ATV

Blog

  • Gigi dhe Leonardo u panë sërish së bashku

    Gigi dhe Leonardo u panë sërish së bashku

    Modelja Gigi Hadid dhe Leonardo DiCaprio janë fotografuar sërish bashkë në Manhattan.

    Ata ishin në një restorant Italian dhe Leonardo ishte larguar nga aty I pari dhe pas 3 minutave modelja, transmeton atvlive.tv.

    Nuk është hera e parë që ata shihen në praninë e njëri tjetrit, por hera e fundit që u panë bashk ishte muaji mars pas eventit të çmimeve Oscar.

    Ndryshe, Leonardo muaj më parë kishte bërë një deklaratë duke thënë se nuk ndjehet mirë që akuzohet për lidhjet e tij të dashurisë me vajza shumë më të reja në moshë.

    Sidoqoftë, Gigi Hadid dhe Leonardo DiCaprio kanë 20 vite diferencë në moshë.

    Ndryshe nga Leonardo, Gigi Hadid ka një vajzë dy vjecare me ish të dashurin e saj, Zayn Malik./atvlive.tv/

  • Nxitoi ta kryente krimin para se t’i mbushte 14 vjeç, detaje nga telefoni i 13-vjeçarit që vrau 9 persona

    Nxitoi ta kryente krimin para se t’i mbushte 14 vjeç, detaje nga telefoni i 13-vjeçarit që vrau 9 persona

    Ka përfunduar hetimi i telefonit të 13-vjeçarit i cili vrau tetë bashkëmoshatarë, rojën e shkollës Dragan Vlahoviq dhe që plagosi shtatë persona, në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”.

    Policia ka konfiskuar menjëherë telefonin e tij, si dhe kompjuterët dhe i gjithë materiali ishte dërguar për ekspertizë.

    Siç shkruan medium serbe “Politika”, pas hulumtimit të telefonit u konstatua se ai kishte planifikuar me detaje vrasjen e tmerrshme, si dhe të gjitha rrethanat për të shmangur burgun.

    Është konstatuar se menjëherë para krimit, ai ka kërkuar në internet kodin penal të Serbisë për të hetuar nëse fëmijët mund të mbajnë përgjegjësi penale dhe cilat janë dënimet.

    Në bazë të kërkimit të tij, konstatohet se sulmin në shkollë e ka organizuar tani sepse e dinte se i kishin mbetur më pak se dy muaj deri në ditëlindjen e tij të 14-të dhe se i kishte mbetur edhe aq kohë për t’u trajtuar si i papërgjegjshëm penalisht nëse kryente një krim.

  • Julia Roberts tregon përse qëndron e distancuar nga Hollivudi

    Julia Roberts tregon përse qëndron e distancuar nga Hollivudi

    Ka 4 vite që aktorja Julia Roberts nuk është aktive në Hollivud siç ishte dikur dhe ajo ka shpjeguar se arsyeja është se ka dashur të përqëndrohet tërësisht te martesa dhe fëmijët e saj.

    Ajo theksoi se nuk do të thotë se është larguar përjetësisht nga aktrimi por ka pasur nevojë të jetë sa më afër familjes, duke thënë se balancimi i kohës mes njerëzve të dashur dhe pasionit për aktrim është mjaft I vështirë për të, transmeton atvlive.tv.

    Julia tha se sa më shumë vitet kalojnë, aq më selektive bëhet sa i përket roleve të saj në filma.

    Julia Roberts ka qenë prezente në filma që nga viti 1986 dhe shpesh ka treguar se e kaluara e saj ishte mjaft e vështirë, por dashuria për aktrimin e kishte bërë më të fortë dhe më pozivite në situata të ndryshme të jetës së saj./atvlive.tv/

     

  • FSK përfundon edhe një ushtrim në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”

    FSK përfundon edhe një ushtrim në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”

    Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”, ka përfunduar ushtrimin fushor “Steel Alpha 2023”.

    Në këtë ushtrim sipas njoftimit janë kryer stërvitje për operacione të mbrojtjes, sulmuese, të sigurisë dhe stabilitetit.

    “Në kuadër të përgatitjeve për Ushtrim “Defender Europe 2023”, është realizuar Ushtrimi Fushor “Steel Alpha 2023” për valdimin e Kompanisë A dhe Togut IVR nga Regjimenti i Dytë i Forcave Tokësore. Në këtë ushtrim janë kryer stërvitje për operacione të mbrojtjes, sulmuese, të sigurisë dhe stabilitetit, duke i përfshi këtu edhe stërvitjet në nivel kompanie (LFX) me të gjitha sistemet e armatimit”, thuhet në njoftim.

  • OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    Kreu i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore paralajmëroi se situata rreth centralit bërthamor në Zaporizhia, që kontrollohet nga Rusia është bërë më e “e rrezikshme” pasi zyrtarët e emëruar nga Moska filluan evakuimin e njerëzve nga zonat e rreth centralit.

    Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi bëri thirrje për masa të forta për të garantuar funksionimin e sigurt të centralit bërthamor më të madh në Evropë, ndërsa autoritetet po evakuojnë banorët në qytetin e afërt të Enerhodarit.

    “Situata e përgjithshme në zonën pranë termocentralit bërthamor në Zaporizhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”, tha zoti Grossi përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

    “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore me të cilat përballet centrali. Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar kërcënimin e një aksidenti të rëndë bërthamor dhe pasojat që mund të ketë mbi popullatën dhe mjedisin.”

    Zoti Grossi tha se ndërsa personeli i centralit bërthamor në Zaporizhia vazhdon të jetë në krye të detyrës, punonjësit dhe familjet e tyre janë në një “tension gjithnjë e më të madh”.

    Guvernatori i emëruar nga Rusia i pjesës së kontrolluar nga Moska të rajonit të Zaporizhzhias në Ukrainë tha të premten se ai kishte urdhëruar evakuimin e fshatrave afër vijës së frontit pasi në ditët e fundit bombardimet në atë zonë ishin intensifikuar.

    Një kundërofensivë e pritshme pranverore e Ukrainës kundër forcave ruse mund të shtrihet edhe në rajonin e Zaporizhias, 80 për qind e të cilit kontrollohet nga Moska.

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të dielën se banorët po evakuohen në drejtim të Berdianskut dhe Prymorskut në brigjet e Detit Azov.

    Forcat ruse pushtuan centralin bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë disa ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin kundër vendit fqinj në shkurt të vitit 2022. Shkëmbime zjarri kanë ndodhur shpesh pranë objektit, për të cilat palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

    Zoti Grossi vizitoi për herë të fundit centralin bërthamor në Zaporizhia, në mars, në kuadër të përpjekjeve për të biseduar me të dyja palët për arritjen e një marrëveshjeje mbi masat mbrojtëse për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit.

    Ai ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e operacioneve ushtarake rreth centralit bërthamor, i cili ndodhet në pjesën e rajonit të kontrolluar nga forcat ruse. /VOA

  • Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të varfërohet edhe më tepër, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria

    Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të varfërohet edhe më tepër, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria

    Ekspertët e ekonomisë po vlerësojnë se vendi nuk është në rrugë të duhur sa i përket zhvillimit ekonomik. Ata i thanë Ekonomia Online se në vend ka rënie të investimeve kapitale, nuk ka fuqizim të sektorit privat, nuk ka investime të huaja dhe se rekomandimet e eksperteve nga Qeveria po merren si armiqësi.

    Ata po ashtu janë të shqetësuar se vendi mund të kalojë në një shtet social dhe mund të varfërohet edhe më tepër.

    Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërgjaliu, tha se në vend ka rënie të investimeve kapitale dhe për këtë cështje është i domosdoshëm reagimi i Qeverisë.

    Ai tha se rekomandimet e eksperteve po shndërrohen në armiqësi nga pushteti dhe se në vend është shndërruar një qasje anti-biznes.

    “Duhet që të kuptohet se sot si ekspert i ekonomisë, të thuash diçka në interes të shtetit dhe qytetarit e pranohet si armiqësi përballë pushtetit edhe vërtet ne e kemi shumë të vështirë të japim konkludime dhe rekomandime tona sepse ato po shndërrohen në armiqësi. E dyta në këtë situatë dhe më këta parametra ekonomikë që ka Kosova ku kemi rënie të investimeve kapitale, kemi rënie të investimeve kapitale në nivel lokal, kemi këtë distancë të komunikimit dhe të dialogut, e kemi një qasje anti-biznes do të thotë se vërtet janë rrethana shqetësuese që duhet t’i brengos pushtetin, në veçanti ministrin e Financave”, tha ai.

    Gërxhaliu shtoi se Kosova është në rrezik që të shndërrohet në shtet social dhe sipas tij, me një qasje të tillë vendi vetëm do të varfërohet.

    Ai tha se është koha kur duhet që shteti të reflektojë të hartojë projekte në mënyrë që të ketë rimëkëmbje ekonomike përmes sektorit privat.

    “Vetë faktin që në vitin 2022 ke vetëm 13 për qind të shfrytëzimit të buxhetit për projekte kapitale, është e para, e dyta kam dro që tentativën është Kosova të shndërrohet në një shtet social dhe me veprimin të tilla ad-hoc dhe me një qasje sociale Kosova vetëm varfërohet. Nuk ka zhvillim nuk ka fuqizim të sektorit privat, nuk ka investitor dhe investime të huaja dhe si mund të krenohemi me këto rezultate”.

    “Në fund të fundit sa më tepër të ruhet paraja sot në këtë kohë të inflacionit ajo vetë vetë ju përjeton amortizim moral apo devalvohet. Është koha kur duhet që të kemi reflektim, duhet të kemi partneritet, duhet që të kemi projekte, duhet që të kemi rimëkëmbje ekonomike përmes sektorit privat dhe jo gjithmonë sektori private të jetë ai që do të jetë i atakuar sepse çdo atakim përballë sektorit privat është atakim direkt tekë qytetari i Kosovës”, tha ai.

    Ekonomisti Jakup Bellaqa, tha se duke marr parasysh që Kosova ka një ekonomi jo të zhvilluar duhet që të merren hapa që të frenohet inflacioni dhe të mos vështirohet jeta e qytetarëve.

    “Çdo Qeveri është e suksesshme në rast që merr masa dhe e zvogëlon dhe e frenon inflacionin dhe papunësi. Edhe ne si ekonomi që jemi në zhvillim dhe jo e zhvilluar do të ndikonte negativisht ne ngritjen e cilësisë së jetës. Këtu duhet që të ngritët cilësia e jetës, për tu ngritur ajo duhet që të frenohet inflacioni dhe duhet të frenohet mos rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Duhet në këtë aspekt që të merren masa stabilizuese që të mos vështirohet jeta e qytetarëve”, tha ai.

    Ai po ashtu bëri thirrje që të mbështeten më shumë prodhuesit vendës, raporton EO. Madje sipas tij, duhet që të ndërmerren politika fiskale në artikujt bazik, ku TVSh të zbresë nga 18 për qind sa është tani, në 5 për qind.

    “Duhet të ketë politika doganore më të favorshme, të ketë më shumë eksport se sa import, taksat doganore duhet që të ulen. TVSh-ja duhet që të lihet brenda, jo edhe në kufi edhe brenda në mënyrë që të favorizohen prodhuesit e brendshëm”.

    “Kostoja e prodhuesve të vendit është më e ulët dhe do të kemi çmime tregu dhe çmime të prodhuesit, sepse çmimet janë ngritur dhe ende janë shumë të larat sepse kostot varëse të cilat ndodhin për shkak të transportit për shkak të doganave, taksave doganore edhe TVSh -së së brendshme. Andaj do të duhet që edhe si politikë fiskale të ndërhyje në artikujt bazike, TVSh duhet që të zbres nga 18 për qind në 5 për qind në artikujt bazike, po jo ti iket TVSh-ja”, tha ai.

  • Britania do të lirojë të burgosurit, i duhen 1.2 milion punëtorë

    Britania do të lirojë të burgosurit, i duhen 1.2 milion punëtorë

    Të burgosur, shpëtojeni ekonominë britanike. Kështu, siç zbulon gazeta “Times”, qeveria e Rishi Sunak, në vend që të lehtësojë vizat për emigrantët, ka vendosur të lirojë mijëra të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar, duke u ofruar atyre liri të përditshme në këmbim të punës, veçanërisht në sektorët më të prekur, si ai i kulinarisë, mikpritjes, shërbimit, ndërtimit dhe transportit.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, për më shumë se një vit, ka 1.2 milionë vende të lira pune që nuk mund të plotësohen për arsye të ndryshme: pasojat e Covid-19, siç ndodh vërtet edhe në vendet e tjera evropiane, dhe nga një ekonomi globale e paqëndrueshme për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacioni që vjen bashkë me të. Por kjo plagë duket se përkeqësohet në të gjithë shtetin ishull nga Brexit dhe sistemi i ri dhe shumë i ashpër i imigracionit, i bazuar në pika, sipas modelit australian, i cili komplikon ndjeshëm fluksin e lehtë të punëtorëve evropianë dhe nga vendet e trete, siç ishte përpara se Londra t’i thoshte lamtumirë familjes së Bashkimit Evropian.

    Për ekspertët, ku është një paradoks i vërtetë fakti se mijëra emigrantë, përfshirë dhe ata shqiptarë, që rrezikojnë jetët e tyre duke kaluar ilegalisht kanalin deportohen për në atdheun e tyre, pa marrë parasysh kualifikimin apo lehtësimin e barrës për bizneset që nuk përmbushin stafin e tyre.

  • Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Komunat e Mitrovicës dhe Skenderajt janë pa furnizim me ujë të pijes për shkak të një defekti teknik i cili ka ndodhur në impiantin për trajtimin e ujit në Shipol.

    Sipas njoftimit për media nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar në sanimin e defektit.

    Është bërë e ditur që pritet që deri në orët e pasdites të rregullohet problemi dhe të rikthehet furnizimi me ujë të pijes.

  • Ekonomistët për Fondin Sovran: Jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik, strehë e punësimeve partiake

    Ekonomistët për Fondin Sovran: Jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik, strehë e punësimeve partiake

    Njohësit e çështjeve ekonomike janë shprehur pesimistë që me themelimin e Fondi Sovran “do stabilizohet ekonomia në Kosovë”, siç parashikoi kryeministri Albin Kurti të dielën gjatë një konference për media, teksa njoftoi se institucionet kosovare janë një hap më afër themelimit të Fondit Sovran.

    Madje për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, Fondi Sovran “është jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik”, meqë sipas tij, janë ministritë që merren me zhvillim ekonomik.

    “Unë jam pesimist që mund të ketë sukses ky fond. Më shumë Qeveria ka tendencë që t’i kontrollojë asetet e shtetit. Fondi Sovran do jetë një institucion për t’i centralizuar burimet dhe për t’i sistemuar bashkëpartiakët e tyre nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Shatri për Albanian Post.

    Profesori i Ekonomisë mendon se për ta zhvilluar vendin, Qeveria duhet të bëjë politika aktive makro-ekonomike.

    “Duhen politika fiskale për t’i ulur taksat për bizneset dhe të rriten investimet qeveritare duke marr kredi të mira. Në këtë mënyrë aktivizohet i gjithë potenciali”, shton ai.

    “Kjo qeveri i ka rritur tatimet dhe i ka bllokuar mjetet e buxhetit, kjo është forma ma pasive që mundet ta ketë një vend në botë. Mjetet e ndara në buxhet për investime kapitale nuk i kanë futur në punë. I kanë humbur dy vjet”.

    Në anën tjetër, ekonomisti Shyqeri Bytyqi, mendon se në përgjithësi krijimi i fondeve të tilla ka synim pozitive në ekonomin e një vendi, por sqaron se “fondet e sovranitetit krijohen nga vendet që kanë pasuri të mëdha natyrore apo teprica të fondeve të ndryshme përfshi edhe tepricat fiskale apo të eksportit”.

    Por, ai vuri në pah se në këto koncepte “Kosova nuk është shumë e shquar” me përjashtim të mungesës së mirë menaxhimit të buxhetit të shtetit që në shumicën e rasteve mbetet suficit.

    “Fondet sovrane luajnë një role të rëndësishëm në nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Megjithatë, rreziqet për një performancë pozitive të këtij fondi mbesin ato politike dhe menaxhues. Kosova ka përjetuar vazhdimisht jo stabilitet politik, gjë që mund të ndikojë në mos-arritjen e objektivave të fondit”, potencoi ai për AP.

    Prandaj, për Bytyqin, “ka rrezik” që fondi ta humb rolin e vet themelues dhe të mbetet vetëm si financues i ndërmarrjeve publike jo rentabile, “apo edhe që fondi të bëhet strehë e lehtë e punësimeve partiake”.

    “Është tejet e rëndësishme që fondi të menaxhohet në mënyrë të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm në të kundërtën jo që do të ndikon pozitivisht në përkrahje të zhvillimit ekonomike, por do të bëhet një pengesë e zhvillimit të tregut të lirë. Në fakt, praktika nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit na rezulton që menaxhimi ka lenë për të dëshiruar”.

    Çka është Fondi Sovran?

    Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

    Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

    Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

    Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

    Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

    Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

    Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.

  • Mbipopullimi i shkollave në kryeqytet ndikon në cilësi

    Mbipopullimi i shkollave në kryeqytet ndikon në cilësi

    Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë, për shkak të mbipopullimit, është detyruar që mësimin ta zhvillojë me tri ndërrime me orar të shkurtuar. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se kjo situatë do të zgjidhet pasi të ndërtohen edhe shkollat e planifikuara në këtë zonë.

    Nxënësit e klasës së 6 të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, në lëndën e mësimore ‘Edukata qytetare’ mësojnë të drejtat e tyre që u takojnë si fëmijë. Por mbarëvajtja e mësimit në këtë lëndë me numër të madh të nxënësve mbetet sfiduese.

    “Është e vështirë edhe puna e ligjërimit edhe puna e vlerësimit në krahasim me numrin e vogël të nxënësve. Vërehet dallimi. E kemi vërejt dallimin edhe me grupe në kohën e pandemisë kur kemi punuar, se suksesi më i madh arrihet kur numri është shumë më i vogël”, ka thënë për RTK-në Hatixhe Jakupi, mësimdhënëse e lëndës “Edukatë Qytetare”.

    1700 nxënës ka aktualisht kjo shkollë, ndërsa objekti ka kapacitet deri 800 nxënës. Si rrjedhojë drejtuesit e shkollës janë detyruar që mësimin ta ndajnë në 3 ndërrime dhe me orar të shkurtuar.

    “Ndërresa e parë fillon në 7;30, e dyta në 12 e 20, e treta në 15:40 minuta. Por kjo krejt e bartë edhe një dëm për cilësinë e mësimdhënies të zhvillimit të një procesi edukativo arsimor me pengesa të mëdha sepse kemi qenë të detyruar edhe orët mësimore t’i shkurtojmë nga pak. P.sh. 4 orët e para janë 40 minuta, aty ku janë nga 6 orë, derisa e 5-ta dhe e 6-ta janë nga 35 minuta. Përndryshe, ndërresa e tretë do të shkonte deri në orën 21:00”, ka theksuar Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës “Pavarësia”.

    Ekspertët e arsimit thonë se mbipopullimi i nxënësve në shkolla kontribuon në uljen e cilësisë në arsim.

    “Ajo që na dëshmohet në çdo klasë padyshim që shkollat më 3 ndërrime, janë më shumë të imponuara me kushte jo më të mira të punës për mësimdhënësit, me kushte jo më të mira për mësimnxënie për nxënësit dhe të gjitha këto së bashku, padyshim që na kontribuojnë në një cilësi më të ulët”, është shprehur Rinor Qehaja nga Instituti Edguard.

    Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se deri në shtator të këtij viti, shkollës fillore “Pavarësia” do t’i shtohet edhe një aneks.

    “Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i aneksit dhe parashihet që të bëhet gjatë sezonit të verës. Shpresojmë shumë që të përfundojë gjithçka në shtator sepse është një ankesë që aneksi nuk është shumë i madh. Nga shtatori besoj se nxënësit e shkollës ‘Pavarësia’ do të kenë më shumë hapësira”, ka thënë Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

    Sipas saj, përurimi i shkollës së re në lagjen “Qëndresa” në Veternik dhe dy të tjerave që do të nisin së shpejti, njëra në Mati 1 dhe tjera në Sofali, do të kontribuojnë në lirimin e hapësirave në shkollën “Pavarësia”.