ATV

Blog

  • Arrestohet në Shqipëri Anton Allakaj, i dënuar me 11 vjet burgim për vrasje, pritet ekstradimi drejt Kosovës

    Arrestohet në Shqipëri Anton Allakaj, i dënuar me 11 vjet burgim për vrasje, pritet ekstradimi drejt Kosovës

    Policia e Shtetit ka finalizuar arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është Anton Allakaj i cili ishte i dënuar nga Gjykata e Pejës.

    Mësohet se Allakaj u dënua me mbi 11 vite burgim për vrasje, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe rreth 10 vite.

    Gjatë arrestimit, policia sekuestroi dokumente të falsifikuara që i kërkuari përdorte për t’u fshehur nën emrat Naser Muja dhe Ded Dedaj. Mësohet se tashmë, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Kosovës./Ora News/

  • Chelsea synon goditjen e madhe, Xabi Alonso kandidati kryesor për pankinën

    Chelsea synon goditjen e madhe, Xabi Alonso kandidati kryesor për pankinën

    Chelsea F.C. po intensifikon kërkimet për trajnerin e ri para sezonit të ardhshëm dhe emri që po fiton gjithnjë e më shumë terren është ai i Xabi Alonso.

    Sipas raportimeve të fundit nga mediat angleze dhe spanjolle, drejtuesit e klubit londinez kanë nisur kontaktet me teknikun spanjoll, i cili konsiderohet kandidati ideal për të udhëhequr projektin e ri të “Bluve”.

    Alonso ka ngritur ndjeshëm reputacionin e tij si trajner falë stilit modern të lojës dhe rezultateve pozitive që ka arritur në karrierën e tij të deritanishme. Kjo ka bërë që ai të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun e trajnerëve evropianë.

    Burime pranë klubit bëjnë të ditur se spanjolli është i hapur ndaj mundësisë për të punuar në Premier League dhe është i gatshëm të dëgjojë projektin që Chelsea dëshiron t’i ofrojë.

    Nëse arrihet marrëveshja, drejtuesit londinezë janë të gatshëm t’i besojnë Alonsos një projekt afatgjatë, me synimin për ta rikthyer klubin në nivelet më të larta të futbollit anglez dhe evropian.

    Gjatë javëve të fundit, emri i Alonsos është përmendur edhe si alternativë për Liverpool F.C., por raportimet sugjerojnë se Arne Slot pritet të vazhdojë punën në “Anfield”, duke i hapur më shumë rrugë Chelseat në garën për teknikun spanjoll.

    Përveç Alonsos, në listën e kandidatëve të Chelseat përfshihen edhe Andoni Iraola, Filipe Luís, Oliver Glasner dhe Marco Silva.

    Megjithatë, aktualisht Xabi Alonso shihet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës londineze në një periudhë që pritet të sjellë ndryshime të mëdha në “Stamford Bridge”.

  • Haradinaj zyrtarizon kandidimin e Arifit për deputet

    Haradinaj zyrtarizon kandidimin e Arifit për deputet

    Ramush Haradinaj ka zyrtarizuar kandidimin e Avni Arifit për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se me Arifin ka rrugëtuar gjatë bashkë politikisht, në kohë sfidash, vendimesh të rëndësishme dhe angazhimi të pandalshëm për forcimin e shtetit të Kosovës.

    “Ai ka qenë gjithmonë ndër njerëzit më lojalë, më korrektë dhe më profesionalë, jo vetëm brenda Aleancës, por edhe në secilin institucion që ka përfaqësuar”, ka shkruar ai.

    Haradinaj shtoi se rikthimi i ish-diplomatit në listën e AAK-së vjen natyrshëm.

    “Avniu i përket brezit të njerëzve që politikën nuk e kanë parë si privilegj personal, por si shërbim ndaj qytetarëve dhe shtetit. Përvoja e tij e gjatë institucionale, bagazhi politik dhe aftësia për të ndërtuar ura bashkëpunimi kanë qenë vlerë e madhe për Kosovën në periudha të rëndësishme të zhvillimit të saj politik dhe shtetëror”.

    “Nga secili pozicion që ka mbajtur, kontributi i tij ka qenë me vlerë dhe gjithmonë në funksion të interesit publik. Ai ka dëshmuar se stabiliteti politik, partneriteti me aleatët ndërkombëtarë dhe forcimi i institucioneve janë rruga e vetme për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të fuqishme. Rikthimi i tij në listën e Aleancës vjen natyrshëm, ashtu si çdo herë në momentet kyçe për Republikën e Kosovës. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion politik, të cilët dinë ta mbrojnë interesin shtetëror dhe ta çojnë përpara vendin”, shkroi ai.

  • Partia e Drejtësisë njofton se ka bërë marrëveshje për të garuar në listën e LDK’së

    Partia e Drejtësisë njofton se ka bërë marrëveshje për të garuar në listën e LDK’së

    Partia e Drejtësisë në krye me Ferid Aganin ka njoftuar për një marrëveshje të arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të garuar në listën e saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

    “Pas zhvillimeve të fundit politike dhe marrëveshjes së arritur për bashkëpunim në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, vlerësojmë se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik, përgjegjësisë shtetërore dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha PD.

    Kjo parti tha se ky nuk është vetëm një bashkim elektoral, por “një angazhim për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi politik, dialogu institucional dhe mobilizimi të potencialeve më të mira profesionale e kombëtare në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit”.

    “Në këtë frymë, konsiderojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dëshmuar gatishmëri për reflektim, hapje dhe bashkim të energjive shtetformuese të vendit, duke konfirmuar kapacitetin e saj për ndryshim dhe për marrjen e përgjegjësive të mëdha shtetërore në periudhën që kemi përpara. Po ashtu, Partia e Drejtësisë ka vendosur që në këto zgjedhje të mbështesë këto procese pozitive dhe të japë kontributin e saj maksimal në funksion të suksesit të përbashkët politik dhe shtetëror.

    PD tha se Kosova ka nevojë për “më shumë bashkëpunim, maturi politike, stabilitet institucional dhe vizion të qartë zhvillimor”.

    “Qytetarët presin zgjidhje konkrete, përgjegjësi dhe përkushtim serioz ndaj interesit publik. Në këtë rrugëtim, do të angazhohemi me përkushtim të plotë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

  • Play-Off dramatike në NBA, Thunder kalon tutje, Cleveland rikthehet fuqishëm ndaj Detroitit

    Play-Off dramatike në NBA, Thunder kalon tutje, Cleveland rikthehet fuqishëm ndaj Detroitit

    Oklahoma City Thunder ka siguruar me autoritet kualifikimin në finalen e Konferencës Perëndimore, pasi eliminoi Los Angeles Lakers me rezultat të përgjithshëm 4-0 në seri.

    Skuadra nga Oklahoma dominoi plotësisht përballjen, duke fituar tri ndeshjet e para me diferencë të thellë, ndërsa sfida e katërt në Los Angeles solli më shumë dramë dhe emocione deri në sekondat e fundit.

    Thunder triumfoi me rezultat 115:110 në një ndeshje që u vendos vetëm në fund. Lakers arritën të kalonin përkohësisht në epërsi 110:109 pas dy gjuajtjeve të sakta të Marcus Smart, por më pas mbetën pa pikë deri në sirenën përfundimtare.

    Në momentet vendimtare, Chet Holmgren realizoi një ngulje të rëndësishme, ndërsa Shai Gilgeous-Alexander dhe Ajay Mitchell vulosën fitoren nga vija e gjuajtjeve të lira.

    Lideri absolut i Thunder ishte sërish Gilgeous-Alexander, i cili e mbylli takimin me 35 pikë dhe 8 asistime, duke konfirmuar formën fantastike në këtë edicion të Play-Offit. Në anën tjetër, LeBron James u dallua për Lakers me 24 pikë dhe 12 ribaunde, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin.

    Me këtë sukses, Oklahoma City Thunder avancon në finalen e Konferencës Perëndimore, ku do të presë fituesin e serisë mes San Antonio Spurs dhe Minnesota Timberwolves.

     

    Në Konferencën e Lindjes, Cleveland Cavaliers reagoi fuqishëm në parketin vendas, duke triumfuar 112:103 ndaj Detroit Pistons dhe duke barazuar serinë gjysmëfinale në 2-2.

    Përballja ishte e luftuar për pjesën më të madhe të kohës, me të dy skuadrat që shkëmbyen avantazhin disa herë gjatë ndeshjes. Megjithatë, Cavaliers treguan më shumë qetësi dhe efikasitet në momentet vendimtare, duke bërë diferencën në periodën e fundit.

    Figura kryesore e takimit ishte pa dyshim Donovan Mitchell, i cili zhvilloi një paraqitje spektakolare me 43 pikë, duke udhëhequr Cleveland drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në garën për finalen e Konferencës.

    Te Detroiti u dallua LeVert me 24 pikë, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen në një sfidë ku vendasit kontrolluan ritmin në çastet decisive.

  • Nga stadiumet te tifozët, Ronaldinho me rol unik gjatë Kupës së Botës

    Nga stadiumet te tifozët, Ronaldinho me rol unik gjatë Kupës së Botës

    Ronaldinho do të jetë një nga figurat më të veçanta të Kampionatit Botëror 2026, por kësaj radhe larg fushës së lojës. Legjenda braziliane është përzgjedhur nga transmetuesi brazilian TV Globo për të pasur një rol unik gjatë mbulimit mediatik të turneut që do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Sipas raportimeve të mediave braziliane, ish-ylli i Barcelonës dhe kombëtares së Brazilit nuk do të jetë thjesht analist televiziv, por një figurë qendrore që do të sjellë atmosferën e Botërorit më afër tifozëve.

    Roli i Ronaldinhos pritet të jetë dinamik dhe mjaft ndryshe nga format tradicionale të televizionit sportiv. Ai do të ndjekë ndeshjet drejtpërdrejt nga stadiumet, do të vizitojë kampet stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse dhe do të realizojë intervista ekskluzive me futbollistë e personalitete të njohura të turneut.

    Përveç kësaj, braziliani do të marrë pjesë në aktivitete dhe evente të ndryshme me tifozët në qytetet kryesore pritëse të Botërorit, duke sjellë energjinë dhe karizmën që e kanë karakterizuar gjithmonë.

    Në rrjetet sociale, ky angazhim është komentuar gjerësisht si një koncept krejtësisht “brazilian”, duke e lidhur stilin argëtues dhe spontan të Ronaldinhos me atmosferën festive që shoqëron zakonisht Kampionatin Botëror.

    Përmes kësaj strategjie, TV Globo synon të krijojë një përvojë më emocionale dhe më afër publikut, duke e kthyer Ronaldinho në një nga figurat kryesore të spektaklit jashtë fushës gjatë Botërorit 2026.

  • Juventus zbulon fanellën e re për sezonin 2026/27, rikthehet eleganca klasike

    Juventus zbulon fanellën e re për sezonin 2026/27, rikthehet eleganca klasike

    Juventus ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re të shtëpisë për sezonin 2026/27, duke sjellë një kombinim mes traditës dhe stilit modern që pasqyron identitetin historik të klubit torinez.

    Dizajni i ri ruan vijat ikonike bardh e zi, por këtë herë ato janë sjellë në një version më bashkëkohor dhe elegant. Fanella karakterizohet nga prerje të pastra dhe detaje gjeometrike që i japin një pamje më dinamike dhe moderne.

    Një nga elementet më të veçanta të këtij edicioni është rikthimi i jakës klasike polo, frymëzuar nga uniformat legjendare të Juventusit ndër vite. Përveç kësaj, detajet në ngjyrë ari mbi stemën e klubit, logon e Adidas-it dhe numrat e lojtarëve i japin fanellës një prekje luksi dhe elegance.

    Kompleti i ri plotësohet me pantallona të bardha dhe çorape në të njëjtën ngjyrë, duke ruajtur stilin tradicional të “Zonjës së Vjetër”. Fanella tashmë është në dispozicion për tifozët në dyqanet fizike dhe online.

    Në njoftimin zyrtar, Juventusi theksoi se fanella përfaqëson lidhjen mes historisë së pasur të klubit dhe vizionit për të ardhmen.

    “Rrënjë të forta dhe sytë drejt së ardhmes. Fanella e re sjell një interpretim modern të simboleve historike të klubit, duke kombinuar elegancën klasike me energjinë e futbollit modern”, thuhet në komunikatën e klubit bardhezi.

    Me këtë dizajn të ri, Juventus synon të ruajë identitetin tradicional, ndërsa njëkohësisht të sjellë freski dhe inovacion për sezonin e ardhshëm.

  • Sulmuesi dardan Vedat Muriqi dominon në Spanjë, pjesë e formacionit më të mirë të javës

    Sulmuesi dardan Vedat Muriqi dominon në Spanjë, pjesë e formacionit më të mirë të javës

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit spanjoll. Pas një paraqitjeje tjetër të nivelit të lartë me Mallorcan, ai është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në La Liga nga Sofascore.

    Muriqi ishte protagonist në barazimin 1-1 ndaj Villarrealit, ku realizoi golin e ekipit të tij dhe u vlerësua me notën 8.2. Falë performancës së tij bindëse, sulmuesi dardan u përzgjodh në qendër të sulmit në ekipin ideal të javës së 35-të.

    Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re as nga kundërshtarët. Trajneri i Villarrealit vlerësoi lart forcën dhe ndikimin e Muriqit në lojë, duke theksuar vështirësitë që mbrojtësit e tij patën për ta ndalur.

    Në repartin ofensiv, përkrah reprezentuesit kosovar u përfshi edhe bashkëlojtari i tij te Mallorca, Zito Luvumbo. Ndërkohë, mesfusha e formacionit u kompletua nga Victor Garcia, Alex Baena, Pablo Martinez dhe Antony, të cilët spikatën gjatë kësaj jave në kampionatin spanjoll.

    Edhe mbrojtja solli emra në formë të mirë si Jose Gaya, David Affengruber, Javi Rodriguez dhe Andrei Ratiu, ndërsa në portë u vendos Arnau Tenas, i cili mori notën më të lartë të javës, 8.9.

    Përfshirja e Muriqit në këtë formacion konfirmon edhe një herë sezonin fantastik që po kalon në Spanjë. Sulmuesi nga Prizreni mbetet figura kryesore e Mallorcas dhe një ndër lojtarët më të dalluar të La Ligas këtë edicion.

    Deri më tani, ai ka realizuar 22 gola në kampionat, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, vetëm dy gola pas Kylian Mbappé me 24 realizime.

  • Tahiri i AAK-së: Kjo legjislaturë ka nisur dhe ka përfunduar mbrapsht

    Tahiri i AAK-së: Kjo legjislaturë ka nisur dhe ka përfunduar mbrapsht

    Besnik Tahiri, ish-deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se nëse do e pyeste dikush për një vlerësim për legjislaturën e X-të, do përgjigjej se e ka nisur punën mbrapsht dhe e përfundoi edhe më mbrapsht.

    “Në ditën e nisjes së Kuvendit, është kërkuar votë prej deputetëve pa e pasur përpara deputeti së paku ekspozenë, së paku një orientim të politikave strategjike që Qeveria e ka bë. Për më keq nuk e kemi pasur as listën e ministrive dhe as emrat ministrave që vinë”, ka thënë ai, raporton Betimi për Drejtësi.

    Tahiri shtoi se legjislatura ka nisur mbrapsht pasi që të gjithë e kanë ditur që detyra e parë është formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentit. Dhe gjatë kësaj kohe kanë ndodhur momente që më shumë ka pasur tendencë të dominimit të agjendës së Kuvendit sesa rolin e Kuvendit pë ta zhbllokuar situatën.

    “Nëse bëjmë një analizë të kësaj legjislature, janë dy momente “historike”, parlamentare. E para kjo është legjislatura më e shkurtër në histori të Kosovës dhe e dyta më së shumti ka kërkesa për seanca të jashtëzakonshme shumica, në të kaluarën e ka pasur opozita”, është shprehur Tahiri.

    Sipas tij, agjenda politike ka qenë të zgjidhet një president që i shkon për shtati shumicës.

    Karakteristikë tjetër, sipas tij, është se askush nuk ka bërë asgjë për të mos shkuar në zgjedhje dhe kjo sipas tij është shumë interesante.

    “Vetëm qëllim me zgjedh president nuk ka pasur”, ka thënë Tahiri.

    Tahiri ka thënë në fund se AAK-ja kanë qenë të përjashtuar prej diskutimeve, por performancën në këtë legjislaturë e kanë bërë dhe dalin të jenë partia me aktive në Kuvend.

    “Jam krenar, është viti i katërt ku zgjedhem deputeti me aktiv”, tha ai.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi konferencë diskutimi me temën: “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, në kuadër të së cilës u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.

  • Mustafa i PDK’së: VV ka pasur synimin përgatitje për zgjedhje, u dhanë premtimet e njëjta

    Mustafa i PDK’së: VV ka pasur synimin përgatitje për zgjedhje, u dhanë premtimet e njëjta

    Arben Mustafa, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nga fillimi i Legjislaturës së X-të, shumica parlamentare e ka pasur synim përgatitjet për zgjedhje të reja sesa që ka pasur një agjendë serioze legjislative apo qeverisëse.

    “I kishim të njëjtat premtime që ishin dhanë edhe para gjashtë viteve dhe në atë ekspoze paraqiteshin sikur premtime të reja pa dhanë asnjë llogari se çka është bë këto gjashtë vjet që nuk është realizuar të paktën ndonjëra prej tyre”, u shpreh ai.

    Tutje, Mustafa shtoi se Kryeministri Kurti atë ditë kur paraqiti këtë ekspoze foli sikur po dilte për herë të parë dhe po paraqiste vizionin e tij si kryeministër.

    “Pra, pa dhënë asnjë llogari, asnjë përgjigje pse nuk është realizuar të paktën një nga ato projektet e mëdha, u prezantoheshin aty sikur të ishte një vizion i ri dhe kjo ishte joserioze”, shtoi ai.

    Mustafa tha se kishte shkëputje mes asaj që tha Kurti në ekspoze dhe buxhetit që e solli në Kuvend.

    “Asnjë nga premtimet e mëdha që u paraqitën në ekspoze, nuk ishin të buxhetuara. Pra, kishim një shkëputje totale mes asaj që paraqiti Kryeministri në ekspoze dhe buxhetit që e solli në Kuvend për votim”, ka theksuar ai.

    Lidhur me debatin në Kuvend, ai tha se pushteti ka parë Kuvendin si makineri dhe nuk e kanë parë rolin e deputetëve në Kuvendc duke shtuar se shumë ligje sikur si për shëndetësinë, çmimet tavan, i kanë kaluar pa pasur debat parlamentar.

    “Asnjë mundësi nuk iu është dhënë deputetëve për të ushtruar rolin e tyre”, ka thënë Mustafa.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi konferencë diskutimi me temën: “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, në kuadër të së cilës u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.