ATV

Blog

  • Robert Lewandowski vendos kërkesa të larta financiare për klubet e Serie A

    Robert Lewandowski vendos kërkesa të larta financiare për klubet e Serie A

    Robert Lewandowski ka vendosur kërkesa të qarta financiare për klubet e interesuara nga Italia, në një periudhë kur e ardhmja e tij te FC Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, sulmuesi polak ka kërkuar një pagë prej rreth 8 milionë eurosh në sezon nga klubet që synojnë transferimin e tij, mes tyre AC Milan dhe Juventus FC.

    Të dy klubet italiane po monitorojnë situatën e veteranit polak, i cili mund të largohet si lojtar i lirë gjatë verës, pasi kontrata e tij me Barcelonën skadon muajin e ardhshëm.

    Klubi katalanas raportohet se i ka ofruar Lewandowskit një rinovim afatshkurtër, por me ulje page, diçka që deri tani nuk duket se i përshtatet kërkesave të sulmuesit.

    Megjithatë, paga e kërkuar nga 36-vjeçari konsiderohet shumë e lartë për standardet aktuale financiare të Serie A, çka mund ta komplikojë ndjeshëm mundësinë e një marrëveshjeje me Milanin ose Juventusin.

    Pavarësisht moshës, Lewandowski vazhdon të mbetet një nga sulmuesit më të vlerësuar në futbollin evropian, falë eksperiencës, instinktit para portës dhe vazhdimësisë në nivel të lartë gjatë viteve të fundit.

  • Shqipe Selimi nga Haga: Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë

    Shqipe Selimi nga Haga: Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë

    Ish-deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti Selimi ka qëndruar në Hagë pasi ka vizituar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

    Selimi këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    “Nuk ka shtyerje e as vonesë që na lodhë! Krenarë”, ka shkruar Selimi.

    Ndryshe, Gjykata Speciale ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së deri më 20 korrik.

  • Milani pranë marrëveshjes me Leon Goretzkan

    Milani pranë marrëveshjes me Leon Goretzkan

    AC Milan raportohet se është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje personale me Leon Goretzka, i cili pritet të largohet si lojtar i lirë nga FC Bayern Munich në fund të sezonit.

    Mesfushori gjerman prej kohësh është konsideruar si një nga objektivat kryesorë të “Rossonerëve”, që synojnë të shtojnë më shumë eksperiencë dhe cilësi në repartin e mesfushës. Në projektin e ri të Milanit, Goretzka shihet si një profil ideal për t’iu bashkuar emrave me përvojë si Luka Modrić dhe Adrien Rabiot.

    31-vjeçari, i cili mbushi vitet në muajin shkurt, do të jetë i lirë nga 1 korriku, kur i përfundon kontrata aktuale me Bayern Munich.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Milani është optimist se marrëveshja me reprezentuesin gjerman është shumë afër finalizimit. Interesim për mesfushorin kanë shfaqur edhe klube të tjera të mëdha evropiane, përfshirë SSC Napoli, Juventus FC, Arsenal FC, Olympique de Marseille dhe Bayer 04 Leverkusen.

    Megjithatë, Milani besohet se ka avantazh në negociata dhe mund ta përmbyllë transferimin nëse siguron një vend në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, skuadra kuqezi ndodhet në vendin e tretë në renditjen e Serie A.

    Gjatë këtij sezoni, Goretzka ka zhvilluar 45 paraqitje zyrtare me Bayern Munich, duke realizuar pesë gola dhe katër asistime. Ai gjithashtu ka një karrierë të rëndësishme me Kombëtarja e Gjermanisë në futboll, ku numëron 69 ndeshje dhe 15 gola të shënuar.

  • Për lëndim të rëndë trupor, Kobra dhe dy të tjerët dënohen vetëm me nga 5 mijë euro gjobë nga Gjykata e Prizrenit

    Për lëndim të rëndë trupor, Kobra dhe dy të tjerët dënohen vetëm me nga 5 mijë euro gjobë nga Gjykata e Prizrenit

    Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, Arlind Dakaj dhe Mirsat Hajredini janë dënuar me vetëm nga 5 mijë euro gjobë për kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.

    Gjykata Themelore në Prizren, në seancën e 7 prillit, ka marrë aktgjykim ndaj tyre duke shqiptuar dënim me 6 muaj burgim, i cili është zëvendësuar me gjobë me kërkesë të avokatëve mbrojtës.

    Dënimi ndaj tyre rezulton të jetë nën minimumin e paraparë me ligj.

    Bazuar në përgjigjen e gjykatës, rezulton se dënimi është bazuar në nenin 186 të Kodit Penal të Kosovës, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1, i cili parasheh dënim me burgim nga 1 deri në tetë vjet.

    “APROVOHET kërkesa e mbrojtësve të të akuzuarve Dibran Hoxhaj av. Avni Berisha, Arlind Dakaj av. Driton Shehu dhe Mirsad Hajredini av. Klodian Krasniqi, në kuptim të nenit 44 të KPRK-së, që dënimi me burgim t’i zëvendësohet me dënim me GJOBË, ashtu që Gjykata, dënimin me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh për secilin të akuzuar veç e veç, e ka zëvendësuar me DËNIM ME GJOBË në shumën prej 5,000 (pesëmijë) eurosh, për secilin të akuzuar veç e veç, të cilën gjobë do ta paguajnë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për “Betimin për Drejtësi”.

    Mirëpo, duke qenë se të njëjtit kanë qëndruar në paraburgim nga 19 qershori 2018 deri më 23 korrik 2018, atëherë do të paguajnë nga 4,260 euro.

    Në aktakuzën e ngritur ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prizren thuhet se më 15 qershor 2018, Hoxha, Dakaj e Hajredini i kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Hulusi Badallaj.

    Badallaj thuhet se, pas mosmarrëveshjes me të dyshuarit, kishte shkuar për ta paraqitur rastin në stacion policor dhe, duke u kthyer, të njëjtit i kishin ndërprerë rrugën.

    Të njëjtit i kishin shkaktuar tronditje në tru dhe shtatë plagë në trup nga përdorimi i mjeteve të forta.

    “I njëjti sulmohet në pjesë të ndryshme të trupit nga ana e të akuzuarve dhe me grushta dhe shufra metalike ndërsa i akuzuari merr briskun në veturën e të dëmtuarit dhe ia jep të akuzuarit, i cili brisk e godet në krahun e majtë dhe në këmbë të dëmtuarin me c’rast shkaktojnë lëndime të rënda trupore ndrydhje të indeve të buta të kokës, me plagë shqyese në kokë të shoqëruar me tronditje trunore dhe me 7 plagë në trup, të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fort si dhe plagë prerëse në regjionin e supit të majtë i shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të prehtë të përshkruar si në ekspertizën mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

    Ndryshe, për Kobrën “Betimi për Drejtësi” ka raportuar në vazhdimësi se shteti është duke dështuar duke shqiptuar dënime të “buta” ndaj tij.

    Ndërsa, i njëjti është dënuar edhe me 24 vjet burgim lidhur me vrasjen e 31 vjecarit tek lokali “Kobra City”.

  • Çështja e presidentit, Bajqinovci: Kurti propozoi emra, figurat ishin të afërta me LDK-në

    Çështja e presidentit, Bajqinovci: Kurti propozoi emra, figurat ishin të afërta me LDK-në

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte propozuar emra konkretë për pozitën e presidentit, gjatë bisedave me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në emisionin CONTEXT në ATV, Bajqinovci tha se bëhej fjalë për figura të rëndësishme, të afërta me LDK-në.

  • LDK garon edhe për president, Kabashi: Osmani do të jetë numër një

    LDK garon edhe për president, Kabashi: Osmani do të jetë numër një

    Anëtari i LDK-së, Festim Kabashi, ka thënë se kjo parti në zgjedhje po garon edhe për postin e presidentit, me Vjosa Osmanin si kandidate.

    Në emisionin COMPASS në ATV, Kabashi tha se zgjedhjet po mbahen si rezultat i moszgjedhjes së presidentit.

    Sipas tij, për këtë arsye, çdo parti serioze duhet të ketë kandidat edhe për këtë pozitë, përveç kandidatit për kryeministër.

  • Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, shkruan Reporteri.net.

    Përveç këtij ligji, Haxhiu ka bërë me dije se ka dekretuar edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

    “Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, Gruda tregon nëse do të rikthehet Fatmir Limaj në PDK

    Zgjedhjet e 7 qershorit, Gruda tregon nëse do të rikthehet Fatmir Limaj në PDK

    Ish-deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kjo parti po fokusohet te përfshirja e emrave të rinj në listën zgjedhore, kryesisht te njerëz që nuk kanë qenë më parë në politikë.

    Në emisionin CONTEXT në ATV, Gruda u pyet edhe për mundësinë e rikthimit të Fatmir Limajt në PDK, por ai tha se më shumë duhet të ofrohen personalitete që kanë pasur sukses në fusha të caktuara, por që nuk kanë qenë pjesë e politikës.

  • Brajshori: Rasti në Ferizaj të trajtohet me kujdes, thotë se duhet të priten rezultatet e hetimeve

    Brajshori: Rasti në Ferizaj të trajtohet me kujdes, thotë se duhet të priten rezultatet e hetimeve

    Sociologu Jeton Brajshori, duke folur për rastin e rëndë të foshnjës në Ferizaj, ka thënë se veprimi nuk mund të arsyetohet, por se rrethanat duhet të sqarohen nga hetimet.

    Në emisionin COMPASS në ATV, Brajshori e quajti absurde deklarimin se personi i përfshirë nuk e ka ditur që ishte shtatzënë.

    Ai tha se duhet të shihet si është trajtuar nga familja, nga ish-partneri dhe nga personat e tjerë përreth saj.

    Kujtojmë se të martën në mbrëmje, një 19-vjeçare me inicialet F.M. shkoj në Emergjencën e Ferizajt për të kërkuar ndihmë mjekësore, duke u ankuar për kapsllëk.
    Gjatë konsultës, Stafi mjekësor e kishte pyetur nëse ishte shtatzënë, por ajo e kishte mohuar një gjë të tillë.

    Megjithatë, pas disa minutash, 19-vjeçarja kishte hyrë në tualetin e emergjencës, ku edhe përfundoi procesin e lindjes.

    Sipas Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, stafi mjekësor kishte dëgjuar zërin e një foshnjëje nga brenda.

    “Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.”

    Megjithatë, foshnja nuk arriti të mbijetojë

    “Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë.
    Inspektorati Shëndetësor ka angazhuar një ekip për inspektim në Spitalin e Ferizajt nëse ka pasur neglizhencë mjekësore, apo keqtrajtim eventual nga stafi shëndetësor.”

    Policia ende nuk e ka intervistuar 19-vjeçaren lidhur me rastin, pasi për shkak të gjendjes së saj shëndetësore po merr trajtim mjekësor në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt. Ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj, e ka inciuar rastin në drejtim të veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

     

  • Rihanna publikon video me A$AP Rocky pas thashethemeve për tension në MET Gala

    Rihanna publikon video me A$AP Rocky pas thashethemeve për tension në MET Gala

    Ylli i muzikës, Rihanna duket se ka hedhur poshtë spekulimet për një krizë me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky, pas paraqitjes së tyre në Met Gala.

    Të enjten, Rihanna publikoi në platformën X një video-montazh 45-sekondësh ku çifti shfaqet duke buzëqeshur, duke mbajtur duart dhe duke festuar së bashku gjatë mbrëmjes së gala-s në New York City. Videoja u interpretua si një mesazh i qartë se marrëdhënia mes tyre është në rregull.

    Megjithatë, më herët kishin qarkulluar pamje që tregonin çiftin në një bisedë emocionale brenda një autobusi pranë Metropolitan Museum of Art, ku zhvillohet tradicionalisht eventi i famshëm i modës. Pamje të tjera i shfaqnin ata me shprehje serioze në fytyrë, duke nxitur aludime në rrjet për tensione mes tyre.

    Sipas burimeve pranë çiftit, nuk bëhej fjalë për konflikt, por thjesht për lodhje pas një dite të gjatë përgatitjesh për eventin.

    Me publikimin e videos së re, Rihanna duket se ka dashur t’u japë fund spekulimeve për probleme në marrëdhënien e tyre.

    Videoja ku Rihanna duket se injoron këngëtaren Tyla në Met Gala shkaktoi reagime të mëdha