ATV

Blog

  • Hapet platforma KGenU, Kurti: Shfrytëzojeni këtë mundësi që të gjeni një vend pune

    Hapet platforma KGenU, Kurti: Shfrytëzojeni këtë mundësi që të gjeni një vend pune

    Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje gjithë të rinjve që të regjistrohen në platformën “Kosova Generation Unlimited” (KGU) – praktikë me pagesë.

    Në tryezën me temën “Të rinjtë e komuniteteve tregojnë për impaktin e iniciativës KGU”, është theksuar mbështetja e të rinjve që kanë nga shteti.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se po mundohen që kjo nismë të arrijë edhe tek të tjerët, siç tha ai, që të kuptohet se Kosova është vend i mundësive për të rinjtë, komunitet joshumicë e për të gjithë.

    Kurti ka theksuar se edhe platforma e lansuar më parë, “Superpuna” ka arritur efekt pozitiv tek gjithë të rinjtë.

    “Krahas kësaj nisme qeveria ka lansuar edhe platformën “Superpuna”, e cila ofron mundësi punësimi për të rinjtë e moshës prej 18 deri në 25 vjeç. Për vetëm dy muaj kemi mbi 4 mijë e 700 pozita të lira pune, mbi 6 mijë e 400 punëkërkues të verifikuar, mbi 3 mijë e 700 biznese të regjistruara e mbi 2 mijë marrëdhënie punë. Andaj, ju ftojmë që ta shfrytëzoni edhe këtë mundësi, të regjistroheni e ta gjeni një vend pune me pagë të garantuar nga shteti, nga praktika në KGenU në punësim me Supërpunën. Duhet të ju tregojmë gjithë të rinjve për këto mundësi në mënyrë që të kemi sa më shumë të regjistruar në këto dy platforma e veçanërisht në KGenU, që gjithashtu ata të bëhen pjesë e punës praktike me pagese. Shpresoj se kjo nismë të arrije edhe te të tjerët që të kuptohet se Kosova është vend i mundësive për të rinjtë, komunitet joshumicë e për të gjithë”, tha Kurti.

    Se KGenU është një platformë e mirë për punësimin e të rinjve, e tha edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Murati tha se me këtë po mundohen ta ulin papunësinë tek të rinjtë. Ai theksoi se një numër i madh i të rinjve nga komuniteti joshumicë kanë shprehur interesim të regjistrohen në këtë program.

    “Është e një rëndësie të veçantë që të punojmë drejt uljes së papunësisë tek të rinjtë e ketë jemi duke e bërë. Pra, duke ndërtuar ura lidhëse mes edukimit dhe punës përmes praktikes, trajnimeve të ndryshme, por edhe punës së garantuar përmes platformës SuperPuna. Platforma KGenU ka arritur sukses të madh deri tani dhe jemi të lumtur që ndër përfituesit, pra të praktikes në punë të ofruar përmes KGenU kemi edhe shumë të rinj nga komuntitet joshumicë…Si ministri, mbesim të përkushtuar në mbështetjen e të rinjve drejt zhvillimit të tyre profesional dhe kemi krijuar edhe mekanizma të ndryshëm për të arritur këtë qëllim, ndër to edhe platforma SuperPuna”, tha Murati.

    Po ashtu, Murati ka falënderuar gjitha bizneset dhe organizatat joqeveritare për rolin e tyre në mundësimin e praktikes dhe kontributin e tyre në zhvillimin profesional të këtyre tek të rinjtë.

    Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë Nona Zicherman, është shprehur e kënaqur me ecurinë e kësaj platforme.

    “KGNU është ndërtuar mbi një themel të fortë partneriteti. Si UNICEF, ne jemi shumë të kënaqur që kemi partneritet me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe me mbështetjen e Rrjetit Kosovar CSR, për të zgjeruar mundësitë e investimit për të rinjtë duke shtuar vlerë në fushat tona të ekspertizës dhe njohurive, të cilat përfshijnë dekada të punës këtu në Kosovë dhe globalisht, në fuqizimin dhe zhvillimin e aftësive të të rinjve, dhe përvojën e gjerë në kontakt me komunitetet e cenueshme dhe të margjinalizuara. Kjo platformë përafrimi KGNU, tani numëron, 9600 të rinj dhe 570 subjekte të mundshme pritëse të regjistruara. Në katër muajt e fundit tashmë janë ofruar 600 vende për punë praktike dhe jemi shumë të lumtur të raportojmë se 61 për qind e pjesëmarrësve në këtë periudhë të fundit ishin gra të reja”, tha Zicherman.

    Drejtoresha ekzekutive, Rrjeti CSR në Kosovë Zana Bajrami Rama tha se ky program ka dhënë shembull pozitiv se si partneritetet dhe mobilizimi i bizneseve private, institucioneve publike të jenë gjithashtu faktor të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së tyre të suksesshme.

    “Ajo që ne duam ta arrijmë bashkërisht, është sa më shumë diversitet në mesin e bizneseve dhe të rinjve dhe sa më shumë gjithë përfshirje. Padyshim KGenU ka dhënë një shembull shumë pozitiv se si partneritetet dhe mobilizimi i bizneseve private, inistitucioneve publike, agjencive zhvillimore dhe shoqërisë civile mund të gjenerojë gjenerata të reja të përgatitur për tregun e punës dhe të jenë gjithashtu faktor të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së tyre të suksesshme. Ajo që duhet të ketë rendësi për ne si komunitet i biznesit është që të gjenerojmë praktikantë cilësor, që koha që ata kanë kaluar në kompanitë tona të jetë e vlefshme dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin e tyre profesional, që i ndihmon atyre që me vetëbesim të hynë në tregun e punës”, tha Rama./KosovaPress/

  • ​Begaj: Marrëveshja në Ohër tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë më e mirë

    ​Begaj: Marrëveshja në Ohër tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë më e mirë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në takim anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilët mbajti një leksion mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

    Me këtë rast, Begaj vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes si një nga kurset më të mira në piramidën e arsimit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    “Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare”, tha ai.

    Begaj, vëmendje i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.

    “Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin euro-atlantik por ka shumë hapësira dhe situata, ka potenciale paqëndrueshmërie. Për ne, për Shqipërinë është shumë e rëndësishme vendosja e një dialogu të përhershëm dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dialog, i cili i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohjeN formale reciproke. Arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje, e cila tregon që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë.”, tha Begaj, përcjell KP.

    Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë, me ç’rast tha se Shqipëria ka qenë kontributore, eksportuese e sigurisë.

    Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

  • Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati serb: Bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës nga Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit

    Avokati Çedomir Stojkoviq është shprehur se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët lokal në katër komunat veriore të Kosovës, të nxitura nga Aleksandar Vuçiqi pamundëson formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS).

    Stojkoviq duke ironizuar me Vuçiqin, me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se kjo “është strategjia ‘gjeniale’ e presidentit [serb]”.

    “Bojkoti i Vuçiqit për zgjedhjet në Kosovë është ‘sepse nuk ka AKS’: nuk ka serbë në pushtet në veri të Kosovës; nuk ka serbë që mund të formojnë AKS-në; Kurti thotë: ‘AKS-ja nuk mund të formohet’; Perëndimi thotë: ‘vërtet duket se nuk mundet’; të gjithë thonë: ‘atëherë të mos ketë AKS’. Çfarë strategjie ‘gjeniale’ e presidentit”, shkruan Stojkoviq.

    Për kryeministrin Albin Kurti zgjedhjet e djeshme në komunat veriore u zhvilluan të qeta dhe pa incidente dhe për këtë ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e Policinë e Kosovës për organizimin dhe sigurinë e krijuar.

    “Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka thënë Kurti.

    Ai ka shtuar se atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.

    “Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, ka shtuar ai.

    Në zgjedhjet në katër komunat veriore kanë votuar 1,557 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qysh në raundin e parë.

  • ​“Dialogut i nevojitet vrull i ri”, Hill: Serbët të kuptojnë se duhet zbatuar marrëveshjet

    ​“Dialogut i nevojitet vrull i ri”, Hill: Serbët të kuptojnë se duhet zbatuar marrëveshjet

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha të hënën se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri.

    Hill ka thënë se serbët duhet të kuptojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”, tha Hill në një deklaratë për mediat pas një takimi të Odës Ekonomike amerikane në Serbi.

    Ai shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në agjendën e takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, shkruan REL.

    “Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet të kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tyre dhe këtë sigurisht do ta sigurojë asociacioni”, theksoi Hill.

  • ​Kompania “Pastrimi” paralajmëron borxhlinjtë se do t’i dërgojë tek përmbaruesi

    ​Kompania “Pastrimi” paralajmëron borxhlinjtë se do t’i dërgojë tek përmbaruesi

    Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A, bazuar në borxhet e krijuara njofton të gjithë klientët e amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve që do të bëhet procedimi i borxheve në procedurën përmbarimore përmes Përmbaruesve Privat.

    Sipas njoftimit të kësaj kompanie, afati kohor i përmbushjes vullnetare i obligimeve për pagesën e faturave të mbeturinave është 24 prill 2023 deri me datë 28 të këtij muaj.

    “Ftojmë gjithë klientët të përmbushin obligimet ndaj KRM “Pastrimi” SH.A. Në rast të mospagesës së obligimeve (borxheve), ju njoftojmë që borxhet e pa paguara pas datës 28 prill 2023 do të procedohen tek përmbaruesit privat”, thuhet në njoftim.

  • ​Xhudistët kosovarë fitojnë 11 medalje në turneun e mbajtur në Tiranë

    ​Xhudistët kosovarë fitojnë 11 medalje në turneun e mbajtur në Tiranë

    Në Turneun Ndërkombëtar të Xhudos të mbajtur në Tiranë, morën pjesë 150 garues nga Shqipëria, Kosova, Bosnia dhe Hercegovina, Italia dhe Mali i Zi.

    Nga Kosova, pjesëmarrës ishin xhudistët e klubeve, “Sankaku”, Fushë Kosovë, “Polici”, Prishtinë, “Gjilani”, Gjilan dhe “Ippon”, Pejë.

    Xhudistët nga Kosova arritën suksesshëm të fitojnë medaljet e arta dhe ato të argjendta si më poshtë:

    🥇 Furkan Kelmendi -“Ippon”- Pejë

    🥇 Shpat Zeka -“Ippon”- Pejë

    🥇 Muhamedin Veseli -“Sankaku”- Fushë Kosovë

    🥇 Florian Gerguri -“Polici”- Prishtinë

    🥇 Sara Osmani -“Polici”- Prishtinë

    🥇 Rrezarta Alimi -“Polici”- Prishtinë

    🥇 Art Thaqi-“Polici”- Prishtinë

    🥈 Dion Sharapolli – “Ippon”- Pejë

    🥈 Donat Laka – “Ippon”- Pejë

    🥈 Yll Maliqi – “Ippon- Pejë

    🥈 Bleona Gerxhaliu -“Polici”- Prishtinë

  • Kosova ka traditë të mirë të imunizimit, synohet zgjerimi i planit të vaksinimit

    Kosova ka traditë të mirë të imunizimit, synohet zgjerimi i planit të vaksinimit

    Në shënimin e Javës së Imunizimit u bë e ditur se me planin e vaksinimit 2022-2025 është paraparë edhe zgjerimi i kalendarit të imunizimit me tri lloje të vaksinave.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh sot se Kosova ka një traditë të mirë sa i përket programit të obligueshëm për imunizim.

    Ai tha se synimi i planit të veprimit për vaksinim 2022-2025 është të rritet shkalla e vaksinimit për të gjitha komunitetet në veçanti atyre të cenueshme. Ai theksoi se ky plan parashihen përfshirjen e tri vaksinave të reja HPV, Rota-vaksina dhe pneumo-vaksina.

    “Imunizimi trajtohet tani, por do të trajtohet edhe në të ardhmen si prioritet i lartë nga ana e MSh dhe këtë e kemi shprehur qartë përmes miratimit të planit të veprimit për vaksinim 2022-2025, i cili përcakton veprimet e nevojshme për tu ndërmarrë nga institucionet shëndetësore në bashkëpunim me partnerët lokal dhe ndërkombëtar për të mbrojtjur shëndetin e popullatës si një komponent kyç shëndetësor dhe si një e drejtë e padiskuteshme e njeriut…Plani i veprimit synon të arrijë mbuleshmërinë e vaksinimit të rregullt të fëmijëve në shkallën 96-97% duke marrë për bazë faktin se gjatë pandemisë COVID-19 është shënuar rënie e shkallës së vaksinimit të rregullt të fëmijëve natyrisht jo vetëm në Kosovës…”, tha ai.

    Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani u shpreh se përmes Javës së Imunizimit synohet të ngritet vetëdija për imunizimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet parandaluese përmes vaksinimit.

    Ndërsa, shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Oleksandr Martynenko theksoi se institucionet e kosovës janë të përkushtuara që të sigurojnë që secili qytetar në Kosovë ka qasje në vaksinat jetë-shpëtuese.

    Edhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman u shpreh shënimi i Javës së Imunizimit ofron mundësi për të reflektuar për rritjen e shkallës së imunizimit në Kosovë.

    Por, sipas saj edhe në Kosovë sikur në vendet tjera ka rënë shkalla e imunizimit sidomos me vaksinën e fruthit, prandaj bëri thirrje për mobilizim.

  • Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

    Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, ndoshta sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.

    “Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

    “Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”.

    “Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”.

    “Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë”.

    “Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”.

    “Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dijmë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve”.

    “Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”.

    “Ka edhe shumë punë për të bërë, shumë sfida për të përballuar, por dita e sotme meriton të festohet denjësisht”.

  • Von Cramon: Zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës

    Von Cramon: Zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se zgjedhjet e organizuar në katër komunat veriore ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, Von Cramon tha se i vjen keq që Lista Serbe nuk ka marr pjesë, teksa dënoi ashpër frikësimin e të gjithë gjithë atyre që kanë dashur që të dalin të votojnë.

    “Katër zgjedhjet për kryetar komune dhe dy zgjedhjet për asamble komunale që u mbajtën të dielën, më 23 prill, në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Von Cramonit.

    “Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe fuqishëm dënoj frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë për post apo të votojnë të dielën”.

    Ajo tha se frikësimi i liderëve politikë serbë është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet demokratike.

    “Pas një shtyrjeje të zgjedhjeve, bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë serbë të opozitës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet”.

    “Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, përfundoi deklarata e saj.

  • Kolegji AAB shënon Ditën Botërore të Librit – Ndan çmimin “Masar Stavileci” për tre studentë

    Kolegji AAB shënon Ditën Botërore të Librit – Ndan çmimin “Masar Stavileci” për tre studentë

    Biblioteka e Kolegjit AAB përmes një organizimi ka shënuar Ditën Botërore të Librit, ndërsa ndau edhe çmimin “Masar Stavileci” për tre studentët që kanë lexuar më së shumti tituj nga kjo bibliotekë dhe kanë frekuentuar hapësirat e saj.

    Zv/rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, përshëndeti këtë organizim, duke shtuar se kjo tregon rëndësinë që ky institucion ndan për përfshirjen e studentëve dhe vlerësimin e angazhimit të tyre, ndërsa tha se roli i librit vazhdon të jetë tejet efikas për ruajtjen dhe shpërndarjen e njohurive.

    Drejtori i bibliotekës së Kolegjit AAB, Urim Sallauka, ndau çmimin “Masar Stavileci” bashkë me Dekanin e Fakultetit të Administratës Publike Petrit Bushi, si dhe Dekanin e Fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku, për tre studentët më aktiv si në leximin e librave nga kjo bibliotekë ashtu edhe në shfrytëzimin e saj për mësim.