ATV

Blog

  • Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha më 8 maj se është e domosdoshme të stabilizohen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra dhe veprash” kthyen raportet në gjendje të ngrirë.

    Qin, gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan Nicholas Burns, tha se SHBA-ja veçmas duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit dhe duhet të ndalojë së mosrespektuari principin “e një Kine”.

    Raportet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj.

    Në përgjigje, Kina ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-në, veçmas ato mes dy ushtrive.

    “Prioriteti kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo aksident midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Qin gjatë takimit me Burns, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

    Tensionet midis dy superfuqive u ulën nëntorin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me liderin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Indonezi dhe udhëheqësit u zotuan për dialog më të shpeshtë.

    Por, tensionet u rritën sërish në shkurt kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane, duke detyruar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të anulonte vizitën e tij në Pekin.

    “Që atëherë, një seri fjalësh të ashpra dhe veprash nga SHBA-ja kanë minuar momentumin pozitiv, të fituar me mund, në raportet Kinë-SHBA”, tha Qin.

    Ambasadori Burns përmes një postimi në Twitter tha se gjatë takimit me Qin ka folur edhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

    “Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë”, tha Burns.

    Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet midis Kinës dhe SHBA-së.

    Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

    Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

    Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh./REL/

  • Presidentja Osmani takohet me emisarin britanik, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja Osmani takohet me emisarin britanik, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Londër, është takuar me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach.

    Osmani tregoi se me të kanë diskutuar për hapat e rëndësishëm në dialog dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

    “Diskutuam zhvillimet e fundit duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialog, integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të forcuar më tej lidhjen dhe bashkëpunimin tonë me Britaninë e Madhe”, ka shkruar Osmani.

  • ​Distria Krasniqi kalon pengesën e parë

    ​Distria Krasniqi kalon pengesën e parë

    Distria Krasniqi ka kaluar pengesën e parë në Botërorin e xhudos.

    Në rrethin e dytë të kategorisë deri 52 kg, Distria e eliminoi gjermanen Mascha Ballhaus.

    Ndaj saj realizoi hedhje të bukur në kohën shtesë.

  • Konjufca takohet me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka

    Konjufca takohet me homologun e tij austriak, Wolfgang Sobotka

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

    Takimi është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës ku pas takimit Konjufca dhe Sobotka do të mbajnë një konferencë për medie.

    Po ashtu gjatë ditës kryetari Sobotka, do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

  • Moment historik: Rruga e parë në New York në emër të Ismail Qemalit

    Moment historik: Rruga e parë në New York në emër të Ismail Qemalit

    Qyteti i New York-ut ka vendosur të nderojë një nga heronjtë e shquar të Shqipërisë duke i vënë emrin e tij një rruge. Rruga, e cila është hera e parë që mban emrin e një heroi shqiptar në këtë qytet të madh amerikan, do të mbajë emrin e Ismail Qemalit, figurës kryesore të pavarësisë shqiptare dhe presidentit të parë të shtetit të pavarur shqiptar.

    Emërimi i një rruge në emër të Ismail Qemalit në New York nuk është vetëm një nderim për figurën e tij historike, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në qytetin e madh amerikan.

    Shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme dhe më të vjetra të diasporës në New York, dhe emërtimi i një rruge me emrin e një heroi kombëtar shqiptar përforcon identitetin dhe pranimin e tyre në këtë qytet.

    Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, Naser Nika, dhe biznesmeni Shpëtim Qorraj, djali i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Pemishta e Drenicës, janë në përpjekje të vazhdueshme për të realizuar një ndër arritjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York.

    Siç kanë bërë të ditur për Dukagjinin, ata po angazhohen intensivisht për të emëruar rrugën e parë në Staten Island në nderim të një heroit shqiptar, duke e bërë kështu një ngjarje të pazakontë dhe historike.

    Në një ceremoni emocionuese që do të zhvillohet më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, do të festojë momentin historik – emërimin e rrugës “Ismail Qemalin”.

    Ceremonia do të zhvillohet në Miller Field, një park i njohur i Parkut Board Walk, që ndodhet përball Rrugës Seaview Ave dhe Father Capedaano Blvd, në Staten Island.

    Aktivitetet e ceremonisë do të jenë të shumta dhe do të kënaqin të pranishmit me një atmosferë festive.

    Muzika shqiptare do të dëgjohet në tone të larta, recitimet do të përshkruajnë historinë dhe kontributin e Ismail Qemalit, ndërsa vallëzimet tradicionale do të japin një frymë autentike kësaj ngjarjeje.

    Komuniteti shqiptar në të gjitha trojet do të mblidhet për të festuar këtë moment të rëndësishëm dhe për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për trashëgiminë e tyre kulturore.

    Rruga “Ismail Qemali” do të jetë një kujtim i përhershëm i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë dhe do të shërbejë si një shenjë e unitetit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare dhe amerikane New York.

    Ismail Qemali lindi në vitin 1844 në Vlorë dhe u bë figura kryesore e lëvizjes për pavarësi në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1912, ai shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe u bë kryetari i parë i shtetit të pavarur shqiptar.

  • Ministria e Bujqësisë kërkon nga bujqit shfrytëzimin e afateve optimale për kultivimin e specit

    Ministria e Bujqësisë kërkon nga bujqit shfrytëzimin e afateve optimale për kultivimin e specit

    Ministria e Bujqësisë ka dhënë mesazh për fermerët me rastin e mbjelljeve pranverore për kulturat e ndryshme perimore, kjo me qëllim ofrimin e të dhënave orientuese.

    Periudha për mbjellje pranverore për kulturat e ndryshme perimore ka nisur në vendin tonë, dhe për këtë Ministria e Bujqësisë ka shkruar se për të qenë të suksesshëm fermerët në aktivitetin e tyre bujqësor, kërkohet të shfrytëzohen afatet optimale për kultivimin e specit në fushë të hapur.

    “Speci është bima kryesore perimore në Kosovë, si për nga sipërfaqet ashtu edhe për nga rëndësia ekonomike. Forma dominuese e kultivimit të specit është kultivimi në fushë të hapur. Përmes këtij mesazhi ju japim disa informata të rëndësishme për një prodhimtari të suksesshme të specit në fushë te hapur”, thuhet në njoftim.

    Kërkesat ndaj kushteve klimatike

    Sipas ministrisë, temperatura, drita dhe uji janë faktorët kryesorë, dhe nëse këta faktorë janë në favor dhe në sasi çfarë I kërkojnë perimet në përgjithësi dhe speci në veçanti rendimenti nuk do të mungoj, nëse kësaj I kanë parapri edhe të gjitha masat tjera agroteknike, siç janë: Lëvrimi me kohë dhe cilësorë, përdorimi I plehrave në sasi të nevojshme, ujitja cilësore të formës ike-pikë për objektet e mbrojtura dhe në formë shiu për specin e kultivuar në sipërfaqe të hapura.

    Nxehtësia

    “Në bazë të hulumtimeve të shumta është vërtetuar se temperaturat optimale për rritjen dhe zhvillimin e bimës së specit sillen në kufijtë 25 ± 5 – 70C. Fara fillon të mbijë në 130C, ndërkaq temperatura optimale për mbirje është 250C. Temperaturat e ulëta nën 15oC, sidomos nëse ato shoqërohen me mungesë të dritës, mund të sjellin deri tek rënia e luleve”, thuhët në mesazh.

    Drita

    Sipas këshillave të Ministrisë së Bujqësisë, speci është bimë tipike me kërkesa të mëdha për dritë (heliofite), duke filluar nga fazat e hershme të rritjes së bimëve. Në kushte të mungesës së dritës bimët e specit zgjaten, etiolizohen dhe lulet dhe frutat e porsaformuara bien.

    Lagështia

    Sa i përkët lgështisë, MBZHR thekson se kërkesat e specit për lagështi janë mjaft të theksuara në të gjitha fazat e rritjes dhe zhvillimit të bimëve. “Deri në kohën e frutifikimit, lagështia në tokë është e preferuar që të jetë afër 70% të kapacitetit fushor ujor, ndërkaq në kohën e frutifikimit 80%. Pra, rritje më të hovshme të masës mbitokësore (kërcelli, gjethet dhe frutat) te speci kemi kur lagështia e tokës mbahet në nivelin e 70-80 % të kapacitetit ujor tokësor dhe lagështia e ajrit sillet prej 60-80%”.

    Sipas ministrisë, po ashtu edhe nga plehrat organik rëndom përdoret plehu i stallës dhe atë në sasi 30 – 50 t/ha. Sasitë orientuese të lëndëve ushqyese, në formë të materieve aktive, për rendimentin e planifikuar prej 35 – 40 t/ha, do të ishin: 130 – 150 kg N/ha, 80 – 100 kg P2O5/ha dhe 150 – 250 kg K2O/ha.

    Kështu, afatet e dhënies së plehrave minerale, duhet të adaptohen mënyrës së prodhimit, kultivarit dhe qëllimit të prodhimit.

    Ndërrimi i fidanëve në fushë

    Përgatitja e mirë e tokës është parakusht i rëndësishëm në prodhimin e suksesshëm të specit. Toka duhet të përgatitet në atë mënyrë që të krijohet në të një regjim optimal ujor-ajror.

    Për ndërrim fidanët duhet të kenë së paku 5– 6 gjethe, të jenë të shëndoshë dhe të kalitur mirë. Është e preferuar që fidanët të ndërrohen së bashku me dheun-substratin në të cilin ndodhet fidani.

    “Ujitja me pika përfaqëson mënyrën më të përshtatshme të ujitjes së bimëve. Nëpërmjet ujitjes me pika, prod¬huesi ka mundësi të kontrolloj me saktësi dozat e ujit dhe të ple¬hrave që u du-hen dhënë bimëve. Për pasojë, rritet mundësia për të reali¬zuar prodhime të larta dhe me cilësi më të mirë. Andaj, në prodhimin intensiv të specit është e preferuar që çdo herë të përdoret ujitja pikë-pikë”, thuhet në këshillat e orientuese të Ministrisë së Bujqësisë.

  • Kurti nderohet me një çmim nga Forumi Ekonomik i Vjenës

    Kurti nderohet me një çmim nga Forumi Ekonomik i Vjenës

    Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Prishtinë, për herë të parë, Forumi Ekonomik i Vjenës po mban konferencën Vienna Economic Talks – Prishtina 2023.

    Kryeministri Kurti ishte folës kryesor në sesionin hyrës, me ç’rast iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe i njoftoi ata për progresin dhe arritjet në dy vitet që po lëmë pas dhe për synimet e përbashkëta për vitet që na presin në të ardhmen.

    Përgjatë tri sesioneve, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal në fushën e investimeve përmes inovacionit teknologjik.

    Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti, në emër të Republikë së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, pranoi çmimin nga Forumi Ekonomik i Vjenës për bashkëpunim dhe kontribut të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik të nivelit nacional dhe rajonal, çmim ky që u dorëzua nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Ambassador Victor Jackovich.

    Në fjalën e tij falënderuese, kryeministri Kurti bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim, ashtu që slogani i Forumit Ekonomik të Vjenës “Shkoni në jug lindje”, të bëhet sinonim me ‘nearshoring’ perëndimor. /kp

  • ​Xhaka në stilin e Zidane, godet me kokë kundërshtarin

    ​Xhaka në stilin e Zidane, godet me kokë kundërshtarin

    Derbi i xhiros së 32-të në Superligën e Zvicrës në futboll ndërmjet Baselit dhe Cyrihut përfundoi me fitoren e Cyrihut me rezultat 2-0.

    Ndeshja u përshkua me tensione të mëdha dhe si rezultat edhe u dhanë katër kartonë të kuq, tre për Baselin dhe një për Cyrihun, raporton KosovaPress.

    Te Baseli, në mesin e të ndëshkuarve me të kuq ishte edhe shqiptari Taulant Xhaka i cili në fund të ndeshjes shpërtheu duke goditur me kokë lojtarin kundërshtar Nikola Katiç.

    Pas këtij incidenti, Xhaka kërkoi falje përme snjë postimi në ‘Instagram’, por pretendoi se u fye në baza familjare.

    “Dëshiroj të përfitoj nga rasti për të kërkuar falje zyrtarisht për atë që ndodhi mbrëmë”, e nis deklaratën e tij Xhaka.

    Xhaka shpjegon se ka pasur ofendime verbale ndaj tij dhe familjes së tij para reagimit, por nuk dëshiron ta përdorë këtë si justifikim. “Si një lojtar me përvojë dhe kapiten i kësaj skuadre, kam një funksion model, sidomos në momente të vështira, të cilat fatkeqësisht nuk e kam shfrytëzuar në këtë situatë”, shtoi ai.

    Për këtë veprim, Xhaka mund të dënohet rëndë nga komisioni disiplinor.

  • Erza Muminoviq eliminohet që në luftën e parë në Botërorin e xhudos që po mbahet në Doha të Katarit

    Erza Muminoviq eliminohet që në luftën e parë në Botërorin e xhudos që po mbahet në Doha të Katarit

    Xhudistja Erza Muminoviq e ka përfunduar para kohe garën në Kampionatin Botëror të xhudos, që po mbahet në Doha të Katarit.

    Muminoviq u ndal në luftën e parë ndaj Aydan Valyeva, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Në këtë kategori do të garojë sot, edhe Distria Krasniqi.

  • Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim në rastin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua më 19 prill nën dyshimin për vepra penale korruptive.

    Ai po dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit dhe që nga ajo kohë po qëndron në paraburgim.

    Mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga ka konfirmuar për Reporteri.net se janë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me masën e paraburgimit.

    “Gjykata e Apelit nuk ka vendosur ende, nuk kemi ndonjë informacion se kur pritet të vendos, ne jemi në pritje të vendimit”, tha avokati Ibrahimaga.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Kundër këtij vendimi, mbrojtja e tij ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Njësia e Veçantë e Hetimeve kishte bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

    “Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.

    Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.