ATV

Blog

  • Byzylykët elektronikë, njohësit: 600 mijë euro nuk mjaftojnë, domsdoshmëri zbatimi i ligjit

    Byzylykët elektronikë, njohësit: 600 mijë euro nuk mjaftojnë, domsdoshmëri zbatimi i ligjit

    Qeveria e Kosovës kohë më parë ka ndarë 600 mijë euro për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik” për vitin 2023 që nënkupton blerjen e byzylykëve elektronikë dhe nisjen e zbatimit të Ligjit për mbikëqyrje elektronike për personat, të cilëve iu kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës. Mirëpo, kjo shumë konsiderohet e pamjafuteshme. Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi 8 vjet më pare, por ka munguar zbatimi i tij në mungesë të hallkave elektronike, softuerit, dhomës operative dhe trajnimit të stafit.

    Hulumtuesja e Lëvizjës Fol, Albana Hasani konsideron se shuma financiare e ndarë për sistemin e monitorimit elektronik është e pamjaftueshme. Sipas saj, për funksionimin efikas të këtij programi nevojitet edhe mirëmbajtja e softuerit i cili po ashtu ka kosto.

    “Për shkak se vendimi nuk ka ndonjë arsyetim të qartë juridik nuk vërehet se këto mjete a do të shfrytëzohen për blerjen e softuerit elektronik për mbikqyrje elektronike apo për blerjen e byzylykëve elektronikë. Mirëpo, duke marrë parasysh vlerën e lartë të byzylykëve elektronikë si dhe numrin e madh të tyre që do të duhej të viheshin ne dispozicion si dhe anën tjetër vlerën e lartë të softuerit elektronik do të mund të themi se kostoja prej 600 mijë eurosh është tejet e ulët për të përmbushur në mënyrë te suksesshme projektin për mbikëqyrje elektronike”, thotë ajo.

    Të njëjtin mendim e ka edhe Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Ajo vë theksin te trajnimi i stafit si dhe angazhimi i ekspertëve shtesë të specializuar që do të ndihmonin në zbatimin në praktik të ligjit.

    Hasani, nga Lëvizja Fol thotë se zbatimit i Ligjit për mbikëqyrje elektronike paraqet domosdoshmëri për mbrojtjen e viktimave të krimit në përgjithësi, por në veçanti ata të dhunës në familje.

    Edhe për Halitin është e rëndësishme që sa më shpejtë të nisë zbatimi i këtij ligji për t’i mbrojtur sidomos viktimat e dhunës në familje.

    Ndërsa, Policia e Kosovës sipas Ligjit për mbikëqyrje elektronike, do të ketë nën menaxhim edhe sallën operative, e cila realizon mbikëqyrjen elektronike për mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave që vijnë nga pajisja dhe që mundëson kontrollin e zbatimit efektiv të vendimit gjyqësor.

    Nga ky institucion i sigurisë në vend thonë se pas ndarjes së 600 mijë eurove për këtë projekt do të marrim të gjitha masat e nevojshme. Sipas ligjit, Policia e Kosovës është përgjegjëse për vendosjen, heqjen dhe funksionimin e pajisjeve që u vendosen me vendim të gjykatës personave që iu kufizohet lëvizja.

    “Pas ndarjes së mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës për projektin “Sistemi i monitorimit elektronik” bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, Policia e Kosovës sipas autorizimeve dhe kompetencës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për këtë projekt dhe implementimin e tij, sipas udhëzimit administrativ për realizimin e mbikëqyrjes elektronike dhe raportimi nga Policia e Kosovës, të personave të cilëve iu kufizohet lëvizja”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës dërguar për KosovaPress.

    Ndryshe, Ligji për mbikëqyrje elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ka hyrë në fuqi në vitin 2015. /kp

  • VV e PDK në Prishtinë të shqetësuar me mospjesëmarrjen e qytetarëve në planifikimin e buxhetit

    VV e PDK në Prishtinë të shqetësuar me mospjesëmarrjen e qytetarëve në planifikimin e buxhetit

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për numrin e ulët të pjesëmarrësve të qytetarëve në dëgjimet buxhetore, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre, me zgjedhjen e kryetarëve të bashkësive lokale, nevojat dhe kërkesat e qytetarëve do të adresohen më mirë.

    Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, konsideron se qytetarët nuk janë të implikuar mjaftueshëm në këtë procesin e buxhetimit.

    Sipas Sveçlës, ekzekutivi komunal ka pasur vetëm pesë dëgjime publike me një numër të vogël të pjesëmarrjes.

    “Procesi i buxhetimit në Komunë është një prej proceseve më të rëndësishme që ka impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Fatkeqësisht mendoj se qytetarët nuk janë të implikuar mjaftueshëm në këtë procesin e buxhetimit, i cili do të duhet që të ishte një kombinim ne mes të projekteve dhe premtimeve të ekzekutivit dhe nevojave konkrete të qytetarëve. Në praktikë nuk del kështu shumicën e projeksioneve buxhetore, një për qind shumë të madhe janë ato të cilat i paraqet ekzekutivi i kryeqytetit, ndërkohë që kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në masë shumë të vogël arrin që të hyjnë dhe si të tilla të buxhetohen”, u shpreh Sveçla.

    “Në këtë plan paraqet edhe mungesa e një procedure standarde për projektin e buxhetit të kryeqytetit për shkak se kjo dallon varësisht nga komunat. Për shembull nga informatat që i kam në komunat e tjera realizohet një numër i madh i dëgjimeve publike të cilat bëhen. Kurse në rastin e Prishtinës kemi pasur pesë dëgjime publike e ku pjesëmarrja e qytetarëve nuk ka qenë aq e mjaftueshëm kur dite fakti qe po behët fjale për 1\3 e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh tutje Sveçla.

    Sipas Sveçlës, numri kaq i vogël i qytetarëve, është bërë vetëm sa për ta plotësuar normën e kërkuar ligjore.

    Ai kërkon që numri i dëgjimeve publike të rritet nëpër lagje të ndryshme.

    “Mendoj që duhet që të rritet transparenca, informimi dhe duhet të standardizuare procedurat se si ndodh deri të buxhetimi. Akti fundit dihet që është Kuvendi Komunal ku bëhet votimi, por është një proces i tërë ku duhet marr parasysh kërkesat e qytetarëve. Nuk është i mjaftueshme ky numër, ky numër është bërë vetëm sa për ta plotësuar atë normën e kërkuar ligjore në aspektin ligjor”.

    “Ndërkohë që nevojat dhe kërkesat e Prishtinës që janë shumë të mëdha, mendoj që duhet të rriten numri i dëgjimeve publike, duhet një decentralizim, do të thotë duhet që të ketë dëgjime nëpër lagje të ndryshme të qytetit. Në këtë drejtim duhet shumë punë, shumë informim, duhet të ketë paraparë që duhet kushtuar më shumë vëmendje kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Besoj që ka ngecje në buxhetimin gjinor ku shumë organizata të cilat merren me të drejtat e grave kanë shprehur këtë breng të tyre me të drejt”, u shpreh ai.

    I pakënaqur me numrin e ulët të qytetarëve pjesëmarrës nëpër dëgjimet publike, është shprehur edhe shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leutrim Retkoceri.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se nga tri dëgjimet buxhetore, numri i pjesëmarrësve ka qenë i vogël. Ai shpreson se me zgjedhjen e kryetarëve të bashkësive lokale, kërkesat e qytetarëve do të adresohen më mirë.

    “Qytetarët që nga votimi i buxhetit për vitin 2023 që ka qenë në shtator të vitit 2022, janë organizuar siç e kërkon ligji tri dëgjime buxhetore me qytetarë, në të cilat ka pasur pjesëmarrës por nuk mund të themi se ka qenë i kënaqshëm i qytetarëve në këto dëgjime. Siç duket mungon një pjesë e detajuar për rëndësinë që e ka votimi i buxhetit karshi qytetarëve në lagjet e kryeqytetit”.

    “Vlen të cekët se në momentin që po flasim jemi në prag të fillimit të formimit të këshillave të bashkive lokale dhe zgjedhjen e kryetarit të bashkësisë lokale, në mënyrë që të organizohet lokaliteti në kryeqytet pra lagjet të jenë të përfaqësuara më shumë dhe në këtë rast të kemi edhe kërkesa dhe t’i vendosim prioritetet në bazë të lagjeve. Komuna e Prishtinës ka një buxhet që tanimë ka kaluar në shumë mbi 1 milion euro që një numër i mjaftueshëm që nga një pjesë e këtyre mjeteve të kthehet në secilën lagje të kryeqytetit”, u shpreh Retkoceri, teksa kërkon që të bëhen më shumë fushata vetëdijësuese.

    Për këtë të fundit, ai kërkon që të bëhen në forma të ndryshme, qoftë në mënyrë digjitale apo edhe përmes mjeteve tjera të komunikimit.

    “Marrë parasysh që kjo është caktuar edhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale që maksimalisht parasheh që të jenë tri dëgjime publike me qytetarë për çështjen e buxhetit, po ashtu edhe në raport me rregulloret tjera. Nuk duhet të lihet vetëm me atë që është përcaktuar me Ligj, sepse Komuna e Prishtinës nuk e ka peshën sikur komunat tjera për shkak se është kryeqytet, për shkak se është një Ligj tjetër që Komuna e Prishtinës rregullohet me Ligjin për Kryeqytetin”.

    “Është numër i pakënaqshëm në relacion me dinamikën, me nevojën e buxhetin që e ka Komuna e Prishtinës. Sigurisht se duhet të punohet më shumë, duhet të bëhen fushata vetëdijësuese më shumë, duhet t’iu përshtatet forma e komunikimit qofshin digjitale apo të mjeteve tjera të komunikimit, në mënyrë që të depërtohet më shumë afër qytetarëve në adresimin e kërkesave që i kanë qytetarët karshi me zhvillimin, buxhetin dhe të gjitha akteve që janë kompetencë e Kuvendit Komunal”, tha Retkoceri për EO.

  • Policia jep detaje për shpërthimin afër stacionit policor në Veri

    Policia jep detaje për shpërthimin afër stacionit policor në Veri

    Në orët e para të mëngjesit të së shtunës është dëgjuar një shpërthim afër stacionit policor në Mitrovicën Veriore.

    Policia informon se nga ky shpërthim është dëmtuar shtylla e ndriçimit dhe një veturë.

    Rasti po hetohet.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Rr. Kral Petra, Mitrovicë Veri 06.05.2023-02:46. Më datë 06.05.2023 është dëgjuar një shpërthim afër stacionit policor. Njësitet policore kanë dalë në vend ngjarje dhe kanë vërejtur se është dëmtuar shtylla e ndriçimit dhe një veturë. Rasti duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.

  • Tetë të vrarë në një sulm brenda qendrës tregtare në Teksas

    Tetë të vrarë në një sulm brenda qendrës tregtare në Teksas

    Të paktën tetë persona kanë mbetur të vrarë nga një sulm i armatosur në një qendër tregtare në Dallas të Teksasit, raportoi të dielën BBC-ja.

    Siç është bërë e ditur nga dëshmitarët e rastit, një person ka shtënë me armë drejt kalimtarëve, i cili më pas është qëlluar nga policia.

    Disa nga viktimat janë fëmijë, ndërsa shtatë persona të tjerë janë duke u trajtuar në spital për shkak të lëndimeve të rënda.

    Sipas një zëdhënësi të spitalit, mosha e viktimave varion nga 5 deri 51 vjeç.

    Në SHBA deri më tani këtë vit ka pasur të paktën 198 të shtëna masive në të cilat dhjetëra persona mbetën të vrarë.

  • Aksion i madh nga Inspekcioni dhe Policia në Prishtinë afër tregut të veturave

    Aksion i madh nga Inspekcioni dhe Policia në Prishtinë afër tregut të veturave

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, ka njoftuar se që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ka zhvilluar një aksion që e ka quajtur të madh, në koordinim edhe me Policinë e Kosovës me qëllim të lirimit të hapësirave publike në rrugët në afërsi të Tregut të veturave.

    Sipas njoftimit nga kjo drejtori që udhëhiqet nga drejtori Florian Dushi, në këtë zonë në të cilën përveç papastërtisë që krijohet zakonisht, rrezikohet edhe shëndeti i qytetarëve nga therrja apo prerja e shpezëve “në kushte totalisht të papërshtatshme”.

    Inspekcioni në Prishtinë edhe më parë kishte njoftuar për aksione të ndryshme, që kanë për qëllim lirimin e hapësirave publike, nëpër vende të ndryshme.

  • Serbët heqin flamurin kuq e zi dhe vendosin atë të Serbisë në një kodër të Zveçanit

    Serbët heqin flamurin kuq e zi dhe vendosin atë të Serbisë në një kodër të Zveçanit

    Gjatë ditës së djeshme mediat serbe raportuan se flamuri shqiptar kuq e zi u vendos në një kodër në fshatin Grabovc të Zveçanit.

    Për të njëjtin rast, mediumi në gjuhën serbe “Kossev” sot po raporton se flamuri është larguar dhe se janë vendosur flamujt serbë, transmeton lajmi.net.

    Sipas Kossev të cilët kanë publikuar edhe pamje, aty tashmë valon flamuri serb.

    Sipas tyre, kjo është bërë nga banorët serbë të Grabovcit, të cilët kanë dërguar pamje nga momenti ku flamuri serb vendoset në këtë kodër.

    Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, dikush e largoi flamurin serb nga ky kërrsh dhe aty vendosi flamurin kombëtar të shqiptarëve. Nuk vonoi shumë dhe flamuri kuq e zi u largua.

  • ​Nëntë vjet nga vetërrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

    ​Nëntë vjet nga vetërrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

    Sot, mbushen nëntë vjet nga vetërrëzimi i qeverisjes PDK-AKR, si dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

    Koalicioni PDK-AKR ishte prishur me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, por jo edhe me pëlqimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Këta të dy, bashkë me liderin e LDK-së opozitare Isa Mustafa kishin vendosur të shpërndahet edhe Kuvendi, pas takimeve me presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga.

    Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim më 7 maj 2014 që të shpërndante vetveten.

    Me këtë vendim, Kuvendi kishte vendosur që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat ishin mbajtur më 8 qershor 2014.

    Mocioni ishte ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

    Arsyetimin e kishte prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, i cili kishte thënë se me këtë vendim, Kuvendi kishte hapur procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

    Nisma e deputetëve ishte mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kishin prezantuar qëndrime të ndryshme.

  • Asociacioni – “kusht mbi kushtet”

    Asociacioni – “kusht mbi kushtet”

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Pa përparim në këtë pikë, “nuk mund të ketë përparim as në çështjet tjera” për të cilat diskutohet në këtë dialog.

    Kështu thonë disa burime diplomatike në Bruksel, duke pranuar – ndonëse jozyrtarisht – se Asociacioni është prioriteti numër një, edhe pse Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë, që duhet të shpjerë në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duhet zbatuar plotësisht.

    Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Beogradi ka insistuar në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Prishtina i ka kundërshtuar ato, duke thënë se mund ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit.

    Në BE thonë se hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit është bërë me paraqitjen e draft-statutit të tij, këtë javë në Bruksel, edhe pse palët kanë shprehur qëndrime shumë të kundërta në lidhje me atë dokument.

    Drafti-statuti u paraqit nga një ekip menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – gjatë një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

    Kurti tha se ky dokument është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Vuçiq kritikoi Kurtin që nuk po e zbaton “obligimin e dhjetë vjetëve më parë”.

    Për BE-në, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë, as teksti i këtij drafti e as reagimi i palëve ndaj tij nuk kanë qenë befasi.

    Ky draft është përgatitur qysh nga viti 2018, por, deri më tash, nuk ka pasur pajtim mes palëve që ai të prezantohet në ndonjë takim të nivelit të lartë.

    Kjo, sipas burimeve të BE-së, është bërë e mundshme vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila është arritur në mars.

    Për BE-në, ndërkaq, prezantimi i draft-statutit ka “rëndësi edhe simbolike, edhe përmbajtjesore”.

    “Nuk e kishim parë dokumentin para prezantimit. Por, nuk ishte befasi për ne, sepse kishim dëgjuar qëndrimet e palëve më herët. Ishte propozim për kompetenca shumë të gjëra ekzekutive. Dhe, për ne nuk ishte befasi që Kurti e refuzoi. Kurti prezantoi propozimin e tij, krejt të kundërt nga drafti i Ekipit Menaxhues. Asgjë e papritur nuk ishte as kjo. Tash duhet të tentojmë t’i tejkalojmë dallimet mes palëve. Prandaj, prezantimi nuk ishte akt në vete, por nisje e një procesi të domosdoshëm“, thotë një zyrtar i lartë i BE-së.

    Ai paralajmëron se ekspertët dhe kryenegociatorët në dialog tashmë janë ftuar të shkojnë në Bruksel dhe të vazhdojnë të diskutojnë, në mënyrë që të krijohen kushtet për një kompromis.

    Data për këtë takim është duke u diskutuar mes ndërmjetësuesve nga BE-ja dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, “diskutimet duhet të bazohen në marrëveshje dhe në praktika të mira evropiane“.

    “Procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatin e dialogut. Pa pajtim rreth statutit dhe pa formimin e Asociacionit nuk mund të ketë sukses në dialog“, thotë ky zyrtar i lartë.

    Vendosja e çështjes së krijimit të Asociacionit si “kusht mbi të gjitha kushtet“, megjithatë, bie ndesh me një pikë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve – për ç’gjë palët janë pajtuar në Ohër, më 18 mars.

    Aty thuhet se renditja e pikave nuk reflekton edhe renditjen e prioriteteve dhe se të gjitha pikat kanë të njëjtën rëndësi. Por, përkundër kësaj, jo vetëm zyrtarë të lartë të BE-së, por edhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në secilën paraqitje publike, përmendin më së shumti krijimin e Asociacionit si prioritet kryesor.

    Sipas një zyrtari të lartë të BE-së, nisja e procesit të themelimit të Asociacionit – që sipas Brukselit ndodhi në takimin e 2 majit – dëshmoi sesa larg janë palët nga njëra-tjetra. Sipas tij, ky takim tregoi se “kimia mes dy liderëve nuk është e mirë“.

    Bashkimi Evropian bëri tentime ta sqarojë edhe mënyrën e formimit të “Ekipit Menaxhues” dhe rolin e tij.

    BE-ja doli kundër interpretimeve të Kosovës se “me paraqitjen e draft-statutit, Ekipi Menaxhues e përfundon punën e vet dhe mund të shuhet“.

    Sipas BE-së, “vendimi për shuarjen e Ekipit Menaxhues shkel edhe tekstin, edhe frymën e marrëveshjes“ dhe ai ekip duhet të ekzistojë derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

    BE-ja tha, po ashtu, se “Ekipi Menaxhues” ishte si një “delegacion në vete“ në takimin e nivelit të lartë në Bruksel dhe se nuk ishte “as në delegacionin e Serbisë, as në atë Kosovës“.

    Sipas BE-së, formimi i këtij ekipi, po ashtu, është i sqaruar në marrëveshje dhe ai përbëhet nga persona që i propozon Serbia, por formalisht i emëron Qeveria e Kosovës.

    Koordinatorja e këtij ekipi që udhëtoi në Bruksel për të paraqitur draft-statutin, është edhe deputete e Kuvendit të Serbisë.

    Për këtë, kryeministri i Kosovës, Kurti, tha se ajo “është në konflikt interesi“.

    Në BE pranojnë se dallimet rreth Asociacionit nuk do të jenë të lehta për t’u tejkaluar. Me gjithë vështirësitë, në BE këmbëngulin që të ketë një zgjidhje, sepse, në të kundërtën, siç përsërisin, dialogu nuk mund të ecë përpara. /rel

  • Presidentja Osmani: Aleanca e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar do të forcohet

    Presidentja Osmani: Aleanca e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar do të forcohet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të forcohet përgjatë udhëheqjes së mbretit Charles III që u kurorëzua të shtunën.

    Osmani mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit në Londër. Ajo në një deklaratë pas ceremonisë ka uruar mbretin Charles III në emër të Kosovës.

    “Ndërsa jemi dëshmitarë të kësaj dite historike, le të kujtojmë fuqinë e miqësive dhe aleancave dhe rëndësinë jetike të forcimit të tyre. Jam e bindur se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe lidhjet e forta në mes popujve tanë do të forcohen përgjatë udhëheqjes së Mbretit!” ka thënë më tej Osmani.

  • 90 vjet nga lindja e bilbilit të Kosovës

    90 vjet nga lindja e bilbilit të Kosovës

    Mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 07 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.

    Nexhmije Pagarusha, e cila njihet si ikona e muzikës shqiptare, sot do të mbushte 90 vjet, me një karrierë shumë të bujshme.

    Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar. Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

    ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.