ATV

Blog

  • Pritet rritje e pushuesve kosovarë në bregdetin shqiptar, 10% më shumë se vitin e kaluar

    Pritet rritje e pushuesve kosovarë në bregdetin shqiptar, 10% më shumë se vitin e kaluar

    Këtë vit pritet që numri i pushujesve në bregdetin e Shqipërisë të jetë më i madh sesa vitin e kaluar.

    Kështu ka deklaruar për Radiotelevizionin Shqiptar, biznesmeni kosovar Ruzhdi Kurtishaj.

    I njohur ndryshe edhe si promovues i turizmit shqiptar, Kurtishaj thotë se numri i kërkesave pritet të shkojë deri në 45%.

    “Kërkesat janë në rritje. Muaji maj duket që do të jetë një muaj jashtëzakonisht i mirë për tët gjithë turizmin shqipfolës. Lëvizjet janë të mëdha. Shqipëria mbetet destinacioni i vetëm më i preferuar për qytetarëte Kosovës edhe për arsyet e çmimit të lirë, të afërsisë që ka, por mbi të gjitha për arsye që konsumojnë ushqim shqip, pushojnë shqip…” ka thënë mes të tjerash Kurtishaj.

  • Osmani e Kurti kujtojnë betejën e Çabratit

    Osmani e Kurti kujtojnë betejën e Çabratit

    Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përkujtuar sot 24-vjetorin e betejës së Çabratit.

    Osmani ka potencuar se dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit dhe “do t`i kujtojmë përherë me respekt”.

    26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t`u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët tri ditë rresht iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë. Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë. Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë dhe do t`i kujtojmë përherë me respekt!”, është bërë e ditur në deklaratën e Osmanit.

    Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha që janë bërë për çlirimin e vendit.

  • Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, krijon profit për shtetin

    Kurti: Jemi afër themelimit të Fondit Sovran, krijon profit për shtetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë qeverisjes dy vjeçare kanë shënuar rezultate të mira në ekonomi. Sipas tij, janë fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat dhe se janë zotuar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, që po mbahet të dielën, ka thënë se Kosova është afër themelimit të Fondit Sovran, i cili do të krijojë profit për shtetin.

    Ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

    “Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran, të udhëhequr nga Besnik Pula, vitin e kaluar. Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, është shprehur ai.

    Kurti më tej ka përmendur disa nga ndryshimet në ndërmarrjet publike, duke thënë se janë kthyer nga ndërmarrje me humbje në ato me profit.

    “Për të rritur përqindjen e suksesit dhe për të ulur rrisqet, Qeveria përgjegjëse dubet të bëjë globalizimin e këtillë që ai të punojë për qytetarin. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran. Ndërmarrjet tona publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit me qëllim të rritjes së investimeve. Gjatë qeverisjes sonë dy vjeçare kemi shënuar rezultate sinifikante në ekonomi. Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë të sektorit privat, përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimi e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore”, tha Kurti.

    René Schlee, drejtor ekzekutiv i “Friedrich Ebert Stiftung” u shpreh se krijimi i Fondit Sovran do të jetë një hap domethënës për Kosovën. Tha se Fondi do të krijojë rrjet ekonomik të qëndrueshëm për Kosovën.

    “Ne gjithmonë besojmë shumë se ky do të jetë një hap domthënës për shtetin e Kosovës dhe të krijojë një lloj rrjeti ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm. Besojmë se do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e Kosovës dhe për një shoqëri të drejtë. Për këtë arsyeje jemi mbledhur dhe i kemi kushtuar vëmendje, kam kënaqësinë që themelimi i këtij fondi është bashkëpunim i frytshëm”, ka thënë Schlee.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    I nderuari z. Schlee,

    E nderuara znj. Pllana,

    I nderuari z. Ashmore, z. Dimitriadis, znj. Debelak,

    I nderuari profesor Pula,

    I nderuar zv.ministër Mjeku,

    E nderuara deputetja Statovci,

    I nderuari zv/ambasador gjerman Conrad,

    Kam kënaqësinë që të jem sot me juve në këtë Konferencë. Uroj që kjo të jetë vetëm njëra ndër të tjera që do trajtojnë këtë temë të rëndësishme. Do të doja të falënderoj z. Schlee dhe fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe dëshiroj mirëseardhje për të gjithë mysafirët tanë nga Britania e Madhe, Greqia e Sllovenia që sot janë me ne. Mirë se vini.

    Sot do flasim për themelimin e fondit sovran. Tani kur projektligji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër drejt miratimit të tij e, me këtë, të kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

    Qeveria jonë qëndron fuqishëm mbrapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e këtillë do rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë. Të gjitha këto, pra me qëllim të një transformimi makroekonomik, të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta, përmes dispozitave ligjore të parashikueshme.

    Jetojmë në një epokë të globalizimit dhe ky nuk është procesi që duhet ndalur. Shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Globalizimi i këtillë sjell me vete perspektivën e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Mirëpo, për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran.

    Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Gjatë qeverisjes tonë dy vjeçare, kemi shënuar rezultate signifikante në ekonomi.

    Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Ndërmarrjet janë ringjallur e kthyer në shërbim të qytetarëve. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit.

    Përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh. Ka bërë eksportin e 581 GWh-ve në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale. Me realizimin e këtyre investimeve krijohen kushtet për realizimin e projektit të Elektrofiltrave dhe pajisjeve për uljen e emetimeve të oksideve të sulfurit dhe azotit (DeNOX) nga viti tjetër me grant të Bashkimit Evropian në vlerë prej 77 milionë euro.

    Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike, kemi punuar në rritjen ekonomike e cila ka një mesatare prej 7 për qind në dy vitet e fundit, më e madhja ndonjëherë që nga paslufta. Kemi rritur eksportet për 83.6 për qind e 47.6 për qind investime të huaja direkte. Trendin e këtillë vazhdojmë me 25 mijë vende të reja pune të krijuara, numër ky që po rritet çdo ditë përmes platformës së re Superpuna. Kemi rregulluar pagat në sektorin publik e kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, duke u rritur për 22 vende sipas Transparency International. Luftën kundër korrupsionit e vazhdojmë me strategjinë kundër korrupsionit që do hartohet këtë vit e me agjendë të pasur legjislative që shënon ndryshim rrënjësor në luftim të korrupsionit përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Investime të huaja direkte dhe eksporte po sjellim në Zyren e Kryeministrit përmes themelimit të agjencisë së re profesionale, me kuadro të pasura me përvojë në institucione të brendshme e ndërkombëtare, profesionistë ligjorë e të ekonomisë që do të tërheqin investime në bazë të politikave të mirëfillta zhvillimore.

    Të gjitha këto nisma e komplementojnë atë të Fondit Sovran, si mjeti institucional i investimeve që do veprojë në tregje ndërkombëtare financiare, të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar nga një qeveri e përgjegjshme e nga një sovran i përgatitur e i gatshëm për ndryshimet pozitive që na presin.

    Ju falemnderit.

  • Haradinaj përkujton dëshmorët e Gjakovës dhe heroin Bahri Fazliu

    Haradinaj përkujton dëshmorët e Gjakovës dhe heroin Bahri Fazliu

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot betejën e Brigadës 137 “Gjakova”, si dhe heroin e kombit, Bahri Fazliu në 25-vjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se armiku për hakmarrje ndaj humbjeve në frontin e luftës, nuk i kishte kursyer as civilët.

    “Beteja urbane e Brigadës 137 “Gjakova” është unike në historinë çlirimtare të Kosovës. Bijtë e bijat e Gjakovës ishin shembulli më i mirë i luftëtarëve të lirisë, që nga mobilizimi i tyre në ditët e para të luftës për liri, e deri tek formimi i Brigadës dhe dita e fitores. Armiku për hakmarrje ndaj humbjeve në frontin e luftës, nuk kurseu civilët e pafajshëm te Ura e Taliqit. 13 shqiptarë të pafajshëm po të njëjtën ditë u ekzekutuan edhe në Ozdrim të Pejës, fshat që u mobilizua që nga fillet e luftës për liri”, ka shkruar Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar edhe heroin e kombit, Bahri Fazliu në përvjetorin e rënies.

    “Po ashtu, në muajt e përvjetorëve të heronjve dhe të dëshmorëve, sot kujtojmë njërin prej figurave të rendësishme të luftës për lirinë e Kosovës, Bahri Fazliun. Vendosmëria dhe trimëria, si dhe sakrifica e skajshme e Bahri Fazliut, më parë edhe e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, i ngritë ata në piedestalin e dëshmorëve të Kosovës”

    “Përgjithmonë krenar me heronjtë e ushtrisë çlirimtare! Përgjithmonë krenar me rrugëtimin tonë për liri”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Serbët të tretët në botë për armë në duart e popullsisë, a do të çarmatosen pas masakrave?

    Serbët të tretët në botë për armë në duart e popullsisë, a do të çarmatosen pas masakrave?

    Qytetarët e Serbisë zënë vendin e tretë në mbarë botën për armatim. Institucionet shtetërore pretendojnë, se ky klasifikim është arbitrar. Presidenti Vuçiç deklaroi çarmatim në shkallë të gjerë.

    Pas dy sulmesh amok (një episod krimi masiv kundër njerëzve ose ndonjë objekti në shumicën e rasteve kryer individualisht) brenda dy ditëve në Serbi vihet në lëvizje diskutimi lidhur me armëmbajtjen. E për këtë ka arsye të fortë: Sipas vlerësimeve të Projektit Studimor të Zvicrës, Small Arms Survey nga viti 2018 Serbia sa i përket armatimit të popullsisë civile zë vendin e tretë në mbarë botën – pas Jemenit dhe SHBA-së. Sipas këtij studimi raporti është ndër 100 banorë ka 39,1 armë të lehta.

    “Sipas vlerësimeve të tjera pothuajse po kaq armë ndodhen në posedim ilegal”, deklaron për DW Predrag Petroviç, drejtor i studimeve në Qendrën e Beogradit për Politikën e Sigurisë (BCBP). “Sipas të dhënave zyrtare të policisë serbe nga viti 2021 në Serbi ka pasur 920.000 armë – ndërkohë janë dorëzuar 50.000 deri në 60.000 copë.”

    Pavarësisht të gjitha vlerësimeve: Përfytyrimi se në çdo shtëpi duhet të ketë armë, është mjaft i përhapur në Serbi. Arsyeja për këtë “kulturë të armës”, sipas ekspertit të sigurisë Petroviç, ka të bëjë kryesisht me luftërat, që janë zhvilluar nga viti 1991 në territorin e ish-Jugosllavisë.

    “Një pjesë e armëve nga vitet 1990 nuk janë dorëzuar kurrë, sepse qytetarët e shtetit post-jugosllav as sot nuk ndihen të sigurtë. Kësaj i shtohet edhe fakti, që armët në Ballkanin Perëndimor tradicionalisht konsiderohen si simbol i pushtetit dhe statusit: ato tregojnë, se njeriu është në gjendje të mbrojë veten dhe familjen”, shpjegon më tej Petroviç.

    Presidenti deklaron kontrolle dhe kufizime

    Shteti serb tani deklaron reduktimin radikal të armëve në vend. “Të gjithë njerëzit që kanë armë – e kam fjalën për armë gjuetie, që ndodhen në duart e rreth 400.000 personave – do t’i nënshtrohen provimit, nuk do të mbeten në posedim më shumë se 30.000 deri në 40.000 armë. Ne do të zbatojmë një çarmatim të plotë të Serbisë”, deklaroi presidenti, Aleksandar Vuçiq pas dy sulmeve amok.

    Përpos kësaj qeveria serbe deklaroi edhe kontrolle ndaj të gjithë mbajtësve të armëve në mbarë vendin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Do të verifikohet, nëse armët ruhen në kushte sigurie dhe nëse garantohet ashtu si duhet që ato të mos jenë të aksesueshme nga persona të paautorizuar dhe nga minorenë.

    Këtej e tutje do të ashpërsohen rregullat duke e vështirësuar dhënien e lejes për armëmbajtje. Ministria e Brendshme në Beograd do të lëshojë një moratorium për dy vjet për ndalimin e lëshimit të licencës për armëmbajtje. “Ne e dimë, që kjo nuk do të kalojë pa probleme, por sa më pak armë të ketë në qarkullim, aq më shumë minimizohet rreziku ndaj fëmijëve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh Vuçiq në një konferencë shtypi pas rastit të fundit të sulmit në amok.

    Ashpërsimi i kontrolleve në sfondin e situatës është masa e duhur, por ndalimi i armëve nuk ka kuptim, mendon Dejan Milutinoviç nga sindikata e Rrjetit të Sigurisë në Serbi (SUSB). “Ne kemi ndërkohë rregulla shumë të forta. Në rast të një grindjeje fare të vogël mes fqinjësh menjëherë sekuestrohen armët. Por nuk ekziston mundësia që ta kuptosh në avancë nëse dikush do ta përdorë ose jo armën”, i tha DW-së Milutinoviç.

    Eksperti i sigurisë, Petroviç ve në dukje, se rregullat për armëmbajtje privatisht janë ashpërsuar qysh nga viti 2015, kur u aplikua detyrimi për riregjistrimin e armëve në posedim dhe provimi si dhe argumentimi se përse personi do ta mbajë armën. Por këto rregulla të forta në letër nuk janë reflektuar në praktikë, afati i riregjistrimit të armës është shtyrë së fundi në vitin 2022 edhe për dy vjet të tjera.

    “Përgjegjësinë pra nuk e kanë qytetarët e Serbisë, por institucionet shtetërore. Praktika e të cilave nuk është unike: Disa armë janë sekuestruar, sepse policia ka qenë e mendimit që poseduesit e tyre nuk kanë pasur arsye të mbajnë armë. Në raste të tjera personave që mbajnë armë u janë dhënë licenca të reja, ndonëse ata nuk kanë pasur arsye të kenë armë”, thotë Petroviç.

    Armët ilegale janë jashtë radarit të autoriteteve

    Armët e regjistruara në Serbi janë pjesë e problemit, por në qarkullim ka ende një masë të madhe armësh ilegalet, që e kanë prejardhjen nga luftrat e viteve 1990. “Asokohe u shpërndanë armë në masë në popullsi, e ekzistenca e tyre nuk u verifikua më pas nga askush”, vëren Predrag Petroviç. I vetmi aksion i madh i çarmatimit është bërë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç përpara njëzet vjetësh. Atëherë u dorëzuan ose u konfiskuan rreth 50.000 armë.

    “Tani duhet një fushatë e vërtetë për t’i bindur qytetarët që t’i besojnë institucioneve të shtetit të Serbisë, se ato garantojnë sigurinë dhe që qytetarët e Serbisë nuk kanë më nevojë për armë”, thekson Petroviç.

    Dejan Milutinoviç është i mendimit, që shumica e armëve ilegale ndodhen në duart e qarqeve kriminale. Armët si automatiku i përdorur nga personi në amok më 4.5.2023 në qytezën Mladenovac, nuk mund të posedohen legalisht.

    Qytetareve dhe qytetarëve të Serbisë, që posedojnë armë ilegale, iu është dhënë një afat prej një muaji për të dorëzuar armët pa pasur pasoja. Atë që nuk e bën këtë vullnetarisht brenda afatit, sipas presidentit Vuçiç: “Ne do ta gjejmë dhe pasojat do të jenë të tmerrshme.” /DW/

  • Osmani për Betejën e Çabratit: Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë

    Osmani për Betejën e Çabratit: Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka përkujtuar 24-vjetorin e Betejës së Çabratit.

    Osmani tha se civilët në Kosovë u rrëmbyen e u vranë mizorisht nga makineria gjenocidale serbe.

    “Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lire”, tha Osmani.

  • Dy kallashnikovë e gjashtë granata: Policia dhe FSK-ja deminojnë disa mjete të dyshuara në Lipjan

    Dy kallashnikovë e gjashtë granata: Policia dhe FSK-ja deminojnë disa mjete të dyshuara në Lipjan

    Një burrë ka njoftuar se derisa ka qenë duke hapur një kanal, i ka vërejtur dy mjete të dyshuara, si dhe disa mjete të tjera.

    Për këtë rast janë njoftuar njësitë policore për deminim dhe FSK-ja të cilët në vendin e ngjarjes kanë gjetur dy tromblon, një zolë dy kallashnikov, gjashtë granata dore, pesë karikatorë dhe një sasi municion.

    Rasti ka ndodhur në Grackë të vjetër në Lipjan, të shtunën rreth orës 13:30.

    “Njësitet kompetente kanë ndërmarr veprimet e nevojshme për deminim dhe evitim të rrezikut”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Drita – Ballkani, ndeshja vendimtare për titull të kampionit

    Drita – Ballkani, ndeshja vendimtare për titull të kampionit

    Dallimi në pikë është i vogël në mes të lideres, Dritës dhe kampionit në fuqi të Kosovës në futboll, Ballkanit. I vogël është edhe për nga cilësia e lojtarëve. Por, përballja e tyre do të jetë e madhe të dielën. Mund të vendos për titull të kampionit. Këtë e thonë edhe në klubin e Dritës, e po ashtu edhe të Ballkanit. Ndeshja derbi zhvillohet të dielën nga ora 15:00 dhe i takon xhiros së 33-të. Do të luhet në fushën me bar sintetik.

    Drita është e para me 66 pikë, kurse Ballkani i dyti me 63 pikë. Trajneri i Dritës, AkisVavalis ka thënë se pak do të ketë peshë taktika në derbin ndaj Ballkanit. Rol kyç, sipas tij, ka përgatitja fizike dhe mentale.

    “Një ndeshje tjetër, një finale për ekipin tonë në garën për titull të kampionit. Vijmë pas një fitore të rëndësishme ndaj Llapit. Kemi parë ekipin e Ballkanit qëështë një ekip i mirë, kanë plane të qarta, ide të qarta dhe janë ekip sulmues. Nuk është shumë me rëndësi taktika, por shumë i rëndësishëm është motivimi dhe mënyra se si t’i qasemi kësaj ndeshjeje. Nuk kemi pasur kohë të gjatë për të përgatitur ndeshjen, por në këtë moment, e rëndësishme është që lojtarët të jenë të freskët fizikisht dhe mentalisht. Jam i sigurt që do të kemi lojtarë mirë fizikisht dhe të jenë në niveli ne duhur. Nuk mendojmë për diferencën e pikëve që kemi ndaj Ballkanit, por synojmë pikët e plota ndaj tyre”, ka thënë Vavalis në konferencën për media.

    Për të dalë fitues nga ky derbi i madh, Vavalis pret edhe ndihmën e shikuesve, ndonëse numri i tyre nuk pritet të jetë i madh për shkak të kapacitetet të vogël të tribunës në fushën me bari sintetik në Gjilan.

    “Stadiumi nuk ka kapacitet të madh, por presim numër të madh të shikuesve dhe përkrahje të madhe. Përkrahja e tyre në këtë moment është shumë i rëndësishëm”, është shprehur ai.

    Edhe sulmuesi i Ballkanit, Meriton Korenica, thotë se ballafaqimi me Dritën do të jetë i vështirë. Por ai ka besimin e plotë se Ballkani mund ta fitojë këtë derbi që mund të jetë vendimtar për titullin e kampionit.

    “Do të jetë ndeshje e vështirë. Një përballje direkte për titullin kampion. Por, ne e kemi edhe një shans dhe bashkë si grup, mund t’ia dalim t’i fitojmë tri pikët në Gjilan. Besoj shumë në skuadër. Atmosfera është shumë e mirë dhe jemi gati që ta bëjmë më të mirën e t’i marrim pikët e plota në Gjilan”, është shprehur Korenica.

    Dritës pritet t’i mungojë në këtë ndeshje sulmuesi i krahut, Almir Ajzeraj. Drita ka një vit që nuk ka humbur nga Ballkani. Humbjen e fundit, e ka pësuar më 28 prill të vitit të kaluar. Në tri përballjet e edicionit aktual, dy ndeshje kanë përfunduar baras (1:1 dhe 2:2), ndërsa një fitore i ka takuar Dritës. Pati fituar 2:0 në Suharekë. Drita më të mirë e ka edhe goldallimin. Ka shënuar 58 gola karshi 26 sosh të pësuar 26, ndërsa Ballkani ka realizuar 57 gola dhe pranuar 31. Vavalis ngul këmbë se qëllimi i ekipit të tij është vetëm fitorja.

    “Qëllimi ynë është gjithmonë të fitojmë pikët e plota. Do të luajmë sikur të ishim në pozitën e dytë dhe të luftojmë ta kalojmë Ballkanin”, ka thënë trajneri grek.

    Ai ka shtuar se nuk ka presion as tek ai, dhe as te lojtarët e tij.

    “Për mua në këtë moment ndoshta është ndeshja e karrierës, por po e shijoj atmosferën, klubin, qytetin. Kjo ndeshje nuk është me presion, por është motivuese”, ka thënë ai.

    Të motivuar janë edhe lojtarët e Dritës. Përkrah trajnerit Vavalis në konferencën për media te Drita u paraqit edhe Muharrem Jashari. Jashari pret që Drita ta fitoj derbin.

    “Jemi të motivuar në këtë ndeshje. Na pret ndeshje e vështirë. Dihet qëllimi ynë në këtë rrugëtim dhe është një nga ndeshjet më të rëndësishme të edicionit. Me organizimin dhe shikuesit që i kemi, besoj se do të dalim triumfues. Është ndeshja kryesore e kampionatit dhe duhet ta shohim fondin e lojtarëve. Si ekip hyjmë për fitore dhe besoj se do t’ia arrijmë”, ka thënë Jashari.

    E shtunë

    Dukagjini – Malisheva 1:0

    Trepça ’89 – Drenica

    E diel

    E diel (15:00)

    Drita – Ballkani

    Prishtina – Gjilani

    Llapi – Ferizaj

    1. Drita 32 19 9 4 58:26 66
    2. Ballkani 32 17 12 3 31:26 63
    3. Gjilani 32 13 11 8 31:31 50
    4. Dukagjini 33 12 8 13 33:33 44
    5. Prishtina 32 11 10 11 40:32 43
    6. Llapi 32 11 8 13 40:44 41
    7. Malisheva 33 10 9 14 47:49 39
    8. Trepça ’89 33 9 10 14 43:57 37
    9. Ferizaj 32 8 10 14 28:47 34
    10. Drenica 33 6 5 22 24:51 23

  • Limaj e quan Osmanin shkelëse të Kushtetutës: VV-ja do ta digjte Kosovën po të ishte në opozitë

    Limaj e quan Osmanin shkelëse të Kushtetutës: VV-ja do ta digjte Kosovën po të ishte në opozitë

    Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova do të “digjej” nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ishte në opozitë e të arrihej një marrëveshje e tillë me Serbinë. Ndërkaq presidenten Vjosa Osmani e quan shkelëse të Kushtetutës, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i Nismës ka thënë për Ekonomia Online se është e pamjaftueshme që opozita të bëhet me vetëm fjalime në Kuvend e debate publik në televizion. Sipas tij, janë me mijëra mënyra e të bërit opozitë.

    Limaj konsideron se punën e opozitës më shumë po e bëjnë mediat se sa liderët opozitarë.

    “Fatkeqësisht kjo opozita parlamentare është në një kompleks. Ende nuk është çliruar nga një kompleks i çuditshëm për mua edhe në shumë veprime të këtij kryeministri ka faj opozita me heshtjen e saj, me mosaktivizimit të saj, mungesën e një opozitarizmi aktiv. Sot qytetarët e Kosovës janë në mjegull, shumica prej qytetarëve nuk e dinë çka është marrëveshja e Brukselit, qytetarët ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës, dhe këtë shpjegim para se të gjithash duhet ta jap opozita, dhe ky shpjegim nuk bëhet me një fjalim në Kuvend, dhe ky shpjegim nuk bëhet një herë në javë në seancë e as në një debat publik në televizion”, ka thënë Limaj.

    “Nuk mundet media me ia krye 100 për qind punën e opozitës, siç po tentojnë drejtuesit e opozitës. Krejt çka është duke bërë sot opozita në Kosovë, fatkeqësisht është kufizuar në ato seancat plenare, në të cilat edhe aty nuk është duke e mbrojtur çështjen si duhet. s’ka iniciativa të mjaftueshme. Kurrë Kosova nuk ka pasur dialog më jo transparent se që ka ndodhur në kohën e Kurtit, të ka ardh marrëveshja dhe janë dy seanca për dialogun”, u shpreh tutje Limaj.

    Limaj ka parashikuar edhe çfarë do të ndodhtë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ishte aktualisht në opozitë.

    “E kish djegë Kosovën. Për këtë marrëveshje e kishte djeg Kosovën. Absolutisht e kish djeg Kosovën. Me ato zgjedhje që janë bërë në veri, e kish tranu Kosovën, edhe çka ka ndodh, opozita në vend që të dal me stopu këto hapa që po i bën kryeministri, ata në një farë mënyrë pjesërisht po i legjitimojnë hapat e tij, sikurse që ishte pjesëmarrja në zgjedhje në veri të Kosovës”, ka thënë Limaj.

    Limaj ka kritika edhe për mënyrën se si është trajtuar rasti i shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sipas tij, presidentja Osmani ka bërë shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

    “Opozita e ka me shkelje të Kushtetutës edhe nuk ka bërë zë. Prej shkarkimit të ish-kryetares së KQZ-së Valdete Daka e radhazi që ato gjëra po t’i dërgonin në Gjykatë Kushtetuese, ishin nxjerrë që presidentja e ka shkel Kushtetutën. Opozita vetëm një gjë duhet ta kenë të qartë, nuk ka nevojë ta bëjnë opozitën e VV-së, ka 1 milion mënyra që bëhet një opozitë normale, dhe këtë nuk po bëjnë”, tha Limaj.

    Limaj ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin thotë se kryeministri aktual nuk ka fare merita në këtë proces.

    Ndërkaq sipas Limajt, aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës, është si rezultat i luftës në Ukrainë, raporton EO.

    “Nuk janë rezultat i tij asnjëra nga këto. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar në vitin 2017 kur Komisioni Evropian kur kemi dalë në konferencë shtypi dhe komisionerja ka deklaruar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim, dhe vonesat pas 2017-ës, janë vonesa burokratike të Bashkimit Evropian të cilët më e tepruan e keqtrajtuan këtë vend për 12 vjet. Bile ai proces nuk është as lajm sepse në këtë proces Kosova është keqtrajtuar. Te aplikimi për në Këshill të Evropës, po ashtu është proces që ka nis në 2011-ën, e që rrugës është ndalë për shkak të zhvillimeve politike, për shkak të situatave. Kjo që po na vjen sot më tepër është si rezultat i asaj që po ndodh në Ukrainë pasi Rusia nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës”, u shpreh ai.

  • Mbi 1 mijë zyrtarë e Doganës, Policisë e ATK-së e kanë deklaruar pasurinë, Buleshkaj jep detaje

    Mbi 1 mijë zyrtarë e Doganës, Policisë e ATK-së e kanë deklaruar pasurinë, Buleshkaj jep detaje

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj në një intervistë për Ekonomia Online ka dhënë detaje për deklarimin ë pasurisë nga zyrtarët e Doganës, Policisë e të ATK-së.

    Ai ka sqaruar se 4 mijë zyrtarë të këtyre institucioneve janë të obliguar që deri më 11 maj të deklarojnë pasurinë. Sipas tij, mbi 600 që e kanë kryer këtë detyrë, mbi 700 kanë filluar plotësimin e deklarimit të pasurisë dhe janë më pakë se 3 mijë të cilët nuk kanë filluar ta bëjnë këtë punë.

    “Deri më tani janë rreth 4 mijë zyrtarë të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin në këtë fazë nga ta sipas të dhënave që i kemi janë mbi 600 që e kanë kryer këtë detyrë. Janë mbi 700 të cilët e kanë filluar plotësimin e deklarimit të pasurisë, do të thotë na mbesin edhe janë më pakë se 3 mijë të cilët ende nuk kanë hyrë në sistem nuk kanë filluar ta bëjnë deklarimin e pasurisë”.

    “Deklarimi bëhet vetëm në formë elektronike, mund ta bëjnë nga secili lokacion që kanë dëshirë qoftë nga shtëpia, vendi i punës përmes telefonit mobil apo përmes kompjuterëve. I’u bëjmë thirrje që deklarimin ta bëjnë edhe në afat po është tepër e rëndësishme që të bëhet edhe i saktë”.

    Buleshkaj tha se të gjitha ata zyrtarë të këtyre institucioneve që mbajnë detyra inspektimi, certifikimi, verifikimi apo licencimi dhe ata që merren me hetime në Polici.

    Ai pohoi se deklarimin e pasurisë nga viti i ardhshëm do ta bëjnë edhe mjekët dhe profesorët e Universiteteve publike,

    “Zyrtarët që e bëjnë për herë të parë deklarimin e pasurisë, e të cilët përfshijnë zyrtarët e Doganave, të ATK-së të gjithë ata që mbajnë edhe detyra inspektimi, certifikimi, verifikimi apo licencimi. Po ashtu duke përfshirë edhe ata që kryejnë detyrat e hetimit duke përfshirë edhe Policinë, gjithsecili nga ata që kryejnë detyra hetimi do t’i kanë edhe këto ditë që i kanë mbetur për ta bërë deklarimin e pasurisë si kategori të reja. Janë edhe dy kategori të tjera të reja të cilat nuk kanë obligim në këtë afat të bëjnë deklarimin, ata janë mjekët e sistemit sekondar dhe treciar si dhe profesorët e Universiteteve publike të cilët duhet ta bëjnë deklarimin nga viti i ardhshëm”.

    Buleshkaj thotë se pas sqarimeve të nevojshme dhënë për disa kategori nuk ka pasur hezitim që të deklarojnë pasurinë e tyre.

    “Nga praktika e deritanishme nuk ka ndonjë grup të caktuar të cilët hezitojnë të gjithë pyesin sepse është një obligim i ri ligjor, më herët kanë qenë të obliguar ta bëjnë deklarimin vetëm pozitat e larta menaxhuese, ndërsa tash i kemi edhe nivelin më të ulët”.

    “Do të thotë ka pyetje dhe mëdyshje se a janë të obliguar ta bëjnë. Ne gjithmonë mundohemi që të japim shpjegime, duke referua në kërkesën ligjore dhe përshkrimet e detyrave të punës së tyre, ku i kanë një nga këto detyrat, hetimi, verifikime, certifikimi e të tjera. Pastaj deri më tani nuk është që kemi pasur ndonjë hezitim shtesë pas shpjegimeve që i kemi dhënë dhe ka filluar që ta plotësojnë këtë deklarim”.

    Krei i Agjencisë ka sqaruar se pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri janë në fazën e hartimit të legjislacionit sekonda në mënyrë që të arrijnë të realizojnë kompetencat e tyre, raporton EO.

    “Legjislacioni i ri na ka zgjeruar mjaftë shumë kompetencat tona duke na dhënë disa mekanizma të ri për të parandaluar korrupsionin. Këta mekanizma kemi filluar tashmë jemi në fazën fillestare të përdorimit të tyre, sepse shumica e tyre kanë hyrë ne fuqi në fillim të këtij viti dhe në jemi në ngritje të kapaciteteve tona po edhe në hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të cilët na mundësojnë të jemi më konsistent dhe të jemi më të qartë në zbatimin e këtyre kompetencave”.

    “Kem kompetenca të mira në shqyrtime të legjislacionit për masat kundër korrupsion, tashmë secili ligj apo akt në qoftë se vlerësohet nga Agjencia ne mund të bëjmë vlerësimin dhe të japim rekomandime për të ndryshuar nenet e ndryshme apo elemente të ndryshme të këtij ligji në mënyrë që të mos legjitimohet një formë e korrupsionit”.