ATV

Blog

  • Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën e sotme të raportojë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli. Pas arrestimit të djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo parti ka kërkuar që ministrja të japë informacione mbi këtë situatë. Këtë mocion nuk e ka mbështetur shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka propozuar një mocion për ndryshim të rendit të ditës, që të mundësohet raportimi i Rizvanollit.

    “Si GP i PDK-së bazuar në rregulloren e kuvendit, në pikën 94 të shqyrtimit të çështjeve urgjente, kërkojmë që tashmë të vendoset si pikë e parë të rendit të ditës, raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik mbi arrestimet e djeshme që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ne e dimë që KEK drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria e Kosovës, ky bord e ka emëruar një kryeshef, i cili ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, zyrtar i lartë i LVV-së. Dhe ditën e djeshme një zyrtar i tillë është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë ai, raporton KP.

    Tahiri ka theksuar se së shpejti do të dorëzojnë dosje në prokurori për abuzimet, siç ka thënë ai, që janë bërë nga kryeshefi i KEK-ut.

    “Si Grup Parlamentar tash e një vit e gjysmë i kemi ngritur shqetësimet tona rreth abuzimeve që kanë ndodhur dhe keqmenaxhimeve dhe krizës energjetike në Republikën e Kosovës. Pra, kemi themeluar edhe një komision hetimor, ku tashmë kemi përgatitur edhe një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut. Ne kemi parë që atë ka ndodhur një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderat një burimor dhe shumë çështje të tjera që lidhen me punësime”, ka shtuar Tahiri.

    Por, ky mocion nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    “77 deputetë votuan, morën pjesë në votim, për mocionin ishin 32. Kurse kundër mocionit ishin 45. Prandaj mocioni nuk mund të kalojë”, ka njoftur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

  • Sulmohet zyrtari policor nga kontrabanduesit e mallrave

    Sulmohet zyrtari policor nga kontrabanduesit e mallrave

    Në Viti janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë për arsye se nuk u i ishin ndaluar zyrtarëve policorë në një pikë kontrolli.

    Pas ndjekjes policia ka rritur ta ndalojë kamionin me të cilin po lëviznin të dyshuarit dhe njëri prej tyre e kishte sulmuar një zyrtar policor.

    “Gjatë kontrollit në kamionin e të dyshuarve janë gjetur 11 krerë gjedhe që dyshohet se i kishin futur ilegalisht nga Maqedonia e Veriut. Me vendim të prokurorit kamioni dhe kafshët janë dërguar doganës, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e fundit të Policisë së Kosovës.

  • KPK reagon ndaj deputetëve të Vetëvendosjes që mbrojtën Nagip Krasniqin

    KPK reagon ndaj deputetëve të Vetëvendosjes që mbrojtën Nagip Krasniqin

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar fuqishëm dhe ka shprehur indinjatën e thellë ndaj deklaratave të deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas tyre, kanë përdorur gjuhë të papranueshme dhe tendencioze lidhur me punën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.

    Pas arrestimit të drejtorit të Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, deputetët Halil Thaçi,Arbër Rexhaje Adnan Rrustemi, në deklarimet publike i dolën ën mbrojtje drejtorit të arrestuar të KEK-ut.

    Mirëpo, KPK-ja konstaton se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial dhe po përçojnë mesazhe tendencioze politike, sikurse thonë se që kanë bërë edhe kësaj radhe, duke përdorur gjuhë denigruese kundër personalitetit të Blerim Isufajt, kandidatit për kryeprokuror të shtetit.

    Për KPK-në kjo gjuhë është në kundërshtim me të gjitha normat etike, ligjore dhe kushtetuese.

    “Këshilli Prokurorial vlerëson se, deklaratat e tilla, siç ishte ishin ato të djeshmet, janë në kundërshtim të plotë me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit, ngaqë puna dhe angazhimi i të gjithave, përfshirë edhe PSRK-në , burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar”, thuhet në komunikatë.

    Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se qëndron plotësisht prapa punës së mirëfilltë dhe shumë profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prapa punës dhe angazhimit të prokurorëve të PSRK-së dhe në asnjë rast nuk do të tolerojë denigrimet dhe atakimet qëllimkëqija ndaj angazhimeve dhe përkushtimit të bartësve të sistemit prokurorial.

    Në përmbyllje të reagimit, KPK-ja ia risjellë në vëmendje kujtdo që tenton të cenojë punën e kësaj prokurorie dhe Kryeprokurorit Blerim Isufaj, si dhe përgjithësisht punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit se, pushteti gjyqësor dhe prokurorial është i veçantë, me institucione kushtetuese, të pavarura dhe të paanshme, të cilat kryejnë detyrën e tyre në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke u bazuar gjithnjë në prova dhe fakte.

  • Konjufca për kërkesën e Escobarit për Asociacionin: S’duhet të pranohet pa ndodhur njohja nga Serbia

    Konjufca për kërkesën e Escobarit për Asociacionin: S’duhet të pranohet pa ndodhur njohja nga Serbia

    Kryetari i Kuvendit Glauk  Konjufca, tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociacionit pa u arritur njohja nga Serbia.

    “Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator me të cilin Kosova tashmë  është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet tash takimi i 2 majti që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi. Unë mendoj që në dy binar është e ndërtuar marrëveshja, binari i para është njohja de facto nga ana e Serbisë ndërsa binari i dytë është Asociacioni të cilin Kosova, Qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme e në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”, tha ai, raporton EO.

    “Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluar është se ekziston një ekip i menaxhimit. I cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofroj tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke pa përbërjen e këtë menaxhment-team, ku është i përberë edhe nga deputete e Serbisë, kjo është e pa pranueshëm për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhimet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë unë mendoj që me e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment”.

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel.

    “Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

    Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

    “Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por, tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha Escobar.

    Escobar: ShBA pret propozim konkret nga Kosova për Asociacionin deri më 2 maj

  • Persona me aftësi të kufizuara u ankohen deputetëve: Mungon qasja në shërbime shëndetësore e zbatim të ligjeve

    Persona me aftësi të kufizuara u ankohen deputetëve: Mungon qasja në shërbime shëndetësore e zbatim të ligjeve

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është takuar me përfaqësues të e grupit avokues të prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuara në Handikos, raporton Ekonomia Online.

    Avokuesit e prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuara në Handikos, patën ankesa në lidhje me mungesën e shërbimeve shëndetësore, sociale, qasje në institucionet shëndetësore e po ashtu edhe për ligjet që i prekin këtë persona.

    Kryetarja e Komisionit Fatmire Kollçaku, tha se shoqata Handikos, që nga themelimi ka bërë punë të mëdha për personat me aftësi të kufizuar, duke shtuar se janë në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë sa u përket ligjeve.

    “Për ne është më rëndësi ta dëgjojmë zërin e qytetarëve, kemi vizituar shoqatën e juaj dhe shoqatat e tjera. Unë mendoj se Handikosi ka kryer disa punë më shumë se shteti që është dashtë me i kryer. Ne jemi edhe në komunikim me ministrin për ligjet. Ne si ndërmjetësues tuaj në këto faza mund të insistojmë sa më shumë në grupe punuese”, tha ajo.

    Afërdita Gashi, kryesuese e Grupit avokues nga Handikosi, tha se shumë kërkesa të tyre nuk janë marrë parasysh.

    Sipas saj, ligji i cili i vlerëson personat me aftësi të kufizuar nuk po gjen zbatimin e duhur. Ajo pati ankesa për komisionet që vlerësojnë këta persona.

    “Ky grup është formuar prej viti 2012, shqetësimet e prindërve, sfidat normal që janë sfidat shëndetësore e sociale. Janë sfida që edhe në nuk dimë me i përshkruar. Në takimet me nivelin qendror i kemi paraqit këto sfida dhe nuk janë marr parasysh. Ne kemi ankesa për ligji për personat paraplegjik dhe tetraplegjik dhe për ligjin invalidor. Ky ligj nuk po e vlerëson si duhet një person me parapligji. Kjo është një pikë e parë që duhet të diskutohet për vlerësimin për këta persona. Ne po kërkojmë që të bëhet institucionalizimin e shërbimeve sociale, kjo është një sfide po ashtu për ne”, tha ajo.

    Mimoz Rrahmani, nga Handikos, tha se janë duke u përballur me mungesë të shërbimeve shëndetësore.

    Ndonëse tha se ligjet nuk mungojë, ato nuk po zbatohen sa duhet, raporton EO.

    “Shërbimet shëndetësore janë primare në rehabilitimin e tyre, në qasje e tyre. Kur përmendet ligji që është aktual, e kam shikuar si një prind që ballafaqohet me sfidat e kam analizuar përderisa nuk janë shërbimet sociale është problem. Një sfidë është edhe shërbimi i stomatologjisë, shërbimet nuk po ofrohen, ne kemi raste që është dashtë me shkuar në Shkup për t’u trajtuar. Nuk mund të themi se nuk kemi bazë ligjore. Edhe pjesëmarrje në shkolle nuk mundet me qenë, kur ka mungesa në aspektin e shërbimeve shëndetësore”, tha ajo.

    Lirie Sadria, nga Handikos, e cila po ashtu është person me aftësi të kufizuar tha se, kjo kategori shoqërore është duke u përballur edhe me pengesa në qasje në institucionet shëndetësore.

    “Një prej sfidave që edhe në përballim është qasja. Ka shumë pengesa në qasje ne institucione shëndetësore. Këto shqetësime i kemi ngritur. Unë jam ballafaquar me këtë problem”.

    “Mos qasja është diskriminim është jo e drejtë. Një prej tyre është edhe koha e caktuara e vizitave që bëhet nëpër spitale. Ne duhet me prit 2,3 deri në 4 orë. Kemi edhe probleme në qasje në WC. Edhe WC që janë të mbyllura, ata në pamjen fizike ma caktojnë se a kam të drejtë a jo të përdori”, tha ajo.

  • Lansohet në qarkullim pulla postare “Hidroelektrana e Prizrenit”

    Lansohet në qarkullim pulla postare “Hidroelektrana e Prizrenit”

    Posta e Kosovës të enjten lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare të titulluar “Hidroelektrana e Prizrenit”.

    Në njoftim thuhet se historia e elektrifikimit në Kosovë ndërlidhet me Hidroelektranën e parë në vend, të ndërtuar në vitin 1929 në Prizren.

    “Ky elektrifikim, krijoi mundësitë të reja zhvillimore në Kosovë në lëmin ekonomike dhe kulturore. Hidroelektrana e Prizrenit për dyzet e katër vjet furnizoi qytetarët me energji elektrike. Në vitin 1975 objekti është shndërruar në muze dhe bënë pjesë si aset i trashëgimisë sonë kulturore, me status të monumentit me mbrojtje të përhershme”, thuhet në njoftimin e Postës.

    Ky emision i pullave postare përbëhet nga një pullë postare dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërsa në qarkullim postar do të jetë deri në konsum të plotë.

  • Zeqiri: Do ta sjellë jetën institucionale në Zubin Potok

    Zeqiri: Do ta sjellë jetën institucionale në Zubin Potok

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse del i pari në zgjedhjet e 23 prillit do të sjellë jetën institucionale për të gjithë qytetarët e kësaj komune.

    Ai konsideron se dëshira për punë ekipore nga ana e tij, si dhe qasja e deritashme e komunikimit me qytetarët, do të bëjnë që qytetarët e këtushëm t’ia besojnë vendin e të parit të qytetit, të cilin synon ta udhëheqë.

    Duke folur për vakumin e deritashëm institucional në komunat veriore, ai premtoi se do të jetë fuqishëm i angazhuar për të sjellë më në fund jetën institucionale në Zubin Potok.

    “E dinë qytetarët të cilët më njohin se unë jam këtu akter i hershëm politik, ushtarak, por edhe punoj në zyrën komunale për komunitete dhe kam pasur shumë përvoja me njerëz, edhe ata me mua. E dinë njerëzit se unë jam tejet i vendosur në realizimin e atyre planeve që ne i planifikojmë. Jam njeri i cili kam dëshirë të punoj jo vetëm, por me qytetarët në ekip dhe së bashku… Arsyeja pse duhet qytetarët të më votojnë mua është pikërisht kjo, e dinë njerëzit besueshmërinë, guximin dhe profesionalizmin tim, si dhe qasjen e komunikimit me qytetarët… Tanimë veç është e njohur në tërë Kosovën vakumi institucional së fundmi në komunat veriore… Kur ka vakum institucional, natyrisht që nuk është mirë për asnjë qytetar, komunitet, asnjë grupacion… Do të jemi fuqishëm të angazhuar për ta sjellë jetën institucionale në këtë trevë”, ka thënë Zeqiri.

    Edhe pse situata aktuale e sigurisë në këtë komunë është e brishtë, ai tha se beson tek organet e sigurisë dhe nuk parasheh incidente ditën e zgjedhjeve.

    “Situata aktuale është problematike për faktin se shumica e banorëve serbë në këto komuna po shihet sjellja dhe mendësia e tyre antishtetërore, antiinstitucionale. Kjo përbën rreziqe, demotivim të njerëzve, jo vetëm për qytetarët e etnisë shqiptare, por edhe për serbët… Nuk ishte dashur të ketë incidente, besoj në Policinë e Kosovës… Edhe në qoftë se eventualisht do të shfaqet ndonjë problem, do të evitohet”, ka thënë ai.

    Zeqiri iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh për të votuar, ndërsa ka garantuar se do të qëndrojë prapa të gjitha premtimeve të dhëna ndaj tyre.

    “Mesazhi im për qytetarët kishte me qenë që të dalin dhe të votojnë për kandidatët që janë në garë… Kurse për qytetarët e Kosovës unë kisha bërë thirrje të jemi unik në këto procese, Kosova nuk është krejt në gjendje të mirë, i duhet unitet këtij populli, për ta sfiduar çdo sfidë me të cilën ballafaqohet edhe shteti’, theksoi Zeqiri.

    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë, prej të cilëve 6 mijë e 661 votojnë në Komunën e Zubin Potokut.

  • Presidenti i Bayernit paralajmëron blerje të fuqishme në sulm

    Presidenti i Bayernit paralajmëron blerje të fuqishme në sulm

    Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, ka bërë të ditur se do të nënshkruajë me një sulmues në verë pas humbjes nga Manchester City në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    “Na mungon golashënuesi që i përfundon aksionet. Kjo është ajo që do të na duhet patjetër në të ardhmen,” tha 68-vjeçari.

    “Nëse mund të më identifikone atë që godet menjëherë, ne do ta blinim menjëherë,” vazhdoi ai: “Por supozoni se do ta forcojmë ekipin në mënyrë që të mund të kemi fjalën përsëri në titullin e Ligës së Kampionëve. Qëllimi ynë është shumë i qartë. për të qenë në krye të Evropës”, vazhdoi ai.

    Por a do të ishte i përballueshëm Harry Kane i Tottenhamit ose një kalibër i ngjashëm si Victor Osimhen i Napolit?

    “Financiarisht, Bayerni është shumë, shumë mirë i pozicionuar,” tha Hainer. “Ne kemi një përqendrim shumë të mirë të kapitalit dhe gjithashtu kemi para në llogarinë e depozitave fikse.”, theksoi ai, përcjellë KosovaPress.

    Hainer konfirmoi gjithashtu se ndryshimi i trajnerit nga Julian Nagelsmann në Thomas Tuchel ishte urgjentisht i nevojshëm.

  • Brenda Muzeut në Prekaz, rrëfime e të pathëna për jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    Brenda Muzeut në Prekaz, rrëfime e të pathëna për jetën dhe sakrificën e familjes Jashari

    Në kuadër të rubrikës “Copëza jete” të emisionit të mëngjesit ALARM në ATV, ekipi i këtij televizioni ishte në vizite te Muzeu i familjes Jashari në Prekaz.

    Xhevat Imeri, drejtues i këtij muzeu, rrëfeu për ATV-në se si kishte ardhur deri tek ideja për krijimin e një muzeu në të cilin do të ekspozohen eksponate të jetës dhe sakrificës së familjes Jashari në Prekaz.

    “Është një vend që t’i shpalosë gjërat reale të familjes Jashari. Të them të drejtën, ky muze nuk ka qenë i paraparë, sepse pika ku ndodhet tani muzeu është një pikë, kur është caktuar projekti, ishte paraparë diçka krejt tjetër”, tregon Imeri.

    Ai tha se para themelimit të këtij muzeu, kohën më të madhe e kishin kaluar në baraka, fillimisht tek oborri i familjes Jashari, e më pas tek hyrja.

    “Më në fund, në vitin 2016, jemi vendosur në këtë vend këtu. Kjo tregon se nuk ka qenë e paraparë për muze. Ka qenë një hapësirë e madhe dhe duke pasur parasysh se ka qenë hapësirë e madhe, e kemi parë të arsyeshme që të vijnë disa eksponate edhe në këtë vend, sepse ishte kërkesë jashtëzakonisht e madhe e njerëzve që vinin të vizitonin këtë vend”, tregon Imeri.

    Ai, për shikuesit e ATV-së, ka prezantuar të gjitha eksponatet e familjes Jashari që janë në këtë muze.

    Në Muzeun e Familjes Jashari në Prekaz, vizitori nga afër sheh se me ç ‘forcë të madhe policore- ushtarake serbe u përballë kjo familje. Por edhe se me ç ‘trimëri rezistoi e luftoi kjo familje, deri në sakrificë. Kjo vërtetohet përmes këtij muzeu, që gjendet përball kompleksit memorial në Prekaz.

    Mjafton të japim pamjet e arsenalit të armëve: predhat e kalibrave e artilerisë serbe në raport me plumbat e armëve të Jasharve: automatikun e Ademit dhe pushkën e Hamzës, kjo e fundit punim artizanal. Se ku kishte arritur barbaria serbe, kjo shihet edhe në vet orenditë shtëpiake, të bëra shosh nga plumbat e armëve të lehta e të rënda, që nuk kanë kursye as gra e fëmijë e që kanë mbetur dëshmi edhe në çdo orendi shtëpiake deri te tepsitë apo gjygymat e çajit të bëra shoshë.

    Shumë nga këto eksponate, kryesisht të familjes Jashari dhe të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, si dhe predha të mortajave e të topave me të cilët ishte sulmuar familja Jashari, paraqesin fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së lavdishme të Jasharëve bashkë me qëndresën dhe rezistencën e kësaj familje në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe. /atvlive.tv

  • Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

    Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimet e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

    Ish-kryeministri Hoti ka thënë se reagimet e tyre do të kenë pasojë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) dhe në Bashkimin Evropian (BE).

    “Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ish-ministri i Financave, Hoti ka thënë se kjo do të evidentohet edhe në raportin e BE-së për vendin.

    “Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”, shkruan Hoti.

    Ish-ministri I Financave, ka shtuar edhe disa pyetje për zyrtarët që kanë reaguar.

    “Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje ‘gjoja’ reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, ka shkuar Hoti.

    Sipas Hotit një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë.

    “Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme joligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pandikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, ka shkruar ai.

    Por nga ana tjetër, reagime të ashpra ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara

    Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka pretenduar se arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është bërë me porosi.

    “Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV. Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë!”, shkroi Rrustemi në Facebook.

    Ndërsa, të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera institucionale nisi një aksion të gjerë duke bastisur Zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale.

    Sipas Prokurorisë, drejtori i KEK-ut dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.

    Liderët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë thënë se kjo është dëshmi e abuzimit të Qeverisë në sektorin e energjisë.