhe për atë se si shoqëria funksionon dhe si të drejtat e të gjithëve respektohen, po ashtu, ndërmjet zgjedhjeve”, theksoi Davenport.

    OSBE-ja do të ketë vetëm rol monitorues, dhe jo vëzhgues, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. /atvlive.tv

  • Shërbimet sociale, QPS-të me mungesë personeli e pajisje për punë

    Shërbimet sociale, QPS-të me mungesë personeli e pajisje për punë

    Vetëm tre deri në katër punëtorë punojnë mesatarisht në shërbime sociale në të gjitha komunat e Kosovës. Por disa nga Qendrat për Punë Sociale operojnë me vetëm një veturë, pa pajisje adekuate të punës e me infrastrukturë jo të duhur.

    Drejtuesit e QPS-ve, që i bëri bashkë në Prishtinë prezantimi i një analize nga Ministria e Drejtësisë, theksuan se duan fuqizim dhe investime.

    “Ne po e shohim një qasje që realisht ajo do vetëm fuqizim, është funksionale, organi i kujdestarisë është funksional, dhe mundet me pasë shkëputje në sistem, e me mungu ndonjë profil, por është i rregulluam”, tha drejtoresha e QPS-së në Lipjan.

    “Ekspertët i kanë paraqitur saktë punëtorët që ne i kemi thanë. Ka pak lëshime teknike, por i rregullojmë. Por mu ba në kaq pak ditë pune analiza pa e parë në terren punën, nuk kam pritë që ka me dalë diçka ma shumë”, tha drejtori i QPS-së në Prishtinë, Vebi Mujku.

    Analiza ndër të tjera ka identifikuar mosharmonizim të ligjeve që rregullojnë shërbimet sociale.

    E vetëdijshme për gjendjen në të cilën ndodhen QPS-të, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se duhet një koordinim institucional për fuqizimin e tyre.

    “Në kuadër të reformës institucionale, departamenti i politikave të shërbimeve familjare, i cili ka për nevoja sociale dhe familjare, hartimin e rregullores së kësaj fushe, si dhe inspektimin dhe monitorimin e institucioneve dhe individëve të cilët ofrojnë shërbime sociale e familjare, qasja jonë ka qenë e hapur dhe me gjithë akterët institucionalë dhe të shoqërisë civile, në mënyrë ta realizojmë në mënyrë efektive reformën që po e synojmë si Qeveri”, tha Haxhiu.

    Shërbimet sociale kaluan nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë nga janari i këtij viti, derisa ishin nën përgjegjësinë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila u bashkua me atë të Financave.

    Për të parë se si do të menaxhohen tash e tutje, MD-ja fillimisht ka thënë se i duhet një analizë që pasqyron gjendjen reale të rreth 40 QPS-ve që janë aktualisht në vend. /atvlive.tv

  • Escobar: Me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, ShBA do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve në veri

    Escobar: Me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, ShBA do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve në veri

    I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar vendimin e Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore.

    Escobar tha se serbët duhet marrë pjesë në zgjedhje, mirëpo edhe nëse përfundimisht nuk marrin pjesë, ShBA prapëseprapë do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

    “I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, përcjell “Euronews.sr”.

    Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

    “Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”.

    Emisari Escobar po ashtu ka dënuar veprimet e ndryshme kriminale që kërcënojnë sigurinë në rajon, përfshirë këtu djegjen e veturave në veri.

    “Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.

  • Sërish konkurs për policë në veri të Kosovës

    Sërish konkurs për policë në veri të Kosovës

    Boshllëkun që lanë 500 policët e dorëhequr në Stacionin e Mitrovicës së Veriut, Policia e Kosovës ende nuk e ka mbushur.

    Për t’i zëvendësuar, Policia të martën mbrëma hapi një konkurs, i cili vlen vetëm për minoritetet, nga mosha 18 deri në 30 vjeç.

    Por, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka treguar se sa është numri i zyrtarëve policorë që do të pranohen. Megjithatë, shprehet e sigurt se momentalisht ka mjaftueshëm kapacitete.

    “PK-ja ka kapacitete policore dhe në vazhdimësi veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform zhvillimeve dhe vlerësimeve operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Angazhimin e policëve të rinj po e konsiderojnë të nevojshëm edhe njohësit e çështjeve të sigurisë. Por, sipas tyre, zëvendësimi i plotë i policëve të dorëhequr, shihet i vështirë pa ndonjë marrëveshje mes palëve.

    “Dihet që largimi i policëve të Kosovës është bërë me një marrëveshje politike. Është e qartë se zëvendësimi i tyre nuk mund të bëhet pa ndonjë marrëveshje politike”, tha Avni Islami, doktor i shkencave të sigurisë.
    Zëvendësimin e tyre e shohin të nevojshëm edhe politologë që jetojnë në Mitrovicë.

    “Mungesa e policëve në atë pjesë paraqet rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Mitrovicën e veriut”, tha Abdullah Sadiku, politolog.

    Në fakt, Policia e kishte hapur edhe një konkurs në muajin shkurt, por për të aplikuan vetëm 136 syresh. Ata, në mesin e muajit mars iu nënshtruan testimeve fizike, por nuk dihet se sa prej tyre kanë arritur të pranohen. /atvlive.tv

  • I bastisen zyra e banesa, drejtori i KEK-ut bëhet për spital

    I bastisen zyra e banesa, drejtori i KEK-ut bëhet për spital

    Hetuesit e Njësitit për Krime Ekonomike, në mesditë bastisën zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Për afro një orë qëndruan brenda, e cak i tyre ishin dy kontrata për investime në Bllokun A5, mëson televizioni.

    Edhe pse Policia e Kosovës e ka konfirmuar bastisjes, zyrtarë të KEK-ut nuk kanë informacione rreth kësaj situate.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pasur një kontroll nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të këtij kontrolli. Lidhur me këtë, KEK-u si gjithmonë mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

    Pas zyrave, hetuesit bastisën edhe shtëpinë e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Për shkak të këtij kontrolli, Krasniqi pati nevojë edhe për trajtim në Klinikën Emergjente, sipas avokatit, për shkak të shqetësimit, por megjithatë nuk ka qëndruar në spital.

    Pas largimit nga QKU-ja, Prokuroria Speciale njoftoi se ka arrestuar Krasniqin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
    Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh. /atvlive.tv

  • “Boljerat e filterat e Albin Kurtit”/ A ndërlidhen këto deklarata të Armend Zemajt me aksionin e sotëm në KEK?

    “Boljerat e filterat e Albin Kurtit”/ A ndërlidhen këto deklarata të Armend Zemajt me aksionin e sotëm në KEK?

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion të bastisjes në KEK. Në këtë aksion është bastisur edhe zyra e drejtorit të kësaj korporate, Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Policia e Kosovës gjatë ditës e ka konfirmuar se ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

    Ndërsa, Korporata Energjetike e Kosovës-KEK ka potencuar se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje.

    “Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle.

    Lidhur me dyshimet për keqpërdorime në KEK ka pasur akuza edhe më parë nga opozita.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, për këtë gjë kishte folur në intervistën e tij më datën 30 mars në emisionin DIREKT në ATV, ku e kishte akuzuar kryeministrin Kurti, për siç e quan ai, talljen e cila i kushtoi 4.4 milionë euro më shumë për çdo muaj vetëm për shkak të mos funksionimit të bllokut A5.

    “Te interferimet e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje, këshilltarëve të pensionuar, të nomenklaturës së kaluar, të cilët janë instaluar në Vetëvendosje dhe nga atje japin këshilla për Korporatën Energjetike të Kosovës për menaxhmentin ku ishte edhe rasti me anulimin e tenderit për riparim, ku edhe ky tender, kushtoi 2 milionë më shumë se në vitin 2020 dhe kjo nuk ka emërtim tjetër përpos aferë korruptive edhe korrupsion masiv mbi kurrizin e qytetarëve të vendit”, kishte deklaruar Zemaj. /atvlive.tv

  • Arrestohet Nagip Krasniqi

    Arrestohet Nagip Krasniqi

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

    Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.​

  • Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, para studentëve të AAB-së: Tani kemi rol mbështetës në konsolidimin e institucioneve

    Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, para studentëve të AAB-së: Tani kemi rol mbështetës në konsolidimin e institucioneve

    Shefi i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë për Kosovë, ambasadori Michael Davenport, vizitoi Kolegjin AAB.

    I shoqëruar nga dekani i Fakultetit Juridik, Veton Vula, ambasadori i OSBE-së, Davenport, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të juridikut, shkencave politike, administratës publike dhe të tjera drejtimesh.

    Ambasadori u shpjegoi studentëve për misionin e OSBE-së dhe rolin mbështetës për institucionet e sigurisë, drejtësisë, komunat, komunitetet dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të kaluarën.

    “OSBE-ja gjithmonë ka luajtur rol mbështetës këtu. Puna e vërtetë është bërë nga ata në Kosovë, që ishin të vendosur të ndërtonin këto institucione me mbështetjen e OSBE-së. Cili është roli tani? Policia është tani, gjykatat janë. Përgjigjja është, tani ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve”, tha Davenport.

    Ai lavdëroi punën dhe avancimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Avokatit të Popullit, teksa përmendi edhe sfidat dhe rolin në zgjidhjen e tyre – me theks ato në sistemin e drejtësisë.

    “KPK-ja, KGJ-ja dhe Ministria e Drejtësisë bënë një deklaratë të përbashkët për forcimin e drejtësisë, trajnimet, vlerësimin profesional. Vërtetë e mirëpres këtë, sepse kemi pasur një periudhë shumë të vështirë, praktikisht kishim bojkot të Qeverisë nga gjyqësori lidhur me pagat. Ne ishim të përfshirë në diskutimet për këtë deklaratë dhe miratimin e saj”, theksoi Davenport.

    Dekani Veton Vula e vlerësoi lart bashkëpunimin e OSBE-së me kolegjin AAB dhe paralajmëroi projekte tjera të përbashkëta.

    “Vitin e kaluar, kishim disa takime dhe konferenca ndërmjet OSBE-së dhe kolegjit tonë për të drejtat e njeriut dhe religjionin. Këtu ishin të gjithë përfaqësuesit e religjioneve në Kosovë. Ne do të vazhdojmë edhe në nëntor dhe dhjetor, sepse në dhjetor e kemi ditën e të drejtave të njeriut”, tha Vula.

    Diplomati britanik, i cili në të kaluarën ka shërbyer si ambasador i Britanisë së Madhe, por edhe Shef i BE-së në Serbi, u përgjigj në pyetjet e studentëve për sfidat e misionit në Kosovë dhe përvojat nga e kaluara.

    Ambasadori Davenport ishte i interesuar në pikëpamjet e studentëve për ndikimin e liberalizimit të vizave në të ardhmen e tyre.

    Shumica e studentëve thanë se liberalizimi i vizave krijon mundësi më të mira për zhvillimin profesional dhe personal, përmes studimeve jashtë vendit, por theksuan se preferojnë kthimin për të dhënë kontribut në Kosovë.

  • Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Bislimi pas nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave: Përçohet mesazhi se jemi pjesë e Evropës

    Në Stazburg ka përfunduar ceremonia e nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.

    “Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngusht me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për durimin. Do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi”.

    Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.

    “Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.

    Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.