ATV

Blog

  • U nda nga babai kur i kishte veç 6 muaj, e pa në ëndërr pas 20 vjetëve duke i thënë “Sa qenke rritur”

    U nda nga babai kur i kishte veç 6 muaj, e pa në ëndërr pas 20 vjetëve duke i thënë “Sa qenke rritur”

    Historia e Marigona Pretenit është pasqyrë e shumë familjeve të prekura nga lufta e fundit në Kosovë.

    E ndarë nga babai i saj kur ishte vetëm 6-muajshe, Marigona u rrit pa e ditur kurrë se çfarë i ndodhi me fatin e tij.

    Pavarësisht kalimit të kohës, Marigona ende ka shpresë se një ditë do të mund të marrë ndonjë lajm për fatin e babait të saj.

    Në emision STUDIO A në ATV, mes lotësh, ajo tregon se si e kishte parë babain e saj në ëndërr pas 20 viteve, i cili i kishte thënë “Sa qenke rritur”.

    Historia e saj është një kujtim prekës i plagëve që la lufta e fundit në Kosovë për shumë familje shqiptare. /atvlive.tv

  • ​Jep dorëheqjen shefi i BBC-së

    ​Jep dorëheqjen shefi i BBC-së

    Shefi i BBC-së, Richard Sharp dha dorëheqjen të premten pasi një hetim i pavarur doli në përfundimin se ai kishte shkelur rregullat, duke mos deklaruar një konflikt të mundshëm interesi, lidhur me rolin e tij në sigurimin e një kredie prej 1 milion dollarësh, për ish-kryeministrin, Boris Johnson.

    Largimi i tij vjen në një kohë kur është rritur vëmendja lidhur me paanësisë së transmetuesit publik britanik të financuar nga publiku. Muajin e kaluar BBC ishte në epiqendra e titujve të parë të gazetave për shkak të kritikave të prezantuesit të famshëm sportiv Gary Lineker ndaj politikave të qeverisë mbi migracionin.

    Zotit Sharp, një ish-bankier i bankës së investimeve ‘Goldman Sachs’ dhe donator i Partisë Konservatore në pushtet, mori drejtimin e BBC-së në vitin 2021.

    Prej muajit shkurt të këtij viti, ai ka qenë nën trysni pasi një komision ligjvënësish, ofroi një raport kur thuhej se ai kishte bërë “gabime të rënda në gjykim”, duke dështuar të deklarojë, se ishte përfshirë në çështjen e huasë së marrë nga zoti Johnson.

    Zoti Sharp ka rënë dakord të qëndrojë në detyrë deri në fund të qershorit deri në caktimin e zëvendësuesit të tij.

    Edhe pse shefi i BBC-së emërohet nga qeveria, pavarësia e transmetuesit është një element i rendësishëm që e bën atë që të luajë një rol qendror në jetën kulturore britanike. BBC-ja financohet nga një tarifë që paguajnë familjet britanike (taksa e televizorit).

    Zëdhënësja për kulturën e Partisë Laburiste të opozitës, Lucy Powell, tha se “qasja e pamoralshme dhe favorizimi i miqve’ nga ana e qeverisë konservatore, kishte dëmtuar reputacionin e BBC-së. Ajo shtoi se ishte i nevojshëm “një proces vërtet i pavarur dhe i fortë” në emërimin e pasardhësit të zotit Sharp.

    I pyetur nga gazetarët nëse kreu i ri i BBC-së duhet të ishte një emërim jo politik, kryeministri Rishi Sunak, i cili ka punuar me zotin Sharp në ‘Goldman Sachs’, tha: “Ekziston një proces i përcaktuar qartë mbi emërimet dhe do të ishte mire që ta trajtojmë këtë çështje në kohën e duhur”.

    Pikëpyetjet në lidhje me paanësinë e BBC-së janë vetëm një nga sfidat me të cilat përballet transmetuesi. Transmetuesi publik po has vështirësi për të ruajtur ndikimin tek audienca më e re në moshë, e cila nuk sheh më televizor, mes problemesh të tjera, që lidhen me shkurtimin e buxhetit.

    Hetimi i emërimeve publike

    Hetimi i nisur nga mbikëqyrësi i emërimeve publike, shqyrtoi mënyrën se si zoti Sharp u zgjodh nga qeveria për të kryesuar transmetuesin.

    Në mënyrë të veçantë, u shqyrtua nëse zoti Sharp kishte deklaruar të gjitha detajet mbi rolin e tij në lehtësimin e procedura për marrjen e një kredie prej 800,000 paundësh ose 1 milion dollarësh, nga zoti Johnson, përpara se ai të emërohej shef i BBC-së.

    Hetimi zbuloi se zoti Sharp kishte shkelur kodin e qeverisë për emërimet publike, por kjo shkelje jo domosdoshmërisht e bënte të pavlefshëm emërimin e tij. Zoti Sharp ka thënë se veprimet e tij ishin “të paqëllimshme dhe pa përfitim material”.

    Por megjithatë ai tha se besonte se qëndrimi i tij deri në fund të mandatit katërvjeçar do të krijonte shpërqendrim nga “puna e mirë” që kryen transmetuesi.

    “E konsideroj të drejtë t’i jap përparësi interesave të BBC-së”, tha zoti Sharp në një deklaratë. “Ndaj, këtë mëngjes dhashë dorëheqjen si shef i BBC-së”.

    Në raport përmendet se zyra e zotit Johnson, kur ky i fundit ishte kryeministër, rekomandoi zotin Sharp si “një kandidat të fortë” për detyrën e shefit të BBC-së, mes 23 aplikimesh për këtë post.

    Zoti Sharp ka pohuar se ai nuk ishte i përfshirë në dhënien e kredisë ose në rregullimin e një garancie mbi kredinë, por se ai nuk kishte bëri asgjë më shumë se sa një prezantim të biznesmenin kanadez Sam Blyth, me një zyrtar qeveritar në fund të vitit 2020.

    Andrew Heppinstall, i cili kreu hetimin, tha se ishte “i lumtur të shënonte” në raport që nuk kishte parë asnjë provë se zoti Sharp kishte luajtur ndonjë rol në çështjet private financiare të zotit Johnson, përveç përpjekjes për prezantim me biznesmenin kanadez.

  • Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Dick Marty për kërcënimin me vrasje: Qëllimi i kriminelëve serbë ishin të fajësonin Thaçin

    Ish-senatori zviceran Dick Marty ka pohuar se inteligjenca serbe e ka kërcënuar atë për ta fajësuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin për vrasjen e tij, shkruan gazeta zvicerane Blick, përcjell atvlive.tv.

    Në një intervistë për Radio Televizionin Zviceran, Marty deklaroi se përgjegjësit për kërcënimet kishin lidhje me shërbimet sekrete serbe, të cilët kishin frikë se Thaçi mund t’i shmangej drejtësisë.

    Marty shprehu zhgënjimin për mungesën e ndërhyrjes së autoriteteve zvicerane pas kërcënimeve.

    Ai u vendos nën mbrojtje të lartë policore në dhjetor të vitit 2020 pas kërcënimeve nga shërbimi inteligjent serb.

    Në një deklaratë në atë kohë, Marty kishte pohuar se kërcënimet ishin një përpjekje për të transferuar fajin për vrasjen e tij në Kosovë.

    Ish-senatori është autor i një raporti që akuzon krerët e UÇK-së për krime lufte. /atvlive.tv

  • Kjo është Marilyn Monroe nga Kosova që u zgjodh Miss World Albania – I përngjanë nga flokët e deri të këpucë

    Kjo është Marilyn Monroe nga Kosova që u zgjodh Miss World Albania – I përngjanë nga flokët e deri të këpucë

    Elona Ndrecaj, fituesja e kurorës “Miss World Albania 2022”, një vajzë e bukur dhe e denjë, është krahasuar me njërën nga ikonat më të njohura të artit dhe kinemasë, Marilyn Monroen, për dukjen e e saj të ngjashme me aktoren legjendare.

    Në një paraqitje të fundit në emisionin “LIBERO” në ATV, Elona foli hapur për jetën dhe karrierën e saj, duke zbuluar disa pika të dobëta nga rruga e saj personale dhe profesionale.

    Një nga temat që u prek në intervistë ishte qasja e Elonës ndaj dietave si dhe për ushqimin e saj të preferuar.

    “Është krelana, disa i thonë ‘leçenik’, por te pjesa e Dukagjinit i thonë krelanë. E gatuaj vet. Por, tani e kam pasur shumë vështirë, pjesa më e vështirë për Miss-in, më është dashur me hequr kilogram, më është dashur me hequr dorë prej kalorive”, tregon ajo.

    Për të dëgjuar më shumë nga Elona, sigurohuni që të shikoni videon poshtë.

  • Dikur luanin bashkë e qanin se nuk i lejonin prindërit, sot të martuar e po jetojnë pleqërinë bashkë!

    Dikur luanin bashkë e qanin se nuk i lejonin prindërit, sot të martuar e po jetojnë pleqërinë bashkë!

    Zyla Haradini i kishte veç 4 vjet kur u njoftua me Amrushin. Ajo kohe, të dytë preferonin që të luanin me njëri-tjetrin, të përqafoheshin, e për më tepër qanin kur prindërit e tyre i ndanin me që nuk jetonin në të njëjtën shtëpi.

    Kjo i shtyu prindërit e Zylës dhe Amrushit që t’i martonin qysh në vegjëli.

    “Te shpija e ksajna, i kam pasur dy motra ma të mdhaja, ato janë kanë të shkune, kemi shku me ndejt, na lujshim kështu nëpër oborr, mas mrami hypke në kerr me ardh me neve. Nëna e kësajna i tha babës, këtë qikë kom me ta dhanë për këtë djalë, për mua. E tani ai u gëzua. Pas 15-16 vjete, kur i bëra 20 vjet, u martuam. Shkuan me kerr të kujave, të mbuluar me çilim, atëherë unë nuk kam qenë sepse dhëndërri nuk shkojke me e marrë nusen”, rrëfen Amrushi. /atvlive.tv

  • Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet nga akuza për korrupsion

    Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet nga akuza për korrupsion

    Lajmin se u lirua nga akuza për korrupsion, Dhurata Hoxha nuk e dëgjoi nga gjykatorja.

    Ish-ministrja e Integrimit Evropian nuk erdhi të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila e shpalli të pafajshme atë, drejtorin e Prokurimit publik, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, në rastin e një kontrate lobuese.

    Prezent në sallën e gjykimit kur kryetari i trupit gjykues dha arsyetimin rreth vendimit, nuk ishte as Cukaj.

    Ata akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat kur e kishin iniciuar dhe nënshkruar kontratën për lobim me një kompani franceze.

    Por, Gjykata dha edhe një tjetër arsye se pse ata nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën i ngarkonte Prokuroria Speciale.

    Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte ngritur pas një hulumtimi të mediumit Kallxo, sipas të cilit, afër 170 mijë euro ishin paguar nga buxheti i shtetit për kompaninë franceze, e cila kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë zgjidhje në arritjen e një marrëveshjeje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

  • Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, “mollë” sherri

    Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, “mollë” sherri

    Deklarata për të zhdukurit dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë konfirmuar si tema në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    Sipas agjendës tashmë të konfirmuar, takimi i nivelit të lartë të dialogut, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajcak, do të nisë nga ora 18.

    “Palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë e parë e agjendës. Kjo do të përcillet nga prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe diskutimi për të. Palët do të kenë, gjithashtu, mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Ndryshe nga deklarata për të zhdukurit gjatë luftës, e dakorduar në parim nga palët, njohës të procesit të dialogut NUK presin progres në temën e Asociacionit.

    Pengesë për lëvizjen para shihet fakti se Ekipi Menaxhues që do të prezantojë draftin e parë të statutit udhëhiqet nga Danijela Vujicic, deputete e partisë së Vucicit në parlamentin e Serbisë.

    “Këtë herë po e shohim se kontestimi vjen tek aspekti i ekipi menaxhues për draftimin e Asociacionit. Unë nuk pres ndonjë rezultat pozitiv, rezultati i vetëm i këtij takimi mund të jetë dinamizmi i mëtejmë i ndërmjetësuesve për t’iu bërë presion palëve dhe për të gjetur ndonjë mundësi në të ardhmen për ta çuar përpara këtë proces”, tha analisti Bekim Kabashi.
    Rezistenca e Kosovës në raport me Ekipin Menaxhues, sipas profesorit Seb Bytyçi, do të prodhojë vetëm progres formal.

    “Kjo nuk nënkupton që do të ketë progres përmbajtjesor, sepse pres që dokumenti të kundërshtohet nga Kosova, për shkak se është përpiluar nga një ekip menaxhues që është kryesuar nga një person që i takon formalisht partisë së presidentit Vucic”, tha Bytyçi.

    Mospajtimet, sipas Bytyçit, mund të prodhojnë vendime nga Qeveria e Kosovës në raport me përbërjen e ekipit.

    “Mund të priten pasoja të tjera, edhe ndonjë vendim për të ndryshuar përbërjen e ekipit menaxhues që nënkupton pengesa të tjera në zbatimin e asaj pike”.

    Takimi i 2 Majit, do të jetë i pari ndërmjet Kurtit dhe Vucicit, pas dakordimit në Ohër, për aneksin e marrëveshjes bazë të Brukselit, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv

  • Për katër muaj, nëntë persona të vdekur nga lëndimet në punë

    Për katër muaj, nëntë persona të vdekur nga lëndimet në punë

    Brenda 4 muajve të vitit 2023, 9 persona kanë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tyre të punës.

    Mungesa e kushteve të duhura në punë, vazhdon të jetë problematikë për të punësuarit sidomos në sektorin e ndërtimtarisë.

    Edhe eksperti për siguri në Punë, Arian Ibishi, thotë se njëra nga arsyet e lëndimeve të punëtorëve janë mjetet e punës.

    “Gjithherë kemi nevojë për aparatura të reja se varet edhe lloji i aparaturës, te lëndimet që ndodhin”, tha Ibishi.

    Në Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, u kërkua që të rritet numri i inspektorëve.

    “Pjesa kryesore e këtyre rasteve është se vetë inspektorët nuk i kontrollojnë punishtet. Fakti kur punëtori humb jetën në ‘Bactering’ dhe inspektori i punës e ka dënuar kompaninë me 2 mijë euro, e kanë krahasuar jetën e punëtorit me shtazë. Realisht procedurat e ardhjes deri te raportet zyrtare të inspektoratit dhe raportet përfundimtare zgjasin 7-8 vite dhe prapë përgjigjet janë negative, atëherë drejtësia kalon në padrejtësi, kur vjetrohet lënda e humb vlerën”, tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

    Raportimi për mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe për kushte jo të duhura në Inspektorat të Punës, sipas Azemit dhe Ibishit, mund të parandalojnë rastet me fatalitet në vend të punës. /atvlive.tv

  • Kuvendi nisi punën “mbrapsht” dhe e përfundoi “dobët” për vitin 2022

    Kuvendi nisi punën “mbrapsht” dhe e përfundoi “dobët” për vitin 2022

    Pavarësisht se Rregullorja e Kuvendit e parasheh miratimin e Programit të punës, vitin e kaluar deputetët e Kuvendit e nisën punën pa e miratuar atë.

    Jo vetëm në nisje, por edhe në vazhdimësi legjislativi po konsiderohet se nuk veproi si duhet, saqë puna e tij brenda 1 viti u vlerësua e dobët.

    “Është përcjellë me joefikasitet dhe në secilën seancë plenare projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën, për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mospjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit”, tha Naim Jakaj nga IKD.

    Por, pavarësisht që në disa seanca edhe vetë kryetari i Kuvendit, kritikoi deputetët për mospunë, megjithatë të premten ai tha se këtë legjislaturë e konsideron si ndër më të mirat.
    Mirëpo, opozita nuk ka mendim aspak të njëjtë me Konjufcën.

    Sipas saj, kjo legjislaturë ka bërë ligjet më të dështuara deri më tani në historinë e vendit.

    “Krejt po ju shkojnë në Kushtetuese. Me bo një zyrë të Gjykatës afër Kuvendit që me pasë më afër…”, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

    Veç tyre, mungesës së kuorumit e gjuhës joparlamentare, opozita ka edhe një ankesë tjetër.

    “Nëse ka diçka që më pengon më së shumti është gjuha e veprimet joparlamentare. Dal unë me folë diçka, e kap najfarë muhabeti tjetër Kurti me Besnik Bislimin, ja nisin folin aty diçka”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri

    Me një punë jo të mirë është vlerësuar edhe 3-mujori i parë i këtij viti, i punës së legjislativit.

    54 pika të rendit të ditës, ndër to edhe 19 projektligje, nuk janë përfunduar në vitin 2022, të cilat rrjedhimisht kanë mbetur të trajtohen në seancat plenare të vitit 2023. Numri i tyre, ndërkaq, po vjen duke u shtuar, për shkak të mungesës së kuorumit e dështimit të seancave. /atvlive.tv

  • Reagimet e Listës Serbe dhe Beogradit pas vendimit për hapjen e urës së Ibrit

    Reagimet e Listës Serbe dhe Beogradit pas vendimit për hapjen e urës së Ibrit

    Rreth vendimit për funksionalizimin e urës së Ibrit për vetura ka reaguar, Lista Serbe. Duke e dënuar vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut Lista Serbe e quajti atë të paligjshëm.

    Nga kjo parti theksuan se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon paqen. Ndërkaq Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe tha se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti padyshim ka treguar se dëshiron luftë.

    Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”. /atvlive.tv