ATV

Blog

  • ​Kurti për Blerim Isufaj: Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë

    ​Kurti për Blerim Isufaj: Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë

    Kryeministri Albin Kurti tha se Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror i shtetit, nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë. Për të njëjtin u shpreh se nuk është vullneti i presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

    Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Prokurorinë e Shtetit ekziston disponim negativ ndaj qeverisjes së tij. Teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ai shtoi se prokuroria është e zellshme të merret me udhëheqjen e re të bordeve.

    Gjatë seancës plenare, kryeministri Kurti ka deklaruar se emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është vet Blerim Isufaj.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë. Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe të kryeministrit të qeverisë”, ka thënë ai.

    Më tej, Kurti ka shtuar se vendi më i lakmuar në Kosovë është pozita e kryeprokurorit të shtetit.

    “Është siklet i madh dhe mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetëror, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror. Me ministrin Murati e bëjmë alokimin e buxhetit, por vendi më i lakmuar në Republikën tonë del të jetë pozita që bën alokimin e rasteve, e kjo është kryeprokurori i shtetit. Drejtësia, sistemi gjyqësor në Kosovë lëngon, pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë nuk donë, nganjëherë nuk dinë, e shpesh edhe të dyja ”, ka shtuar ai.

    Shefi i ekzekutivit tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që ka gjetur aty, por prokuroria nuk është marrë me to.

    “Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimit e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por, zelli i prokurorisë për tu marrur me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, ka deklaruar Kurti.

    Teksa u shpreh se opozita është gëzuar për arrestimin e Krasniqit, kryeministri Kurti shtoi se ‘dënim me vdekje nuk ka në Kosovë’.

    “Nagip Krasniqi është në burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka. Dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg me sistem prokurorial, i cili nga viti në vit është gjykuar në raportet ndërkombëtare”, shprehet ai.

    Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti shtoi se edhe pas katër vitesh, prej kur mundësohet gjykimi në mungesë, rezultatet janë të pakta.

    Kurti: Rezultatet janë më pak se të pakta për gjykimin në mungesë
    (Video)
    “Me 30 maj, në lexim të dytë e votuam plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në mënyrë që krimenelët serbë që kanë kryer krime gjatë luftës, t’i gjykojmë e t’i dënojmë në mungesë. Me 30 maj sivjet, bëhen katër vjet. Rezultatet janë më pak se të pakta”, ka thënë Kurti.

    Po ashtu, Kurti shtoi se Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë ka dërguar fakte e dëshmi për shkeljet e panumërta që janë bërë në veri të Kosovës.

    “Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë pa numër dëshmi, pa numër fakte, i ka dërguar prokurorisë gjatë muajit dhjetor dhe janar, për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. asnjë aktakuzë, Si është e mundur që Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë i dërgon aq shumë fakte prokurorisë tonë dhe ajo nuk vepron kundrejt atyre të cilët në mënyrë krimininale, me uniforma të zeza, në lidhje me vagnerin rus të dirigjuar nga Beogradi, i vendosën barrikadat, ndërkohë që prapra tyre ishin të armatosur. Asnjë aktakuzë”, shprehet ai.

    Ai ka përsëritur se me 14 shkurt ka ndodhur ndryshimi i madh për drejtësi dhe punësim, por për të parën u shpreh se nevojitet vettingu. /KP

  • ​Fury paralajmëron rikthimin me një luftë të ashpër

    ​Fury paralajmëron rikthimin me një luftë të ashpër

    Tyson Fury ka paralajmëruar se është afër rikthimit dhe se këtë do ta bëjë me një luftë të madhe.

    ‘The Gypsy King’ kishte mbetur në heshtje që kur përballja e tij me Oleksandr Usyk dështoi në fund të marsit.

    Kampioni i WBC dhe mbreti i IBF, WBO dhe WBA, Usyk, do të përplaseshin më 29 prill në stadiumin “Wembley” por që dështoi për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me klauzolën e revanshit.

    Usyk tani ka të ngjarë të mbrojë titujt e tij kundër rivalit të detyrueshëm të ËBA, Daniel Dubois këtë verë.

    Fury tani pretendon se rikthimi i tij në ring është në prag të konfirmimit, përcjellë KosovaPress.

    “Kam disa lajme të mëdha që po vijnë”, tha Fury në një klip të shpërndarë në kanalet e mediave sociale të enjten.

    ‘Një datë e afërt për një luftë, një luftë absolutisht monstruoze. Vazhdoni të qëndroni të informuar sepse mbreti i peshave të rënda të ËBC është kthyer në veprim dhe po vjen shumë, shumë shpejt.’, ka thënë ai.

    Joe Joyce ishte një nga emrat e përmendur për të luftuar me Furyn këtë verë, por olimpisti javën e kaluar pësoi një humbje shokuese ndaj Zhilei Zhang me kinezin që e ndaloi londinezin në raundin e gjashtë. Ish-kampioni i botës Andy Ruiz Jr ka qenë një tjetër emër i paraqitur.

    Thashethemet për një natë spektakolare të boksit të peshave të rënda në Arabinë Saudite kanë vazhduar të ndërtohen me planet që Fury dhe Usyk të takohen më në fund me Anthony Joshuan dhe Deontay Wilder.

    Fury luftoi për herë të fundit në dhjetor, duke ndalur rivalin e vjetër Derek Chisora në luftën e tyre pasi mposhti Dillian Whyte në fillim të vitit në “Wembley”.

  • Prokuroria Special kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit

    Prokuroria Special kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe veprën penale “Konflikti i interesit”.

    Krasniqi aktualisht ndodhet në mbajtje për 48 orë, derisa kujtojmë se dje Njësia e Veçantë e Hetimeve ka kryer bastisje dhe janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

    Për arrestimin e Krasniqit ka pasur reagime të shumta.​ Madje edhe ish-kryeministri slloven, Janez Jansha, ka reaguar pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për tri vepra penale.

    Arrestimin e Krasniqit të mërkurën nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ish-shefi i qeverisë sllovene, Janez Jansha, e ndërlidh me hetimet në rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po dyshohet po ashtu për shpëlarje parash. Jansha ka përmendur edhe kryeministrin aktual slloven, Robert Golob.

    “Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve në hetimet e rastit Berishaj, GEN-it dhe shefit të qeverisë së Golobit”, shkroi Jansha në rrjetin e tij social “Twitter”.

  • Ministria për Komunitete dhe Kthim shpërndan 50 pako ushqimore për familjet në nevojë

    Ministria për Komunitete dhe Kthim shpërndan 50 pako ushqimore për familjet në nevojë

    50 pako ushqimore dhe higjienike janë ndarë të enjten për pjesëtarët e komunitetit jo shumicë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, raporton Ekonomia Online.

    Zëvendësministri i këtij dikasteri, Mevlud Sinani, nuk deshi të tregojë për prejardhjen e këtyre pakove ushqimore, ndonëse u vërejtën.

    “Arsyeja përse kemi filluar me këto 50 pako është se nuk kemi mundur të fizikisht t’i përgatisim të gjitha, mirëpo të gjithë aplikuesit për pako ushqimore do të jenë përfitues”.

    “Janë afër 360 përfitues dhe të gjithë do të jenë përfitues, mirëpo në ditët në vazhdim do të bëhet shpërndarja r pakove tjera”, tha ai. “Çka është më e rëndësishme se sot do të fillojmë me ndërtimin e 19 shtëpive në tërë territorin e Kosovës”, tha tutje ai.

  • ​Xhudistët kosovarë stërviten në Japoni

    ​Xhudistët kosovarë stërviten në Japoni

    Përkushtimi për të sjellë rezultate kulminante për Kosovën po bënë që xhudistët kosovar të stërviten nëpër vede të ndryshme të botës.

    Disa prej tyre tashmë ndodhen në Japoni, aty ku po përgatiten dhe mësojnë praktikat më të mira të xhudos.

    Xhudistët nga Kosova, Andi Reshitaj, Blin Kuka dhe Dardan Cena bashkë me trajnerin Felipe Sanchez Llanes, po përgatiten në Japoni ku do të qëndrojnë nga data 15 deri 29 prill 2023.

    Përpos stërvitjeve, xhudistët po mësojnë praktikat më të mira të xhudos duke u njohur edhe me kampionë të tjerë botëror si Naohisa Takato.

  • ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    ​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

    Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai, transmeton KP.

    Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.

    “Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti.

  • ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

    “Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

    Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

    “Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai. /kp

  • ​Tahiri: Qeveria në panik në raport me aferat korruptive

    ​Tahiri: Qeveria në panik në raport me aferat korruptive

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se qeveria ka panik të madh në raport me aferat korruptive. Të njëjtit, siç tha ai, gjatë ditës së djeshme kanë sulmuar organet e pavarura të drejtësisë.

    Ai e ka konsideruar “mega-skandal” arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    “Mega-skandali i djeshëm në KEK dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se me u dit, as hetimi për çka, as çfarë tenderash janë, as për çfarë arsyeje ka shkuar policia dhe prokuroria në KEK, tregon shumë qartë panikun e madh që ka kjo qeveri në raport me këto afera korruptive. Komunikimi i djeshëm dhe sulmet që u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave tregon për një alarm që është në qeveri në raport me këtë aferë korruptive, mirëpo edhe me aferat tjera potenciale që mund të vijnë edhe te organi shqyrtues i prokurimit”, ka deklaruar Tahiri, transmeton KP.

    Ai në seancën e sotme plenare ka kërkuar nga pushteti që të mos e mbrojnë aferën korruptive të Martin Berishës.

    “A është kjo drejtësia që keni proklamuar? A nuk është e mundur që t’ia lejmë këtë hetim organeve që janë përgjegjëse dhe pastaj të shohim se ku po del ky. Ajo që shihet dhe ajo që duket është se ky është vetëm fillimi. Dhe zinxhiri në emër të votave të juaja, në emër të 51 për qindëshit korruptiv po shihet që nuk do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është mos e mbroni, qysh e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishës, për shkak se shihet qartë që veprimi i policisë dhe prokurorisë është vetëm në nisje në këtë temë”, ka shtuar ai.

  • Opozita lëshon seancën e Kuvendit

    Opozita lëshon seancën e Kuvendit

    Grupet Parlamentare opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.

    Shefi GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancën e sotme plenare. Pas dështimit të mocionit për raportimin e ministres Artane Rizvanolli në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, ai tha se opozitës po i mohohet e drejta për një debat parlamentar.

    Ai theksoi se pas deklarimeve jashtë të rendit të ditës, deputetët e PDK-së nuk do të qëndrojnë në sallë për vijimin e pikave tjera të rendit të ditës. Tahiri ka konsideruar se është e dëmshme që të votohet kundër debatit me ministren Rizvanolli.

    “Si Grup Parlamentar pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë, sepse është e pakuptimtë që të vazhdojmë debatin në çështje të tjera, përderisa neve si opozitë na mohohet një e drejtë fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, ka deklaruar Tahiri.

    Sipas tij, partia në pushtet po e mbron kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ky i fundit është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

    “Ne kemi parë një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për ta mbrojtur një person jashtëzakonisht të fuqishëm. Edhe në kuadër të komisionit dhe intervistimit që kemi pas me Krasniqi, ne kemi pa fuqinë e tij politike dhe atij nuk i bënte përshtypje fare as ZRRE-ja, as ministrja e energjisë, as debatet parlamentare të cilat ne i ngrisnim, sepse kishte një lidhje direkte me kryeministrin Kurti dhe ndjente një siguri të fuqishme, pikërisht në abuzimet të cilat i bënte në vazhdimësi. Kur ne i thoshim se si vepron një kryeshef i KEK-ut në kundërshtim me ZRRE-në, ai thoshte kështu jam unë, këto janë rregulla që përcaktoj unë, sepse drejtoj KEK-un. I njëjti sot është në paraburgim dhe ju sot na mohoni një debat parlamentar me ministren e cila e mbikëqyr punën pikërisht të personit në fjalë”, ka shtuar Tahiri.

    Tahiri ka përsëritur se ditëve në vijim do të procedojnë denoncimet për kryeshefin Nagip Krasniqi.

    “Ne në kuadër të komisionit tonë hetimor parlamentar që kemi punuar për gjashtë muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të keqpërdorimeve dhe abuzimeve, pikërisht të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Pra, i njëjti ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit që nuk mund të ndodhë, pra drejt një kompanie private siç është KESCO dhe KEDS-i, i njëjti ka negociuar tendera një burimor. Si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike, pra i njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, ka pas konflikt interesi, dhe të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar të cilin në e kemi diskutuar”, ka shtuar ai.

    Shefi i deputetëve të PDK-së shtoi se kupola e këtij keqmenaxhimi është ambasadori Martin Berishaj.

  • Mbi 300 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet në komunat veriore

    Mbi 300 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet në komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të vendit.

    Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të organizatave jo-qeveritare numri është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.

    Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër i mediave vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.

    Sipas KQZ-së funksionalizimi i kontejnerëve që do të shërbejnë si qendra të votimit do të marrë kohë deri të shtunën.

    Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se dje ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve dhe sot ato do të dërgohen në depo qendrore të KQZ-së.

    Ai ka thënë se për votim përmes postës kanë pranuar vetëm një aplikim nga Gjermania, por që deri sot nuk është dërguar ndonjë zarf me fletëvotim nga ky votues.

    “KQZ do të dërgojë ekipe për monitorimin e zgjedhjeve në katër komuna dhe kjo sigurisht që do të bëhet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme do të miratohet përbërja e ekipeve të cilat do t’i monitorojnë zgjedhjet në katër komunat. Në lidhje me shtypjen e vendvotimeve pra SKQZ e ka mbikëqyr procesin e shtypjes dhe printimin e fletëvotimeve që është bërë në Pejë më datën 17 prill, ka filluar procesi i shtypjes së fletëvotimit dhe broshurave dhe ka përfunduar me datën 19 prill pra ditën e djeshme ka përfunduar edhe shtypja e fletëvotimeve. Pas shtypjes ka përfunduar procesi i paketimit dhe pritet të përfundoj gjatë ditës së sotme kur do të bëhet edhe transportimi në depon qendrore të KQZ-së“, u shpreh ai.

    Sipas Ahmetaj përveç një tubimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje raportet e KKZ-ve dhe Policisë së Kosovës tregojnë se nuk janë mbajtur tubime tjera.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi është interesuar të dijë se a janë vendosur qendrat alternative për votim në komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.

    “Qendrat alternative ku do të vendosen kontejnerët a janë dërguar nëse jo si e keni paraparë dërgimin dhe kush do t’i dërgoj kontejnerët si qendra alternative”, pyeti Gashi.

    Ndërsa, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së ka deklaruar se aktualisht ndodhen në procesin e rregullimit të hapësirave dhe deri tek funksionalizimi i këtyre qendrave do të marr kohë deri ditën e shtunë.

    Ai ka thënë se nga Ministria e Punëve të Brendshme janë mbështetur jo vetëm për sigurim të kontejnerëve por edhe për rregullimin e lokacionit.

    “Sa i përket funksionalizimit të qendrave të votimit ky proces është në proces të rregullimit të hapësirave se ku do të vendosen qendrat e votimit dhe është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës dhe ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendosja e kontejnerëve në qendra në nuk mund të bëhet përnjëherësh sepse janë 26 kontejnerë të cilët duhet të vendosen edhe për shkak të rrethanave dhe koordinimit të Policisë e Kosovës kemi shkuar gradualisht t’i vendosim komunë për komunë në mënyrë që të jenë funksional të kenë hapësirë e mjaftueshme dhe statik të vendosur dhe pastaj shkojmë për secilin kontejnerë se është vendosur sipas parametrave dhe kërkesave që KQZ kërkon…është proces që nuk mund të kryhet brenda ditës por do të na merr kohë deri të shtunën qoftë në vendosjen e tyre qoftë në sistemin e tyre dhe me shenjëzimin e tyre dhe informatave të tjera”, tha ai.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike Besnik Buzhala, ka thënë se rreth 360 është numri i vëzhguesve për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës.

    “Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaj në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ…. Zyra konstaton se 6 OJQ nuk përmbushin kushtet ose kriteret ligjore për tu akredituar si vëzhguese për shkak se nuk janë të specializuara në zgjedhjeve dhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut…Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, tha ai.

    Në këtë mbledhje të KQZ-së është miratuar edhe dizajni i vulës së fletëvotimit për zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

    KQZ ka miratuar 49 komisionerë në Leposaviq, 22 në Zubin Potok 22, në Zveçan, 28 komisionerë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 63 komisionerë.

    Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potokut dhe Leposaviq si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

    Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, ndërsa nuk merr pjesë Lista Serbe.

    Qytetarët me të drejtë vote në komunat veriore ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, prej tyre 13 do të jenë alternative.