ATV

Blog

  • Policia e Kosovës anëtarësohet në rrjetin operacional kundër krimit të organizuar

    Policia e Kosovës anëtarësohet në rrjetin operacional kundër krimit të organizuar

    Policia e Kosovës është bërë anëtare e rrjetit operacional ON Network, i cili forcon bashkëpunimin policor ndërkombëtar ndaj grupeve kriminale të stilit mafioz, duke bërë të mundur që shtetet anëtare të BE-së të kërkojnë, në koordinim me Europolin, vendosjen e hetuesve të specializuar.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, Nënkolonel Arben Paçarizi morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit në projektin ON Network që u mbajt në Romë të Italisë në selinë e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia.

    Anëtarësimi i Policisë së Kosovës në rrjetin ON Network, që është projekt i Komisionit Evropian nën udhëheqjen e Policisë Italiane, u bë së bashku me Policinë e Finlandës, Qipros dhe Bosnjë e Hercegovinës.

    Sipas Policisë së Kosovës, ky projekt mundëson avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke ndërtuar rrjetin e bashkëpunimit dhe koordinimit policor në fushën e krimit të rëndë dhe të organizuar.

    “Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë projekt është një tregues relevant për rolin aktiv të Policisë së Kosovës në fushën e luftimit të formave të kriminalitetit si një partner tashmë i besueshëm dhe efektiv në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor”.

  • Del sondazhi: Serbia, kërcënimi më i madh për Kosovën

    Del sondazhi: Serbia, kërcënimi më i madh për Kosovën

    Një sondazh mbarëkombëtar në Kosovë nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon se Serbia shihet si kërcënimi më i madh për Kosovën dhe është përgjegjëse për tensionet e fundit, derisa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë sipas 44% të anketuarve pritet të ndodhë 1-5 vjetët e ardhshme.

    85% e të anketuarve kanë deklaruar se Serbia është kërcënimi më i madh për vendin, i pasuar nga Rusia me 84%, Kina (47%), Mali i Zi (22%), ShBA (14%), Shqipëria (13%) dhe Turqia (10%).

    Të pyetur se kur mendojnë që Kosova do t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, 44% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se 1 deri në 5 vjet, brenda një viti (11%), në 6-10 vjet (14%), në 11-15 vjet (5%), në më shumë se 15 vjet (6%), kurrë (11%) derisa 9% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

    Ndërsa, se a është Kosova më afër apo më larg normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë sesa ka qenë dy vjet më parë, 33% e qytetarëve kanë deklaruar se është më afër, 30% kanë thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim, 25% kanë thënë se më larg, derisa 8% kanë refuzuar të përgjigjen.

    Ndërkaq, se kur do ta njohë Serbia Kosovën si shtet, më pak se gjysma e të anketuarve janë shprehur se 1-5 vjet (41%), për periudhën 6-10 vjet janë shprehur 16% të të anketuarve, 8% kanë deklaruar që brenda një viti, 6% 11-15 vjet, në më shumë se 15 vjet (8%). Ndërsa, 11% e qytetarëve janë shprehur se Serbia kurrë nuk nuk do ta njohë Kosovën, derisa 11% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

    Lidhur me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më shumë gjysma e qytetarëve të anketuar janë shprehur se Serbia është përgjegjëse. Sipas rezultateve të publikuara më 16 maj Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), 83% e qytetarëve kanë deklaruar se shteti serb është përgjegjës për rritjen e tensioneve, 5% janë shprehur se Kosova, të dyja (10%), derisa 1% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

    Të pyetur se sa janë të shqetësuar se tensionet me Serbinë do zhvillohen në konflikt dhe dhunë më të madhe, 11% e qytetarëve kanë deklaruar se janë shumë të shqetësuar, disi të shqetësuar (45%), jo shumë të shqetësuar (30%), aspak të shqetësuar (13%), derisa 1% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

    Derisa se çfarë lëshimesh duhet të jetë e gatshme që të bëjë Kosova që Serbia të njohë Kosovën, rreth 79% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se Kosova nuk duhet të bëjë asnjë lëshim. 7% janë deklaruar për pranimin e një njohjeje de-facto, komunat serbe (5%), tërheqja e ofertës për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara 2%, të tjera (1%), ndërkohë, që nuk e dinë apo refuzojnë të përgjigjen janë deklaruar 7% e të anketuarve.

    Të anketuarit janë pyetur edhe për çështjen e targave se a duhet që Qeveria e Kosovës të vazhdojë të shtyjë politikën që të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe serbët e Kosovës, të përdorin targa të Kosovës, mbi 65% e qytetarëve janë shprehur për (Po), 25% kundër (Jo), derisa 10% e tyre kanë refuzuar të përgjigjen.

  • Chollet dhe Vuçiq flasin për Kosovën dhe dialogun

    Chollet dhe Vuçiq flasin për Kosovën dhe dialogun

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka folur në telefon të martën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas këtij të fundit, në telefonatë është diskutuar për situatën në Kosovë.

    Chollet tha se është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet, si dhe se është e rëndësishme të vazhdohet puna për normalizimin, duke mbështetur dialogun e Brukselit.

    E Vuçiq ka theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së paqes dhe bashkëpunimit në rajon.

    Po ashtu u tha se të dy theksuan se “marrëdhëniet serbo-amerikane janë duke u zhvilluar në një drejtim të mirë, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, siç dëshmohet nga rritja e shkëmbimeve tregtare”.

  • Bëhet publike një pjesë nga dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të pestë në gjykimin Thaçi dhe të tjerët

    Bëhet publike një pjesë nga dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të pestë në gjykimin Thaçi dhe të tjerët

    Pas dhënies së urdhrit të trupit gjykues që palët të tentojnë të garantojnë publicitet më të madh në procesin gjyqësor të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është bërë publike një pjesë nga dëshmia e dëshmitarit të pestë në këtë gjykim (me kodin 3165).

    Me rastin hapjes së seancës publike, dëshmitari u përgjigj se kishte qenë 150 metra larg kur kishte parë për herë të parë disa burra me armë zjarri dhe më së afërti kishte qenë diku 3-4 metra.

    Ai tha se me t’i parë ata kishte vazhduar nga një rrugë tjetër për të ju dalë përpara pasi që sipas tij, ata kishin pasur në makinë të afërmit e tij.

    I njëjti i përshkroi këta burra të veshur me uniforma të zeza me maska të zeza në fytyrë duke thënë se kishin pasur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

    Për shkak të mbarimit të orarit të punës, dëshmia e tij u ndërpre për të vazhduar në seancën e nesërme.

    Më pas, mbrojtësi i Veselit Ben Emmeson kërkoi që trupi gjykues të nxjerr një urdhër me gojë për pozicionin e prokurorisë lidhur me listën e fakteve të gjykuara.

    ‘‘A mund të bëj një kërkesë me gojë për një urdhër. Prokuroria të rishikoj argumentin që ka dorëzuar sa u takon fakteve të gjykuara dhe të bëj me dije për të cilat fakte të gjykuara kërkon të mbështetet, që të jemi edhe ne në pozitë të ju përgjigjemi, sepse çka ndodhi me dëshmitarin e fundit na detyron ne që të kërkojmë sqarim, të kuptojmë çfarë pozicioni ka prokuroria sa i takon të gjithë listës së fakteve të gjykuara. Nuk mund të vazhdojmë kështu, që prokuroria ta ndryshoj pozicionin e vetë si i leverdisë’’, tha ai, raporton Betimi për Drejtësi.

    Tutje, avokati Ben Emmeson tha që prokuroria të rishikon më së paku ato fakte të gjykuara që lidhen me dy personat në fjalë, dy viktimat të cilat kanë dhe emrin dhe të ju thonë cili është qëndrimi i tyre aktual sepse sipas tij është e paqartë pozicioni i tyre dhe duhet të merret një vendim nga trup gjykues sepse ai tha se qëndrimi që kanë paraqitur fillimisht është i ndryshëm nga qëndrimi që po paraqesin aktualisht.

    Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se do të dalin me një vendim.

    Lidhur me dy prova materiale të propozuara nga mbrojtja e Veselit, është pranuar vetëm njëra nga to dhe atë faqja e parë e provës materiale 226, që është kartela mjekësore dhe një fragment përkatës nga dokumenti gjyqësor i Sabit Gecit dhe të tjerët, i gjyqit të Sabit Gecit dhe të tjerët kurse prova materiale 227, deklarata e dëshmitarit te UNMIK-ut Shaban Krasniqi, nuk është pranuar.

  • Shabani ia numëron Qeverisë premtimet që nuk i ka realizuar

    Shabani ia numëron Qeverisë premtimet që nuk i ka realizuar

    Gazetari dhe analisti, Zekrija Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, ka numëruar disa nga premtimet e Qeverisë për këtë mandat, të cilat nuk janë realizuar.

    “Nuk është shuar AKP-ja siç ka premtu. Nuk është bërë Fondi Sovran qysh është premtu. Nuk është bërë Banka Zhvillimore qysh është premtu. Nuk janë ndërtuar pesë shtëpi për të moshuarit qysh është premtu. Nënat e papuna nuk marrin paga. Pushimi i lehonisë nuk është rregullu. Gjykata Administrative dhe e Punës nuk është bërë. Sigurimi Shëndetësor nuk është funksionalizu. Janë disa që kjo Qeveri i ka premtu për këtë mandat, të cilat nuk janë realizu”, tha Shabani. /atvlive.tv

  • “Ti nuk je qytetar… mos na shit përralla”, përplasje e ashpër mes Pozharit e Kabashit

    “Ti nuk je qytetar… mos na shit përralla”, përplasje e ashpër mes Pozharit e Kabashit

    Në emisionin CONTEXT në ATV, analisti Bekim Kabashi dhe Xhevdet Pozhari janë përplasur për punën e Qeverisë vitet e fundit.

    “Unë po pres më tepër se sa programi, sepse qytetarët e kanë votu më shumë se për program. Tash unë po e ngiti kërkesën se edhe unë jam qytetar i këtij vendi”, tha Pozhari.

    Pas kësaj deklarata, ka reaguar analisti Bekim Kabashi, i cili i tha Pozharit se nuk është qytetar, por zyrtar i këtij vendi.

    “Ti punon për Qeverinë, ti ke punu me ministrin aktual edhe në pozita tjera, mos na shit këtu përralla”, i tha Kabashi.

    “Unë me letra, ti pa letra”, ia ktheu Pozhari.

  • Shabani: Qytetarët janë duke e ndjerë varfërinë, Qeveria nuk po i përkrahë

    Shabani: Qytetarët janë duke e ndjerë varfërinë, Qeveria nuk po i përkrahë

    Gazetari dhe analisti Zekrija Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria nuk po i përkrah qytetarët, por po u jepet ndihma.

    Ai tha se qytetarët janë duke e ndjerë varfërinë për shkak të pagave të ulëta dhe çmimeve të larta dhe kjo arsye, sipas tij, po i bënë që këta të mendojnë me ikë prej Kosove.

    “Nuk është meritë e Qeverisë direkt, pos punës së qeverisë për me e ulë TVSH-në, për me e ulë akcizën e produkteve të ndryshme që kemi kërkua vazhdimisht. Por
    qytetarët, pra ata që janë duke e ndjerë me të vërtetë, është varfëria. Edhe për këtë arsye, qytetarët tash më lehtë mendojnë, me ikë prej Kosove qysh janë edhe tu ba një pjesë e tyre, se sa me e përballu ketë me marrë rroga të ulëta dhe mos me mujt me e përballu jetesën në këtë vend. Ajo çka është shqetësuese se këta njerëz me paga të ulëta me çmime të larta, nuk po përkrahen prej Qeverisë, por po iu jepen ndihma, çka e kanë thënë edhe raportet e më hershme edhe i njëjti tash se njerëzit po bëhen dembelë për shkak se po presin prej Qeverisë me ua zgjidh krejt problemet në aspektin socio ekonomik”, tha Shabani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pozhari: Edi Rama është duke shkuar hapave të Erdoganit

    Pozhari: Edi Rama është duke shkuar hapave të Erdoganit

    Gazetari dhe analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se duke pasur parasysh rrugëtimin politik, edhe EdI Rama është duke shkuar rrugës së presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

    “Ne e dimë që atje president është Erdogani që nga viti 2013. Do të thotë është 10 vite president, ndërsa prej vitit 2002-2003 ka qenë kryeministër. Po i bjen që 20 vite në pushtet. Po flas si i pari shtetit, pa e anashkalu, bile e bëra një shkrim, thash e njëjta është sikur motivuese edhe për Ramën, sepse patëm zgjedhje lokale edhe në Shqipëri, ndërkohë që ne u morëm më tepër me zgjedhjet në Turqi. Edhe atje është shqetësuese se në një far forme është duke shkuar hapave sa i përket ndjekjes së rrugëtimit politik të Erdoganit, ngase ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka qenë një periudhë të shkurtër Ministër i Kulturës ndërsa ka qenë kryeministër prej vitit 2013, do të thotë 1 vite është në pushtet dhe s’do mendo se hapin tjetër do ta ketë drejt presidencës. Është një replikim i politikës së Erdoganit, por vetëm 10 vite me vonesë”, tha Pozhari.

    Sipas tij, shtetet e Ballkanit i përcjellin hapat e liderëve që kanë tendenca autoritare.

    “Paradoksalisht, shtetet Ballkanike thuajse i përcjellin këto hapa të liderëve që kanë tendenca autoritare, për shembull edhe Vuçiqi tani është president, por ka qenë dy herë kryeministër, ndonëse me mandat të shkurtuar që ka zgjatë nga dy vite qeverisja. Njëfarë forme e kemi pasur edhe zotin Thaçi, ka qenë dy herë kryeministër, më pas u bë president dhe dihet se çka ndodhi më pas. Ne jemi të zëshëm për të folë për një shtet që edhe nuk mund të ndikojmë se sa me i vnu të njëjtat thekse për ata politikanë që ndikojnë në përditshmërinë tonë që janë pjesë e hapësirës mbarë shqiptare. Pra ne nuk shohim se çka po ndodh në oborrin tonë, por më lehtë flasim për fqinjin tonë”, vlerësoi Pozhari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Lajmi i fundit: Gjuajtje me armë në Emshir

    Lajmi i fundit: Gjuajtje me armë në Emshir

    Para pak çasteve, në lagjen Emshir të Prishtinës ka pasur gjuajtje me armë.

    Siç mund të shihet edhe në videon e siguruar nga ATV, policia shihen në vendin e ngjarjes, të cilët janë vënë në ndjekje të të dyshuarve.

    ATV do të ju mbajë të informuar sapo të mësojë detaje të reja për rastin.

  • “Na kanë larguar me forcë, s’jemi paguar që dy muaj, me polici na kanë larguar nga puna”, thotë punëtori i mirëmbajtjes në shkollën “Ismail Qemali”

    “Na kanë larguar me forcë, s’jemi paguar që dy muaj, me polici na kanë larguar nga puna”, thotë punëtori i mirëmbajtjes në shkollën “Ismail Qemali”

    Ruzhdi Miftari, punëtor i mirëmbajtjes në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se janë larguar nga puna me forcë, për shkak se tani punën që e kanë bërë ata, po e bënë NPB-ja.

    Ai thotë se që dy muaj nuk kanë marrë pagë dhe janë dhe shumica janë në gjendje të rëndë financiare.

    “Që dy muaj nuk kemi pagë, nuk jena tu punu, na kanë largu prej pune, me polici na kanë hjek prej shkollës, u ardh kjo kompania që është për mirëmbajtjen e banesave, është t’u e pastru shkollën tonë. Nuk po na lënë të hyjmë brenda, nuk e di kah me ia mbajtë ne”, thotë Miftari.

    Ai tha se kanë bërë ankesa në disa insititucione, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje për këtë problem.

    “Ne kemi biseduar, kemi qenë te Avokati i Popullit, të Inspektorati i Punës, kemi bërë kërkesë në komunë, veç po presim, përgjigje nuk ka, po rrejnë, po thojnë shko te kjo, shko te ajo, momentalisht nuk ka asgjë. Drejtoria e shkollës veç na ka thënë po presim prej komunës me i nënshkrua kontratat, me kallxu drejt janë kah rrejnë shumë, po më vjen keq me thanë se janë kah rrejnë shumë për së tepërmi”, tregoi Miftari. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: