ATV

Blog

  • Hapet edicioni i dytë i panairit të librit akademik dhe shkencor

    Hapet edicioni i dytë i panairit të librit akademik dhe shkencor

    Librat për shkencën i bënë bashkë akademikët nga Kosova e Shqipëria.

    Ata shpalosën krijimtarinë e tyre në edicionin e dytë të panairit mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.

    “Librat shkencorë janë më të paktë në numër krahasuar me librat letrarë dhe publicistikë. Nuk shtypen me letër luksoze dhe të lënë përshtypjen e indiferencës. Por, magjia e tyre qëndron sa në ide të reja, sa në dije të gjithanshme dhe dije të thella”, tha kryetari i ASHAK-së, Mehmet Kraja.

    Të kënaqur me panairin që synohet të bëhet traditë, u ndanë edhe akademikët bashkorganizatorë të panairit.

    Me këtë rast, edhe puna e akademikut Sabri Hamiti u shpërblye me çmimin “Jakov Xoxa”.

    “Falënderimet e mia do të ishin mbase shumë, po janë për të gjitha institucionet që e mundësuan këtë”, tha Hamiti.

    Nënkryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka Pula, tregon se në këtë edicion do të promovohen 37 libra nga fusha të ndryshme.

    “Nëse nuk gjejnë direkt ndonjë shkencë mund të gjejnë botime, të cilat japin informacion dhe konkluzione të autorëve të ndryshëm të institucioneve të ndryshëm”, tha nënkryetarja e ASHAK-së, Justina Shiroka-Pula.

    Sipas saj, sfida më e madhe për institucionet shkencore është financimi.

    Panairi i Librit Akademik dhe Shkencor filloi sot e do të zgjasë deri më 26 prill. Ndërkaq, për herë të parë u mbajt vitin e kaluar në Tiranë. /atvlive.tv

  • Promovohet puna e grave dhe kontributi i tyre në shkencë

    Promovohet puna e grave dhe kontributi i tyre në shkencë

    Gratë e vajzat janë më të zonja në shkencë se burrat.

    Por, pavarësisht kësaj, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, shumë prej tyre janë krejtësisht të panjohura për kontributin e tyre.

    “E dimë të gjithë se studimet e shumta tashmë e kanë dëshmuar se gratë arrijnë performancë më të mirë akademike në krahasim me burrat në fushat STEM, megjithatë akoma ka mendime dhe jo pak zëra që e thonë të kundërtën. Këto stereotipie fatkeqësisht ndikojnë ndjeshëm akoma në zgjedhjet e vajzave dhe grave për karrierën e tyre dhe zhvillimin në shkencë. Andaj, edhe ne si qeveri e Ministri e Arsimit vazhdojmë të punojmë jo vetëm për të avancuar vajzat e gratë në shkencë, teknologji, inovacion, për të përmbyllur hendekun ekzistues gjinor, por jemi zotuar që do të angazhohemi përditë të avancojmë barazinë për vajzat e gratë tona, të avancojmë gjithëpërfshirjen e plotë në të gjitha dimensionet e saj”, tha Nagavci.

    Ndërkaq, vajzat dhe gratë, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore. Megjithatë, ai ka thënë se është obligim i institucioneve të punojnë për një shoqëri, ku pavarësisht nga gjinia kanë mundësi të arrijë.

    Me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe shkëmbimin e ideve u organizua edhe konferenca STEMinsts.
    Qerim Qerimi, Rektor i Universitetit të Prishtinës, këtë konferencë e ka cilësuar si festë e arritjeve të grave.

    “Një festë e arritjeve të grave të fushën e shkencës dhe teknologjisë. Mblidhemi këtu për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme e liderëve gra. Konferenca e sotme është mundësi për t’i shkëmbyer idetë në promovimin e barazisë gjinore në STEM. Së bashku ne mund të krijojmë një botë ku vajzat dhe gratë kanë mundësi të barabarta të shkëlqejnë në fushën e shkencës e teknologjisë”, tha Qerimi.

    STEMinists është organizuar për herë të parë këtë vit, duke promovuar zhvillimin e arsimit në përgjithësi.

    Kjo është një politikë e mbështetjes së vajzave dhe grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës e cila është prezantuar nga Qeveria e Kosovës. /atvlive.tv

  • Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për të mërkurën

    Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për të mërkurën

    U mblodhën për të diskutuar për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, por në mungesë të kuorumit, dështoi të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

    Por, përkundër kësaj, të mërkurën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, e cila është thirrur nga opozita, me ç’rast do të debatohet për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Për Krasniqin dhe gjithë bordin, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkim.

    “Drejtori i cili e mban ende pozitën e drejtorit të KEK-ut, ju e dini që tashmë është në paraburgim dhe ai nga paraburgimi e drejton korporatën më të madhe energjetike në vend. Kjo është e paprecedentë, është jashtëzakonisht e dëmshme. Ajo që do të duhej të ndodhte dhe kemi kërkuar edhe ditën e enjte është që ky person të shkarkohet, bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterëve të tjerë, të përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës energjetike në ato keqpërdorime që kanë ndodhur”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Ndërkaq, shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari Lila, tha se qasja e opozitës në lidhje me hetimet që po zhvillohen për rastin në KEK, është tendencioze.

    “Në vend se të kenë ose të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur, deputetët e opozitës kanë vendosur që tashmë të luajnë rolin edhe të prokurorit, edhe të hetuesve policorë, është e vërtetë që edhe disa defekte e karakterizojnë grupin tonë parlamentar, në raport me mbarëvajtjen e seancës”, tha Kusari-Lila.

    Kusari-Lila u është përgjigjur edhe kritikave të opozitës se mazhoranca nuk po arrin të ketë shumicën minimale që të kalojnë projektligjet e pika të tjera të rendit të ditës.

    “Është e vërtetë se janë disa defekte që e karakterizojnë edhe grupin tonë parlamentar, në raport të funksionimit apo mbarëvajtjes së seancës. Çdo ditë dhe çdo seancë po mundohemi t’i evitojmë ato dhe do të vazhdojmë edhe me punë dhe angazhim. Kjo javë duket se do të karakterizohet me vetëm mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme”, u shpreh Kusari-Lila.

    Ajo theksoi se grupi parlamentar i LV-së, ka dy deputete që janë në pushim të lehonisë, e dy të tjerë që abstenojnë vazhdimisht. /atvlive.tv

  • Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Shtatë muaj pasi dorëzoi kërkesën për aplikim për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës, Kosova këtë të hënë ka përmbyllur me sukses fazën e parë për anëtarësim.

    Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, mori vendim që kërkesën t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare.

    Hapi i radhës, sipas MPJD-së, do të jetë përgatitja e opinionit nga Asambleja për anëtarësimin e Kosovës.

    “Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë tonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar, si anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.

    Kryeministri Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë se Kosova do të jetë vlerë e shtuar e Këshillit të Evropës.

    “Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”, tha Kurti.

    Ndërkohë, në selinë e Këshillit të Evropës të hënën kanë qëndruar edhe anëtarë të Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

    Deputetja Ariana Musliu – Shoshi tha se vendimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën.

    Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Francë.

    Kosova më 12 maj të vitit të kaluar dorëzoi kërkesën për anëtarësim. /atvlive.tv

  • Draft-statuti i asociacionit, temë më 2 maj, BE-ja kërkon themelimin

    Draft-statuti i asociacionit, temë më 2 maj, BE-ja kërkon themelimin

    Krahas miratimit të deklaratës për të zhdukurit në luftën e fundit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është konfirmuar si pikë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, në Bruksel.

    Ekipi Menaxhues, përbërjen e të cilit e ka kontestuar Qeveria e Kosovës, do të prezantojë një draft-statut të asociacionit në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    Duke shmangur referencën te kjo temë, kryeministri i Kosovës tha se është gati për takimin e 2 Majit.

    “Duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshja e Ohrit do të zbatohen pa vonesa e në plotëni”, tha Kurti.

    Nisja e zbatimit të marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar nga Kosova dhe Serbia, është pritja e SHBA-së nga takimi i liderëve të dy vendeve.

    “Mbrëmë kemi bërë një deklaratë, e cila flet vetë për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit. Kjo është ajo që presim nga takimi”, tha ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

    Më specifik ishte Bashkimi Evropian, që asociacionin e lidhi me normalizimin e gjendjes në katër komunat në veri të Kosovës.

    “Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Ekipi Menaxhues, i emëruar nga ish-ministri Goran Rakiq dhe i udhëhequr nga deputetja e partisë së Vucicit në parlamentin e Serbisë, Danijela Vujicic, do të prezantojë draft-statutin e Asociacionit në takimin e nivelit të lartë Kurti-Vucic.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2013, draft-statuti hartohet nga Ekipi Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri. /atvlive.tv

  • S’ka pengesë për betimin e kryetarit të ri

    S’ka pengesë për betimin e kryetarit të ri

    Fitorja e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicë së Veriut, Erden Atiq, aktualisht asamblist, do ta lërë kuvendin e kësaj komune me 15 mandate aktive, apo katër më pak sesa e përcakton ligji.

    Kuvendi me 19 ulëse, nuk arriti zëvendësimin e plotë të të dorëhequrve nga Lista Serbe, pasi vetëm 14 kandidatë nga listat e pritjes pranuan të marrin mandatin – shumica dërmuese shqiptarë.

    Ligji aktual për Vetëqeverisje Lokale nuk parasheh situata e as veprime kur kuvendet komunale mbesin me pozita vakante.

    Një situatë e tillë nuk përbën problem ligjor për kryerjen e punës, sipas vlerësimeve të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

    “Në rastin konkret, Kuvendi është funksional, sepse ka shumicën absolute. Edhe në rastin e betimit të kryetarit, parashihet që betimi të bëhet në bazë të kuorumit që parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Ky ligj kuorumin e përcakton në momentin kur të pranishëm aktivë janë shumica e thjeshtë e anëtarëve të Kuvendit”, tha Sadri Rrmoku, koordinator në KLGI.

    Në këtë institut nuk presin probleme as lidhur me betimin e kryetarit të ri para kuvendit me katër mandate vakante.

    “Nuk kemi praktikë të mëhershme kur Kuvendet komunale kanë lënë vende vakante. Mirëpo, megjithatë pasi Kuvendi ta marrë vendimin për betimin e Kuvendit, sigurisht që MAPL-ja do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së procesit”, tha Rrmoku.

    Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk dhanë një përgjigje lidhur me ligjshmërinë e funksionimit të Kuvendit me mungesë asamblistësh e as të betimit të kryetarit të ri.

    Kryetari i zgjedhur, sipas ligjit, duhet të betohet në Kuvendit Komunal më së largu një muaj nga certifikimi i rezultateve – në të kundërtën humbet mandatin. /atvlive.tv

  • Vetëvendosja e PDK-ja ndajnë komunat në veri

    Vetëvendosja e PDK-ja ndajnë komunat në veri

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës prodhuan rezultate qysh në rundin e parë.

    Në të katër komunat, fituese ishin partitë shqiptare.

    Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës fituan nga dy komuna.

    Mitrovica e veriut e Leposaviqi u fituan nga Vetëvendosja, ndërkaq në Zveçan e Zubin Potok, pushtetin pritet ta marrë PDK-ja.

    Kësisoj, në entuziazmin e fitoreve, kryetarët e ardhshëm premtuan se punën do ta fillojnë menjëherë.

    “Për të gjitha sfidat jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitur. Siç thashë më herët, do të jem kryetar i të gjithëve, pa marrë parasysh a janë përkrahës a jo, kështu që jemi të gatshëm dhe me padurim po e presim bashkëpunimin me të gjitha komunitetet, me të gjitha lagjet e me të gjithë fshatrat”, tha kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    Ani pse nuk mori vota nga serbët, Atiq beson se do të mund të qeverisë si në një komunë normale.

    Se do të ketë sfida në punën si kryetar, e pranon edhe i zgjedhuri i qytetarëve për ta udhëhequr Zubin Potokun. Megjithatë, Izmir Zeqiri i PDK-së ka një tjetër plan për komunën.

    “Ne fillimisht nuk synojmë që t’i marrim objektet tash. Për mua është i rëndësishëm themelimi i kabinetit, por natyrisht më e rëndësishmja për mua do të jetë, sepse unë jam i hapur dhe pa dallim etnie të marrë kuadrin më të mirë të mundshëm, pra në këtë rast kisha pas dëshirë që në kabinetin tim të involvohen kryesisht serbët, pasi edhe janë shumicë”, tha Zeqiri
    Një thirrje për kryetarët e zgjedhur të komunave veriore e pati edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Me këtë rast prej gjithë atyre që u zgjodhën nga dje, kërkoj që të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim etnie, prejardhje, pa dallim feje apo gjinie. Duhet të dëshmohen se ashtu siç i kanë fituar qytetar, siç e thotë Kushtetuta janë në nivel të detyre që të jenë gjithëpërfshirës duke mos diskriminuar askënd”, tha Kurti.

    Zgjedhjet e së dielës në 4 komunat veriore të vendit, u zhvilluan pa incidente, derisa dalja e votuesve në zgjedhje ishte vetëm 3,47 për qind. Mosdalja e serbëve në votime, bëri që të katër komunat të fitohen nga kandidatë shqiptarë. /atvlive.tv

  • Kurti: Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës

    Kurti: Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Komiteti i Ministrave e procedoi aplikimin e Kosovës për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

    Kurti ka shkruar në Facebook, se shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës.

    “Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë. Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”, ka shkruar Kurti.

    Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

  • ​Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën

    ​Osmani: Votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së moment i rëndësishëm për Evropën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se votimi i sotëm në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për ta avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë Evropën.

    Osmani në një deklaratë të lëshuar për media, ka thënë se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.

    “Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Evropës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses. Ne jemi të përkushtuar për t’i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha. Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”, ka thënë Osmani.

    Sipas Osmanit, hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin.

  • Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE

    Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informoi se sot Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.

    Sipas MPJD-së, ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë.

    Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

    “Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave.

    Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike. Sigurisht, se mbetet shumë punë për t’u bërë deri në anëtarësim. Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht në respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës dhe Republika e Kosovës.”, u bë e ditur nga ministria.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.