ATV

Blog

  • Ndikimi serbo-rus në Mal të Zi, në Komunën e Zetës iniciohet deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës

    Ndikimi serbo-rus në Mal të Zi, në Komunën e Zetës iniciohet deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës

    Forcat pro-ruse dhe pro-serbe në Kuvendin Komunal të Zetës në Mal të Zi kanë iniciuar një deklaratë ku i kërkohet kësaj Komune që të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kërkesa është iniciuar nga grupi i asamblistëve “Për të ardhmen e Zetës”, i drejtuar nga Fronti Demokratik, e mbështetur edhe nga Partia Popullore Demokratike, të dy forca pro-serbe dhe pro-ruse.

    Sipas kësaj partie, kërkesa do të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Zetës, ndërsa nga iniciuesit shprehën të bindur se ajo do të kalojë. Miratimi i mundshëm do të sillte në një situatë qesharake ku Komuna kundërshton vendimin e shtetit.

    “Ne përkrahim fuqishëm vendimin e grupit të këshilltarëve komunalë ‘Për të ardhmen e Zetës’ i drejtuar nga Fronti Demokratik për miratimin e një deklarate në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal të Zetës për anulimin dhe pavlefshmërinë e vendimit për njohjen e të ashtuquajturit të shtetit të Kosovës në territorin e komunës së Zetës”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KosovaPress të Partisë Popullore Demokratike të Malit të Zi.

    Partia Popullore Demokratike e Malit të Zi shprehet se njohja e pavarësisë së Kosovës “është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe shumicës së qytetarëve të tij”, sipas tyre, kjo është “një politike e jashtme tradhtare të drejtuar kundër interesave të Malit të Zi dhe shtetit më të afërt në rajon Serbisë”.

    Nga kjo parti thonë se pasi Komuna e Zetës të miratojë këtë deklaratë, duhet që të njëjtën ta miratojnë edhe komunat e tjera e kështu sipas tyre “të fillojnë procesi i kthimit të Malit të Zi në burimet e tij historike e shpirtërore” nga Serbia.

    Pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar dhe zgjedhjes së Jakov Millatoviq si president i ri i partisë “Evropa tani” të mbështetur nga këto forca, nga njohës të sigurisë dhe politikës u ngrit alarmi se orientimi pro-perëndimor i Malit të Zi, vend anëtar në NATO, mund të ndryshojë.

    Komuna e Zetës e cila ka rreth 20.000 banorë, shumica te minoritetit serb në Mal të Zi, u bë Komunë vetëm vitin e kaluar me vendim të presidentit në largim Milo Gjukanoviq.

  • ​Kuvendi Komunal në veri të Mitrovicës kërkon hapjen e urës mbi Ibër

    ​Kuvendi Komunal në veri të Mitrovicës kërkon hapjen e urës mbi Ibër

    Këshilltarët komunal në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli. Kjo e fundit thotë për KosovaPress, se kërkesa ka qenë edhe e qytetarëve serbë.

    Ajo thekson se pamundësia për të qarkulluar me vetura në këtë pjesë, u ka cenuar lirinë e lëvizjes dhe është shkaktuar kaos i madh.

    “Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve në veriun e Mitrovicës që jetojnë, po ashtu edhe të jugut. Rrjedhimisht është e drejtë e secilit person për të lëvizur lirshëm në qytetin e vet. Rrjedhimisht ura mbi lumin Ibër, e cila është e lirshme vetëm për këmbësorë po na e cenon edhe shumë lirinë e lëvizjes me vetura. Rrjedhimisht, prej kësaj kaos shumë i madh është i komunikacionit në veriun e Mitrovicës, sidomos tek pjesa e rrethit ku parkohen veturat, rrjedhimisht është e pamundur të ecësh, e lëre më të lëvizësh. Kjo ka qenë një kërkesë e qytetarëve e kamotshme dhe vazhdon të jetë gjithmonë”, thotë ajo për KosovaPress.

    Ajo shton se situata atje aktualisht është e qetë ndërsa komenton edhe deklaratën e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen dhe sigurinë.

    “Mua më vjen keq të dëgjojë nga ta (Lista Serbe) këtë deklaratë, por gjithsesi kërkesa nuk ka qenë vetëm e qytetarëve shqiptarë, por ka qenë kërkesë edhe qytetarëve serbë, boshnjakë, turk që jetojnë në veriun e Mitrovicës. Rrjedhimisht kjo është e mirë për gjithë qytetarët dhe na i lehtëson shumë jetën neve”, përfundon ajo.

    Lidhur me këtë vendim të autoriteteve lokale ende nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës.

  • BE-ja konfirmon agjendën e takimit të 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit

    BE-ja konfirmon agjendën e takimit të 2 majit mes Kurtit e Vuçiqit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi sot se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Stano nuk deshi të komentojë kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.

    I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

  • Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të tjerët lirohen nga akuza për korrupsion

    Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të tjerët lirohen nga akuza për korrupsion

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

    Aktgjykimi u shpall të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas gjykatësit Hoti, nga provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.

    Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.

    Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

  • Papa nis vizitën treditore në Hungari

    Papa nis vizitën treditore në Hungari

    Papa Françesku ka nisur të premten vizitën e tij treditore në Hungari, që me gjasë do të dominohet nga lufta në Ukrainë. Ai pritet të takohet me kryeministrin nacionalist hungarez, Viktor Orban, me të cilin shpesh ka mendime të ndryshme.

    Papa do të qëndrojë vetëm në Budapest gjatë vizitës së tij për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Ati i Shenjtë muajin e kaluar u shtrua në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

    Pasi u mirëprit në Pallatin presidencial nga presidentja Katalin Novak, Françesku do të takohet me Orbanin.

    Orban është në pushtet që nga viti 2010 dhe rregullisht ka përdorur retorikë anti-migrantëve për të mbrojtur “Evropën e krishterë”.

    Ndërkaq, Papa ka një qëndrim më mirëpritës ndaj personave që largohen nga varfëria apo zonat e konfliktit.

    Megjithatë, gjatë takimit vitin e kaluar në Vatikan, Françesku kishte falënderuar Orbanin pasi Hungaria mirëpriti ukrainasit që u larguan nga lufta.

    Pesë muaj para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Papa Françesku kishte zhvilluar një vizitë shtatëorëshe në Budapest, gjatë së cilës kishte premtuar se do ta vizitonte sërish Hungarinë, shtet ku 39 për qind e popullsisë është e krishterë.

    Françesku gjatë qëndrimit në Hungari do të takohet me autoritetet shtetërore, diplomatët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.

    Ai ka thënë se planifikon të takohet me të rinjtë, anëtarët e kishave lokale dhe të dielën të udhëheqë meshën.

    Françesku vazhdimisht ka bërë thirrje për paqe në Ukrainë dhe pritet që të takohet edhe me refugjatët ukrainas.

    Orban, që ka lidhje me Moskën, ka qenë i kujdesshëm që të mos e kritikojë presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë.

    Ai ka refuzuar që t’i dërgojë armë Kievit dhe ka dënuar sanksionet e vendosura ndaj Moskës. Këto qëndrime kanë ndërlikuar raportet e Hungarisë me Ukrainën dhe kanë përkeqësuar raportet me partnerët në Bashkimin Evropian./REL/

  • Kuvendi i Mitrovicës vendos ta hapë për qarkullim urën mbi lumin Ibër

    Kuvendi i Mitrovicës vendos ta hapë për qarkullim urën mbi lumin Ibër

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të premten ka vendosur për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

    Kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, njoftoi se sot është marr vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

    Siç njoftoi ai, vendimi u mor me shumicë votash në Kuvendin Komunal.

    Menjëherë pasi kjo u bë e ditur, Lista Serbe ka lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.

    Në një reagim të lëshuar, nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jolegjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

    “Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhet në reagim.

    Sipas pretendimeve të Listës Serbe ky vendim “është vazhdim i pushtimit të Veriut nga Albin Kurti”.

    “Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë ​​për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha. Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga ana e këshilltarëve të Prishtinës dhe Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut”, përfundon reagimi i tyre.

  • Kurti me emisarin britanik flasin për urgjencën e zbatimit të pakushtëzuar të Marrëveshjes me Serbinë

    Kurti me emisarin britanik flasin për urgjencën e zbatimit të pakushtëzuar të Marrëveshjes me Serbinë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik në Delphi që organizohet nën patronatin e Presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou. 

    Në ditën e parë të pjesëmarrjes së tij, u takua me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për zhvillimet e aktuale në Kosovë dhe rajon.

    Kryeministri Kurti falënderoi Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar, që u konfirmua edhe në rastin e pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në fillim të kësaj jave.

    Ata diskutuan për mbajtjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.

    Në takim gjithashtu u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë dhe urgjencën e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit të dakorduar në Bruksel, respektivisht në Ohër, dhe për pritjet nga takimi i radhës i nivelit të lartë politik që do të mbahet të martën e javës së ardhshme.

    Krahas takimeve, sot në orën 17:30, kryeministri Kurti po ashtu do të jetë panelist në një diskutim në kuadër të forumit me titull “Ballkani Perëndimor në Fushën e re të Shahut të Gjeopolitikës”.

  • Begaj takoi Plenkoviqin, vlerësoi mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës

    Begaj takoi Plenkoviqin, vlerësoi mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi sot një drekë pune me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të vizitës shtetërore në Kroaci.

    Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

    Pasi e uroi kryeministrin Plenkoviq për arritjet më të fundit të Kroacisë në kuadër të BE-së dhe për hyrjen në zonën Shengen e Eurozonë, Begaj nënvizoi se Kroacia mbetet shembulli më i mirë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

    Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë me ekspertë dhe ekspertizë.

    Duke iu referuar partneritetit strategjik midis dy vendeve, siç u bë e ditur, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera, si dhe nevojën e avancimit të tyre edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik.

    “Pavarësisht tendencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ende jemi larg shfrytëzimit sa duhet të mundësive që ekzistojnë në këtë drejtim”, u shpreh Begaj.

    Ndërsa, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit evropian, Begaj shprehu mirënjohje për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Presidenti i Shqipërisë vlerësoi gjithashtu kontributin dhe mbështetjen e madhe që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

    “Kroacia dhe Qeveria juaj kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe ju siguroj se shqiptarët janë mirënjohës për këtë mbështetje”, tha Begaj.

    Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mundësisë së rritjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit, ku interesi i përbashkët është vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb, por edhe të linjave detare që lidhin portin e Durrësit me portet e Kroacisë.

    Plenkoviq e siguroi presidentin Begaj për vullnetin e palës kroate në çuarjen përpara të këtyre projekteve me interes të ndërsjellë.

    Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe te ndikimi i këtij agresioni në rajonin e Evorpës Juglindore apo rreziku që kanoset nga interesi i palëve të treta jo miqësore për të nxitur trazira dhe për të dëmtuar stabilitetin e rajonit.

  • Konjufca për ekipin për themelimin e Asociacionit: S’është në interes të Kosovës

    Konjufca për ekipin për themelimin e Asociacionit: S’është në interes të Kosovës

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk është në interesin e Kosovës me qenë funksional ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton KosovaPress. 

    “Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror nëse një institucion nuk është i Kosovës në kuptimin e sjelljes së tij mban qëndrime që nuk janë të Kosovës por të Serbisë nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion”, tha ai.

    Ai tha se tek ky ekip nuk është problem vetëm sjellja dhe papërgjegjësia e tyre karshi institucioneve të Kosovës, por edhe kryesimi i tij nga një deputete e Kuvendit të Serbisë.

    “Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues si mundet një deputete e Serbisë ta prezantoj Kosovën ajo s’ka ka me prezantua hiq”, tha ai.

    Këto komente kryetari i Kuvendit i bëri pas një tryeze diskutimi të organizuar nga IKD lidhur më punën e Kuvendit të Kosovës.

  • KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    KQZ-ja nuk certifikoi rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar rezultatin e kandidatëve për asamble në Leposaviq.

    Ndërsa, lista me kandidatët për asamble të Zveçanit ka marrë votat e mjaftueshme dhe është certifikuar.

    Në mbledhjen e KQZ-së, kryetari Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP) nuk është parashtruar asnjë ankesë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

    “Ne kemi kërkuar nga PZAP nëse ka pasur ndonjë ankesë brenda 24 orëve të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Nga PZAP na kanë njoftuar se nuk ka parashtruar askush ankesë. Janë plotësuar kushtet për certifikimin e rezultateve“, ka thënë ai.

    Në zgjedhjet e 23 prillit, në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq ka dalë fituese Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok, Partia Demokratike e Kosovës.