ATV

Blog

  • Arsenali synon Bradley Barcolan për të forcuar repartin ofensiv

    Arsenali synon Bradley Barcolan për të forcuar repartin ofensiv

    Arsenal FC po planifikon një rindërtim të rëndësishëm të repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm, ndërsa objektivi kryesor i trajnerit Mikel Arteta është talenti francez Bradley Barcola, aktualisht pjesë e Paris Saint-Germain.

    Drejtuesit e klubit londinez e konsiderojnë Barcolan profilin ideal për të sjellë më shumë shpejtësi, kreativitet dhe balancë në krahun e majtë të sulmit. Sipas raportimeve, ardhja e tij do t’i krijonte më shumë hapësira edhe yllit anglez Bukayo Saka në anën tjetër të fushës.

    Arsenali thuhet se ka përgatitur raporte të detajuara për 23-vjeçarin, i cili vlerësohet si një nga talentet më premtues të futbollit evropian. Interesimi për francezin është rritur për shkak të situatës së tij te PSG-ja, ku konkurrenca e fortë në repartin ofensiv nuk i ka garantuar vazhdimësi të plotë në formacionin titullar të skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique.

    Kjo situatë besohet se mund ta shtyjë lojtarin të mendojë për një aventurë të re, ku do të kishte rol më të rëndësishëm dhe më shumë minuta në dispozicion.

    Sipas mediave sportive, Arsenali është i gatshëm të ofrojë rreth 80 milionë euro për të bindur kampionët francezë të heqin dorë nga një prej lojtarëve më premtues të skuadrës. Klubi londinez e sheh verën e vitit 2026 si momentin ideal për të realizuar një transferim të madh dhe për të forcuar repartin ofensiv me një futbollist që përshtatet me filozofinë dinamike të Artetës.

    Në planet e Arsenalit priten edhe ndryshime të tjera në sulm, pasi largimet e mundshme të Gabriel Jesus dhe Gabriel Martinelli mund të krijojnë hapësira të reja në skuadër.

    Barcola shihet si lojtari ideal për të sjellë depërtim në situatat një kundër një, freski teknike dhe më shumë efikasitet në ndeshjet e mëdha, veçanërisht në UEFA Champions League.

    Megjithatë, Arsenali nuk do ta ketë të lehtë realizimin e këtij transferimi, pasi interesim për sulmuesin francez kanë shfaqur edhe klube të mëdha evropiane si FC Bayern Munich, FC Barcelona dhe Liverpool FC.

    Nëse marrëveshja realizohet, Barcola pritet të jetë një nga figurat kryesore të projektit të ri të Arsenalit në synimin për dominim në futbollin anglez dhe atë evropian.

  • Bajqinovci thotë se Osmani shkoi në LDK për pozitë: Njejtë edhe me Kurtin, kur nuk e mori pozitën u largua

    Bajqinovci thotë se Osmani shkoi në LDK për pozitë: Njejtë edhe me Kurtin, kur nuk e mori pozitën u largua

    Ish-deputeti i LVV’së, Mefail Bajqinovci, ka shkruar lidhur me bashkëpunimin e fundit në mes të LDK’së dhe Vjosa Osmanit. Sipas Bajqinovcit, s’mund të huhet që Osmani po rikthehet në shtëpi, derisa ajo po shkon në partinë e Abdixhikut me listë të ndarë dhe me kërkesë për pozitë për vete.

    Sipas Bajqinovcit, Osmani edhe me Kurtin bashkëpunoi derisa e mori pozitën që e donte, pastaj kur nuk iu ofruar një gjë e tillë ajo u larguar.

    ”Asgjë e re. Edhe me Albinin bashkëpunimi zgjati derisa e mori pozitën që donte. Kur nuk e merr pozitën, nuk qëndron”, ka shkruar Bajqinovci.

    Postimi i plotë

    Shihni sa interesant!

    LDK-ja po e paraqet Vjosa Osmanin si “rikthim në shtëpi”, por ajo po shkon me parti të vetën, me listë të ndarë dhe me kërkesë për pozitë për vete.

    Nuk mundesh me thënë “po kthehem në familje”, por mos me pranu me qenë pjesë e asaj familjeje.

    Asgjë e re. Edhe me Albinin bashkëpunimi zgjati derisa e mori pozitën që donte. Kur nuk e merr pozitën, nuk qëndron.

    Njëjtë po ndodh edhe sot: pozita para bashkimit, vetja para krejtve. E kur nuk e merr votën dhe pozitën që e kërkon, do ta gjeni prapë duke kërkuar votë dhe pozitë diku tjetër.

  • Përgjigjja e Thaçit: Ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët

    Përgjigjja e Thaçit: Ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët

    Ish-presidenti Hashim Thaçi në intervistën që kishte dhënë për moderatorin shqiptar, Blendi Fevziu, ishte pyetur edhe për çështjen e presidentit.

    Fevziu e ka publikuar këtë përgjigje, pasi fillimisht e ka larguar nga transmetimi në emision për shkak se pyetjet janë bërë në nëntor të vitit paraprak dhe ato nuk kishin relevancë kohore.

    Fillimisht, i pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, Thaçi është përgjigjur shkurt: Nuk kam koment.

    Ndërsa në pyetjen tjetër, Fevziu kërkoi opinionin e Thaçit rreth bashkëpunimit eventual mes PDK-së dhe LVV-së për çështjen e presidentit.

    “Do duhej të ndodhë një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet. Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare. Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u tha ai.

  • Real Madridi hap hetim disiplinor ndaj Tchouaménit dhe Valverdes pas incidentit në klub

    Real Madridi hap hetim disiplinor ndaj Tchouaménit dhe Valverdes pas incidentit në klub

    Real Madrid CF ka nisur një proces disiplinor ndaj dy mesfushorëve të ekipit të parë, Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverde, pas një incidenti të raportuar mes tyre gjatë dy ditëve radhazi në ambientet e klubit.

    Sipas mediave sportive spanjolle, përplasja mes dy lojtarëve dyshohet se ka kaluar edhe në kontakt fizik. Raportimet pretendojnë se në incidentin e dytë situata është përshkallëzuar deri në atë pikë sa Valverde ka pasur nevojë për trajtim mjekësor në spital.

    Megjithatë, futbollisti uruguaian ka mohuar publikisht se ka qenë viktimë e një agresioni të drejtpërdrejtë nga bashkëlojtari i tij. Pavarësisht kësaj, klubi madrilen ka vendosur të hapë hetim zyrtar për rastin dhe ka emëruar një instruktor të posaçëm për zhvillimin e procedurave disiplinore.

    Sipas raportimeve, të dy futbollistët mund të përballen me masa të rënda disiplinore, që përfshijnë pezullime të gjata, gjoba financiare dhe madje edhe pezullim të pagesës së pagës. Në rast se incidenti cilësohet “i rëndë”, ndëshkimi mund të variojë nga 3 deri në 10 ndeshje, ndërsa nëse konsiderohet “shumë i rëndë”, pezullimi mund të arrijë nga 11 deri në 20 ndeshje.

    Po ashtu, bazuar në rregulloren e brendshme të klubit dhe marrëveshjen kolektive ndërmjet LaLiga-s dhe AFE-së (Asociación de Futbolistas Españoles), nuk përjashtohet as mundësia e masave edhe më ekstreme, përfshirë ndërprerjen e kontratës.

    Hetimi pritet të zgjasë disa javë, periudhë gjatë së cilës të dy lojtarët do të informohen zyrtarisht për akuzat dhe do të kenë mundësi të japin versionin e tyre përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

    Kjo situatë vjen në një moment delikat për Real Madridin, që ndodhet në fazën më vendimtare të sezonit dhe synon të mbetet konkurrues në të gjitha garat kryesore.

  • Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në

    Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në

    Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.

    Ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.

    Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.

    “Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” në Telegraf.

    Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.

    “Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa

    Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.

    “Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

    Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.

    “LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.

    Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.

    Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.

    Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend.

  • Detroit Pistons dhe Oklahoma City Thunder afrohen me finalet e konferencave

    Detroit Pistons dhe Oklahoma City Thunder afrohen me finalet e konferencave

    Skuadra e Detroit Pistons ka shënuar fitore 107-97 ndaj Cleveland Cavaliers në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në Konferencën e Lindjes, duke marrë epërsinë 2-0 në seri.

    Takimi ishte mjaft rivalizues gjatë pjesës më të madhe të lojës, por në momentet vendimtare vendasit u treguan më të saktë dhe arritën një fitore të merituar.

    Më i dalluari te Detroit ishte Cade Cunningham me 25 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Tobias Harris me 21 pikë. Te Cleveland nuk mjaftuan 31 pikët e Donovan Mitchell, pasi Cavaliers pësuan humbjen e dytë radhazi. Dy sfidat e ardhshme do të zhvillohen në fushën e Cleveland.

    Fitore të rëndësishme ka regjistruar edhe Oklahoma City Thunder, që triumfoi 125-107 ndaj Los Angeles Lakers në gjysmëfinalen e dytë të Konferencës së Perëndimit, duke udhëhequr gjithashtu 2-0 serinë.

    Skuadra kampione zhvilloi një paraqitje bindëse, duke dominuar në pjesën më të madhe të takimit. Për Lakers, më efikasi ishte Austin Reaves me 31 pikë, por ato mbetën vetëm për statistikë.

    Te Oklahoma u dalluan gjashtë basketbollistë me mbi 10 pikë, ndërsa më të mirët ishin Shai Gilgeous-Alexander dhe Chet Holmgren, që realizuan nga 22 pikë secili.

  • Vrasja e 66-vjeçarit në Sarandë, pesë të arrestuar

    Vrasja e 66-vjeçarit në Sarandë, pesë të arrestuar

    Janë zbardhur detaje të tjera detaje lidhur me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbërmë në Sarandë.

    Një grup prej 5-6 të rinjsh kanë shkuar në orën 21:28 në lokalin e Rexhep Ismailit, i cili ndodhej pranë karburantit të tij.

    Personat që shkuan aty, kishin konflikt me një banor të fshatit Gjashtë, për çështje pronësie.

    Në momentin qe grupi i personave ka shkuar në vendngjarje, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në një tavolinë në verandën e lokalit me 66-vjecarin Ismaili dhe 3 persona të tjerë.

    Menjëherë ka nisur një debat verbal dhe më pas fizik me sende të forta mes palëve. Autorët dyshohet se nuk kishin qëllim konfliktin me Rexhep Ismailin.

    Pasi janë goditur me sende të forta, Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov” duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve.

    Nga ana e grupit tjetër, ka pasur kundërpërgjigje me pistoletë, duke e qëlluar një herë me plumb në kokë Ismailin, i cili ka mbetur i vdekur në vend.

    Policia ka shoqëruar 5 persona pas kësaj ngjarje, që priten të merren në pyetje. /Tch/

  • Gjesti sot feston ditëlindjen, ja sa vite mbush

    Gjesti sot feston ditëlindjen, ja sa vite mbush

    Gjesti sot feston ditëlindjen e 26-të. Që pas mesnatës, ai ka marrë shumë urime nga miqtë, kolegët dhe fansat në rrjetet sociale.

    Një urim të veçantë ia ka bërë edhe DJ Gimbo, shoku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, i cili i ka uruar suksese dhe lumturi në këtë vit të ri të jetës.

    Por në këtë ditë speciale, Gjesti ka vendosur të surprizojë edhe fansat e tij. Sot në ora 18:00 ai publikon EP-in më të ri me titull “SIR”.

    EP-i përmban pesë këngë të reja dhe sjell një stil ndryshe në muzikë.

  • Mashtruesi i kriptovalutave rrezikon paraburgimin, dosja e Prokurorisë për grupin kriminal në Ferizaj

    Mashtruesi i kriptovalutave rrezikon paraburgimin, dosja e Prokurorisë për grupin kriminal në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale: V.N., për shkak të dyshimit të veprës penale “Mashtrimi ”.

    Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndërlidhet me rastin e datës 29 Prill 2026, në të cilin fillimisht ishin ndaluar dy persona të dyshuar A.L., dhe R.J, ndërsa i pandehuri V.N., që dyshohet se ka qenë i përfshirë në këtë rast, kishte arritur të arratisej nga vendi i ngjarjes.

    Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 Prill 2026, rreth orës 19:00, në Ferizaj, rruga, “Cen Dugolli”, i pandehuri me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurit A.L., dhe R.J., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme, i vënë në lajthitje të dëmtuarit E.F., A.F., Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “Wallet”.

    Prokuroria tregon që për realizmin e kësaj skeme fillimisht të dyshuarit kishin siguruar një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, andaj, të njëjtit me këto veprime në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Finalet për titullin kampion nisin këtë fundjavë në “Minatori”

    Finalet për titullin kampion nisin këtë fundjavë në “Minatori”

    Përballjet finale të Superligës së Kosovës në basketboll do të nisin këtë fundjavë në Palestra Minatori, ku kampioni në fuqi KB Trepça do ta presë KB Bashkimi në ndeshjen e parë të serisë finale.

    Pas një sezoni të gjatë dhe mjaft spektakolar, të dy skuadrat kanë treguar formë të mirë dhe kanë dhuruar basketboll cilësor gjatë gjithë kampionatit, duke krijuar pritje të mëdha për finalet e këtij edicioni.

    Trepça dhe Bashkimi po përballen sërish në luftën për titull, njësoj si në edicionin e kaluar, kur mitrovicasit arritën të triumfonin me rezultat 4:2 në seri dhe ta shpallnin veten kampionë të Kosovës.

    Rivaliteti mes dy skuadrave është thelluar edhe më shumë në vitet e fundit, pasi ato janë takuar edhe në dy finalet e fundit të Kupës së Kosovës, të cilat përfunduan me fitoret e “Xehetarëve”.

    Ndeshja e parë e finales zhvillohet të dielën në palestrën “Minatori”, ndërsa titulli kampion do t’i takojë skuadrës që arrin katër fitore në serinë finale.