ATV

Blog

  • Mitrovica e Veriut merr vendim për hapjen e urës së Ibrit

    Mitrovica e Veriut merr vendim për hapjen e urës së Ibrit

    Për shumë vjet, këto vetura të misioneve ndërkombëtare janë të vetmet që mund të lëvizin mbi urën e lumit Ibër. Megjithatë, situata mund të ndryshojë pas një vendimi që mori Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut.

    Vendimi, i siguruar nga ATV-ja, saktëson si veprim të parë largimin e pengesave të vendosura tash e disa vjet.

    “Sot, me datë 28.04.203, me propozim të asamblistes Aida Ferati – Doli, rendit të ditës iu shtua edhe një pikë: propozimi për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicën e Veriut dhe funksionalizimin e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve. Ky propozim u votua nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

    Por, për ta siguruar zbatimin, vendimi do t’u dërgohet organeve të sigurisë.

    Përkundër që përmes dialogut në Bruksel për vite të tëra janë bërë përpjekje për hapjen e urës, Kuvendi nuk e ka njoftuar paraprakisht Bashkimin Evropian.

    Kjo lëvizje e së premtes po vlerësohet më shumë si vendim populist i partisë në pushtet qendror e tashmë edhe në Mitrovicë të Veriut.

    “Nuk do të zbatohet ky vendim meqë fillimisht është çështje e sigurisë në të cilën përfshihen KFOR-i dhe EULEX-i, pastaj edhe Policia e Kosovës. Aktualisht as Bashkësia Ndërkombëtare nuk besoj se do të lejojë këtë lëvizje dhe në mes tjerash do të hapte çështjen e ridefinimit të kufijve mes dy qyteteve, sepse kjo nuk është sqaruar gjatë dialogut”, tha Milica Andric – Rakic, njohëse e rrethanave politike.

    Pas luftës në Kosovë, ura mbi lumin Ibër ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe veriore, me shumicë serbe. /atvlive.tv

  • Nipi vret xhaxhain e tij për çështje prone

    Nipi vret xhaxhain e tij për çështje prone

    Një parcelë e tokës fare pranë kësaj shtëpie dyshohet se u bë shkak që nipi ta vrasë xhaxhain e tij.

    B.B., rreth të 40-tave, në mëngjesin e së premtes vrau S.B, 50 vjeç, në fshatin Kijevë të Malishevës.

    Viktima i cili jetonte në Angli, kishte ardhur para disa ditëve në vendlindje dhe po banonte në të njëjtën shtëpi me të dyshuarin për vrasjen e tij.

    Të tronditur nga kjo ngjarje mbetën të afërmit e familjes Berisha.

    Sipas kushëririt të tij, viktima dhe i dyshuari nuk kanë pasur më herët ndonjë konflikt.

    I dyshuari për këtë vepër është arrestuar.

    Për vrasjen e 50-vjeçarit dyshohet se është përdorur një armë zjarri, e cila është gjetur në vendngjarje dhe është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë. /atvlive.tv

  • Haliti: Më shumë vëmendje mori ‘pica’ në kuvend se sa milionat në KEK

    Haliti: Më shumë vëmendje mori ‘pica’ në kuvend se sa milionat në KEK

    Gazetarja dhe analistja Albina Haliti, në emisionin DIREKT në ATV, duke komentuar zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, tha se më shumë vëmendje mori historia e “Picas” se sa milionat në KEK.

    “Më shumë vëmendje pica në kuvend se sa milionat në KEK, për fat të keq”, tha ajo./atvlive.tv

  • Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin DIREKT në ATV, tha se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dje në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi homologun serb për krime lufte.

    “Nuk paraqet kurgjë mendësi kjo që e ka bërë Daçiq. Me të drejtë Gërvalla i tha se ti i takon kohës së Millosheviqit dhe jo rastësisht i kanë thënë ‘Slloba’ i vogël, ngase në të kaluarën, Serbia këto taktika i ka përdorur. Ka dashur që të mbjellë urrejtje ndër shqiptare, të çojë edhe deri në vëlla vrasje. Gjithmonë njihet sistemi i UDB-së që ka pasur një rol tepër aktiv dhe sot vjen në një situatë përfaqësuesi i fytyrës së regjimit më të tmerrshme të Millosheviqit, zëdhënësi i tij Daçiq, t’ia thotë këto bijës së një atdhetari që është vrarë nga dora e zezë e UDB-së nën diktatin e atmosferës së atëhershme të Serbisë, është tepër e ulët”, tha Pozhari. /atvlive.tv

  • Ligji i Pagave, MPB-ja e MF-ja konfirmojnë se po punojnë në evitimin e gabimeve

    Ligji i Pagave, MPB-ja e MF-ja konfirmojnë se po punojnë në evitimin e gabimeve

    Ministria e Financave bashkë me atë të Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se sot do të ekzekutohen pagat e treta për sektorin publik sipas Ligjit për Paga që u votua në shkurt.

    Bëhet e ditur se këto dy ministri po punojnë në evitimin e gabimeve dhe se pas përmirësimeve, të gjithë zyrtarët publik do ta marrin në mënyrë retroaktive diferencën për të gjithë muajt, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

    “Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, këto dy ministri kanë bërë të ditur se kërkesat që shqyrtohen nga to kanë përafërsisht bazë si në shpjegimet që mund t’i gjeni më poshtë:

    1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
    3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
    5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
    6. Arsye të tjera.
  • ​360.436 persona të punësuar me pagë primare në muajin mars

    ​360.436 persona të punësuar me pagë primare në muajin mars

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat administrative të tregut të punës për muajin mars të këtij viti, ku thuhet se në muajin mars, të punësuar me pagë primare janë regjistruar 360 436 persona. Kurse, të punësuar me pagë sekondare janë regjistruar 17 335 persona.

    Sipas ASK-së, këto të dhëna bazohen në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK).

    “Ky publikim ofron të dhëna për numrin e të punësuarve të kategorizuar sipas: gjinisë, grup-moshës, numrit të të punësuarve me pagë primare dhe sekondare, përqindjes së të punësuarve, aktiviteteve ekonomike, si dhe të dhënat për punëkërkuesit e regjistruar sipas gjinisë dhe grup-moshës. Në muajin mars, të punësuar me pagë primare sipas gjinisë janë regjistruar 360 436 persona, prej tyre 217 978 meshkuj dhe 132 495 femra. Kurse, të punësuar me pagë sekondare sipas gjinisë janë regjistruar 17 335 persona, prej tyre 11 305 meshkuj dhe 5 299 femra. Punësimi sipas aktiviteteve dhe gjinisë mbi moshën 15 vjeçare ishte më i madh te: Administrata publike dhe mbrojtja, sigurimi i detyrueshëm social (22.7%); Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparime automjetesh dhe motoçikletash (21.7%); Prodhimi (11.2%); Ndërtimtaria (6.2%); Aktivitetet e akomodimit dhe shërbimet e ushqimit (5.5); Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve (5.3%), etj. Ndërkaq, punëkërkues të regjistruar sipas grup-moshës ishin 27 776 persona, prej tyre 15 139 meshkuj dhe 12 637 femra”, thuhet në njoftim.

  • ​Stano: Më 2 maj do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit

    ​Stano: Më 2 maj do të prezantohet drafti i parë i statutit të Asociacionit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se në takimin e 2 majit, në rend dite do të jetë miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe prezantimi i draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

    Ai ka folur disa ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel.

    Stano nuk ka komentuar kritikat që liderët serb i kanë bërë për zgjedhjet lokale të mbajtura në veriun e Kosovës.

    “Mund të them vetëm se si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë vërejtjet e ndryshme që vijnë nga të gjitha palët, por presim që takimi i nivelit të lartë të dialogut të mbahet të martën këtu në Bruksel. Ngase kjo është platforma ku çështjet diskutohen dhe shpresojmë që edhe të zgjidhen. Dhe meqenëse kjo është dita e fundit e punës para këtij takimi të nivelit të lartë që do të zhvillohet në Bruksel, ndoshta do të ndaja disa detaje më shumë se çfarë presim dhe çfarë është në agjendën e takimit”, ka thënë ai, trnsmeton KP.

    Ai ka thënë se më 2 maj, palët do të mbajnë takim të nivelit të lartë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell si dhe atij special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    “Ky takim do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe pritet që palët të miratojnë deklaratën për personat e pagjetur si pikë të parë të rendit të ditës, dhe kjo do të pasohet nga prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe diskutimi rreth kësaj. Dhe pastaj do të ketë mundësi për të diskutuar të gjitha çështjet e tjera aktuale me rëndësi politike”, ka thënë Stano.

    Në një konferencë për media, Stano ka thënë se nuk spekulojnë skenarë të mundshëm.

    “BE-ja si lehtësues po përpiqet t’i ndihmojë të dyja palët që të arrijnë progres dhe të lëvizin në procesin e dialogut për të përmbushur zotimet e tyre, sepse Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga gjërat për të cilat tashmë është rënë dakord. Pra, duhet të zbatohet si shumë gjëra të tjera që janë rënë dakord dhe duhet të zbatohen. Pra, ne do të ecim përpara, do të përparojmë, ose të paktën do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar të dyja palët që të bëjnë përparimin e nevojshëm drejt zbatimit dhe drejt ecjes përpara në dialog”, ka shtuar ai.

    Takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të mbahet më 2 maj në kryeqendrën evropiane.

    Kjo vjen pasi një muaj më parë palët janë takuar në Ohër ku janë dakorduar për aneksin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

  • Vrasja në Malishevë, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48-orë

    Vrasja në Malishevë, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48-orë

    I dyshuari për vrasjen e një personi sot në Kijevë të Malishevës është dërguar në mbajtje për 48-orë.

    Lajmin për KosovaPress e ka bërë të ditur Hekuran Batusha nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, i cili ka bërë të ditur se masa e ndalimit të dyshuarit i është caktuar me vendim të prokurorit kujdestar.

    Sipas Batushës, Prokuroria Themelore në Gjakovë brenda afatit ligjor do të parashtrojë në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Një burrë është vrarë sot në fshatin Kijevë të Malishevës, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Lajmin për KosovaPresss e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    “Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete). Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore.”, ka bërë të ditur Elezaj.

  • Kurti takoi Lajçakun: Marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

    Kurti takoi Lajçakun: Marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot në Greqi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Kurti ka bërë të ditur se me Lajçakun ka diskutuar për takimin e radhës në Bruksel dhe zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat në veri.

    Ai ka shkruar se marrëveshja bazë duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. “Pa parakushte dhe pa vonesa.”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell do të thërrasë të martën (2 maj) një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç informoi BE, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, duke filluar nga ora 18:00.

    Ndryshe, takimi më 2 maj do të jetë i pari ndërmjet kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që nga dakordimi në Ohër më 18 mars për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi. Ndërkaq, dy kryenegociatorët e dialgout, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar me 4 prill, kur është thënë se ka pasur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur.

  • Osmani: Kosova ka kryer me sukses operacione kundër kontrabandës

    Osmani: Kosova ka kryer me sukses operacione kundër kontrabandës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya.

    Në takim me Mikuriya, Osmani, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të punojë ngushtë me Organizatën Botërore të Doganave për partneritet në dobi të të dy palëve, rritje të performansës doganore nëpërmjet luftimit të kontrabandës dhe lehtësimeve tregtare.

    Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë më tej me WCO në arritjen e standardeve më të larta ndërkombëtare në operacionet e saj doganore, duke përfshirë ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të saj doganor dhe përdorimin e teknologjisë.

    “Kosova, sipas Presidentes Osmani ka arritur ta rrisë mbledhjen e të hyrave tatimore dhe doganore, teksa agjencitë e rendit, përfshirë Doganën e Kosovës, kanë kryer me sukses operacione të mëdha kundër kontrabandës në të gjithë territorin e shtetit.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Në takim me Sekretarin e Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u bërë kampion rajonal për sundimin e ligjit dhe ka përmendur se po zbatohen reformat që rrjedhin nga direktivat përkatëse të BE-së.