ATV

Blog

  • FSK-ja publikon pamjet e operacionit në Liqenin e Badovcit, ku u gjet i pajetë një person

    FSK-ja publikon pamjet e operacionit në Liqenin e Badovcit, ku u gjet i pajetë një person

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, disa pamje gjatë operacionit të së mërkurës për kërkim shpëtimin e një personi, i cili u gjet i pajetë.

    Sipas njoftimit, trupi i viktimës u gjet në zonën e Liqenit të Badocit – pas disa orësh kërkimi.

    “Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, për operacionin e kërkim shpëtimit malor dhe K9 të Gardës Kombëtare të FSK-së”, thuhet në njoftimin për media.

    “FSK ka marr të gjitha masat dhe ka angazhuar ekipet në Operacion e kërkimit të personit të zhdukur me inicialet G.G, dhe ka arritur që pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Badocit”.

    Tutje, bëhet e ditur se pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme.

  • Ndeshja Bjellorusi – Kosovë pritet të zhvillohet në Greqi

    Ndeshja Bjellorusi – Kosovë pritet të zhvillohet në Greqi

    Kombëtaren e Kosovës në futboll në qershor e presin dy ndeshje vendimtare sa i përket kualifikimit në Kampionatin Evropian 2024.

    Fillimisht Kosova në “Fadil Vokrri” luan me Rumaninë me 16 qershor, ndërsa me 19 qershor është mysafir i Bjellorusisë.

    Në mes të dy opcioneve, Greqisë apo Turqisë, Bjellorusia ka vendosur që ndeshjen ndaj Kosovës ta luaj në shtetit grek.

    Në ditët në vijim do të bëhet i ditur qyteti dhe stadiumi në të cilën do të zhvillohet kjo sfidë.

    Kjo ndeshje i takon raundit të katërt dhe është paraparë të zhvillohet me datë 19 qershor, ndërsa përveç Kosovës dhe Bjellorusisë në Grupin I për bëjnë pjesë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli dhe Andorra. /atvlive.tv

  • Bastisje në KEK

    Bastisje në KEK

    Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

    Mësohet se bastisja është bërë nga hetues të krimeve ekonomike. Motivet janë rreth një tenderi për njërin prej termocentraleve.

    KosovaPress ka kontaktuar zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucollin, por ai nuk ka konfirmuar bastisjen. Deri në momentin e publikimit të lajmit, as Policia dhe as Prokuroria Themelore nuk kanë kthyer përgjigje për këtë rast.

  • ​Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB

    ​Vuçiq: Serbia nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB

    Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar që asnjëherë nuk do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Ai ka folur në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, ky i fundit ka theksuar që presin zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të saj, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas diplomatit suedez, tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet me BE-në dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave.

    “Tani do të jetë e rëndësishme që Serbia të përafrohet plotësisht me BE-në në lidhje me Rusinë dhe të zbatojë agjendën e saj të reformave. Sa i përket dialogut për normalizim presim që të gjitha dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit të zbatohen menjëherë”, ka thënë Billström.

    Ndërsa sipas Vuçiq, Kosova duhet të formojë asociacionin dhe pastaj Serbia do të përmbushë pjesën e saj të punës.

    “Sot mbushen 10 vjet nga miratimi i marrëveshjes së Brukselit. Formoni ju asociacionin e komunave serbe me kompetenca thelbësore, kur ta bëni këtë, Serbia gjithmonë e ka mbajtur fjalën, siç e mbajti pas marrëveshja e Brukselit, dhe në të ardhmen dhe Serbia do ta përmbushë pjesën e saj të punës, por nuk ka lojë rreth kësaj, duhet ta përmbushni dhe vetëm kur ta përmbushni këtë, atëherë do ta përmbushim pjesën tonë”, ka thënë Vuçiq.

    Ai ka shtuar se qëndrimi i Serbisë është që nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

    “Unë që të mos ketë dilema e përsërita cilat janë qëndrimet e Republikës se Serbisë do të thotë se Serbia atë qe ka thëne se do te plotësoje, atë do ta përmbushë, por Serbia nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borellin, edhe Lajçakun, edhe Scholz, edhe Macronin, edhe Bllinkenin, dhe të gjithë në rruzullin tokësorë me të cilët kemi folur”, ka thënë ai.

  • Korporata LIKA Holding AG pritet të ndërtojë hotelin prestigjoz Summit Davos

    Korporata LIKA Holding AG pritet të ndërtojë hotelin prestigjoz Summit Davos

    Gazetari Claudio de Pedrini shpjegon: Korporata LIKA Holding AG pritet të ndërtojë në Davos një hotel në vend të klinikës së famshme. Në vend të pacientëve, shumë shpejt do të priten mysafirë në hotelin e ri luksoz.

    Në vitin 1906 klinika e famshme në Davos u ndërtua nga një kompani angleze. Klinika u përfundua në vitin 1911 dhe ju shit 11 vjet më vonë Kantonit te Thurgaut dhe Kantonit të Schaffhausen.

    Nga koha e lavdishme e Davosit si qendër kuruese, mbeten kujtime vetëm në romanin “Fshati magjik” të Thomas Mann. Çdo vit, përreth 1.5 milion pacientë nga gjithë Europa vinin në Davos për të kuruar tuberkulozin – midis ketyre dhe tek klinika në fjalë. Pas zbulimit të antibiotikut, mjekësia moderne e zëvendësoi ajrin e pastër dhe e ndërpreu interesin e madh të pacientëve në klinikat e Davosit.

    Gazetari Claudio de Pedrini vazhdon dhe shpjegon: Qëllimi i qytetit të Davosit ishte ruajtja e ndërtesës. Investitori LIKA Holding AG mund të kishte vendosur ta shkatërrojë ndërtesën, pasi nuk është e monument kulture i mbrojtur. Por e ka bindur investitorin LIKA Holding AG të ndërtojnë kompleksin e ri në krah të ndërtesë ekzistuese në mënyrë sa më diskrete të jetë e mundur, në mënyrë që ndërtesat e reja të mos e mbulojënë ndërtesën e vjetër. Së bashku me investitorin LIKA Holding AG, qyteti i Davos ka organizuar një konkurs arkitekturor kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim që të krijohet një projekt të ri në harmoni me ndërtesën ekzistuese të klinikës.

    Në konkursin e arkitekturës që u zhvillua rezultoi fitimtar një projekt që mundëson krijimin e apartamenteve luksoze, së bashku me hotelin.

    Anëtari i parlamentit të qytetit të Davosit, Simi Valär shpjegon: Sfida kryesore është të kuptojmë pritshmëritë e njerëzve se çfarë duhet të ndodhë atje lartë, sepse kjo zonë ka një kuptim të veçantë për njerëzit e Davosit. Qëllimi i qytetit të Davosit ishte të këshillojë investitorët LIKA Holding AG në këtë rrugëtim dhe t’i tregojë atyre se çfarë njerëzit e Davosit do të kishin dashur të kenë atje lartë. Investitorët LIKA Holding AG ishin bashkëpunues dhe i mirëpritën këshillat tona.

    Cengizhan Ari, CEO i Neue Haus AG, pjesë e LIKA Holding AG shpjegon që klinika ekzistuese do të shndërrohet në një hotel dinjitoz. Kemi bërë një konkurs tek hotelet më prestigjoze ndërkombëtare dhe kemi marrë përgjigje shumë të mira.

    Në verë duhet të fillojnë punimet e rikonstruksionit të klinikës së vjetër në një hotel, i cili do të hapë dyert e tij në vitin 2024.

    Ertion Axha, Anëtari i Bordit të LIKA Holding AG shpjegon:

    Si fillim, është vërtet një kënaqësi për mua të përfaqësoj LIKA Holding AG në këtë prezantim të projektit në Davos. Sigurisht që Davosi është shumë i njohur dhe flet vetë për veten e vet. Ndër të tjera, Davosi është qendra e World Economic Forum si dhe vendodhja e disa prej pistave më të mira të skive në Alpet Zvicerane. Prandaj, në fakt, jemi shumë të lumtur që Qyteti i Davosit dhe specifikisht Anëtari i parlamentit të qytetit të Davosit, Simi Valär, kanë pranuar të bashkëpunojnë kaq ngushtë me ne dhe na kanë lejuar ta zhvillojmë këtë projekt monumental. Ky është shansi ynë si dhe një nder i madh për ne të kontribuojmë me projekt prestigjoz në Zvicrër. Ne i jemi shumë falenderues Zvicrës për të gjitha mundesitë që na i ka dhënë, të arrijmë këtë sukses e të kemi mundësi t’i trashëgojmë asaj një projekt të tillë si në Davos.

    Korporata LIKA Holding AG, përgjatë experiencës tonë 11 vjeçare, kemi zhvilluar 79 projekte në cilat zvillohen dhe ndërtohen 215 objekte të çdo lloj tipi, duke përfshirë prej apartamentet, për të vazhduar më tej tek zyrat, hotelet dhe monumententet kulturore të ndryshme. Edhe pse vetëm 11 vjet në tregun e Zvicrës, ne kemi arritur të kemi në pronësi prona dhe projekte të tilla si ky projekt në Davos. Ne punojmë në shumicën e kantoneve të Zvicrës, duke përfshirë Zürich, Zug, Luzerne, Basel, St. Gallen, Graubünden, Tessin, Aargau, Geneva, e të tjerë.

    Në projektin në Davos, me këtë prezantim përpara komunitetit në Davos, ne jemi në fazat përfundimtare të fillojmë ndërtimin përafërsisht 34’000 m2 sipërfaqe. Duke marrë parasysh vendodhjen unike në Davos, si dhe të konsideruar edhe si më e mira në Kantonin e Graubünden, na u lejua t’i japim hotelit emrin “Hotel Summit Davos” . Përveç hotelit, në këtë projekt do të ndërtojmë edhe apartamente luksoze, SPA me ujëra Kurative që i duhen shumë Davosit, si dhe Apartamente me shërbim cilësor. Hoteli do ti hapë dyert në tremujorin e katërt të 2024.

    Për çdo pyetje tjetër, ju lutemi të na kontaktoni. Ju falenderojmë për kohën.

  • Nënshkruhen kontratat mes KOK-ut dhe 32 bursistëve “Shpresa Olimpike 2023”

    Nënshkruhen kontratat mes KOK-ut dhe 32 bursistëve “Shpresa Olimpike 2023”

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) nënshkroi kontratat me 32 bursistë “Shpresa Olimpike 2023”, të cilët do të mbështeten nga KOK-u.

    Sportistët të cilët janë përfitues të kësaj burse i takojnë moshave 14-21 vjeç, dhe do jenë përfitues të 150 eurove në muaj gjatë tërë këtij viti, raporton KosovaPress.

    Pas nënshkrimit të kontratave foli presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i cili tregoi se numri i bursistëve është rritur nga 25 në 32.

    “Bursistët, që vijnë nga 17 federata sportive olimpike, janë përzgjedhur nga komisioni i sportit, ndërsa të gjithë këta vlerësohen që kanë potencial për të ardhmen”, tha Krasniqi.

    Në emër të federatave, kryetari i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të KOK-ut, duke thënë se sportistët duhet të punojnë shumë, në mënyrë që të shpërblejnë mbështetjen e KOK-ut.

    Në anën tjetër, në emër të sportistëve, foli skitarja Lirika Deva, e cila falënderoi KOK-un për mbështetje, derisa shpreson që bursa do t’iu ndihmojë për përgatitje dhe gara.

  • ​Lëvizje pro-perëndimore në Serbi? Stradner: Lojë tjetër manipuluese e inteligjencës serbe

    ​Lëvizje pro-perëndimore në Serbi? Stradner: Lojë tjetër manipuluese e inteligjencës serbe

    Ekspertja e sigurisë dhe njohësja e Ballkanit, Ivana Stradner i ka quajtur lojëra të inteligjencës serbe paralajmërimet për krijimin e një lëvizjeje gjoja perëndimore në Serbi.

    Stradner ka shkruar në Twitter se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka krijuar tashmë një grup tjetër njerëzish të supozuar pro-perëndimorë në disa organizata joqeveritare dhe qeveri për të manipuluar Perëndimin.

    “Është interesante të vërehet se një lëvizje gjoja pro-perëndimore do të krijohet në Serbi për të manipuluar Perëndimin naiv. Kjo ka të ngjarë të jetë një lojë tjetër e inteligjencës serbe… ndërsa bëja kërkimet e mia në mediat sociale, hasa disa të rinj mbresëlënës, të cilët tashmë po tregojnë me krenari se i janë bashkuar këtij grupi. Ka kuptim pasi Vuçiq ka krijuar tashmë një grup tjetër njerëzish të supozuar pro-perëndimorë në disa OJQ dhe qeveri për të manipuluar Perëndimin (ata kritikojnë Rusinë ose Kinën, por kurrë Vuçiqin)”, ka shkruar ajo.

    Ajo ka tërhequr vëmendjen se mashtrimi është çelësi në doktrinën serbo-ruse të sigurisë.

    “Mos harroni gjithmonë: mashtrimi është çelësi në doktrinën e sigurisë ruse dhe serbe”, ka shtuar ajo.

  • Cassano fajëson Rrahmanin për eliminimin e Napolit nga Liga e Kampionëve

    Cassano fajëson Rrahmanin për eliminimin e Napolit nga Liga e Kampionëve

    Në kanalin “Bobo TV”, Antonio Cassano ka komentuar kalimin tutje të Milanit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi “Rossonerët” eliminuan skuadrën e Napolit.

    Milani eliminoi Napolin brenda dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 2:1, dhe e arriti gjysmëfinalen e turneut pas plot 16 vitesh, raporton KosovaPress.

    Diferencën e bëri ylli portugez Rafael Leao me një super paraqitje, ku vrapoi më shumë se 80 metra me top në këmbë për të asistuar te Olivier Giroud, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes duke e kaluar Milanin në epërsi prej 1:0 në pjesën e parë.

    Tani, Cassano, analist i zakonshëm në “Bobo TV” dha mendimin e tij për ndeshjen. Ish-ylli i Romas dhe Real Madridit u fokusua në disa probleme të Napolit, ku njëri prej tyre ishte edhe ylli kosovar, Amir Rrahmani.

    Cassano e fajësoi Rrahmanin për golin që Napoli e pësoi, duke thënë se mbrojtësi kosovar mund ta kishte ndalur aksionin duke shkaktuar ndërhyrje të palejueshme.

    “Milani e luajti ndeshjen si një skuadër e vërtetë dhe diferenca prej 24 pikësh në ligë nuk u ndje. Por pse Rrahmani nuk bëri ndërhyrje për ta ndalur golin? Menjëherë kur Leao morri topin, ai nuk duhej ta lejonte”, tha Cassano.

    Më tej, Cassano uroi Napolin për aventurën që e ka bërë deri tani, por tha se Milani kaloi tutje me plot meritë.

    “Urime Napolit për aventurën që e ka bërë, por për të bërë një hap para, i duhet edhe një lojtar qendror i një niveli të lartë. Milani kaloi tutje me plot meritë”, tha Cassano.

  • ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    ​Osmani: Sali Çekaj la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 24 vjetorin e rënies. Ajo ka thënë se ai ishte një prej strategëve më të shquar të luftës dhe veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.

    Osmani ka thënë se Sali Çekaj ka lënë gjurmë në organizimin e UÇK-së dhe të betejave për liri.

    “Komandant Çekaj ishte njëri ndër strategët më të shquar të luftës, por veprimtar i paepur në përpjekjet e popullit të Kosovës për liri. Veprimtarinë atdhetare e nisi herët, për të mos iu ndarë deri në rënien e tij heroike, më 19 prill 1999. Njëherë në Kosovë e më pas në mërgim, ai dëshmoi se si punohet e vdiset për atdhe. Së bashku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë të tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u shqua si strateg ushtarak. Si komandant i Brigadës 134, la gjurmë të pashlyera në organizimin e UÇK-së dhe të betejave të saj për liri”, thuhet në shkrimin e Presidencës në Facebook.

  • BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një njoftim ku thuhet se muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon të enjten, derisa dita e parë e Fitër Bajramit është të premten.

    BIK njofton se manifestimi qendror për këtë festë do të mbahen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë në orën 05:05 me faljen e namazit të sabahut.

    Ndërsa namazi i Fitër Bajramit do të bëhet në orën 06:23 të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Njoftimi i plotë:

    DITA E PARË E FITËR – BAJRAMIT

    të premten më 21 prill 2023

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar Ramazan përfundon ditën e enjte, më 20 prill 2023.

    Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premte, më 21 prill 2023.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    Manifestimi fillon në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

    Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

    Me fat festa e Fitër – Bajramit!