ATV

Blog

  • Kosova ia heq vizat Arabisë Saudite

    Kosova ia heq vizat Arabisë Saudite

    Qytetarëve sauditë u është dhënë drita jeshile për të vizituar Kosovën pa pasur nevojë për vizë.

    Në Twitter, Ambasada Saudite në Shqipëri zbuloi se Kosova dhe Shqipëria do të lejojnë hyrjen pa viza për udhëtarët nga Arabia Saudite me një pasaportë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti.

    Të njëjtat rregulla në Shqipëri zbatohen edhe për shtetasit nga Bahreini, Omani, Katari dhe Tajlanda, shkruan sot Arab News.

    Për Maqedoninë e Veriut, ambasada tha se kërkohet një vizë maqedonase, ose vizë Schengen, amerikane, britanike ose australiane, me kusht që të jetë me shumë hyrje.

    Edhe BE-ja po punon gjithashtu për të hequr regjimin e vizave për qytetarët nga shtetet e Gjirit.

  • Rreth 55 zarfe të votave me kusht në veri, numërimi i tyre fillon sot

    Rreth 55 zarfe të votave me kusht në veri, numërimi i tyre fillon sot

    Rreth 55 zarfe të vendvotimeve me kusht janë regjistruar në katër komunat veriore të Kosovës, ku të dielën janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të tyre.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 48 prej këtyre zarfeve janë regjistruar në veri të Mitrovicës, tre në Zubin Potok, katër në Zveçan, dhe asnjë prej tyre në Leposaviq.

    Në këto zgjedhje ka pasur edhe vota të personave me nevoja të veçanta. Ato janë regjistruar në dy komuna. Një në Zveçan dhe tri sosh në Mitrovicë të Veriut.

    Numërimi i votave me kusht dhe VPNV do të bëhet të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke filluar nga ora 18:30.

    Nëse nuk ka ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të martën shpallen rezultatet përfundimtare.

  • Shkencëtarët amerikanë parashikojnë tërmetin e radhës në Turqi

    Shkencëtarët amerikanë parashikojnë tërmetin e radhës në Turqi

    Një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë Jugore analizuan tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 me qendër Kahramanmaraş që ndodhën më 6 shkurt.

    Ekspertët, të cilët deklaruan se prisnin një tërmet të ri me magnitudë 6.8 ballë në Malatya, i cili pësoi shkatërrime të mëdha, në përfundim të hulumtimit të tyre, tërhoqën vëmendjen për vijën e thyerjes në rrethin Pütürge.

    Ndërsa Turqia po përpiqej të shëronte plagët e tërmeteve në Kahramanmaraş, një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë Jugore erdhën në rajon dhe bënë disa hetime, transmeton a2news.

    Gjeofizikanët njoftuan se nuk kishte thyerje në një pjesë të vijës së thyerjes që shkaktoi lëkundjet dhe se u konstatua shtrëngimi. Shkencëtarët amerikanë vunë në dukje se kjo situatë mund të shkaktojë një tjetër tërmet.

    Ekspertët theksuan se kjo zhvendosje mund të shkaktojë edhe një lëkundje me magnitudë 6.8 ballë, ndaj ata kërkuan një ekzaminim total të ndërtesave të shembura dhe të dëmtuara pas lëkundjeve të shkurtit.

  • Rama ia uron ditëlindjen Thaçit dhe e quan sivëlla: Edhe 100 komandant

    Rama ia uron ditëlindjen Thaçit dhe e quan sivëlla: Edhe 100 komandant

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka uruar ditëlindjen e 55-të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjendet në Hagë si akuzuar për krime lufte.

    Rama thotë se pengesa për t’ia uruar ditëlindjen sivëllait të tij në këto rrethana tashmë të njohura, ka gjithë ditën që i rri mbi kokë si boshllëk i zymtë, thithës e lodhës.

    “Sot ka qenë një ditë e vrenjtur edhe brenda meje. Zakonisht në këtë ditë të vitit jam mësuar, prej vitesh, t’i uroj ditëlindjen sivëllait tim, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe pengesa për t’ia uruar ditëlindjen një njeriu të dashur, të gjallë e të marrë peng në rrethana të njohura, jo nga forca të errëta e të panjohura, po nga Bashkësia e Lartë Ndërkombëtare, ka gjithë ditën që më rri mbi kokë si boshllëk i zymtë, thithës e lodhës”, shkroi ai në Facebook.

    “Nuk desha ta bëj në mëngjes një urim digjital me foton e me fjalët që i thuhen dikujt që edhe mund ta marrësh në telefon, nuk e di, një ngërç në fyt më pengoi, një si inat prej pafuqisë ma ndaloi. As e kam dot idenë nëse sivëllau im do të mund t’i lexojë sot këto rreshta, që as urim nuk janë edhe pse urimin që të jetojë sa malet e Shqipërisë unë po e bëj, por di me siguri që në këtë ditëlindje të Hashim Thaçit kam tërë ditën që më rri si gozhdë e ngulur në tru pyetja: A e dinin vallë ata, miqtë tanë të mëdhenj që e lindën atë gjykatë, se historia e saj do të zhvillohej kështu, kaq zymtësisht e padrejtë me njerëz që luftuan për lirinë e popullit të tyre dhe me vetë Kosovën?!”, pyeti Rama.

    “Kam frikë se të vërtetën për këtë s’kam për ta marrë vesh kurrë. Po ndoshta këtë frikë e kam nga vranësira brenda meje që s’ia urova dot ditëlindjen Hashimit me telefon, siç jam mësuar prej shumë vitesh. Edhe 100 Komandant”.

  • Gjermania uron Kosovën për hapat në Këshillin e Evropës, pret zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Gjermania uron Kosovën për hapat në Këshillin e Evropës, pret zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Ambasadori i Gjermansë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i Këshillit të Evropës për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes evropiane.

    Sipas tij, Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap, transmeton Paparaci. Diplomati gjerman po ashtu kërkoi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai përmendi edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    “Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asocaicionin është vendimtar për të ecur përpara!”, ka shkruar Rohde në Twitter.

  • Joseph: Beogradi duhet të festojë, anëtarësimi i Kosovës në KiE nxit formimin e Asociacionit

    Joseph: Beogradi duhet të festojë, anëtarësimi i Kosovës në KiE nxit formimin e Asociacionit

    Profesori amerikan, Edward Joseph ka reaguar pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim të hënën që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

    Sipas tij, Beogradi duhet të festojë përparimin e votimit të KiE-së e liberalizimit të vizave në BE – në vend të zgjedhjeve të sabotuara në veri të Kosovës.

    Ai shtoi se në fund të fundit, serbët e Kosovës janë përfituesi më i madh, ndërsa u shpreh se votimi i KiE-së nxit menjëherë perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Joseph shkroi në Twitter se zbatimi do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

    Dhe liberalizimi i vizave më në fund do t’u japë serbëve të Kosovës udhëtimin pa viza në BE, theksoi ai.

    “Më e mira nga të gjitha, anëtarësimi në KiE çon në përfundimin e mosmarrëveshjes, siç sugjeroi ambasadorja serbe në Asamblenë e KiE Pantic Pilja. Keni të drejtë, zonja ambasadore, asnjë “entitet” nuk i është bashkuar ndonjëherë Këshillit të Evropës. Faqja e CoE liston vetëm “shtetet” anëtare”, shkroi ai.

    “Abstenimet nga Greqia, Sllovakia dhe, më e rëndësishmja, #Ukraina, tashmë tronditin status quo-në e mosnjohjes. Josep Borrell duhet të informojë Spanjën dhe vendet e tjera jo-njohëse të BE-së se, duke votuar kundër në KiE, Serbia ka shkelur Marrëveshjen “ligjërisht të detyrueshme”, të hartuar nga BE-ja me Kosovën”, shprehet ai.

    “President Vuçiq, së shpejti diplomatët tuaj do të mund të diskutojnë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut – jo në takimet e kryesuara nga BE-ja – por me kolegët diplomatë nga Republika e Kosovës, në Këshillin e Evropës”.

  • KFOR-i: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – thelbësor për sigurinë

    KFOR-i: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – thelbësor për sigurinë

    Misioni i KFOR-it është deklaruar pas zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës më 23 prill, të cilat u mbajtën pa incidente dhe në mënyrë të sigurt dhe të rregullt.

    Siç thuhet në njoftim, gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët dhe ka monitoruar situatën në terren, dhe ka vazhduar të zbatojë mandatin e saj të OKB-së.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO merr parasysh zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës më 23 prill, të cilat u mbajtën pa incidente dhe në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesuara; ka monitoruar situatën në terren; dhe ka vazhduar të zbatojë mandatin e saj të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë akterët përkatës, përfshirë BE-në, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.

    Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për këtë qëllim, është thelbësore që të dyja palët të shmangin veprimet dhe retorikën përshkallëzuese dhe të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, plotësisht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mbështeten në arritjet e rëndësishme që janë bërë tashmë.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së dhe të sigurojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Rrugët e dëmtuara të Kushavecit, komuna nuk përgjigjet lidhur me shqetësimin e banorëve

    Rrugët e dëmtuara të Kushavecit, komuna nuk përgjigjet lidhur me shqetësimin e banorëve

    Emigrimi e bëri të veten. Rrjedhimisht, edhe banorët e fshatit Kushavec të Gjakovës janë të paktë.

    Në fshat jetojnë 120 banorë.

    Mirëpo, ndonëse të paktë në numër, banorët e këtij fshati të Gjakovës nuk po gëzojnë rrugë të mira në vendlindje.

    “Rrugën e kemi në gjendje të mjerueshme, nga fshati Bishtazhin deri atje lart që lidhet me një fshat tjetër. Na kanë premtuar se do ta rregullojnë, mirëpo deri më tani asgjë nuk është bërë”, tha Prank Kërhani, banor.

    Kryetari i këtij fshati, Augustin Topalli, tregon se rruga është asfaltuar në vitin 2004, derisa për asfaltimin e saj kanë investuar edhe vetë banorët.
    “Kemi qenë pjesëmarrës për realizimin e këtij projekti, duke participuar me 65 mijë euro. Ndonëse, është një shumë marramendëse, për hir të asaj që të kemi infrastrukturë sa më të mirë për fshatin, e kemi bërë këtë”, tha kryetari i bashkësisë lokale – Bishtazhin, Augustin Topalli.

    Mirëpo, gjendja e tanishme e rrugës, sipas tij, është rezultat i mungesës së mirëmbajtjes.

    “Në vitin 2004 është asfaltuar, por mirëmbajtja e paktë, të themi, ka bërë që ajo të deformohet dhe siç mund ta shihni, tani gjendja e saj është vërtet mjeruese”, tha Topalli.

    Banorët shpresojnë se komuna e Gjakovës do t’iu bëjë zgjidhje.

    Pikërisht këtë shqetësim të tyre, ATV-ja e adresoi në komunë.

    Ndërkaq, sipas banorëve, edhe fshatrat përreth përballen me probleme të ngjashme. /atvlive.tv

  • Gjendja e shkallëve të dëmtuara të QMF-së në Matiçan shndërrohet në rrezik për pacientët

    Gjendja e shkallëve të dëmtuara të QMF-së në Matiçan shndërrohet në rrezik për pacientët

    Njëri prej tyre është edhe Emin Fetahu i cili kishte dalë për t’i marrë rezultatet e analizave.

    “Herë pas here kjo po prishet më tepër e këtë e ka prish “ngrirja” sigurisht. Këtu vijnë njerëzit e sëmurë, po normal edhe në rregull me qenë, kur osht rrëshqitëse diçka, munden me u rrëzu”, tha Emin Fetahu, banor i Matiçanit.

    Shkallët e dëmtuara më shumë telashe po iu shkaktojnë të moshuarve, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.

    “Këto munden me u sanu sa më shpejt se mundet me qëllu ndonjë më i moshuar, i sëmurë apo diçka, rrëshqet dhe i bën zarar më tepër trupit të vet”, tha Fetahu.
    Përderisa qytetarët po kërkojnë ndërhyrje urgjente, drejtori i shëndetësisë për komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se plani për riparimin e tyre është në hartim e sipër.

    “Këtë vit është bërë plani për renovime të të gjitha QMF-ve në qytet, disa prej të cilave kanë filluar. Tash do të vazhdojmë edhe me të tjerat, përmes një projekti. 300.000 euro i ka ndarë komuna së bashku me Ndërmarrjen publike banesore e cila ka një kontratë për përkujdesjen e instituteve shëndetësore. Arsyeja pse s’kemi fillu deri tash ka qenë koha, por në fillim të majit do të fillojnë punimet”, drejtori i Shëndetësisë për Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

    Sipas tij, procesi është në tenderim dhe pasi t’i vijë radha këtij objekti, menjëherë do të fillojnë punimet. /atvlive.tv

  • Fillon java e imunizimit në Kosovë

    Fillon java e imunizimit në Kosovë

    Në ditën e parë të Javës së Imunizimit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se plani i vaksinimit 2022-2025 është në progres. Ai tha se listës së kalendarit të imunizimit do t’i bashkohen tri vaksina të reja.

    “Imunizimi trajtohet tani, por do të trajtohet edhe në të ardhmen si prioritet i lartë nga ana e MSh-së dhe këtë e kemi shprehur qartë përmes miratimit të planit të veprimit për vaksinim 2022-2025, i cili përcakton veprimet e nevojshme për t’u ndërmarrë nga institucionet shëndetësore në bashkëpunim me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë… Aprovimi i përfshirjes së tri vaksinave të reja, vaksina kundër Rotavirusit, Pneumokokut, dhe HPV”, tha Vitia.

    Pjesë e kësaj tryeze ishin përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, UNICEF-it dhe USAID-it.

    Sipas tyre, institucionet shëndetësore në Kosovë janë të përkushtuara për t’ju ofruar qytetarëve vaksinat që shpëtojnë jetë.

    “Kosova është pjesë e Javës së Imunizimit nga viti 2012. Për ne është e rëndësishme se për Ministrinë e Shëndetësisë prioritet është se çdo fëmijë e i rritur në Kosovë të jetë pjesë e vaksinimit”, tha shefi i zyrës së OBSH-së, Oleksandr Martynenko.

    “Për Javën e Imunizimit është mirë të mobilizohemi dhe të gjithë fëmijët të vazhdojnë t’i marrin vaksinat që u mungojnë”, tha shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

    Në kuadër të kësaj jave është hapur edhe ekspozita “Historiku i vaksinimit në Kosovë”, përmes të cilit bëhet e ditur se vaksina e parë në Kosovë është dhënë në vitin 1948. /atvlive.tv