ATV

Blog

  • Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria miraton rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

    Qeveria në detyrë ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10,887,186.45 euro.

    Këto mjete janë destinuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Mjetet do të përdoren për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të procesit zgjedhor të muajit të ardhshëm.

    Zgjedhjet e parakohshme vijnë në një periudhë të zhvillimeve të reja politike në vend, ndërsa institucionet kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Numri i përgjithshëm i subjekteve politike që janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    KQZ-ja ka bërë thirrje që partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur të dorëzojnë sa më shpejt listat e kandidatëve për të siguruar certifikim dhe përgatitjen e procesin zgjedhor në kohë.

  • Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Labi tregon se si dështoi të futej në garë për deputet

    Këngëtari i njohur, Labinot Tahiri ka treguar se dëshira e tij ka qenë që të kandidoj si deputet i pavarur për zgjedhjet e 7 qershorit, por afati është mbyllur një ditë më parë.

    Ai ka thënë se pati shumë kërkesa nga qytetarët që të kandidonte për deputet në Kuvendin të Kosovës.

    Labi ka përmendur disa tema që do t’i adresonte në Kuvendin e Kosovës, duke përmendur luftën kundër drogës, dhe dukurive negative dhe çështjen e barnave shëndetësore.

    Postimi i Labit:

    I dashur popull dhe votues i Kosovës dhe gjithandej si shqiptar ju lutem ta lexoni këtë shkrim ku doja te dale DEPUTET PËR JU SI SHERBETOR I PA NDALSHEM.

    Deshta me dalë deputet i pavarur në këto zgjedhje, por fatkeqësisht afati u mbyll dje.

    Kisha planifikuar kandidimin pas shumë kërkesave nga qytetarët, por ja që ende ka njerëz që i frikësohen konkurrencës dhe harrojnë se politika nuk është garë personale. Kur je pjesë e një partie apo gare politike, duhet me qenë aty për me i shërby popullit dhe vendit, jo vetvetes.

    Unë nuk kam nevojë për karrierë politike, ate e kam me shumë se sa politika, sepse falë Zotit e kam ndërtuar jetën dhe emrin tim me punë e djersë. Unë kam pasur dhe kam guxim ta sfidoj veten dhe karrieren time gjithmonë sepse aate e ndertova me Zotin dhe juve. Por zemra më ka thënë gjithmonë me i shërby këtij vendi si një shërbëtor i popullit, i nënshtruar vetëm qytetarit dhe Kosovës, e jo interesave personale !!

    Labi nuk i ka shërby vetëm një njeriu, nje qyteti apo një kategorie, por të gjithëve pa dallim, ndoshta nuk keni harruar!!! Ju kam qëndruar pranë në kauza për leukemi, kancer, shëndetësi, ushtri, Hagë për çlirimtarët, mjekë, profesorë, rini, polici dhe shumë kategori tjera të këtij vendi. Këtë e kam bërë sepse e ndjej veten shërbëtor të vendit tim, asgjë më shumë, ani pse Zoti më ka dhënë famë dhe respekt nga populli.

    Mos harroni, unë qarkulloj mbi 1 milion euro në vit dhe jam ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të estradës shqiptare. Nga ajo që kam fituar, jam munduar gjithmonë me dhënë për njerëzit dhe për vendin tim. Por shpirti më dhemb që nuk pata fatin me qenë ushtar në kohën e luftës për liri, prandaj ndjej obligim moral me kontribu gjithë jetën për Kosovën.

    Deshta me dalë kandidat i pavarur që me ju shërby në barna, spitale, në luftë kundër drogës dhe dukurive negative që po na e shkatërrojnë rininë. Nuk e di sa do ta kishit dashur Labin në Parlament, por një ditë do të jem aty dhe do ta shihni që deputeti mundet me bë shumë për popullin, vetëm nëse e don sinqerisht qytetarin si familjen e vet.

    Unë ju uroj sukses të gjithë kandidatëve dhe lutem që të fitojnë ata që punojnë për interesin e popullit dhe të Kosovës.

    Zoti e bekoftë Kosovën, trojet tona shqiptare dhe diasporën tonë kudo në botë.

  • IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se analiza e aktivitetit parlamentar në Legjislaturën e X-të tregon nivel shqetësues të mosangazhimit të deputetëve.

    Sipas tij, debati parlamentar është përqendruar kryesisht në ekonomi dhe procedurë, ndërsa tema të rëndësishme kanë mbetur pothuajse jashtë vëmendjes.

    “…tema të rëndësishme si integrimet evropiane, të drejtat e komuniteteve, mjedisi apo dialogu Kosovë-Serbi janë lënë pothuajse jashtë vëmendjes, për më tepër, 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë, duke reflektuar një nivel shqetësues të mosangazhimit të tyre”, ka deklaruar Jakaj.

    Ai tha se mungesa e angazhimit parlamentar dëmton funksionin përfaqësues të Kuvendit.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, të martën publikoi raportin monitorues për Legjislaturën e X-të të Kuvendit të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Këpucët po ju bëhen të ngushta? Ja pse madhësia e këmbëve ndryshon me kalimin e viteve

    Këpucët po ju bëhen të ngushta? Ja pse madhësia e këmbëve ndryshon me kalimin e viteve

    Me moshën, shtimi në peshë, ndryshimet hormonale dhe dobësimi i ligamenteve mund të ndikojnë që shputat të zgjaten, të zgjerohen dhe këpucët e dikurshme të mos ju përshtaten më.

    Keni bartur këpucë numër 39 që prej se mbani mend. Gjithmonë ju janë përshtatur në mënyrë të përkryer, por një ditë, pa ndonjë arsye të dukshme, ato thjesht nuk ju rrinë më si më parë.

    Sado që përpiqeni, nuk arrini ta fusni këmbën aq lehtë në këpucën e madhësisë suaj të zakonshme. Megjithatë, kjo nuk është aq e pazakontë sa duket. Këmbët mund ta ndryshojnë madhësinë me kalimin e kohës, sepse vitet, në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund ta riformësojnë shputën.

    Pse këpucët e vjetra bëhen të ngushta?

    Së pari, mos u shqetësoni. Së dyti, është krejt e natyrshme që këmbët të ndryshojnë gradualisht në gjatësi dhe gjerësi me kalimin e viteve.

    Me çdo hap që bëni, trupi juaj thith një peshë dy deri në tri herë më të madhe se pesha trupore, për shkak të forcës së gravitetit. Kjo lë gjurmë në këmbë, aq sa me kohë mund t’ua ndryshojë edhe formën.

    “Ligamentet dhe tendinat që mbështesin harkun e shputës konsumohen nga përdorimi i vazhdueshëm. Kur kjo ndodh, harku fillon të ulet ngadalë, dhe kjo sheshtim bën që shputa të bëhet pak më e gjatë ose më e gjerë”, shpjegon podiatrja Dr. Nicole Nicolosi nga Cleveland Clinic, specialiste për kujdesin mjekësor, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të shputës dhe nyjës së këmbës.

  • Hoxha: Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migrantëve me Italinë pas vitit 2030

    Hoxha: Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migrantëve me Italinë pas vitit 2030

    Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e saj për migracionin me Italinë përtej vitit 2030, tha ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një intervistë ekskluzive për Euractiv.

    Qeveria e Giorgia Meloni po përdor dy objektet në Gjadër dhe Shëngjin si qendra ndalimi për migrantët që nuk kanë arritur të fitojnë azil në Itali.

    Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverive evropiane për ta zhvendosur praninë fizike të migrantëve jashtë kufijve të tyre.

    Marrëveshja pesëvjeçare u ratifikua në fillim të vitit 2024 dhe është përballur me polemika politike dhe probleme ligjore.

    Për të vazhduar pas vitit 2029, do të kërkohej një zgjatje vetëm disa muaj para afatit që vetë Shqipëria ka vendosur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    “Para së gjithash, marrëveshja është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt se do të ketë zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje,” tha Hoxha, duke iu referuar synimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në vitin 2030.

    “Sapo Shqipëria të hyjë në BE, kjo nuk do të jetë më territor ekstraterritorial, por territor i Bashkimit Evropian,” shtoi ai.

    Sfidat ligjore në Itali e shtynë qeverinë e Melonit t’i ripërdorë këto objekte nga qendra fillestare për përpunimin e migrantëve në qendra ndalimi për migrantët me kërkesa të refuzuara, në pritje të riatdhesimit.

    Por në prill, marrëveshja mori një shtysë pas një opinioni jo-detyrues nga një avokat i përgjithshëm në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, i cili tha se skema është në përputhje me ligjin e BE-së. Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është tërhequr nga detajet e marrëveshjes pavarësisht sfidave ligjore.

    Hoxha, i cili ndodhej në Bruksel për të marrë pjesë në një takim me ministrat e Jashtëm të BE-së, e paraqiti Shqipërinë si një partnere të besueshme për Italinë.

    Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, e ka përshkruar partneritetin si “ekskluziv”, duke përmendur lidhjet e ngushta mes dy vendeve.

    Hoxha hodhi poshtë sugjerimet se kjo mund ta nxisë qeverinë italiane – e cila mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE – të mos e lejojë hyrjen e Shqipërisë, me qëllim mbajtjen në funksion të kampeve. “Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet,” tha Hoxha.

  • Ndalohet autobusi i linjës Turqi – Prishtinë, kapen 27 fustane dhe dy vello të padeklaruara

    Ndalohet autobusi i linjës Turqi – Prishtinë, kapen 27 fustane dhe dy vello të padeklaruara

    Dogana e Kosovës, në pikëkalimin kufitar të Hanit të Elezit ka zbuluar mall të padeklaruar të fshehur brenda një autobusi.

    Sipas njoftimit zyrtar, malli përbëhej nga 27 fustane solemn dhe dy fustane vello.

    Ndërsa autobusi ishte i linjës Turqi–Prishtinë, me targa te huaja.

    Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe po ndiqen procedurat e mëtejshme administrative dhe ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka ngritur kritika të forta ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se kjo gjykatë nuk ka arritur të përmbushë standardet e drejtësisë që presin qytetarët e Kosovës.

    Reagimi i Serwer vjen pas publikimit të raportit të përgatitur nga Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, i cili evidenton një sërë shkeljesh dhe problemesh serioze në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.

    Sipas Serwer, raporti nxjerr në pah shqetësime të mëdha lidhur me moslirimin nga paraburgimi, pranueshmërinë e provave dhe mungesën e barazisë së armëve mes palëve në proces gjyqësor. Ai paralajmëroi se vendimet e kësaj gjykate mund të kenë ndikim edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon.

    “Ajo që nuk thotë raporti është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveç në Serbi”, ka deklaruar Serwer.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë.

    Raporti rreth 100-faqësh është hartuar me kërkesë të Avokati i Popullit i Kosovës dhe trajton mënyrën e funksionimit të proceseve gjyqësore në Hagë, duke evidentuar një numër të madh dilemash juridike dhe shkeljesh procedurale.

    Në dokument theksohet se mandati i Gjykatës Speciale ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite. Sipas raportit, fillimisht fokusi ishte te pretendimet për trafikim organesh dhe krim të organizuar, ndërsa më pas proceset janë përqendruar te akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    Ekspertët britanikë vlerësojnë se, megjithëse juridikisht gjykata ka mandat të ndjekë edhe persona të tjerë, fokusi pothuajse ekskluziv ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka krijuar polemika të vazhdueshme politike dhe juridike.

  • Ish-deputeti i PD-së aderon në LDK, prezantohet nga Vjosa e Lumiri

    Ish-deputeti i PD-së aderon në LDK, prezantohet nga Vjosa e Lumiri

    Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka prezantuar prurjen e radhës. Bëhet fjalë për Kreshnik Çollakun, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë kandidat për deputet në listën e LDK-së.

    Sipas Osmanit, Çollaku ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.

    Postimi i plotë:

    Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës.

    Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik.

    Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euroatlantik të shqiptarëve.

    Për më shumë se 20 vjet si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor.

    Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.

    Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.

    Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.

    Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA.

    Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion dhe te Kreshnik Çollaku do ta gjejnë një të tillë.

    Mirë se vjen Kreshnik e na priftë e mbara në këtë rrugëtim vendimtar!

  • Samsung fillon zyrtarisht shitjen e telefonave të mençur të rinovuar në Indi

    Samsung fillon zyrtarisht shitjen e telefonave të mençur të rinovuar në Indi

    Samsung më në fund ka sjellë programin e saj të rinovuar të certifikuar në Indi. Përmes këtij programi, kompania po ofron pajisje të rinovuara zyrtarisht në vend me çmime të zbritura.

    Tani për tani, mund të blini një Galaxy S25 Ultra të rinovuar të certifikuar me 256 GB hapësirë ruajtjeje për 97,499 rupi indiane, një Galaxy S25 me 256 GB hapësirë ruajtjeje për 58,749 rupi indiane, një Galaxy A56 me 8 GB RAM dhe 256 GB hapësirë ruajtjeje për 31,499 rupi indiane, një Galaxy A56 me 12 GB RAM dhe 256 GB hapësirë ruajtjeje për 32,749 rupi indiane dhe një Galaxy A36 me 128 GB hapësirë ruajtjeje për 23,249 rupi indiane.

    Para se të dalin në shitje, të gjitha këto pajisje “pastrohen, testohen dhe restaurohen me rigorozitet në gjendje si të reja”, thotë Samsung, transmeton Telegrafi.

    Puna kryhet nga teknikë të miratuar nga Samsung në një strukturë të miratuar nga Samsung. Telefonat kanë të instaluar softuerin më të fundit dhe vijnë me të njëjtën garanci 1-vjeçare si pajisjet e reja.

    Specialistët e Samsung kontrollojnë çdo komponent, brenda dhe jashtë, për të siguruar cilësinë dhe gjendjen e duhur të punës, dhe nëse nevojiten zëvendësime, përdoren vetëm pjesë origjinale të Samsung.

    Pas kësaj, çdo pajisje duhet të kalojë testime intensive. Ato më pas paketohen në një kuti zyrtare me një udhëzues të shpejtë për fillimin, një kabllo të dhënash dhe një kunj nxjerrës SIM. Telefonat janë të zhbllokuar dhe të pajtueshëm me të gjitha rrjetet.

  • Alarm nga shkencëtarët: Frikë për një vit veçanërisht të vështirë sa i përket zjarreve

    Alarm nga shkencëtarët: Frikë për një vit veçanërisht të vështirë sa i përket zjarreve

    Zjarret pritet të arrijnë nivele shumë të larta këtë vit në mbarë botën, të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe fenomeni El Niño, ndërsa që nga fillimi i vitit kanë arritur tashmë nivele rekord, paralajmërojnë studiuesit.

    “Ky vit ka nisur shumë fuqishëm për sezonin e zjarreve në botë, me 50% më shumë sipërfaqe të djegura krahasuar me mesataren për këtë periudhë të vitit”, deklaroi Theodor Kipping gjatë një prezantimi për gazetarët.

    Sipas tij, kjo sipërfaqe është “20% më e madhe se rekordi i mëparshëm që nga fillimi i monitorimit global në vitin 2012”, ndërsa paralajmëroi se pritet një “vit veçanërisht i vështirë”.

    Sipërfaqja totale e djegur në botë nga fillimi i vitit deri më 6 maj ka arritur në 1.63 miliardë hektarë, sipas të dhënave të Sistemit Global të Informacionit për Zjarret (GWIS), krahasuar me mesataren prej 1.1 miliardë hektarësh për periudhën 2012-2025 deri në të njëjtën datë.

    Situata është veçanërisht shqetësuese në Afrikë, ku janë regjistruar nivele rekord në shumë vende të Afrikës Perëndimore dhe rajonit të Sahelit. Zjarret në savanë janë favorizuar nga alternimi i reshjeve të forta, që nxisin vegjetacionin, me periudha thatësire që favorizojnë përhapjen e flakëve.

    Fenomeni El Niño

    Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu për pasojat e rikthimit të pritshëm të fenomenit natyror El Niño, i cili rrit temperaturat globale.

    Ky fenomen është një nga fazat e ciklit natyror në Oqeanin Paqësor, që zakonisht nis në pranverë dhe ndikon gradualisht në muajt pasues mbi temperaturat, erërat dhe klimën në pjesë të ndryshme të planetit.

    World Meteorological Organization ka paralajmëruar se, megjithëse mbeten pasiguri, rikthimi i El Niño nga maji deri në korrik po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, ndërsa fenomeni i kundërt La Niña po dobësohet. Kjo pritet t’i shtohet rritjes së vazhdueshme të temperaturave të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

    “Mundësia për zjarre ekstreme dhe të rrezikshme mund të jetë ndër më të lartat në historinë e fundit, nëse zhvillohet një El Niño i fortë”, vlerësoi Kipping. Sipas tij, fenomeni mund të krijojë kushte të forta nxehtësie dhe thatësire në Australi, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara dhe Kanada, si edhe në pyjet e Amazonës.

    Edhe Friederike Otto theksoi se zhvillimi i një El Niño të fuqishëm këtë vit, i kombinuar me efektet e ndryshimeve klimatike, mund të sjellë “fenomene klimatike ekstreme të paprecedenta”.