ATV

Blog

  • Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Sot lansohet Fondi Sovran, merr pjesë edhe Kurti

    Duke filluar nga ora 11:00, sot do të mbahet konferenca e lansimit të Fondit Sovran të Kosovës. Këtij Fondi, pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

    Konferenca është e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit.

    Sipas kryeministrisë, folës do të jetë edhe Kurti. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë si folës kyç në konferencën e Fondit Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung. Kjo konferencë do të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në hotel “Emerald”.

    Kurse FES-i thotë se konferenca ka të bëjë me prezantimin e reformës më të madhe ekonomike në Kosovë në fushën e menaxhimit të aseteve shtetërore.

    Ata gjithashtu shprehen se që nga viti 2021, “dy grupe pune ekspertësh janë përfshirë në këtë proces të rëndësishëm të reformës ekonomike dhe legjislative, të përfunduar me një projektligj përfundimtar”.

    FES-i deklaron se konferenca e Fondit Sovran të Pasurisë së Kosovës do të mbledhë përfaqësues të Fondit Sovran të Pasurisë në Evropë, politikë dhe vendimmarrës ndërkombëtarë, pjesëmarrës nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore, drejtorë të ndërmarrjeve publike, grupe të ekspertëve, shoqëri civile dhe media.

    Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:

    Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik, Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i

    Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.

    Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

    Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

  • 24 vjet nga “Epopeja e Çabratit”

    24 vjet nga “Epopeja e Çabratit”

    Sot, në Gjakovë do të kujtohet 24-vjetori i “Epopesë së Çabratit”, në të cilën për lirinë e Kosovës janë flijuar dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.

    Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999, për shumë nga qytetarët e Gjakovës, që atëherë kanë qenë në qytet, do të kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të UÇK-së dhe policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

    Kjo betejë ka qenë e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ka qenë mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.

    Në këtë betejë kanë rënë shtatë dëshmorë dhe 41 civilë. Po ashtu, më 7-8 maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje.

  • Luizi shpallet fitues i edicionit të dytë të BBVA

    Luizi shpallet fitues i edicionit të dytë të BBVA

    Luizi u shpall fitues i këtij edicioni të dytë të Big Brother Vip, duke rrëmbyer çmimin e madh. Publiku shqiptar me shumicë votash, vendosi të shpallë Luizin fitues të këtij edicioni, si banori më i preferuar nga masa.

    Prej 133 ditësh, Luizi i ka dhënë këtij spektakli emocione pafund. Lot gëzimi, trishtimi, supriza pafund, histori, lojë e fortë, strategji, miqësi brenda shtëpisë, por edhe dashuri.

    Kanë qenë këto disa nga emocionet e forta që Luizi, protagonisti kryesor i këtij formati, dhuroi gjatë gjithë kësaj kohe për publikun shqiptar.

    Loja e tij mori rrjedhë tjetër kur u dashurua me Kiara Titon, me të cilën kurorëzoi dashurinë pak minuta më parë në Bashkinë e Tiranës.

    Lidhja e tyre ka qenë ngjarja më e përfolur prej 4 muajsh, histori e cila lindi ngadalë por u finalizua me martesë.

    Ky Big Brother mbërtheu përpara ekranit miliona shqiptarë, të cilët nisën ditën me këtë spektakël dhe e mbaruan po me të.

    Formati gjigand ka qenë kryefjalë e të gjitha mediave, shtypit të shkruar, por edhe i rrjeteve sociale përgjatë 133 ditëve, duke e kthyer Big Brother Vip në fenomen.

  • Punëtorët teknikë, komuna e Prishtinës i lë 4 muaj pa rroga

    Punëtorët teknikë, komuna e Prishtinës i lë 4 muaj pa rroga

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Disa punëtorë teknikë të cilët kanë kontrata me komunën e Prishtinës, po ankohen se nuk kanë marrë pagë gati 4 muaj nga ky institucion. Ata thonë se po detyrohen që të punojnë punë të tjera gjatë vikendit për të mbajtur familjen. Me këtë problem është e njoftuar edhe sindikata e pavarur e sektorit privat.

    Hashim Brajshori, i cili punon si punëtor teknik tash e 23 vite, nga shkurti nuk ka marrë pagë për punën që kryen në shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

    Për këtë ai thotë se disa herë është endur nëpër komunën e Prishtinës, pasi kontratën e ka të lidhur më ta, por askush nuk i ka bërë zgjidhje.

    Pavarësisht se tash e tre muaj është pa pagë mujore, ai nuk e ka ndalur punën, mirëpo thotë se detyrohet që gjatë vikendit të bëjë punë të tjera krahu për të mbajtur familjen.

    Me raste të tilla është i njoftuar edhe Drejtori i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi.

    Madje ai thotë se kanë paraqitur edhe para gjykatës një rast të njëjtë.

    ATV-JA ka dërguar pyetje edhe ne Komunën e Prishtinës por këta të fundit nuk janë përgjigjur, duke kërkuar kohë së paku deri javën e ardhshme.

     

  • Rruga e rrezikshme e Drenasit

    Rruga e rrezikshme e Drenasit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Arlinda Ahmeti, në fillim të këtij viti ishte goditur nga një automjet në lëvizje, derisa po kalonte në anën tjetër të rrugës për në shkollë.

    Rruga për në shkollën fillore “Arif Shala” në Korroticë të Poshtme të Komunës së Drenasit, ku ajo merr mësime, është mjaft e rrezikshme.

    “M’ka ndodhë mua rasti, para 4 muajve, që m’ka goditë makina, andaj kisha bërë lutje për një semafor, që me pas mundësi me kalu rrugën sigurt”.

    Të shqetësuar për fëmijët e tyre prindërit duhet t’i shoqërojnë vazhdimisht ata për në shkollë.

    “Fëmijët asnjëherë si lë vetë, gjithqysh duhet me pasë përcjellje”.

    Nevojën për semafor apo nënkalim e shohin të domosdoshme për evitimin e rrezikut edhe mësimdhënësit dhe drejtori i shkollës.

    “Ka pasur raste para dy muajve që një nxënëse, veçse ka pasë aksident nga një automjet, i cili ka lëvizur me shpejtësi të madhe. Ka nevojë të merret diçka, ndonjë semafor, ndonjë mbikalim, nënkalim ose diçka tjetër”.

    “Përgjigjja e infrastrukturës është se kjo rrugë është në fazat e zgjerimit dhe pa përfundu rruga nuk ka mundësi të punohet me ndonjë projekt për kalimin e këtij rreziku”.

    Për këtë problem është në dijeni edhe Ministria e Infrastrukturës, por buxheti për sanimin e këtij problemi nuk është i mjaftueshëm.

    “Nuk ka një masë deri të bëhet rregullimi i rrugës me 4 korsi. Ka ndarë buxhet Qeveria e RKS-së për këtë rrugë, mirëpo shuma është shumë e vogël. Shpresoj që me rishikim të buxhetit, nëse ka nga ana e Ministrisë, me bo diçka mu kry ky projekt që ka mbetë në gjysmë.”

    Ndryshe, ky projekt pritet të fillojë këtë vit, ndërsa nuk dihet saktësisht kur do të zgjidhet problemi për banorët dhe nxënësit e shkollës.

     

     

  • Njoftime mortore nëpër shtylla elektrike në kryeqytet

    Njoftime mortore nëpër shtylla elektrike në kryeqytet

    PËRGATITI: SARA SHEHU  

    Qytetarët në kryeqytet ankohen se shtyllat e energjisë elektrike janë të stërmbushura me njoftime mortore. Ata kërkojnë që komuna të krijojë një vend të posaçëm për këto njoftime. Komuna tha se ka një plan të ri për këtë problem.

    “Në çdo shtyllë të energjisë elektrike në kryeqytet janë të vendosura njoftimet mortore, situatë kjo e cila është shqetësuese, sipas qytetarëve”.

    Qazim Sejdiu, i cili jeton në Prishtinë, thotë se shtyllat elektrike tash e sa vite janë të stërmbushura me njoftime mortore.

    Sipas tij, do duhej të jetë një vend adekuat për këto lajmërime.

    “Vendosja e njoftimeve mortore është shumë shqetësuese tash e shumë vite, është për të ardhur keq se sheh shumë fytyra të të vdekurve, nuk është e hijshme kjo. Do duhej të kishte një vend të posaçëm për vendosjen e njoftimeve mortore”.

    Se komuna duhet të marrë masa e thonë edhe qytetarët e tjerë.

    “Kjo situatë është për të të ardhur keq, trishtuese, është dashur me pasë një vend pikërisht për këto lloj njoftime”.

    “Komuna duhet me bo një vend adekuat për këto njoftime, sa më parë aq më mirë”.

    Megjithatë, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë ATV-së, se kanë një plan pikërisht për këto njoftime

    “Për njoftime mortore shfrytëzohen hapësira të ndryshme, të cilat është e vërtetë se nuk janë të përshtatshme dhe as të dedikuara për diçka të tillë. Kemi bërë maksimumin që hapësirat që tani është bërë praktikë të shfrytëzohen për njoftime mortore, të pastrohen, mirëpo në të njëjtën kohë e kemi planifikuar në njërën prej kontratave të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, të kemi një pozicion për furnizim me shtylla display, të dedikuara për njoftime mortore”.

    Por, ai nuk dha një afat kohor brenda së cilit do të realizohet ky plan.

    Ndërkaq, udhëheqësit e Këshillit të Bashkësisë Islame kanë bërë të ditur për ATV-në, se njoftimet për të vdekurit do t’i publikojnë në të njëjtën mënyrë siç e kanë bërë deri më tani.

     

     

  • Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    Jetesa në mes të mykut e insekteve në ish-objektin e spitalit të mushkërive

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI  

    Shaip Bela, tash e 5 vjet, jeton i vetëm mes këtyre katër mureve në ish-objektin e spitalit të mushkërive në Kaçanik. Ai u vendos aty përkohësisht, me shpresën se do te kalojë në objektin e ri te banesa e socialit.

    Na kanë thanë për një banesë, në Kaçanik të Vjetër. Unë jam regjistru që 10-15 vite, por kurgja s’ka. Këtu janë familjet që kanë rast social edhe unë jam me social, e po presim çka po bohet a po na lëshojnë.

    Jeta në një objekt ku ka insekte e myk në secilin cep është shumë e vështirë për Belën, por thotë se është i detyruar të jetojë në të, sepse nuk ka zgjidhje tjetër.

    Jeta në këtë objekt është shumë e vështirë se ka shumë insekte. Jam detyru me ardhë këtu se s’kam pasë mundësi me pagu qira e për banesë e kom pyt komunën, m’kanë thanë hin veç mos dëmto kurgja.

    Sabedin Vishi, nënkryetar i komunës së Kaçanikut, fajin për vonesën e projektit të banesave të socialit ia lë Qeverisë. Sipas tij, ekzekutivi nuk e ka ndarë buxhetin me kohë.

    Projekti ka qenë në bashkëfinancim me Qeverinë. Qeveria është zotuar, por nuk ka mundur t’i bëjë ato pagesa dhe krejt kjo vonesë është bërë për shkak të mjeteve financiare.

    Ndërkaq, në banesat e socialit, përfituese do të jenë 36 familje që janë në asistencë sociale.

     

  • Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    Qeveria nuk do të formojë ekip të ri menaxhues

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të formojë ekip të ri menaxhues, për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pas shkarkimit të atij paraprak, i cili në Bruksel prezantoi draftin që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, sipas ekzekutivit tashmë diskutimet zhvillohen ne nivel politik.

    “Drafti i propozuar është i papranueshëm dhe shpreh vetëm dëshirat e Serbisë për të dëmtuar funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Në takim, Kryeministri Kurti propozoi vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë. Tashmë diskutimi është i bartur vetëm në nivelin politik. Në vijim, pritet të zhvillohet dhe takimi në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar në tërësi rreth vijimësisë së implementimit të pikave të marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të zbatimit.”

    Teksa e përshëndeti shkarkimin e katër anëtareve të propozuar nga Serbia, kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk pret që palët të pajtohen me propozimet e njëra-tjetrës.

    “Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë.”

    Pajtueshmëri mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket formimit të Asociacionit nuk pret as profesori universitar Milazim Krasniqi i cili kërkon themelimin e ekipit të ri menaxhues.

    “Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë qeverinë e Kosovës. Sepse ky Komision, ekipi menaxhues nuk kanë pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi, prandaj ka shumë punë në këtë aspekt”.

    Derisa, Qeveria e Kosovës lirimin nga detyra të ekipit menaxhues e arsyetoi me përfundim të mandatit pas prezantimit të draftit, Bashkimi Evropian e vlerësoi në kundërshtim me frymën e dialogut.

  • ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    ​Qeveria: Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes bazike dhe një të planit të Zbatimit

    Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit.

    Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka postuar një përmbledhje, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë.

    “Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”, ka shkruar ai.

  • ​Kurti: Luani nga Gllogjani me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim

    ​Kurti: Luani nga Gllogjani me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e rënies së heroit Luan Haradinajt, ka shkruar se ishte një djalosh luan nga Gllogjani, që bëri aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim.

    Kurti ka shkruar në Facebook se ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së.

    “Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj! I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin. Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap. Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur. I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së. Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve”, ka shkruar ai.