ATV

Blog

  • Azemi: Paga minimale në Kosovë duhet të jetë mes 500 dhe 600 euro

    Azemi: Paga minimale në Kosovë duhet të jetë mes 500 dhe 600 euro

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se paga minimale në Kosovë duhet të jetë mes 500 dhe 600 euro.

    “Paga minimale po ndryshon nga punëtorët që janë direkt në formacionin e sektorit privat dhe atyre që janë në publiko privat. Deri sa punëtorët që janë direkt të lidhura me kompanitë private, situata ka ndryshuar dhe realisht paga minimale që duhet të reflektojë sot, duhet të jetë prej 500-600 euro, kurse ne te punëtorët sikurse kalibri i këtij kolegut, kemi nga 180 euro deri në 250 euro që në të vërtetë nuk mund të mbijetohet”, tha Azemi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Azemi: Pjesa më e varfër në vend janë punëtorët e sektorit privat

    Azemi: Pjesa më e varfër në vend janë punëtorët e sektorit privat

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se pjesa më e varfër në vend janë punëtoret e sektorit privat.

    “Pjesa e varfër janë punëtorët e sektorit privat të Kosovës. Ajo i stimuloi punëtorët e sektorit publikë që ata, jo që janë në një gjendje shumë më të mirë, por janë shumë më mirë se sa ne dhe ata punojnë shumë më pak se sa ne, ata japin për shtetin shumë ma pak se sa ne dhe ata stimulohen e ne nuk stimulohemi”, tha Azemi.

    Ai tha se Qeveria i solli punëtorët e sektorit privat në një pozitë të lypësit.

    “Ne kemi thënë se Qeveria me një vendim që e solli tha “unë po ua japë edhe 50 euro nëse pronari ua jep juve”, që në njëfarë forme na vuri në një pozitë të lypësit që t’i lutemi pronarit të kompanisë “allahile m’i jepë 50 euro se që po don me mi dhanë edhe Qeveria””, u shpreh Azemi.

    Sipas tij, puntorët e sektorit privat janë të denigruar dhe për këtë faturën po e marrin jo vetëm kompanitë, por edhe shteti.

    “Ka bërë një vendim qesharak dhe po themi në çdo aspekt, punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë jashtëzakonisht shumë të denigruar, janë shumë të shkelur dhe realisht nganjëherë, tani faktuarën po e marrin edhe pronarët e kompanive, por po e merr edhe shteti, sepse ne kemi të dhëna të frikshme për njerëzit që janë duke i liruar vendet e tyre të punës. Kemi informacione të sakta sepse gati nuk ka kompani në Kosovë që nuk është e prekur me mungesë të punëtoreve, sidomos , në mungesë të punëtorëve të kualifikuar dhe realisht këta [punëtorë a më mirë është që të iku jashtë dhe në një far forme ta mbajë veten dhe familjen e vet, apo ta mbajë veç veten, i cili nuk mund ta mbajë as veten sepse tash një argument i tillë me 250 euro nuk mund ta mbajë një person e lëre më familjen dhe kur nuk ka diçka të garantuar se sot punon e nesër nuk punon e nuk merr përgjegjësi askush”, theksoi Azemi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Sarkozy humb apelin, do ta vuajë dënimin me burg

    Sarkozy humb apelin, do ta vuajë dënimin me burg

    Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, të mërkurën ka humbur apelin në gjykatë, lidhur me dënimin me burgim për korrupsion. Megjithatë, Gjykata e Apelit në Paris vendosi se në vend se të shkojë në burg, Sarkozy vitin e fundit të dënimit do ta vuajë në arrest shtëpiak, duke mbajtur në këmbë një byzylyk elektronik.

    Në 2021-ën, Sarkozy u dënua me tre vjet burgim, përfshirë dy vjet dënim me kusht, pasi ai kishte tentuar të ushtronte ndikim në një gjykatës. Pas vendimit të së mërkurës, avokatja e Sarkozy-t tha se do ta paraqesë një kundërshtim të ri në Gjykatën e Kasacionit, që është një nga autoritetet më të larta të Francës.

    Avokatja Jacqueline Laffont, tha se “Sarkozy është i pafajshëm dhe se çështjes do t’i shkohet deri në fund”. Ish-presidenti u dënua pasi tentoi të marrë informacion nga një gjyqtar i lartë në 2014-ën, pasi kishte përfunduar mandatin e presidentit.

    Prokurorët kishin bindur gjykatën se Sarkozy i kishte ofruar gjyqtarit një punë prestigjioze në Monako, në këmbim të informacioneve, lidhur me hetimet që po kryheshin ndaj fushatës së tij të 2007-ës.

    Gjykatësi dhe avokati i këtij rasti, gjithashtu, ishin dënuar me nga tri vjet burgim, dy prej tyre me kusht. Kjo është njëra ndër disa rastet për korrupsion në të cilat është përfshirë Sarkozy, i cili vazhdimisht ka mohuar të ketë shkelur ligjin.

    Nicolas Sarkozy, 68 vjeç, kishte shërbyer një mandat pesëvjeçar të presidentit, deri më 2014-ën.

    Ai kishte miratuar politika të ashpra kundër emigracionit dhe synoi ta reformonte ekonominë e Francës, gjatë një mandati presidencial që kishte mbetur nën hije nga kriza globale financiare. /atvlive.tv

  • Personat me aftësi të kufizuara hyjnë në grevë, nga 375 euro sa merrnin tash po marrin vetëm 150

    Personat me aftësi të kufizuara hyjnë në grevë, nga 375 euro sa merrnin tash po marrin vetëm 150

    225 euro më pak thonë se po marrin pensione mujore, personat me aftësi të kufizuara, ose nga 375 euro sa merrnin, tash po i marrin vetëm 150.

    Kjo për shkak se komisioni vlerësueses i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, i largoi ata nga grupi i parë, ku përfshihen personat që nuk janë të aftë të kujdesen për veten. Kështu, Komisioni vendosi që personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë janë të aftë që të kujdesen për vete dhe nuk kanë nevojë të paguhen për një person përcjellës e as për medikamente.

    Andaj, për t’i shprehur këto pakënaqësi dhe për të kërkuar ndryshimin e këtij vendimi, ata protestuan sot para Qeverisë.

    “Qeveria naj nalë paret e tjera, se na thonë jeni të aftë. Prej janarit 2018 i marr 150, e më takojnë 375 euro. Kemi bo ankesa, ku janë nuk i intereson. Na kanë premtuar, por nuk na kanë marrë parasysh. Qeverisë i themi në grevë jemi 24 orë, qetu deri ta fitojmë 375, edhe natën qetu na kanë, prej sot deri kur përfundon, deri të na japin të drejtën tonë”, tha Naim Hajdari, organizator i grevës.

    Protestës iu bashkua edhe Samire Gjokli, nga Ferizaj, e cila këtë pension e merr që nga 1981.

    “Jam e kategorisë së parë, po i marr vetëm 150 euro. Unë e marr pensionin prej viti 1981. Kam dalë në Komision e më ka vlerësuar për kategorinë e parë, edhe më shkrun në vendim: nuk ka nevojë me dalë në Komision se kjo nuk ka shërim. E kjo Qeveri na qet çdo tri vjen në Komision. Prishtina me lejon kategorinë e parë, Ferizaj ma refuzon. Krejt dokumente i kom, nuk m’i ka kontrollu askush. Të punojnë me rregull, mos t’i shkelin këta njerëz me kategori të rëndë. Me 150 euro nuk ia dalim as për barna. Me 150 euro marre, këta i kanë rrogat e mdhaja, na i duam të drejtat e tona”, tha Samire Gjokli, pjesëmarrëse.

    E vetmja që u interesua për hallin e tyre, ishte kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, e cila u premtoi se çështjen e tyre do ta adresojë në Komision.

    Unë nuk jam fajtore, unë jam për ta ndryshuar gjendjen. Unë kam shkuar dhe do të shkoj në Qeveri. Edhe marr premtim prej Qeverisë që do ta ndryshojë rregulloren sa më shpejt. Jemi duke pritur nga Qeveria që sa më shpejt. Na e kemi thirrë Qeverinë në takim, e kemi thirrë Sekretarin e Qeverisë, nëse ndryshon rregullore do të ndryshojë kjo çështje. Ne kemi premtim që Qeveria në kohë sa më të shkurtër do ta ndryshojë këtë rregullore. Qeveria e ka marrë një person me aftësi të kufizuar me ndihmua në këtë ndryshim”, tha Balje.

    Ekzekutivi synon që përmes projektligjit për pagën minimale që është votuar vetëm në lexim të parë në Kuvend, personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë të mos i përfshijë në pagën minimale, që pritet të jetë 264 euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kimete Gashi thotë se u shkarkua nga OSHP-ja pa fakte

    Kimete Gashi thotë se u shkarkua nga OSHP-ja pa fakte

    Diskutimit rreth pagës minimale, ndonëse në rend dite, nuk i erdhi radha.

    E gjithë vëmendja në mbledhjen e komisionit për Buxhet ishte tek anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Në këtë komision është diskutuar edhe vendimi i Qeverisë për shkarkimin e njërës prej anëtareve të Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, lidhur me vendimin pro importit të insulinave pa autorizim-marketingu.

    Arsyet për shkarkimin e Gashit i ka dhënë zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.

    Por, deputetët e PDK-së, Ferat Shala e mërgim Lushtaku, e cilësuan të gabuar këtë vendim.

    Qysh më 10 maj, Qeveria propozoi shkarkimin e Gashit, pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i kishte garancitë e cilësisë për produkt. Sipas Qeverisë me këtë vendim rrezikohej shëndeti publik dhe se Gashi kishte udhëhequr panelin që ka marrë vendimin.

    Ndërkaq sipas Gashit, për këtë tender votuan pesë anëtarë dhe ajo u shkarkua pa fakte.

    Në një sqarim të lëshuar para këtij debati, Organi Shqyrtues i Prokurimit thotë se tenderi për insulinat është vendim i atakuar nga vet Ministria e Shëndetësisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Ramë e Vrullim Buja promovojnë tre librat kushtuar demokracisë

    Ramë e Vrullim Buja promovojnë tre librat kushtuar demokracisë

    Kapituj të tërë dedikuar politikës e demokracisë. Baba e bir, Ramë Buja dhe Vrullim Buja, sot në ambientet e teatrit kamertal në kolegjin AAB, bënë promovimin e tre librave: “Ngarendja Politike”, “Sistemet Politike” dhe “Demokracia, Zhvillimi, Demonizimi”.

    Në recensionin e tij për librin “Ngarendja Politike”, dekani i fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, vlerësoi se ky libër do t’u shërbejë lexuesve të krijojnë një botëkuptim në raport me politikën.

    “Nisur nga vetë titulli profesorët kanë përfshirë të gjitha ato elemente që do t’i ndihmojnë lexuesit të krijojë një botëkuptim shkencorë mbi politikën”, tha Bushi.

    Edhe Ylber Aliu, profesor në fakultetin e Administratës Publike në Kolegjin AAB, në recensionin e tij dha vlerësime të larta për librin Demokracia, Zhvillimi, Demonizimi.

    “Lexuesit fillimisht do të gjejnë shpjegime për kornizën teorike të demokracisë dhe këto shpjegime më pastaj kombinohen edhe me gjetjet praktike. Një simbiozë e tillë reflektohet edhe nga bagazhi i njërit nga autorët, Ramë Buja”, tha Aliu.
    Dy autorët e librave thanë se ndihen të privilegjuar me vlerësimin e pjesëmarrësve.

    “Me thënë të drejtën nuk po e njoh Ramën sot, sepse më thatë aq fjalë të mira. Ndihem i privilegjuar dhe kam emocione, edhe pse jam pak në moshë s’duhet të kisha emocione”, tha Ramë Buja, autor i librit.

    Ndërkaq, në pjesën e fundit të ceremonisë, pjesëmarrësit shijuan edhe një koktej. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama kërkon rishikimin e rezolutës 1782 të Këshillit të Evropës

    Rama kërkon rishikimin e rezolutës 1782 të Këshillit të Evropës

    Sërish, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Këshilli i Evropës ta zhbëjë Raportin e Dick Martyt. Kryeministri Rama mori pjesë në Samitin e kryetarëve të shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës, që po mbahet në Islandë.

    Shqipëria edhe zyrtarisht ka kërkuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782 dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

    Në ditën e parë të Samitit, Rama ishte bashkëkryesues i një tryeze të rrumbullakët me presidentin e Letonisë.

    Pak muaj më parë, 125 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë votuan pro rezolutës, që rrëzon raportin e Dick Marty për vrasje të njerëzve dhe trafikim organesh në Shqipëri dhe Kosovë.

    Marty ka pretenduar se trafikimin e kanë kryer pjesëtarë të UÇK-së ndaj shtetasve serbë dhe kosovarë në veri të Shqipërisë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Ceremonia e betimit të kryetarëve në veri hap një kuti me probleme

    Ceremonia e betimit të kryetarëve në veri hap një kuti me probleme

    Në ndërtesën në të cilën votoi më 23 Prill në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, kryetari i zgjedhur Erden Atiq planifikon që, më 19 Maj, të betohet solemnisht.

    Ndryshe nga Atiq, tre kryetarët e tjerë të dalë nga zgjedhjet me pjesëmarrje prej 3.5%, nuk dihet ende nëse do të betohen në ndërtesat komunale ekzistuese – e as nëse do të mund t’i shfrytëzojnë ato si zyra.

    Derisa në Mitrovicë të Veriut objekti komunal, i ndërtuar vite më parë me ndihmën e BE-së, përdoret vetëm nga institucionet ligjore të Kosovës, situata është ndryshe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    I kontaktuar nga ATV-ja, kryetari i zgjedhur në Zubin Potok, Izmir Zeqiri, tha se ende nuk është vendosur për datën dhe lokacionin e ceremonisë së betimit.

    Pasi theksoi se zgjedhjet ishin të ligjshme, por me legjitimitet të kontestuar, Fitim Mulolli nga POLCON, vlerësoi se vazhdimi me improvizime, në kundërshtim me vullnetin komunitetit serb, mund të fuqizojë strukturat ilegale.

    “Është rreziku i bojkotit, i mos-respektimit të vendimeve të tyre, dhe rrjedhimisht çon në tensione dhe potencialisht në ndonjë konflikt fizik”, tha Fitim Mulolli, drejtor në “Polcon”.

    Përkundër shqetësimeve publike të BE-së për situatën në veri, në kontekstin e marrjes zyrtare të pushtetit nga kryetarët e zgjedhur, opinionisti Branislav Krstiç, nuk pret incidente serioze, por nuk përjashton ndonjë të tillë eventual verbal.

    “Me planin frank-gjerman dhe me aneksin e Ohrit, ne kemi fituar një, fjalën kryesore, normalizim. Por, më duket, liderët, lideri ynë në Prishtinë dhe ai tjetri në Beograd, diktatori i Serbisë, këtë fjalën normalizim, më duket se e kanë kuptuar se ne vazhdojmë me veprimet e njëanshme, por pa incidente”, tha Krstiç.

    Duke përmendur daljen e ulët në zgjedhje, bojkotin nga komuniteti serb dhe çështjen e ndërtesave komunale, Krstiç pret që në fund Kosova dhe Serbia t’i binden presionit ndërkombëtar.

    “Nëpër fshatra, ajo nuk shkon, nëpër ndërtesat ekziston mundësia për incidente, më duket që edhe Beogradi zyrtar edhe Prishtina zyrtare do të presin këshillat dhe rekomandimet nga Brukseli dhe administrata amerikane”, tha Krstiç.

    Kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë afat të kryejnë betimin deri më 28 Maj.

    Bashkimi Evropian i ka vlerësuar zgjedhjet e 23 Prillit si zgjidhje të përkohshme dhe ka rekomanduar djegien e mandateve të kryetarëve të zgjedhur. /atvlive.tv

  • Kryetarët e partive nuk marrin pjesë në takimin me mërgimtarët, Veliu: Të njëjtën gjë do ta veprojmë në diasporë kur vijnë zgjedhjet

    Kryetarët e partive nuk marrin pjesë në takimin me mërgimtarët, Veliu: Të njëjtën gjë do ta veprojmë në diasporë kur vijnë zgjedhjet

    Mërgimtarë nga Gjermania e Austria u mblodhën në Kuvend për t’i adresuar shqetësimet e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës. Askush nga qeveritarët e ftuar nuk erdhi t’i dëgjojë.

    “Ne nuk harrojmë, pastaj kur të vijnë zgjedhjet në të njëjtën mënyrë ne do t’i presim në diasporë. Pasi nuk bëhet fjalë për përfaqësimin e një organizate, por bëhet fjalë me përfaqësimin e diasporës nga Evropa, kryesisht gjermanofolëse. Të ftuar kemi pasur Ministrinë e Punëve të Jashtme, pasi sektori i diasporës është brenda këtij institucioni, kemi pasur kryetarin e Kuvendit të ftuar dhe grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Por nga asnjëri prej tyre nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse ftesa për pjesëmarrje iu ka shkuar tri herë”, tha kryetari i shoqatës “Identiteti”, Lulzim Veliu.

    Veliu mendon se diaspora mund të japë kontribut të madh për Kosovën. Prandaj kërkoi krijimin e një platforme ku do të paraqiteshin të gjitha mundësitë.

    “Propozoj krijimin e një platforme bashkëpunuese dhe bashkëjetuese mes Kosovës dhe mërgatës, e cila do të jetë e hapur për të gjitha profilet e mundshme që ka mërgata, si afarizëm, biznes, investime, financa, tregti, konsulentë, shkencë dhe teknologji. Kjo do të jetë një platformë unike dhe e hapur për të gjithë. Përveç këtij propozimi, ne kemi edhe disa kërkesa që do t’i drejtohemi institucioneve, që fatkeqësisht nuk janë këtu me ne”, tha Veliu.

    Institucionet e Kosovës, sipas Bahri Trojës, duhet të rrisin edhe bashkëpunimin politik e diplomatik me diasporën.

    “Në Austri kemi diku rreth 50 shqiptarë që janë të angazhuar në nivelin lokal në politikë. Në këtë mënyrë, ne duhet të bëjmë një koncept, strategji se si mund të bëjmë një bashkëpunim të përvojave në Austri, por edhe të ndihmojmë komunitetin. Por, edhe një bashkëpunim të mirëfilltë me shtetet tona amë. Nga institucionet tona shpeshherë kam qenë i befasuar se kur vijnë në vizitë në Austri nuk takohen këshilltarë të qytetit që janë 50, por shkojnë takohen me njerëz që vetëm ai flet gjermanisht e jo shqip”, tha Bahri Troja, mërgimtar nga Austria.

    Ndërkaq, Muhamet Idrizi ka një hall tjetër.

    “Në shtetet e tjera në Gjermani mësimi i gjuhës amtare, apo të prejardhjes si quhet atje, është i integruar në sistemin edukativ të shteteve përkatëse. Unë personalisht jep mësim në shkolla, ku kemi kërkesa të mëdha të mësimin plotësues nga prindërit”, tha Muhamet Idrizi, mërgimtar nga Gjermania.

    Pavarësisht se nuk i kishin përballë, mërgimtarët u bënë thirrje qeveritarëve që në bisedimet për politikën e jashtme të përfshihen edhe institutet shkencore e akademike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Policia bastis pronat e ish-anëtarëve të menaxhmentit të NPB-së, sekuestron dokumente e pajisje

    Policia bastis pronat e ish-anëtarëve të menaxhmentit të NPB-së, sekuestron dokumente e pajisje

    Që nga mëngjesi, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë speciale sekuestroi dhjetëra dokumente e pajisje elektronike, në pronat e 12 ish-zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, të cilët dyshohen për mashtrim, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe Lidhje të kontratës së dëmshme, gjatë ndërtimit të katër objekteve afariste në zonën e Lakërishtës.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdorur detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milionë (120.000.000) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Por, këto dyshime i quajti të pabaza vetë Dren Kukaj, ish-anëtar i menaxhmentit të NPB-së, i cili pas aksionit doli në konferencë për media. Atij gjatë kontrollit, për të siguruar dëshmi lidhur me vepër penale, për të cilën dyshohet ta ketë kryer gjatë kohës sa punonte në Ndërmarrjen Publike Banesore, policia ai konfiskoi edhe telefonin.

    “Jam i bindur në ligjshmërinë e veprimeve tona. Jam i bindur në dobishmërinë që ia kemi sjellë asaj ndërmarrjeje… Dje kam pasë me e dorëzu vullnetarisht, por ata nuk ma morën dje. Erdhën sot, në shtëpinë e prindërve dhe ma sekuestruan bashke me dy llaptopa të prindërve”, tha Dren Kukaj, ish-aksionar i NPB-sw.

    Madje, partia Social Demokrate, pjesë e së cilës janë disa nga zyrtarët e bastisur, gjithë procesin po e konsiderojnë si përndjekje politike nga partia në pushtet.

    Lidhur me këto bastisje është distancuar ndërmarrja publike banesore.

    “Si është e mundur që gjithë këtë ofensivë po e drejtojnë kah PSD-ja, fillimisht reforma në Kamenicë, Gjoba nga Agjencia ndaj PSD-së, e sërish edhe këto bastisje…”, tha Arbnor Neziri nga NPB.

    Para dy vjetësh në lagjen Lakërishtë, NPB-ja kishte nisur punët për t’i ndërtuar disa objekte banesore afariste. Por, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë për këtë ndërtim, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata. Të njëjtën masë e kishte kërkuar më pastaj edhe Qeveria, por Gjykata dha të njëjtën përgjigje. /atvlive.tv