ATV

Blog

  • Një burrë dhe një grua arrestohen në Gjilan nën dyshimin për prostitucion

    Një burrë dhe një grua arrestohen në Gjilan nën dyshimin për prostitucion

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar një burrë dhe një grua, të cilët dyshohen se janë marrë me prostitucion.

    Pas arrestimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë liruar dhe rasti është duke vazhduar në procedurë të rregullt.

    “MARRJE ME PROSTITUCION/ Gjilan 24.04.2023 – 14:00. Janë arrestuar një mashkull dhe një femër kosovare nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë marr me prostitucion. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Gjashtë persona kërkuan trajtim mjekësor pas përleshjes në ndeshjen Trepça-Vushtrria

    ​Gjashtë persona kërkuan trajtim mjekësor pas përleshjes në ndeshjen Trepça-Vushtrria

    Gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor, pas incidentit që ndodhi gjatës së shtunës në ndeshjen e hendbollit mes Trepçës dhe Vushtrrisë.

    Kështu ka bërë të ditur sot Policia e Kosovës, sipas së cilës përleshja ka ndodhur ndërmjet disa personave.

    Raportohet se gjatë një ndeshje sportive ka ardhur deri te përleshja në mes të disa personave, përveq kësaj disa persona të tjerë kanë hedhur gjësende në drejtim të tyre. Si pasojë, gjashtë persona kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Ukrainë, Bahmuti përballet me sulme të vazhdueshme ruse

    Ukrainë, Bahmuti përballet me sulme të vazhdueshme ruse

    Forcat ruse kanë kryer më shumë valë sulmesh në Bahmut në ditën e kaluar, por asnjëra palë nuk ka arritur të bëjë përparim kritik, tha ushtria ukrainase më 25 prill.

    Beteja për kontrollin e Bahmutit, qytet që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, po vazhdon që disa muaj.

    “Luftimet e ashpra po vazhdojnë për qytetin e Bahmutit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportimin ditor, duke shtuar se ofensiva kryesore e Moskës vazhdon të jetë e përqendruar në vijën e frontit në Bahmut, Avdijivka dhe Marjinka.

    Forcat ruse kanë kryer 62 sulme ajrore dhe gjashtë sulme me raketa kundër pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe objektivëve civilë, tha Shtabi i Përgjithshëm.

    Mbrojtësit ukrainas po ashtu kanë zmbrapsur 43 sulme ruse në Bahmut dhe Marijinka, tha ushtria ukrainase.

    Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, ndërkaq i përshkroi luftimet në Bahmut si një “proces i vazhdueshëm dinamik”.

    Ajo shkroi në Telegram më 25 prill se “ne mund të humbin pozicione në betejë sot dhe t’i rikthejmë ato nesër. Prandaj, ushtria preferon të flasë për rezultatet pasi të ketë mbaruar operacioni”.

    Deklaratat e Malyar vijnë një ditë pasi komandantët ukrainas hodhën poshtë pretendimet ruse se mercenarët e Grupit Wagner kontrollojnë pothuajse të gjithë qytetin e Bahmutit.

    Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, paralajmëroi se forcat ruse mund të intensifikojnë veprimet e tyre ofensive pasi moti të nisë të ngrohet.

    “Ne e dimë se në pranverë, kur kushtet atmosferike përmirësohen – që veçse kanë nisur të përmirësohen – ne mund të presim që rusët të kryejnë ofensiva në disa zona. Ne nuk e dimë saktë ku dhe si do ta bëjnë, por ne duam të sigurohemi që ukrainasit të jenë në gjendje të mbrojnë veten më mirë kundër tyre”, tha Kirby për Zërin e Amerikës më 24 prill.

    Në të njëjtën kohë, shtoi Kirby, nëse forcat ukrainase vendosin të kryejnë kundërofensivën e tyre, ato duhet të kenë aftësitë e përshtatshme për ta bërë një gjë të tillë.

    Ekspertët ushtarakë kanë raportuar – dhe liderët ukrainas kanë lënë të kuptohet – se një kundërofensivë e madhe nga Ukraina veçse ka nisur të vihet në veprim.

    Më 23 prill, disa raportime sugjeronin se ushtria ukrainase kishte kaluar lumin Dnjepër dhe kishte vendosur pozicione në bregun lindor të lumit në Ukrainën jugore.

    Por, ushtria ukrainase hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur “spekulime”./REL/

  • Studim: Stresi mund të rrisë përkohësisht moshën tuaj biologjike

    Studim: Stresi mund të rrisë përkohësisht moshën tuaj biologjike

    Moshat tona kronologjike dhe biologjike mund të mos jenë gjithmonë të njëjta.

    E para është numri i viteve që kemi jetuar dhe e dyta i referohet se sa të vjetra mund të jenë qelizat dhe indet tona. Një studim i ri ka treguar se stresi ose ngjarjet stresuese mund të ndryshojnë përkohësisht moshën tonë biologjike, por ndryshimi mund të mos jetë i përhershëm dhe mund të kthehet me kalimin e kohës. Sipas studimit, stresi mund të jetë emocional, fizik, mjedisor ose çdo formë tjetër.

    Studimi është publikuar në revistën Cell Metabolism. Studimi përdori një reaksion kimik metilimi të ADN-së për të vëzhguar ndryshimet në moshat biologjike të minjve dhe burrave. U krijuan situata stresuese fizikisht dhe mjedisore dhe u vunë re ndryshime në orën biologjike.

    Çfarë gjeti studimi?

    Në një eksperiment, u krye një procedurë kirurgjikale për të çiftuar dy minj, njëri tre muajsh dhe tjetri 20 muajsh. Të dy duhej të kishin një qarkullim të përbashkët. Duke qenë një situatë stresuese fizike, studiuesit vunë re se mosha biologjike e minjve të rinj u rrit relativisht shpejt. Megjithatë, kur dy minjtë u ndanë në fund të eksperimentit, mosha biologjike e minjve më të rinj u rikthye në origjinal.

    Shkencëtarët e përfshirë në studim prisnin të njëjtat rezultate tek njerëzit që kalonin situata stresuese fizikisht ose emocionale, të tilla si kryerja e një operacioni urgjent, vuajtja nga COVID-19 ose rikuperimi nga sfidat pas lindjes. Një tendencë e ngjashme u vu re në rastet e mësipërme, ku mosha biologjike u rikthye në bazë brenda ditëve pas procedurës ose pasi kishte kaluar ngjarja stresuese.

    Studimi sugjeroi që, ndryshe nga mosha kronologjike, mosha biologjike tregon rrjedhshmëri dhe mund të luhatet me ndryshimin e rrethanave, të brendshme ose të jashtme. Ai gjithashtu tregoi se stresi ekstrem mund të rrisë gjithashtu rrezikun e vdekshmërisë. Sipas disa ekspertëve të cituar, mosha biologjike mund të veprojë si një parametër për të kuptuar stresin dhe mënyrat për të marrë lehtësim prej tij.

    Çfarë mund t’i bëjë stresi trupit tuaj?

    Stresi është një reagim emocional dhe fizik ndaj disa faktorëve stresues të brendshëm ose të jashtëm. Ajo është e lidhur me lirimin e kimikateve të quajtura kortizol dhe adrenalinë që mund të sjellin ndryshime të papritura fizike si rritja e rrahjeve të zemrës, rritja e ritmit të frymëmarrjes, rritja e presionit të gjakut, tensioni i muskujve dhe ndryshime të tjera. Ka gjëra të tjera që stresi mund të bëjë:

    -Përkeqësimi i astmës

    -Shpërthimi i problemeve gastrointestinale

    -Rënia e flokëve

    -Dhimbje koke

    -Sheqeri i lartë në gjak

    -Pagjumësia

    -Komplikimet e shtatzënisë

  • ​Në Liqenet e Lukovës ku pranvera ende nuk ka trokitur

    ​Në Liqenet e Lukovës ku pranvera ende nuk ka trokitur

    Turistë të shumtë kanë frekuentuar zonat e mbrojtura përgjatë fundjavës që lamë pas.

    Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë zhvilloi një guidë drejt Liqeneve të Lukovës, që ndodhen afër fshatit Bishnicë të njësisë administrative Velçan, Pogradec me turistë vendas, nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.

    Ky destinacion mund të arrihet nëpërmjet një shtegu të gjatë, rreth 7 km, i cili nis nga fshati Bishnicë, Pogradec.

    Liqenet e Lukovës, monument natyre, janë dy liqene akullnajore me sipërfaqe rreth 10 ha, ku duket se pranvera ende nuk ka trokitur. Një kurorë pyjesh të përzierë ahu dhe bredhi me lartësi deri në 22 m dhe me diametër të trungut 30 cm rrethojnë këto dy liqene, shkruan ATSh.

    Kjo zonë ofron jo vetëm turizëm natyror, por edhe kulturor, pasi gjatë rrugëtimit për në liqenet e Lukovës, mund të vizitohet edhe “Ura e Golikut”, gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit XVIII. Në krah ndodhen edhe Varret e Selcës, të cilat i përkasin shek. IV-III para lindjes së Krishtit, unikale në llojin e tyre.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale të lehta me diell, ndërsa gjatë pasdites do të ketë reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e ketë Peja me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 19 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale do e mbajë Peja me 6 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 16 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

  • ​Osmani për licencimin e FFK-s: Po shqyrtohet dosja e re e klubeve, s’do të ketë asnjë lëshim

    ​Osmani për licencimin e FFK-s: Po shqyrtohet dosja e re e klubeve, s’do të ketë asnjë lëshim

    Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka bërë të ditur se procesi i licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës është afër përfundimit, por se kjo do të varet nga ajo nëse dokumentacioni i ri i sjellë në këtë ministri nga ana e klubeve të futbollit është në rregull.

    Për KosovaPress, Osmani ka thënë se dosja e re me dokumente të klubeve tashmë është duke u shqyrtuar nga Komision për Licencim dhe nëse ato plotësojnë kushtet e kërkuara sipas udhëzimit administrativ, atëherë FFK do të licencohet menjëherë.

    “Përkundër federatave të tjera, nuk është vetëm futbolli ajo e cila po sfidohet me këtë proces. Të gjitha ato që janë licencuar kanë hasur në vështirësi të mbledhjes së dokumentacionit që kërkohet sipas udhëzimit administrativ, mirëpo Federata e Futbollit tashmë siç edhe është bërë publike, është në prag të përfundimit të të gjitha. Federata i ka plotësuar të gjitha kriteret në një formë apo tjetër, mirëpo janë klubet ato që tani nëse nuk gaboj të enjten që ishte dita e fundit e punës në institucionet publike kanë sjellë dosjen e re me të gjitha komentet të cilat i kanë pranuar nga Komisioni për Licencim dhe komisioni gjatë kësaj jave do ta trajtojë. Urojmë që dokumentet të jenë të kompletuara dhe të mos ketë nevojë për kthim prapa përsëri”, ka thënë Osmani

    Në lidhje me këtë çështje, në fillim të javës së kaluar në Kosovë ishte për vizitë një delegacion nga UEFA dhe FIFA. Osmani bënë të ditur se ata u njoftuan me të gjitha detajet e licencimit të FFK-s dhe se ata i kanë dhënë mbështetje të fuqishme këtij procesi.

    “Ishte takimi me përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s ku në detaje janë për procesin e licencimi dhe kjo vizitë e tyre nuk ishte vetëm për licencimin mirë ishte edhe në rastin e aktual në të cilin ka kaluar Federata e Futbollit…Është qartësuar në detaje komplet koncepti, qëllimi si dhe procesi i licencimit dhe ky proces padyshim se ka gjetur mbështetje edhe nga ana e tyre konsideruar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare e sidomos ato evropiane për qeverisjen e sportit dhe funksionimin e një sistemi me integritet të sportit brenda një shteti”, shtoi ajo

    Për shkak të mos licencimit të Federatës së Futbollit, klubet janë ankuar se po humbin miliona euro nga pamundësia për ta shfrytëzuar Ligjin e Sponsorizimit, por Osmani ua ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë lëshim në këtë proces për klubet. Sipas saj, nëse këto klube kanë fituar miliona euro nga ky ligj, atëherë ato duhet të jenë në gjendje t’i përgatisin dokumentet që kërkohen për licencim.

    “Në këtë proces nuk ka lëshime, nuk ka kompromise, janë ato dokumente të cilat të gjitha klubet duhet t’i mbledhin. Ligjet në Kosovë e përcaktojnë që sponsorizimi, e drejta e përfitimi nga sponsorizimi i ka edhe ai proces disa kritere e disa standarde që duhet plotësuar dhe njëra ndër to është licenca në kuadër të ministrisë së sportit…një çështje që ngritet është që klubet të cilat pikërisht kanë përfituar me miliona nga Ligji i Sponsorizimit konsideroj që duhet t’i kenë kapacitetet për të bërë mbledhjen e këtyre dhjetë dokumenteve të cilat parashihen në kuadër të udhëzimit administrativ”, theksoi Osmani

    Së fundi, kryetari i FFK-së Agim Ademi është liruar nga arresti shtëpiak, por Osmani thotë se nuk është takuar e as nuk ka pasur ndonjë kontakt me të rreth zhvillimeve të fundit. Sipas saj, kryetari nuk duhet të merret me procesin e licencimit pasi është proces teknik.

    “Po besoj që me procesin e licencimit më së paku duhet të merrej presidenti i një federate aq të madhe sa futbolli duke marr parasysh se është proces shumë teknik e administrativ që do të duhej t’i bënin zyrtarë në pozita më të ulëta ose administrata e federatës së bashku me administratën e futbollit, por uroj shumë që nëse ajo ka qenë një arsye e vonesës së licencimit të federatës ta ndihmojë komunitetin që të licencohen sa më shpejtë…Jo,jo“, tha në fund Osmani.

    Procesin e licencimit deri me tani Osmani bëri të ditur se e kanë kaluar 24 federata, derisa bëri thirrje qe edhe federatat tjera ta plotësojnë sa më shpejtë dokumentacionin e kërkuar për të marr licencën nga ana e Ministrisë së Sportit.

  • Familja Schumacher gjyq ndaj Inteligjencës Artificiale për intervistën e rreme

    Familja Schumacher gjyq ndaj Inteligjencës Artificiale për intervistën e rreme

    Familja e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, po planifikon veprime ligjore ndaj një reviste gjermane, që publikoi një intervistë të rreme, bazuar në përgjigjet e inteligjencës artificiale.

    Më 15 prill, Die Aktuelle, një revistë javore në Gjermani, publikoi një foto të buzëqeshur të 54-vjeçarit në ballinë me titullin: “Michael Schumacher, intervista e parë”.

    Bashkë me titullin është një nëntitull që lexon: “Duket në mënyrë mashtruese, e vërtetë”, teksa vetëm në fund të artikullit thuhet se është një intervistë e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.

    Intervista e rreme shfaqet në faqen tetë të revistës me titullin “Jeta ime ka ndryshuar plotësisht” dhe përfshin citate fiktive që i atribuohen Schumacher, e diskutojnë për jetën e tij familjare që nga aksidenti, por edhe gjendjen e tij mjekësore.

    “Mund të konfirmoj se familja e Michael Schumacher po planifikon të ndërmarrë veprime ligjore për një intervistë të rreme të inteligjencës artificial, të publikuar nga gazeta gjermane Die Aktuelle”, tha një zëdhënës i Schumacher të enjten.

    Schumacher nuk është parë në publik që prej vitit 2013, kur pësoi një aksident në një pistë skish. Që nga aksidenti, familja Schumacher ka mbajtur në minimum përditësimet në lidhje me shëndetin e legjendës së motorsportit për të mbrojtur privatësinë e tyre.

  • KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot do të shpallen rezultatet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, nga KQZ kanë thënë se të martën nga ora 13:15 mban mbledhjen e radhës.

    Pikë e rendit të ditës është edhe shpallja e rezultateve për zgjedhjet për kryetar të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq.

  • Digjet një ekskavator në Zveçan

    Digjet një ekskavator në Zveçan

    Të hënën në orët e para të mëngjesit, konkretisht rreth orës 03:40, në Zveçan në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri një ekskavator.

    Zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin, ndërsa rasti në polici është hapur si “zjarrvënie”.

    Rasti po hetohet.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    ZJARRVËNIE/Zveçan 24.04.2023 – 03:40. Raportohet se në rrethana të panjohura në zjarr është përfshirë një ekskavator. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar.