ATV

Blog

  • Ministri Çeku: Kosovës po i shtohet një muze unik

    Ministri Çeku: Kosovës po i shtohet një muze unik

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se Kosovës po i shtohet një muze unik, duke prezantuar ndërtesën e Hidroelektranës në Prizren.

    Ministri Çeku ka thënë se pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të Hidroelektranës.

    “Kosovës po i shtohet një muze unik- Për pak vite, ndërtesa e Hidroelektranës në Prizren bën një shekull jetë. Ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit. Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të Hidroelektranës”, ka thënë Çeku.

  • Ermonela Jaho nderohet nga ICMA me çmimin “Artisti i Vitit 2023”

    Ermonela Jaho nderohet nga ICMA me çmimin “Artisti i Vitit 2023”

    Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho është nderuar nga juria ndërkombëtare të ICMA ( International Classical Music Awards) me çmimin “Artisti i Vitit 2023”, gjatë një koncerti gala në Wrocław të Polonisë.

    Lajmi është bërë i ditur nga vetë sopranoja në rrjetet sociale. Mes falenderimeve të shumta sopranoja shkruan se “Le të punojmë të gjithë së bashku për ta lënë këtë botë një vend më të mirë sesa e gjetëm përmes artit”.

    Mes atyre që e kanë uruar sopranon Jaho ka qenë dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. “Ju jeni një Ambasadore e shkëlqyer e Shqipërisë në botë, ndaj arritjet tuaja artistike kanë duartrokitjet dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve!” shkruan zoti Begaj në Facebook.

    “Ne të gjithë jemi ambasadorë të Shqipërisë në çdo moment që jetojmë, si brenda Shqipërisë ashtu edhe në çdo kontakt me botën. Mirënjohjen dhe duartrokitjet e shqipëtarëve i mbaj gjithmonë në zemër” është përgjigjur sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho.

    “Se çfarë instrumenti i rëndësishëm dhe i gjithanshëm është zëri i njeriut, tregoi Artistja e Vitit, Ermonela Jaho. Kjo soprano shqiptare i la të shkëlqejë të gjitha aftësitë e saj në arien e interpretuar plot lëvizje “Io son l’umile ancella” nga Adriana Lecouvreur nga Francesco Cilea nën shoqërimin e të orkestrës” shkruhet në faqen e ICMA në internet për prezantimin e Jahos në koncertin gala në Wrocław të Polonisë./RTSh

  • Haradinaj: Miratimi i aplikimit të Kosovës në KiE hap i mbarë

    Haradinaj: Miratimi i aplikimit të Kosovës në KiE hap i mbarë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas aprovimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Haradinaj ka thënë se ky është hap i mbarë dhe i vështirë, ndërsa ka shprehur besim në anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE.

    “Sot me shumicë votash, vendet anëtare të Këshillit të Evropës aprovuan kërkesën e Kosovës pro procedimit të aplikimit në këtë instancë, hap i mbarë ky por proces i vështirë. Jemi besimplotë për anëtarësim të plotë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

    Haradinaj ka shtuar se tani është momenti që Kosova të nisë sa më parë fillimin e Partneritetit për Paqe.

    “Krahas këtij procesi, tani është momenti që Kosova të nisë sa më parë edhe fillimin e Partneritetit për Paqe”, është shprehur Haradinaj.

  • Arrestohet një person në Prishtinë, i gjenden armë dhe substanca narkotike

    Arrestohet një person në Prishtinë, i gjenden armë dhe substanca narkotike

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka kryer veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    I dyshuari fillimisht kishte tentuar të largohej, dhe kishte hedhur në tokë një qese të dyshuar me narkotikë.

    “Antidroga e Policisë së Kosovës identifikon një person të dyshuar për posedim droge, tenton t’i ikë Policisë, por arrestohet pas pesë minutave, në trup i gjendet një revole, ndërsa në shtëpi i gjendet një AK-47, drogë dhe prova të tjera materiale”, njofton policia.

    “Me datë 24.04.2023 rreth orës 15:35, hetuesit e Sektorit Qendror të Antidrogës së Policisë së Kosovës (DHTN-së në Prishtinë) pas një pune hetimore dhe punës operative në teren kanë arritur tek informacionet relevante ku dyshohej se një person i dyshuar është duke bërë shitblerje të substancave narkotike.

    Pas një pune profesionale të hetuesve policor personi i dyshuar mashkull kosovar me iniciale (F.D; viti i lindjes 2000) është identifikuar dhe është takuar në rrugën “Beqë Lokaj”, në Prishtinë, të cilin Policia e ka paralajmëruar të ndalet, por i njëjti ka hedhur në tokë një qese me substancë të dyshuar narkotike (me peshë prej 30 gramëve) dhe ka filluar të ikë duke vrapuar me shpejtësi.

    Policia ka vazhduar ndjekjen aktive të personit të dyshuar dhe brenda pesë minutave ka arrit ta ndaloj dhe arrestojë të njëjtin, ku pas kontrollit në trupin e tij është gjetur një pistoletë 7.65 mm, me një karikator me pesë (5) fishekë, (965) euro si dhe një telefon celular (Iphone 13 pro max).

    Në konsultim me organet e drejtësisë është bastisur- kontrolluar shtëpia e të dyshuarit në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”, vepër kjo e sanksionuar me kodin penal të RKS-së.

    Gjatë operacionit të bastisjes në shtëpinë e personit të dyshuar të lartcekur me iniciale në cilësi të provave materiale është gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë AK-47 me një karikator dhe 2 fishekë, si dhe dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë: njëra prej 556 gramëve dhe tjetra qese prej 568 gramëve (në total marihuana e konfiskuar rezulton: 1 kg 154 gram).

    Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit i dyshuari ndalohet për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Osmani: Serbia shkeli dy marrëveshje në më pak se 24 orë

    Osmani: Serbia shkeli dy marrëveshje në më pak se 24 orë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia i ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit në më pak se 24 orë.

    Ajo përmendi ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë si dhe votimin kundër Kosovës në aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Në më pak se 24 orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit:

    1. Ndërhyrja e huaj në zgjedhjet Kosovë (në kundërshtim me nenin 2)

    2. Lobimi dhe votimi kundër Kosovës aplikimit të KiE (në kundërshtim me nenin 4)”, shkroi ajo në Twitter.

    “Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër”, shtoi shefja e shtetit.

  • Kroacia e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Kroacia e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Ministri i jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, ka ofruar mbështetjen e Kroacisë, për Kosovën në rrugën e saj evropiane.

    Ai ka deklaruar se Kroacia, është e gatshme që të ndajë me Kosovën njohuritë dhe përvojën që ka lidhur me këtë rrugëtim.

    “Sa i përket Kosovës, sigurisht që Kroacia e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kosova e kërkoi atë mbështetje nga shtetet anëtare, nuk kishte arsye të mos e mbështesnim, vërtetë është mirë të përkrahen ato vende që duan të ndajnë vlerat që janë në themel të kësaj organizate më të rëndësishme që është garantues i paqes, stabilitetit, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës. Ne e mbështetëm fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Radman.

    Ministri i jashtëm kroat, duke folur për procedurat e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka thënë se janë 33 vende që kanë votuar për anëtarësim, do të thotë se çështja hyn në procedurë, pra mund të jetë diku brenda një viti, që Kosova mund të hyjë si anëtare e Këshillit të Evropës.

    “Ne duhet të veprojmë fort së bashku, duhet të reformojmë sistemin e konventave brenda Këshillit të Evropës dhe, natyrisht, anëtarësimin e Bashkimit Evropian në Konventën e të Drejtave të Njeriut, kështu që këto ishin të gjitha elementet ose temat për të cilat po flisnim, dhe këtu ministrja kryesore na informoi se sot do të thotë gjatë ditës do të mbahet një komitet ministrash i cili do të diskutojë dhe votojë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës. Kjo është ajo me sa dëgjova në orën e fundit që ka kaluar. Do të thotë se janë 33 vende që kanë votuar për anëtarësim, do të thotë se çështja hyn në procedurë, procedura nënkupton që përcaktohen monitoruesit, raportuesit brenda asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, pra mund të jetë diku brenda një viti, që Kosova mund të hyjë si anëtare e Këshillit të Evropës”, është shprehur ai.

    Grliq-Radman ka folur edhe për zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës. Ai ka thënë se zgjedhjet janë bërë në përputhje me kushtetutën dhe për rrjedhojë janë legjitime.

    “Po tashmë i kamë parë komentet e të tjerëve, zgjedhjet janë bërë në përputhje me kushtetutën dhe për rrjedhojë janë legjitime, nuk ka pasur incidente, kanë kaluar të qetë. Nuk mund të hyj në atë se pse u bojkotuan, por janë në përputhje me kushtetutën, prandaj janë legjitime dhe rezultatet janë ashtu siç u arritën në zgjedhje”.

    “Epo, dëgjo, mendoj se ky ishte një shans, mendoj se është mëkat të mos përfitosh nga ai shans, nëse dëshiron të luftosh për diçka, me mjete ligjore, me mjete demokratike, atëherë ky ishte pikërisht terreni ku mund të shprehni dëshirën tuaj, qëllimin dhe pse angazhoheni, prandaj mendoj se bojkoti nuk është zgjidhje e mirë, nuk është model i mirë dhe nuk çon në zgjidhje të kësaj çështjeje, dhe pyetja përfundimtare dhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të ketë një lloj rezultati përfundimtar, i cili duhet të jetë afirmativ dhe që duhet të kënaqë të dyja palët sepse ky është kuptimi i jetës në fqinjësi sepse Serbia duhet të promovojë stabilitetin dhe paqen rajonale dhe ka përgjegjësi”, shtoi ai.

    “Kosovës duhet t’i ndihmohet për të hyrë në organizatat ndërkombëtare, ajo ende duhet të fitojë pozicionin që kanë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, disa vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, mendoj se ky është realiteti, sipas faktit që sot disa nga këto vende që nuk e njohën sovranitetin e Kosovës, abstenuan duke shkuar drejt faktit se ndoshta sepse tashmë është një kontribut ndoshta drejt njohjes në një periudhë që do të pasojë. Nëse duam Kosovën si një vend anëtar si një vend që duhet të hapë një perspektivë evropiane, atëherë ne duhet të njohim realitetin politik në rajon dhe atë vend”, tha ai.

  • Abbott mirëpret avancimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Abbott mirëpret avancimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott ka thënë se i ka mirëpritur lajmet nga Strasburgu se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka miratuar përcjelljen e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në asamblenë e saj parlamentare.

    Ai e quajti këtë ngjarje si një hap të rëndësishëm përpara që Mbretëria e Bashkuar e mbështet.

    “Obligimet që do të sjellë anëtarësimi në kohën e duhur do të zhbllokojnë përfitime për të gjitha komunitetet e Kosovës”, shkroi ai me anë të një postimi në Facebook.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

    Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

  • Kurteshi: Në aspektin ligjor zgjedhjet janë të pranueshme

    Kurteshi: Në aspektin ligjor zgjedhjet janë të pranueshme

    Anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në emisionin A23 në ATV, ka thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të vendit, në aspektin ligjor janë të pranueshme, transmeton atvlive.tv.

    “Legjitimiteti është një koncept që përmban disa aspekte, nuk është vetëm një aspekt. Legjitimiteti nuk është vetëm numra, nuk është vetëm statistika, nuk është vetëm demografi, legjitimiteti ka edhe aspektin juridik dhe ashtu siç thash ligjor dhe në aspektin ligjor, nuk ka asnjë pengesë”, tha Kurteshi.

    Sipas tij, as në aspektin politik, rezultati i zgjedhjeve nuk ka ndonjë pengesë.

    “Republika e Kosovës, jo vetëm që e ka përgjegjësi, por e ka detyrim kushtetues që të zhvillojë zgjedhjet për shprehjen e vullnetit dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Në normat ligjore tonat, nuk ka ndonjë kufizim apo kuotë me të cilën legjitimohet në aspektin statistikor zgjedhjet”, tha Kurteshi. /atvlive.tv

  • Kurteshi tregon arsyen se pse nuk ndodhi asnjë incident në zgjedhjet në veri

    Kurteshi tregon arsyen se pse nuk ndodhi asnjë incident në zgjedhjet në veri

    Anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në emisionin A23 në ATV, tha se në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të vendit, nuk ka pasur asnjë incident sepse në çdo vend votim ka pasur prezencë të mjaftueshme të forcave policore, KFOR-it dhe njësite të EULEX-it, dhe se të gjithë votuesit kanë qenë të lirë për të shkojnë për të votuar.

    “Gati gjysmën e qendrave të votimit i kam vëzhguar, i kemi vizituar, bile kam qenë me njërin nga kolegët e mi edhe zgjedhjet kanë kaluar pa asnjë incident. Natyrisht një vërejtje e të shumtëve thonë se ka pasur forca të shtuara policore. Po, afër çdo vend votimi ka pasur forca policore që ka qenë shumë e mirë, ka qenë e domosdoshme sepse ne kemi përvojë të keqe në këtë drejtim dhe nuk ka pasur asnjë mundësi të shkaktimit të incidenteve. Aty nuk kanë qenë vetëm forcat e policisë së Kosovës, kanë qenë edhe forca të KFOR-it, ka pasur edhe njësi të EULEX-it, ka pasur trupa të ndryshme që kanë bërë përpjekje që të sigurojnë një ambient, s’po themi perfekt, por të përshtatshëm për të votuar dhe njerëzit kanë qenë të lirë të vinë të votojnë”, tha Kurteshi. /atvlive.tv

  • Opozita e cilëson hap të rëndësishëm kalimin e fazës së parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Opozita e cilëson hap të rëndësishëm kalimin e fazës së parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në KiE, kalimin e fazës së parë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

    Ai ka uruar qytetarët e Kosovës drejtpërsëdrejti nga ky institucion, duke thënë se është moment i veçantë.

    “Qytetarë të Kosovës jemi drejtpërdrejt nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Urime për vendimin e Këshillit të Ministrave që Kosova të ecë përpara drejtë anëtarësimit të vet. Është një moment i veçantë, është një punë e madhe e delegacioneve të mëparshme dhe të këtij delegacioni, ende ka punë për të bërë. Mirëpo, pa asnjë dyshim ky është hapi më i madh i Kosovës drejt anëtarësimit në këtë institucion”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka shtuar se shtetndërtimi dhe rrugëtimi i Kosovës ka një bazë të fuqishme në rrugën e lirisë dhe sakrificës së kombit.

    “Kosova është tregim i suksesshëm, rrugëtimi dhe shtetndërtimi ynë ka një bazë të fuqishme në luftën e lirisë dhe sakrificën e madhe të kombit tonë, njëkohësisht në vlerat evropiane që ne i përfaqësojmë me Kushtetutën dhe ligjet tona. Jemi shtet i pavarur dhe do të qëndrojmë kështu”, është shprehur Tahiri.

    Për këtë vendim të marrë të hënën, ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, tashmë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

    Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit dhe tani, sipas tij, së shpejti flamuri i shtetit më të ri në Evropë do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës.

    “Lajm i jashtëzakonshëm që Kosova mori përkrahje nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kaloi etapën e parë të anëtarësimit! Së shpejti, flamuri i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, do të valojë në organizatën më të vjetër të Evropës, Këshillin e Evropës”, është shprehur Hoxhaj.