ATV

Blog

  • Operacion i madh në Stamboll – 29 të arrestuar për manipulim të tenderëve publikë, “bashkëpunëtorë” të Imamoglut

    Operacion i madh në Stamboll – 29 të arrestuar për manipulim të tenderëve publikë, “bashkëpunëtorë” të Imamoglut

    Në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ndaj asaj që e quan “organizatë kriminale për përfitim të drejtuar nga kryebashkiaku, Ekrem İmamoğlu”, janë arrestuar 29 persona nën dyshimet për manipulim të procedurave të tenderimit publik.

    Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, hetimet lidhen me veprimtari të dyshuara të një strukture kriminale të organizuar, e cila dyshohet se ka funksionuar përmes kompanisë Agaç ve Peyzaj A.Ş., një ndërmarrje e lidhur me bashkinë.

    Autoritetet pretendojnë se përmes kësaj kompanie është krijuar një “sistem i sajuar tenderësh”, me të cilin janë manipuluar procedurat e prokurimit publik dhe janë favorizuar subjekte të caktuara në mënyrë të paligjshme.

    Në kuadër të operacionit janë lëshuar urdhra ndalimi për 30 persona, prej të cilëve 29 janë arrestuar, ndërsa një i dyshuar ndodhet jashtë vendit dhe për të vijon kërkimi.

    Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për identitetin e të arrestuarve apo për rolin e tyre të saktë në skemën e dyshuar.

    Ndryshe, vitin e kaluar, kryetari i Stambollit dhe kandidati presidencial İmamoglu nga Partia Republikane Popullore (opozita), u ndalua nga policia turke nën dyshimet për korrupsion, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, spiunazh dhe mbështetje të terrorizmit, veçanërisht të PKK-së.

  • Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi për mjetet e vogla

    Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi për mjetet e vogla

    Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës ka njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike gjatë datës kësaj të enjteje, si brenda ashtu edhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke sjellë masa kufizuese për lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

    Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 08:00 e datës 08.05.2026 ka erë të fortë në drejtimin jug-juglindje me forcë deri në 6–7 ballë, me shpejtësi nga 15 deri në 20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.

    Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur. Ky ndalim do të jetë në fuqi deri në orën 22:00 të së njëjtës ditë.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe peshkatarëve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve, me qëllim shmangien e çdo situate emergjente.

    Ndërkohë, bëhet e ditur se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

    Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 8 maj 2026./A2CNN

  • Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizon koalicionin, Muharremi: Mos e rreni popullin

    Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizon koalicionin, Muharremi: Mos e rreni popullin

    Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me Partinë GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PShDK).

    Lidhur me këtë koalicion ka reaguar analisti Shenoll Muharremi, duke thënë se të njëjtit siç ka shkruar ai “po e rrejnë”, popullin.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka shkruar se krejt këta bashkë në matje nuk i kanë as 0.7%.

    “Me dashtë ju koalicione e me qenë të bashkëpunimit, sot kishim pas president e gjithashtu edhe Kuvend e Qeveri. Nuk kishim shku në zgjedhje ka 4-5 herë si me qenë të krisur”, ka shkruar ai.

    Postimi i tij i plotë:

    Mos e rreni popullin, kishe na kemi KOALICIONE!

    -Ky i Partisë Demokristiane, është një njeri!

    -Alternativa është një njeri!

    -Guxo, dy njerëz janë mbetë.

    Krejt këta bashkë, në matje as 0.7% nuk i kanë, asnjë peshë fare. Vegla me kriju iluzione. Këta dojnë pozita e ju doni me thanë ‘kqyre se na po bashkëpunojmë’.

    Po çfarë koalicione…

    Me dashtë ju koalicione e me qenë të bashkëpunimit, sot kishim pas president e gjithashtu edhe Kuvend e Qeveri. Nuk kishim shku në zgjedhje ka 4-5 herë si me qenë të krisur.

    Jeni një parti e kontrollume nga një njeri. Parti-shtet doni me e bë Kosovën, po nuk ju lejojmë.

    E krejt deputetët tjerë të LVV-së i kemi pa, as nuk kanë guxim as kurajo me pas mendimin e tyre, e janë vetëm kukulla aty, votojnë me instruksione në ËhatsApp!

    Leni këto rrena se marre osht.

  • Edhe 4 ditë deri në përmbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ

    Edhe 4 ditë deri në përmbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Sipas KQZ-së, nga 2 deri më 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.

    Procesi i dorëzimit të listave po zhvillohet në mënyrë elektronike përmes platformës së KQZ-së dhe Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces i aplikimit përfshin vetëm subjektet e reja politike si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilat mund të aplikojnë për certifikim nga 2 deri më 10 maj 2026.

    Sipas KQZ-së, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë është një nga hapat kryesorë të procesit zgjedhor dhe kusht për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.

    Komunikata e plotë:

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 7 maj 2026 është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve.

    Këto obligime vlenin vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.

    Gjatë periudhës 7-ditore (1 maj – 7 maj 2026), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione.

    Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

    Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.

    Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit janë: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

    Informacione shtesë:

    KQZ njofton se janë duke vazhduar afatet për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Proceset e aplikimit për certifikim dhe dorëzimit të listave të kandidatëve do të zhvillohen në mënyrë elektronike, përmes platformës së KQZ-së, respektivisht përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    I. Aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike, 2 maj – 10 maj 2026:

    Nga data 2 maj dhe deri më 10 maj 2026, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatet e pavarur) duhet të dorëzojnë aplikimin online për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, andaj ky proces vlen vetëm për subjektet e reja politike, të cilat janë: koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

    II. Dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë, 2 maj – 12 maj 2026:

    Ndërkaq, nga 2 maj – 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha

    Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha

    Këngëtarja nga Afrika e Jugut, Tyla, ka reaguar pas Met Gala-s duke mohuar spekulimet për një përplasje me Rihannan, të cilat nisën pas një videoje që u bë virale nga eventi.

    Ajo publikoi një video në TikTok, ku sqaroi se mes saj dhe Rihannas nuk ka asnjë konflikt.

    Tyla tregoi se e kishte takuar Rihannan edhe vitin e kaluar dhe se ajo ishte shumë e sjellshme, por takimi kishte qenë i shkurtër sepse Rihanna ishte e zënë.

    Sipas saj, ajo iu afrua dhe e përshëndeti, ndërsa Rihanna iu përgjigj duke thënë se “po e thërriste babai i fëmijës së saj”, dhe më pas u largua.

    Për këtë arsye, Tyla shpjegoi se këtë vit në Met Gala hezitoi t’i afrohej sërish, sepse nuk donte ta ndërpriste dhe vendosi të priste një moment më të qetë për bisedë.

    Videoja që nxiti komentet tregon Tylan teksa qëndron anash, sikur pret që Rihanna ta vërejë, ndërkohë që Rihanna është përpara kamerave dhe i afrohet partneri i saj, ASAP Rocky.

    Në pamje duket sikur Rihanna hedh një vështrim drejt Tylas dhe më pas e kthen vëmendjen te partneri, gjë që në rrjete sociale u interpretua si “injorim”.

    Tyla theksoi se distanca e saj nuk ishte shenjë e marrëdhënieve të këqija, por respekt dhe një ndjenjë sikleti në një situatë me shumë presion.

  • Hani i Elezit pranon dy automjete pune në kuadër të një projekti të financuar nga BE

    Hani i Elezit pranon dy automjete pune në kuadër të një projekti të financuar nga BE

    Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka njoftuar se komuna ka pranuar dy automjete pune në kuadër të projektit “A Smart System for Early Floods Detection and Waste”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA III.

    Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, automjetet do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve komunale në menaxhimin e mjedisit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

    “Komuna e Hanit të Elezit ka pranuar dy automjete pune, të cilat do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve tona në menaxhimin e mjedisit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në postimin e tij.

    Kryetari bëri të ditur se automjeti i parë, një veturë pune Isuzu BTF, do të mbetet në shfrytëzim të komunës për nevojat dhe aktivitetet komunale në kuadër të projektit.

    Ndërkaq, automjeti i dytë, një furgon Opel Movano, sipas tij, i është dhuruar Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi”, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar sot me drejtorin ekzekutiv të ndërmarrjes, Hiriman Kuka, me qëllim rritjen e kapaciteteve operative dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

    Po ashtu, kryetari ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se projekte të tilla kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin më efikas të mbeturinave dhe zhvillimin e shërbimeve publike në Han të Elezit.

  • ChatGPT është “më i zgjuar dhe më i saktë” pas përditësimit të ri

    ChatGPT është “më i zgjuar dhe më i saktë” pas përditësimit të ri

    Versioni standard i ChatGPT është përditësuar në GPT-5.5 Instant, një model që sjell përmirësime në saktësi dhe reduktim të “halucinacioneve” (gabimeve të pavërteta), veçanërisht në fusha si mjekësia, ligji dhe financat, ka njoftuar OpenAI.

    GPT-5.5 Instant është më i aftë për detyra si analiza e imazheve, përgjigjja në pyetje STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe vendosja kur duhet përdorur kërkimi në internet për të dhënë përgjigje më të mira.

    Po ashtu, përgjigjet mund të personalizohen më shumë, pasi modeli mund të përdorë më mirë kontekstin nga bisedat e mëparshme, dokumentet dhe Gmail-i, por kjo veçori aktualisht është e kufizuar për përdoruesit me pagesë.

    OpenAI thotë se përgjigjet tani janë më të shkurtra dhe më të qarta, pa humbur përmbajtjen thelbësore, dhe pa e ndryshuar “personalitetin” e ChatGPT. Modeli jep informacionin njësoj, por me më pak formatime të panevojshme, më pak emoji dhe pa pyetje shtesë të tepërta.

    Të gjithë modelet e ChatGPT po përditësohen gjithashtu me funksionin e “kujtesës”, që i lejon sistemit të shfaqë biseda të mëparshme, dokumente dhe kontekst tjetër që është përdorur për krijimin e përgjigjeve.

    GPT-5.5 Instant po shpërndahet për të gjithë përdoruesit dhe po zëvendëson GPT-5.3 Instant si modeli standard. Ndërsa përdoruesit falas mund ta përdorin këtë version, funksionet e reja të personalizimit janë të kufizuara për abonentët Plus dhe Pro në web.

    OpenAI shton se personalizimi do të zgjerohet edhe në pajisjet mobile dhe në javët në vijim do të jetë i disponueshëm edhe për përdoruesit Free, Go, Business dhe Enterprise.

    Ende nuk dihet kur integrimi i ChatGPT në Apple Intelligence do të kalojë në GPT-5.5 Instant.

  • Nëse kaloni mbi këtë urë, mund të shihni katër shtete njëkohësisht

    Nëse kaloni mbi këtë urë, mund të shihni katër shtete njëkohësisht

    Ka disa ura mjaft mbresëlënëse në të gjithë botën.

    Por ka një që mund të jetë më mbresëlënëse nga të gjitha, pasi u lejon vizitorëve të shohin katër vende njëherësh.

    Ura Kazungula mund të mos jetë struktura më e bukur e projektuar në botë, por pozicionimi i saj mbi lumin Zambezi, e bën një nga më interesantet.

    Ura është 923 m e gjatë dhe 18.5 m e gjerë.

    Megjithatë, ajo që e bën të veçantë është se, ndërsa lidh Zambian dhe Botsvanën, ka dy vende të tjera në të dyja anët, Namibinë dhe Zimbabven.

    Ura u projektua për të akomoduar kalime kufitare komplekse midis dy vendeve, ndërkohë që është shumë pranë dy vendeve të tjera.

    Kjo do të thotë që ata që përdorin urën mund të shohin njëkohësisht Botsvanën, Namibinë, Zambian dhe Zimbabven.

    Hartat tregojnë se kjo zonë është pika e vetme katërkëndëshe në botë, që do të thotë se është vendi i vetëm ku takohen katër vende.

    Kjo njihet si pika katërkëndëshe Kazungula, ku Botsvana, Namibia, Zambia dhe Zimbabve takohen të gjitha në mes të lumit Zambezi.

  • Ambasada e SHBA’së në Tiranë paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e PD’së: Situata mund të ndryshojë shpejt

    Ambasada e SHBA’së në Tiranë paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e PD’së: Situata mund të ndryshojë shpejt

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë publik një njoftim drejtuar shtetasve amerikanë, ku u këshillon që të tregohen të kujdesshëm gjatë protestës së sotme të opozitës.

    “Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

    Qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet. Po ashtu, bëhet e ditur se stafi i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën ku do të zhvillohet protesta.

    Në njoftim saktësohet se tubimi është planifikuar të fillojë në orën 19:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, në afërsi të godinës së Kryeministrisë.

    Ambasada paralajmëron se protesta mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, teksa priten masa të shtuara të policisë, bllokime të mundshme rrugësh dhe kufizime të qarkullimit si para nisjes së saj ashtu edhe gjatë zhvillimit të tubimit.

    “Shmangni zonat e protestës, jini të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, ndiqni mediat lokale për përditësime, te keni një plan emergjence ose rrugë alternative largimi dhe të ruajnë një profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik”, njofton ambasada./TCh/

  • Diploma dhe dëftesa të falsifikuara, arrestohet një person në Ferizaj

    Diploma dhe dëftesa të falsifikuara, arrestohet një person në Ferizaj

    Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për posedim të dokumenteve të falsifikuara.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 7 maj 2026 rreth orës 11:00, ku gjatë një kontrolli janë gjetur diploma të falsifikuara, dëftesa, si dhe një libër protokolli.

    I dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar dhe intervistuar nga organet kompetente. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.